Trendet e fundit të kirurgjisë plastike në Shqipëri dhe në botë
Në vitet ’80-’90 pacientët e kirurgjisë plastike dëshironin të ndryshonin pamjen për t’i ngjarë një aktori apo këngëtareje të caktuar. Tashmë trendi ka ndryshuar dhe shumica duan të duken si vetvetja, por një version më i mirë. Për shembull në vitet ’90 synohej një gjoks i madh dhe një dekolte mjaft e ekzagjeruar, ndërsa sot kërkohet më shumë forma e bukur sesa numri i madh. E njëjta gjë vlen edhe për vithet. Tjetër gjë që vihet re sot është që mosha e procedurave ka ardhur duke u ulur. Procedura si ngritja e vetullave, heqja e dhjamit të fytyrës (bichectomy) dhe tërheqja e syve tashmë po kryhen në mosha mjaft të reja.
Intervistë e Kirurges Plastike Rezarta Kapaj mbi trendet e fundit të kirurgjisë plastike në Shqipëri dhe në botë.
- Cili është ndryshimi midis procedurave minimal invazive dhe invazive? Cilat janë procedurat që preferohen më shumë?
Procedurat minimal invazive janë procedurat që kryhen me anestezi lokale ose pa anestezi. Pas këtyre procedurave në shumicën e rasteve pacienti mund të vazhdojë aktivitetin normalisht. Kjo nuk do të thotë që nuk ka fare periudhë shërimi, sigurisht që pas çdo procedure duhet njëfarë kohe për të marrë veten dhe të stabilizohet efekti. Për shembull rezultati i mbushjes së buzëve dallohet mirë rreth një javë pas injeksionit.
Megjithëse duken mjaft tërheqëse për fat të keq jetëgjatësia e këtyre procedurave nuk është shumë e gjatë. Për rrjedhojë shumë pacientë i janë kthyer procedurave invazive, pra operacioneve që kanë një efekt shumë më dramatik dhe një jetëgjatësi që nuk krahasohet me minimal invazivet. Një ngritje e fytyrës me fije mund të zgjasë maksimumi 2 vjet dhe efekti është shumë më i limituar se “face lift”-i i cili zgjat të paktën 10 vjet dhe ju kthen 15 vite pas në moshë.
- Cilat janë elementet e një hunde të bukur? Si mund të arrihen?
Në fakt hunda nuk është një organ i bukur. Hunda dhe veshi kanë shumë dritëhije, hyrje dhe dalje të cilat nuk janë tërheqëse për syrin. Pikërisht për këtë shkak, artistët e filmave të animuar nuk e vizatojnë fare hundën. Hunda atraktive nuk duhet të tërheqë vëmendje në fytyrë. Nuk duhet të jetë asimetrike, me kurriz apo të ndërhyjë në lëvizjen e buzës së sipërme, por duhet të sfumohet në fytyrën e mesme. Gjithashtu problemet e funksionalitetit përkthehen si zhurmë për syrin. Për shembull një hundë që shikon poshtë asnjëherë nuk mund të na duket e bukur, pasi një hundë që shikon poshtë nuk merr frymë mirë.
Në ditët e sotme një nga procedurat më në modë është mbushja e hundës me acid hialuronik e cila reklamohet si rinoplastikë jokirurgjikale. Është një reklamim mjaft i bukur, por totalisht i pasaktë. Në radhë të parë duhet theksuar se kjo procedurë duhet të zhvillohet vetëm nga kirurgë që e njohin shumë mirë anatominë e zonës. Së dyti, kjo procedurë vlen vetëm për një kategori të caktuar hundësh dhe për fat të keq shumë pak shqiptarë i përkasin kësaj kategorie. Gjithashtu duhet sqaruar që kjo ndërhyrje nuk korrigjon problemet funksionale.
- Sa mund të ruhet natyraliteti pas kirurgjisë plastike?
Një operacion i suksesshëm plastik nuk duhet të dallohet nga syri joprofesionist. Duhet të ruhet indi sa më tepër dhe të zëvendësohet me diçka shumë të ngjashme nëse nevojitet diçka e tillë. Në operacionin e hundës më parë destruktohej komplet anatomia e hundës dhe rindërtohej nga e para. Sot me zhvillimin e rinoplastikës ruajtëse, mund të ruajmë zonën e kurrizit të hundës dhe ta zbresim poshtë, pra ta afrojmë me fytyrën duke ruajtur anatominë dhe krijuar kështu hundë supernatyrale të cilat është shumë e vështirë t’i kuptojë edhe syri profesionist.
Për fat të keq në ditët e sotme janë shtuar shumë injektorët pa eksperiencë dhe rezultatet katastrofike mund t’i shohim çdo ditë rreth nesh. Kjo është një fatkeqësi e madhe për kirurgët plastikë në përgjithësi, është një lloj antireklame e pamerituar.
- A mendoni që media sociale e ka rritur numrin e procedurave estetike dhe pse?
Po, media sociale ka patur një rol fantastik në kirurgjinë estetike. Zhvillimi i “selfie”-ve bëri që çdokush ta shohë veten shumë më me vëmendje. Gjithashtu bumi informativ ka bërë që pacientët të kenë shumë më tepër njohuri mbi procedurat dhe ndërhyrjet. Ka shumë pacientë që kanë përdorur fotoshop dhe kanë zhvilluar një model të fytyrës që dëshirojnë. Sigurisht duhet ndarë ajo që mund të arrihet me kirurgji dhe ajo që është fiktive. Gjithashtu nuk duhet harruar që çdo procedurë ka një periudhë shërimi gjatë së cilës ndoshta mund të dukesh shumë më keq se përpara procedurës, ndryshe nga filtri i Instagramit i cili është i menjëhershëm. Sidoqoftë ky zhvillim në përgjithësi është konsideruar si pozitiv nga shumica e kirurgëve plastikë.
- Cilat janë procedurat më të kërkuara përpara verës?
Në përgjithësi procedurat që kanë të bëjnë me trupin. Trupi i shëndetshëm, i cili pasqyron një jetesë të shëndetshme është ai që
kërkohet. Nga meshkujt trupi i palestruar, nga femrat trupi me forma, por jo të ekzagjeruara. Sot preferohet gjoksi me formë të
bukur edhe pse jo shumë i madh, vithet e rrumbullakëta, por jo super të mëdha. Beli i këputur dhe barku i sheshtë nuk kanë kohë të caktuar, janë elemente të estetikës universale. Tani me zhvillimin e “liposuction”-it dhe me modernizimin e procedurave të anestezisë kemi mundësi të krijojmë një trup me bel të hollë, bark të sheshtë dhe forma të rrumbullakëta atje ku duam, thjesht duke përdorur dhjamin e hequr.
- Cila është oferta për muajin shkurt në Spitalin Amerikan?
Gjatë muajit shkurt, Spitali Amerikan ka menduar të ofrojë një çmim preferencial për kirurgjinë e gjoksit. Në këtë paketë përfshihen të gjitha ndërhyrjet estetike të gjoksit, si zmadhimi, ngritja ose zvogëlimi me qëllim estetik.
Spitali Amerikan, përqafoje jetën!