Check Up

Check Up

Check Up

Pse të shkojmë tek mjeku kur ndihemi mirë?!
Pse t’i nënshtrohemi Check Up- it edhe kur nuk kemi ankesa?!

SEPSE:

  • Diagnostikimi në stadet e para të sëmundjes çon në ecuri më të mirë të saj.
  • Studimi i stilit të jetesës (përdorimi i cigares, alkoolit, apo sjellje të tjera me risk) dhe i historisë mjekësore personale dhe familjare gjatë vizitës së Check Up ndihmon në parandalimin e sëmundjeve.
  • Check Up – i juaj nuk vlerëson vetëm mirëqenien tuaj fizike, por edhe shëndetin tuaj mendor.
  • Vizita e përvitshme tek mjeku juaj ndihmon në krijimin e një marrëdhënie më komode mjek-pacient.
  • Dhe…. Sepse ju jeni më të qetë kur ia besoni shëndetin tuaj profesionistëve!


Për të mbrojtur dhe ruajtur shëndetin…

Glicemia

Ky test mat nivelin e glukozës në gjak, burimit kryesor të energjisë për qelizat e trupit dhe të vetmit për sistemin nervor. Përdorimi i glukozës për energji varet nga insulina, një hormon i prodhuar nga pankreasi. Ka disa patologji që shoqërohen me çrregullime të niveleve plazmatike të glukozës dhe hormoneve të tjera të përfshira. Më kryesorja është diabeti, i cili përmbledh një grup çrregullimesh të lidhura me prodhimin e pamjaftueshëm të insulinës dhe/ose rezistencën ndaj insulinës.

Në rastet kur kemi të bëjmë me mosprodhim të mjaftueshëm të insulinës jemi përpara DIABETIT TIP 1. Ndërsa kur kemi rezistencë ndaj insulinës, kemi DIABETIN TIP 2.
Diabeti është një sëmundje kronike, e cila duhet ndjekur me shumë seriozitet, pasi nivelet e larta të sheqerit shkaktojnë dëmtime në organe si në veshka, sy, zemër, enë gjaku dhe në sistemin nervor.

Gjatë shtatzënisë mund të shfaqet hiperglicemia apo diabeti gestacional, i cili mund të japë çrregullime tek nëna dhe bebi, nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet. Po ashtu hipoglicemia, niveli i ulët i sheqerit, mund të shkaktojë dëmtime në Sistemin Nervor Qendror dhe Periferik.

HbA1c

Ky test mat sasinë e hemoglobinës që lidhet me glukozën. Bëhet fjalë për A1c, një nga format e hemoglobinës. Sa më i lartë niveli i glukozës (sheqerit) në gjak, aq më i lartë është edhe niveli i HbA1c. Meqë jetëgjatësia e eritrocitit është 120 ditë, ky test na jep informacion për nivelet e sheqerit në gjak për 2-3 muajt e fundit. Pra, është një test i rëndësishëm për të ndjekur ecurinë e pacientëve diabetikë, por së bashku edhe me ekzaminime të tjera edhe për të diagnostikuar diabetin Mellit.

ALT/AST

Alaninë Aminotransferaza (ALT) dhe Aspartate aminotransferaza (AST) janë enzima të gjetura në mëlçi, por në sasi të ndryshme gjenden edhe në veshka, në zemër dhe në muskuj. Mëlçia është organ shumë i rëndësishëm pasi ndihmon në tretjen e ushqimeve, në eliminimin e substancave toksike, si dhe në prodhimin e shumë proteinave si psh: faktorët e koagulimit. Në njerëzit me mëlçi të shëndetshme niveli i këtyre enzimave është brenda normës. Ato rriten në dëmtimet e mëlçisë nga infeksionet e ndryshme virale, hepatitet, mbidozimi me ilaçe, apo përdorimi i alkoolit.

ESR

Eritrosedimenti (ESR) është një ekzaminim që shpreh shkallën e inflamacionit në trupin e njeriut. Ai mat shpejtësinë e lëvizjes së eritrociteve në një tub vertikal. Kur kemi inflamacion rritet përqëndrimi i proteinave specifike si fibrinogjeni, imunoglobulinat duke bërë kështu rënien më të shpejtë të eritrociteve, pra rritjen e eritrosedimentit. Eritrosedimenti rritet në situata të ndryshme si infeksione, sëmundje autoimune, apo ato malinje.

