31 Maji, Dita Botërore pa Duhan!
Tymi i duhanit, i cilësuar jo pak herë si tymi i bardhë që vret, është tymi që del nga konsumimi i duhanit dhe letrës mbështjellëse të tij.
Ky tym përmban deri në 4 mijë substanca kimike, ku më të dëmshme për organizmin klasifikohen katrani, monoksidi i karbonit dhe nikotina. Filtrat reduktojnë sasinë e këtyre substancave që futen në organizëm përmes rrugëve të frymëmarrjes, por nuk i eliminojnë ato.
Acidi cianhidrik, akroleina, formaldeida dhe amoniaku janë gjithashtu të pranishëm në tymin e duhanit duke shkaktuar dëme të menjëhershme në mukozën e rrugëve të frymëmarrjes.
Katrani në përbërjen e tij përfshin disa substanca, mes të cilave më e njohura është benzonpireni dhe hidrokarburet aromatike. Është vërtetuar se këto substanca janë kancerogjene.
Veç të tjerash, katrani irriton rrugët e frymëmarrjes, zverdh dhëmbët, keqëson erën e gojës dhe lë një shije të hidhur.
Monoksidi i karbonit pengon hemoglobinën të transportojë sasinë e duhur të oksigjenit në organizëm.
Nga ana tjetër, nikotina si alkaloid natyral, i pranishëm në duhan në një përqindje që varion nga 2 deri në 8%, përveçse përmban doza helmuese, krijon varësi për përdoruesit! Stimulon çlirimin e dopaminës në Sistemin Nervor Qëndror dhe atë të adrenalinës nga gjendra mbiveshkore. Për aq kohë sa konsumon duhan, stimulon mendjen dhe trupin,; por menjëherë më pas humori përkeqësohet, duke e nxitur kështu duhanpirësin të ndezë cigaren e radhës për të shijuar sërish emocionet pozitive.
Përveç varësisë farmakologjike nga nikotina, duhanpirësi krijon edhe një varësi psikologjike. Kur ndalon pirjen e duhanit, manifestohet gjendje si:
- nervozizëm, zemërim, ankth;
- dëshirë e pakuptueshme për të pirë duhan;
- vështirësi në përqëndrim;
- deri edhe pagjumësi.
Disa nga dëmet e duhanpirjes që shfaqen në aparatin e frymëmarrjes janë:
- irritimi,
- mukusi i shtuar,
- bronkiti akut,
- më pas bronkit kronik,
Dhe emfizemë pulmonare.
Nuk përjashtohet edhe mundësia për infeksione në rrugët e frymëmarrjes dhe astmë.
Nuk duhet të harrojmë se pirja e duhanit rrit rrezikun e shumë llojeve të kancerit; në rrezik janë para së gjithash rrugët e frymëmarrjes pasi ato janë të ekspozuara drejtpërdrejt ndaj pirjes së duhanit. Te duhanpirësit rreziku për kancer të mushkërive është 20 herë më i lartë se te personat që nuk pinë duhan. I lartë paraqitet edhe rreziku i kancerit në veshka dhe në fshikëzën e urinës, duke qenë se substancat kancerogjene të duhanit eliminohen nga veshkat dhe dalin nga fshikëza me anë të urinës.
Nëse jeni duhanpirës, bëni gjithçka të mundshme për ta lënë duhanin.
E keni ju në dorë, bëjini një dhuratë të bukur vetes, lini duhanin dhe përmirësoni cilësinë e jetës tuaj!
Për më shumë informacion ose vizitë me mjekun toksikolog kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com