REZONANCA MAGNETIKE – fjala e fundit e Imazherisë së Avancuar në diagnostikimin e kancerit të gjirit.
Dr. Shk. Iris Allajbeu
Shefe e Departamentit të Imazherisë së Avancuar
Spitali Amerikan
Çfarë është Rezonanca Magnetike e Gjirit?
RM e gjirit është ekzaminimi më i avancuar diagnostikues për sëmundjet e gjirit që realizohet me anë të një programi të posaçëm të rezonancës magnetike nga specialistët përkatës. Është një ekzaminim joinvaziv, pa dhimbje, pa rrezatim dhe pa efekte anësore, i sigurt për të gjithë grupmoshat e pacientëve.
RM e gjirit jep informacion të detajuar për të gjitha patologjitë e gjirit në rastet kur metodat e tjera diagnostikuese, si mamografia apo ekoja janë të pamjaftueshme, duke çuar në diagnostikimin e saktë të sëmundjes. Gjithashtu RM e gjirit arrin të diagnostikojë patologjitë e gjirit që në fazat fillestare kur ato nuk janë të dukshme ende në mamografi apo eko.
Në cilat raste rekomandohet të bëhet RM e gjirit?
Rezonance Magnetike nuk është një metodë depistuese për të gjithë popullatën, por një metodë imazherike e avancuar që përdoret për grupe të caktuara dhe në situata të caktuara si:
Depistimi i grave me RISK TË LARTË për kancerin e gjirit.
Shoqata Amerikane e Kancerit dhe |ajo Europiane e Imazherise se Gjirit rekomandojne fuqishëm Rezonancën Magnetike, si metodë depistuese krahas mamografisë për gratë me risk 20-25% më të lartë se pjesa tjetër e popullatës.
– Në këtë grup përfshihen gratë me histori familjare të kancerit të gjirit të të afermve si; nëna, motra, tezja, nën moshe 50 vjeç.
– Defektet apo Mutacionet gjenetike BRCA1 dhe BRCA2
– Histori e kancerit të njërit gji, e cila rrit rrezikun për kancer në gjirin tjetër
– Histori e rrezatimit të kraharorit në doza të larta në moshat 10-30 vjeç
– Diagnostikimi i lezioneve prekanceroze të gjirit në biopsi si Hiperplazia atipike duktale,karcinoma insitu lobulare apo duktale.
RM luan një rol të rëndësishëm në planifikimin e ndërhyrjes kirurgjikale dhe terapise në pacientët të diagnostikuar me kancer gjiri, pasi jep informacion të detajuar për përhapjen e kanceritdhe të strukturave përrethdhe vlerësimin e gjirit tjetër për të përjashtuar një vatër të mundshme kanceri.
*Ndjekje postkirurgjikale e pacientëve që kanë kryer Kirurgji konservative të modifikuar të gjirit
*Diferencimi i lezioneve të dyshimta të diagnostikuara në eko apo mamografi
*Vlerësimin e rezultatit të kimioterapisë
*Vlerësimin e pacientëve që i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale plastike të gjirit.
* Vlerësimi preoperativ i pacientëve të diagnostikuar me kancer të gjirit
Në disa raste, kanceri i gjirit trajtohet me kimioterapi neoadjuvante para se t’i nënshtohet ndërhyrjes kirurgjikale. Në këto raste, RM përdoret shpesh për të monitoruar trajtimin me kimioterapi, si dhe për të rivlerësuar sasinë e tumorit ende të pranishëm, para se operacioni të jetë kryer.
Në këta pacientë RM përdoret si për vlerësimin e implanteve në rastet kur dyshohet për rupturë të tyre, ashtu edhe në ekzaminimin e lezioneve të dyshimta, pasi Ekoja dhe mamografia në këta pacientë realizohet më me vështirësi.
Cilat janë kundërindikimet e RM së gjirit?
– Prezenca e implanteve metalike, pacemakerave etj. në trup.
– Pacientët me histori alergjie nga lënda e kontrastit që përdoret për ekzaminimet me RM (raste shumë të rralla).
– Pacientët klaustrofobike. Në raste të tilla mund të përdoren forma të ndryshme sedacioni.
-RM është ekzaminim radiologjik i avancuar qe kerkon aparatura te posacme dhe specialiste me pervoje per te minimizuar biopsi apo nderhyrje kirurgjikale te panevojshme.
Ky ekzaminim ashtu si dhe të gjitha ekzaminimet e tjera të gjirit këshillohet të kryhet brenda 10 ditëshit të parë të ciklit menstrual, mundësisht ditën 5-7 të ciklit, ku gjiri është më i qetë dhe më pak i ndikuar nga ndryshimet hormonale.