Hemograma

Hemograma është një ekzaminim që na jep informacion për tre ndarjet kryesore të gjakut. Rruazat e kuqe, Rruazat e bardha dhe Trombocitet.

Emërtimet kryesore në hemogramë:

  • WBC Leukocite (rruazat e bardha)
  • RBC Eritrocite (rruaza të kuqe)
  • Hb Hemoglobina
  • Hct Hematokriti
  • MCV Volumi mesatar korpuskular
  • MCH Hemoglobina mesatare korpuskulare
  • MCHC Përqëndrimi mesatar i hemoglobinës korpuskulare
  • PLT trombocitet

Eritrocitet përmbajnë hemoglobinën, proteinë kjo që transporton oksigjenin nëpër qelizat e organizmit. Tek njeriu i shëndetshëm rruazat e kuqe kanë formë të ngjashme dhe përqëndrim normal të Hb. Ndryshime kemi në rastet e patologjive si mungesa e hekurit, Vit B12 apo acidit folik. Në rastet kur niveli i Hb apo numri i eritrociteve është më i vogël se norma kemi të bëjmë me anemi, e cila manifestohet me këputje trupi, debulesë të përgjithshme dhe vështirësi në frymëmarrje. Por ka raste që asnjë ankesë nuk është e pranishme. Në rastet kur numri i eritrociteve është mbi normë kemi të bëjmë me policiteminë, e cila shoqërohet me çrregullime të fluksit të gjakut në enët e gjakut.

PLT- trombocitet luajnë rol shumë të rëndësishëm në koagulimin e gjakut. Nëse numri i tyre është i ulët kemi risk të shtuar për hemorragji.

WBC -leukocitet janë klasa përgjegjëse për mbrojtjen ndaj infeksioneve. Ato kanë disa nënklasa: neutrofilet, limfocitet, bazofilet, euzinofilet dhe monocitet. Në varësi se cila prej nënklasave është e rritur gjykojmë edhe për llojin e shkaktarit, psh në rastet e infeksioneve bakteriale rritet numri i neutrofileve, ndërsa në ato virale kryesisht limfocitet. Në rastet e alergjive pritet një rritje e numrit të euzinofileve.

Azotemia

Ky test mat në gjak sasinë e metaboliteve që formohen nga metabolizmi i aminoacideve dhe proteinave në mëlçi e më pas në veshka. Tek njeriu i shëndetshëm kjo sasi është brenda kufijve të normës. Në rastet e patologjive që çojnë në prodhim të shtuar nga mëlçia, apo në eliminim të pakët nga veshka niveli i azotemisë rritet. Ndërsa në patologji të tjera apo dëmtime të mëlçisë të shoqëruara me ulje të prodhimit, atëherë azotemia do të rezultojë e ulur.

Kreatinemia

Kreatinina është një produkt i degradimit të kreatinës, substancë kjo e ndodhur në qelizat muskulare. Pothuajse e gjithë sasia e kreatininës eliminohet me veshka. Prandaj ky ekzaminim është tregues i përshtatshëm për funksionin e veshkave, por, niveli i saj varet edhe nga masa muskulore e njeriut. Pra, pritet që tek meshkujt ky nivel të jetë më i lartë se sa tek femrat dhe fëmijët.

