Klodian Allajbeu: Pajisja e re mbërrin në Shqipëri, më shumë se 4 mijë teste për COVID-19 në 24 orë
Në studion e emisionit “Opinion” Drejtori i Spitalit Amerikan Klodian Allajbeu u shpreh se institucioni që ai drejton ka mundësuar sigurimin e një pajisjeje, e cila lejon një testim të shpejtë në analizat për koronavirus. Kjo pajisje, tashmë e përdorur edhe në vende të tjera, mundëson realizimin e më shumë se 4 mijë testeve në 24 orë.
Allajabeu tha se javën e ardhshme pritet të vijnë edhe reagentët për përdorimin e kësaj pajisjeje, ku përgjigjet e testit sigurohen për 2 orë. Por mjeku tha se pritet të fillojnë edhe testimet e shpejta që bëhen nga gjaku dhe ku përgjigjet dalin për 10 apo 15 minuta.
“ Kemi përgatitur Spitalin Amerikan 2, ekipi është trajnuar. Nuk mendoj se do të kemi mangësi me mjekët e reanimacionit, shpresoj që do të përballemi me sa më pak probleme”, tha Allajbeu lidhur me situatën e krijuar nga koronavirus në vend.
“Sot gjithë bota është në hall të materialeve që duhen për t’u përdorur, por shoh se kjo javë është më e mirë se një javë më parë dhe java pas saj do të jetë më e mirë. Pas dy javësh kur ne do të jetojmë pikun, besoj nga fundi i majit, gjërat do të jenë më të qeta dhe do të fillojë ambjentimi i jetës së njerëzve me virusin”, u shpreh Allajbeu./Opinion.al