Ethet e Nilit Perëndimor: Simptomat dhe parandalimi
Ethet e Nilit Perëndimor është një sëmundje virale që shkaktohet nga virusi i Nilit Perëndimor; emri i së cilës rrjedh nga dega e Nilit Perëndimor në Ugandë, dhe për herë të parë është diagnostikuar në 1937 te një grua që vuante nga një temperaturë shumë e lartë.
Sëmundja tipike e kontinentit të Afrikës, po përhapet edhe në pjesët e tjera të botës, siç tregojnë edhe rastet e personave të prekur në vendet e Ballkanit gjatë muajit Gusht.
Simptomat
Periudha e inkubacionit për ethet e Nilit Perëndimor varion nga 2 deri në 15 ditë dhe në format më të lehta sëmundja zgjat nga 3 deri në 6 ditë.
Rreth 80% e rasteve të transmetuara te njerëzit nuk manifestojnë simptoma. Kur manifestohen simptomat ato janë shumë të ngjashme me gripin:
- temperaturë e moderuar,
- gjendje parehatie e përgjithshme
- ulje të oreksit
- të përziera,
- dhembje koke,
- dhembje sysh,
- dhembje shpine,
- dhembje muskujsh,
- kollë
- puçrra,
- diarre
- nyje imfatike të zmadhuara,
- vështirësi në frymëmarrje.
Format më të rënda të sëmundjes, që kërkojnë trajtim të specializuar, karakterizohen nga simptoma më të rënda, si:
- temperaturë e lartë,
- encefalit
- meningjit
- dhembje të forta të kokës,
- dobësi dhe paralizë të lehtë,
- simptoma gastrointestinale,
- çorientim,
- të dridhura
- konvulsione
- puçrra në kurriz, qafë, krahë dhe këmbë,
- ataksi (humbja progresive e koordinimit të muskujve),
- koma.
Në përgjithësi, kjo sëmundje është e shërueshme, megjithatë, për rreth 1% të pacientëve, mund të degjenerojë në meningjit ose encefalit, sidomos te personat e moshuar ose me imunitet të dobët.
Transmetimi i virusit të Nilit Perëndimor
Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet përmes pickimit të mushkonjave. Sa më i madh numri i infeksioneve dhe i mushkonjave në mjedis, aq më e madhe është mundësia e kontaktit me sëmundjen. Ethet e Nilit mund të infektojnë edhe kafshët, në veçanti zogjtë shtegtarë përgjegjës për përhapjen e virusit në botë.
Parandalimi
Mjeti më efikas për të parandaluar është përdorimi i pajisjeve ose spray kundër mushkonjave dhe insekteve në mënyrë që të shmanget një pickim i mundshëm nga insektet bartëse.
Gjithashtu rekomandohet që të evitohen zonat ku ka kafshë të ngordhura ose pellgje me ujë të ndenjur të cilat tërheqin mushkonjat.
Kohëzgjatja e sëmundjes
Ndërsa prognoza e përgjithshme është e favorshme, studimet e tanishme tregojnë se ethet e Nilit Perëndimor shpesh mund të jenë më të rënda sesa supozohej më parë, me raste që kërkojnë deri në 90 ditë për shërimin e plotë. Edhe pacientët e prekur nga format e lehta mund të përjetojnë simptoma të llojeve të ndryshme (të dridhura dhe disfunksion senso-motor) për një vit ose më shumë, dhe në rastet e rënda, disa dëme mund të jenë të përhershme.
Më pak se 1% e pacientëve të prekur paraqesin simptoma të rënda dhe / ose fatale.
Personat e infektuar dhe që kanë kaluar ethet e Nilit Perëndimor kanë fituar imunitet të përhershëm.
Trajtimi
Aktualisht nuk ekzistojnë vaksina apo trajtime specifike, zakonisht përdoren medikamente që ndihmojnë në lehtësimin e simptomave të sëmundjes.
Në rast se keni simptomat e mësipërme dhe ndjeni se keni nevojë për ndihmën e mjekut drejtohuni tek Urgjenca e Spitalit Amerikan në numrin 068 800 8000