Lipidograma

Lipidograma është një ekzaminim që tregon nivelin e yndyrnave në gjak, përkatësisht kolesterolit, triglicerideve dhe nënklasave të tyre. Kolesteroli është një substancë thelbësore në organizmin e njeriut, pasi gjendet në përbërjen e membranave qelizore, si dhe merr pjesë në sintezën e hormoneve apo në proceset e tretjes dhe të përthithjes së ushqimeve. Një pjesë e kolesterolit qarkullon në gjak në formën e komplekseve lipoproteinike, përkatësisht: HDL – C (kolesteroli i mirë) që e largojnë kolesterolin nga qarkullimi dhe LDL – C (kolesteroli i keq) që e depozitojnë atë në inde dhe organe. Është shumë e rëndësishme mbajtja në nivelet e lejuara të kolesterolit, pasi në nivele të larta ai depozitohet në formën e pllakave aterosklerotike në enët e gjakut duke i ngushtuar ato dhe duke shtuar riskun për sëmundje kardiovaskulare.
Trigliceridet janë një burim i rëndësishëm energjie për organizmin. Ato ndodhen në indin dhjamor, por qarkullojnë edhe në gjak, shumica e tyre të lidhura me disa lipoproteina VLDL.
Përveç mënyrës së ushqyerit, në rritjen e triglicerideve në gjak, ndikon edhe stili i të jetuarit, jeta pasive, përdorimi i cigares, alkoolit apo patologji si diabeti dhe sëmundjet renale.

Analizë urine

Ky test përcakton praninë e metabolitëve normalë dhe patologjike të organizmit, praninë e qelizave apo bakterieve në urinë. Urina prodhohet nga veshkat, ku bëhet edhe filtrimi i gjakut, duke eliminuar toksinat dhe duke ruajtur në gjak një bilanc normal proteinash, elektrolitesh dhe uji. Zakonisht urina ka ngjyrë të verdhë të qartë, por mund të variojë nga momenti kur merret analiza, si dhe gjendja klinike e njeriut. Normalisht urina nuk duhet të përmbajë glukozë, proteinë, bilirubinë, rruaza të kuqe, të bardha, kristale apo bakterie. Ato mund të shfaqen në rastet kur sasia e disa substancave është e lartë në gjak, psh diabeti që manifestohet me sheqer të lartë në gjak, por edhe në rastet e infeksioneve apo sëmundjeve të veshkave.

PSA

Antigjeni specifik prostatik (PSA) është një proteinë e prodhuar nga qelizat e gjendrës së prostatës. Është një test që ndihmon në depistimin e sëmundjeve të prostatës, por edhe në ndjekjen e ecurisë tek pacientët e diagnostikuar tashmë me këto çrregullime. Ka dy teste specifike: total PSA dhe free PSA. Në diagnostikimin e patologjive specifike është shumë e rëndësishme matja e të dyja formave, si edhe raporti ndërmjet tyre.

Hepatiti B

Hepatiti B është një infeksion i mëlçisë i shkaktuar nga një virus specifik me të njëjtin emër (HBV). Ai është një ndër shumë shkaktarët e inflamacionit apo zmadhimit të mëlçisë dhe për më tepër të hepatitit kronik. Rrugët e transmetimit janë nëpërmjet gjakut dhe shiringave që zakonisht përdoren ndërmjet përdoruesve të drogave intravenoze, si dhe lëngjeve të tjera të trupit, spermës, sekrecioneve vaginale. Nënat shtatzëna të infektuara mund t’ja transmetojnë këtë virus fëmijës. Gjithsesi, transmetimi varet edhe nga titri i antigjeneve në trup, statusi i individit që e ka virusin si psh, me infeksion aktiv, mbartës inaktivë etj.

Ecuria e këtij infeksioni kalon nëpër disa stade:

  • Forma akute që mund të manifestohet me shenjat e një viroze si ethe, këputje trupi, të përziera, të vjella, zverdhje të trupit. Por shpesh kjo fazë mund të kalojë pa shenja specifike.
  • Forma kronike ku prezenca e virusit detektohet nga testet laboratorike dhe shoqërohet me inflamacion të mëlçisë.
  • Forma e mbartësit ku virusi është i pranishëm, por nuk ka inflamacion të mëlçisë.
  • Infeksion i shëruar ku testet virusale bëhen negative dhe nuk kemi shenja apo inflamacion të mëlçisë.

Ka teste specifike që matin nivelin e antigjeneve, antitrupave apo edhe ADN e virusit. Është shumë e rëndësishme ndjekja e të gjitha formave të këtij virusi me analiza gjaku, bilance biokimike dhe ekzaminime imazherike. Tashmë ekziston edhe vaksina për parandalimin e hepatitit B.

HIV

HIV është virusi që shkakton sëmundjen e AIDS (Acquired immunodeficiency syndrome). Është një virus që dëmton sistemin imunitar, duke ulur aftësitë e organizmit për t’u mbrojtur nga sëmundjet e ndryshme. Për këtë arsye, pacientët e diagnostikuar me praninë e këtij virusi janë të prekshëm nga disa infeksione të shkaktuara nga viruse, bakterie apo funge, që tek njerëzit pa këtë virus, zakonisht nuk shkaktojnë probleme.

Rrugët e transmetimit janë: marrëdhëniet seksuale; kontakti me gjakun e infektuar apo nënproduktet e tij (transfuzionet e gjakut, shkëmbimi i shiringave ndërmjet përdoruesve të drogave intravenoze); nga nëna tek fëmija gjatë shtatzënisë apo lindjes së bebit. Testi i HIV duo detekton praninë e antitrupave që krijohen në organizëm pas kontaktit me këtë virus. Zakonisht këto antitrupa detektohen në gjak, rreth 8 javë pas ekspozimit ndaj antigjenit.

Pap-test

Pap testi është pjesë e rëndësishme e përkujdesjes për shëndetin e gruas, sepse mund të zbulojë kancerin e qafës së mitrës, ose ndryshimet që mund të çojnë në këtë lloj kanceri.

Është procedurë e thjeshtë, jo e dhimbshme, e cila realizohet gjatë një vizitë gjinekologjike. Mosha në të cilën rekomandohet Pap test është 21 – 23 vjeç (ose 3 vjet nga fillimi i aktivitetit seksual) deri në 65 – 70 vjeç. Është e rekomandueshme që Pap test të përsëritet çdo 2-3 vjet në rastet kur rezultati është normal dhe ky interval mund të ndryshojë në varësi të problemeve që mund të evidentohen.

Ndryshimet qelizore të shprehura në sistemin e referimit të Pap testit janë të shkallëzuara në disa grada të cilat shprehin afërsinë e strukturës të qelizave me ato normale deri në qelizat kanceroze. Në varësi të këtyre gradave vendoset ecuria e mëtejshme e investigimeve dhe trajtimeve të nevojshme.

Vlen të nënvizohet :

  1. Pap testi është vetëm metodë depistuese (zbuluese ose orientuese) e problemeve të qafës së mitrës. Pap testi nuk vendos diagnozë përfundimtare dhe as nuk trajton kancerin.
  2. Sa më herët dhe në fazë fillestare të dallohen problemet e qafës së mitrës aq më lehtë është trajtimi i tyre dhe siguria e jetës rritet.
  3. Kanceri i qafës së mitrës është i trajtueshëm kur zbulohet përpara se të shfaqen ankesat (dhimbje, hemoragji vaginale etj). Nga momenti që është bërë i ndjeshëm (nga këto ankesa) ose i dukshëm gjatë vizitës gjinekologjike ecuria është e shpejtë dhe rezultatet e trajtimit janë të varfra.
  4. Pap testi është i detyrueshëm për çdo grua që paraqet hemoragji vaginale jo normale pas kontaktit seksual. Gjithashtu, çdo grua në menopauzë, e cila ka hemorragji vaginale, duhet të kryejë Pap test me vizitë gjinekologjike.

Eko abdominale

Është ekzaminim që bëhet me anën e ultratingujve dhe na jep informacion për organet dhe strukturat e brendshme të abdomenit (barkut). Marrim informacion për madhësinë, strukturën, pozicionimin e mëlçisë, veshkave, shpretkës, fshikëzës urinare, prostatës tek meshkujt, apo mitrës dhe vezoreve tek femrat. Megjithëse ky është ekzaminim i rëndësishëm në kolikat abdominale (dhimbjet e barkut), theksohet rëndësia e tij pasi shpesh në Check Up rutinë diagnostikohet prania e gurëve në traktin urinar, në fshikëzën e tëmthit, prania e kisteve në mëlçi apo veshka, dëmtimet e mëlçisë nga përdorimi i alkoolit apo nga hepatitet kronike. Jo rrallë diagnostikohen në moshë të rritur çrregullime organore të lindura apo edhe prania e formacioneve patologjike tek të cilat diagnostikimi i hershëm është thelbësor në ecurinë e sëmundjes.
Të dhënat mjekësore që marrim nga eko abdominale, shpesh plotësohen edhe nga CT apo rezonanca magnetike, sipas vlerësimit të mjekut përgjegjës.

Ro grafi toraksi

Grafia e toraksit është një ekzaminim që kryhet me rreze X, në 1 apo 2 drejtime dhe na jep informacion për organet dhe strukturat e lokalizuara në këtë ndarje anatomike si mushkëritë, zemra dhe enët e gjakut, diafragma, si edhe të strukturave kockore si brinjët dhe pjesa torakale e shtyllës kurrizore. Meqënëse na jep informacion të rëndësishëm për sëmundjet e mushkërive si bronkitet, bronkopneumonia, TBC apo edhe çrregullime të tjera pa shenja specifike klinike, ky ekzaminim është shumë i rëndësishëm në paketën e Check Up-it.

Për një informacion më të plotë dhe specifik, në rastet kur mjeku e vlerëson mund të kërkohen edhe CT (Skaner) apo MRI (Rezonanca Magnetike) e toraksit. Në rastet e shtatzënisë duhet informuar mjeku për të vlerësuar mbi riskun dhe përfitimet nga këto ekzaminime për më të mirën e pacientit.

Ekografi e gjirit –mamografi

Eko mame (gjiri) është një ekzaminim me ultratinguj i gjirit dhe strukturave përreth. Ky ekzaminim pavarësisht se nuk ka një moshë maksimale se deri kur mund të kryhet është ideal për kontroll të gjirit për femra deri në moshën 35 vjeç për shkak të dendësisë së indeve. Nën eko evidentohen dhe kontrollohen patologji të strukturës, formës, densitetit të gjirit, kanaleve duktale, kiste ose formacione nodulare. Pas moshës 35-40 vjeç sensiviteti i ekos së gjirit bie, prandaj rekomandohet edhe mamografia, e cila na jep informacion plotësues në lidhje me këto struktura. Është shumë e rëndësishme ndjekja me eko dhe mamografi sipas rastit, disa ndryshimeve si strukturave kistike apo fibroadenomave duke ndjekur kështu zmadhimin apo zvogëlimin e përmasave të këtyre strukturave, për të marrë pastaj vendimet e duhura terapeutike.
Eko kardiake

Është ekzaminim i zemrës nën ultratinguj e cila informon mjekun dhe pacientin në lidhje me përmasat e zemrës, funksionin e saj, cilësinë dhe kontraktimet e zemrës gjatë punës së qarkullimit të gjakut nga zemra në të gjithë trupin. Gjatë këtij ekzaminimi shihen kapakët, valvulat e zemrës, lëvizshmëria, mënyra si ato hapen e mbyllen duke vënë në pah mirëfunksionimin e saj. Për ndjeshmërinë e lartë eko kardiake është ekzaminim që ndihmon shumë në parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të patologjive kardiake duke orientuar mjekun dhe pacientin në trajtimin efikas dhe të shpejtë të problemeve kardiologjike.

Eko tiroide

Është një ekzaminim që përdoret për studimin e gjendrave tiroide, të lokalizuara në pjesën e përparme të poshtme të fytit. Për nga funksioni që mbart gjendja tiroide mund të thuhet që është një nga organet që aktualisht është më pak i vlerësuari ose kontrolluari. Kjo gjendër ndikohet shumë nga mungesa e jodit dhe infeksione të ndryshme të trupit dhe duke qenë e tillë shpeshherë patologjitë që janë në proces e sipër nuk vihen re, ose nuk diagnostikohen në momentin e duhur. Së bashku edhe me matjen e funksionit hormonal si TSH/FT4/FT3, eko na ndihmon në ndjekjen dhe trajtimin e duhur të patologjive të tiroides.

Ro grafi e kolonës vertebrale

Është ekzaminimi i vertebrave të shtyllës kurrizore, i cili përcakton formën, madhësinë, vendosjen e këtyre kockave. Rekomandohet në rastet kur pacienti ka ankesa specifike si psh dhimbje mesi apo shpine që zgjat; në rastet post traumatike; për të evidentuar spondilartrozën dhe shkallën e saj, por rekomandohet të kryhet edhe për kategoritë e personave që kanë pozicione të detyruara qëndrimi, si psh qëndrimi me orë të zgjatura para kompjuterit, qëndrimi jo korrekt në tavolinën e punës apo të studimit. Duhet patur parasysh që gratë shtatzëna që duhet të kryejnë një ekzaminim të tillë dhe në rastet kur dyshohet për shtatzëni, duhet patjetër të informojnë mjekun përgjegjës mbi gjendjen. Me gjithë rëndësinë e këtij ekzaminimi, në disa raste është i pamjaftueshëm në diagnostikimin e saktë të patologjive të kolonës vertebrale dhe të strukturave nervore përkatëse, prandaj kërkohet rezonanca magnetike, ekzaminim ky që na jep informacion të plotë dhe më specifik.

Densitometria

Është ekzaminimi që mat dendësinë dhe fortësinë e rruazave të shtyllës kurrizore dhe jep një informacion në lidhje me qëndrueshmërinë e kockave të trupit në përgjithësi dhe kockat që mbajnë peshën më të madhe në veçanti, sic janë kockat e legenit, koka e femurit.

Rekomandohet që të kryhet në paciente femra mbi moshën 50-55 vjeç sepse pas kësaj moshe dobësimi i kockave është më i ndjeshëm dhe më i shpejtë, kjo e ndikuar edhe nga fillimi i menopauzës. Ky ekzaminim na ndihmon të depistojmë që në fazat e para uljen e dendësisë së kockave (osteopeninë), e cila pasi mjekohet parandalon ecurinë drejt osteoporozës dhe riskut të madh të frakturave. Megjithëse është theksuar shumë rëndësia e këtij ekzaminimi tek femrat, duhet të theksohet që rekomandohet edhe tek meshkujt mbi 60 vjeç, e veçanërisht kur kemi sëmundje reumatizmale, çrregullime të tiroides, përdorim kronik të disa preparateve, si psh kortizonikët.

Kolonoskopi

Është ekzaminim endoskopik, nën kamera, direkt i kolonit dhe zorrës së trashë. Rekomandohet që të kryhet patjetër në të gjithë pacientët mbi 50 vjeç dhe veçanërisht në pacientët që kanë probleme në defekim. Koloni është organi më i ekspozuar ndaj ushqimeve, kafes, pijeve alkoolike dhe për pasojë është edhe më i rrezikuar nga dëmet që këto të fundit shkaktojnë.

Me rritjen e yndyrnave në dietat ushqimore, me shtimin e frekuentimit të ushqimeve fast food dhe pakësimin e fibrave në dietat ushqimore bëhen të pashmangshme patologjitë dhe problemet e stomakut. Duke kryer këtë ekzaminim, i cili mund të kryhet me anestezi dhe pa dhimbje, merret informacion direkt në lidhje me strukturën, normalitetin apo patologjitë e sistemit tretës. Duke patur parasysh që ky është një sistem i mbyllur, shpeshherë problemet që shfaqen maskohen dhe vonohen shumë në diagnostikim dhe trajtimin në kohën e duhur. Prandaj është shumë e rëndësishme që në rastet e shqetësimeve të sistemit tretës të paraqiteni tek mjeku i Check Up-it dhe mjeku gastro-hepatolog për të kryer këtë ekzaminim.

More Doctors From : Check Up

Dr. Paola Stillo (Damo)

Dr. Paola Stillo (Damo)

Mjek i Përgjithshëm
Dr. Urim Shehu

Dr. Urim Shehu

Mjek i Përgjithshëm
Dr. Besnik Filaj

Dr. Besnik Filaj

Mjek i Përgjithshëm
Dr. Vangjush Lekgjika

Dr. Vangjush Lekgjika

Mjek i Përgjithshëm
Dr. Areti Pojani

Dr. Areti Pojani

Mjek i Përgjithshëm
Dr. Monika Novaku

Dr. Monika Novaku

Mjek i Përgjithshëm
Dr. Klodian Hyka

Dr. Klodian Hyka

Mjek i Përgjithshëm