Ngrirja e vezëve – Cilat femra? Kur? Përse?
Ngrirja e vezëve (krioprezervimi ose ruajtja në ngrirje) është një fenomen gjithnjë e më shumë popullor tek femrat që vendosin të shtyjnë fillimin e një familje.
1. Cilat femra mund ti drejtohen ngrirjes së vezëve?
Femrat që mund të përfitojnë nga ngrirja e vezëve janë ato femra të cilat e vonojnë shtatzaninë për arsye se duhet të ndjekin arsimin e lartë, karrierrën ose edhe për qëllime personale (psh koha kalon dhe ende nuk ka gjetur partnerin e duhur), gjithashtu ngrirja e vezëve mund të ndihmojë femrat që i nënshtrohen terapisë kundër kancerit për të ruajtur fertilitetin e tyre.
2. Cila është mosha ideale?
Ngrirja e vezëve përpara moshës 35 vjeçare jep rezultate optimale. Sasia dhe cilësia e vezëve reduktohet me avancimin e moshës së femrës. Kështu që “ruajtja” e sa më shumë vezëve ofron siguri më të madhe pasi jo të gjitha vezët do ti rezistojnë procesit të shkrirjes (kur ato do të përdoren) dhe jo të gjitha ato që i mbijetojnë shkrirjes do të arrijnë të fertilizohen.
3. Sa kushton?
Ngrirja e vezëve kushton më pak se sa një cikël i plotë Fertilizimi In Vitro. Në shpenzime përfshihen konsulta me mjekun specialist, analizat rutinë, medikamentet stimulante (hormone) e vezoreve, procedura e aspirimit të ovociteve (vezëve) dhe ruajtja në ngrirje (krioprezervim) i tyre dhe pagesa simbolike vjetore.Kini parasysh se kushton shumë herë më pak se sa një Fertilizim In Vitro në moshën 40 vjecare!
4. Sa zgjat?
Zakonisht një cikël për ruajtjen e vezëve zgjat afërsisht 12 ditë gjatë së cilave ju duhet të vini për kontroll çdo 3-4 ditë. Kontrolli i rritjes së folikujve kontrollohet përmes ekografisë dhe analizave hormonale. Në fund të stimulimit, kur folikujt arrijnë dimensionet mature kryhet aspirimi i tyre nën anestezi.
5. A ka dhimbje apo efekte anësore?
Injeksionet hormonale janë të thjeshta dhe mund të bëhen vetë nga pacientja pa patur nevojë për personel mjeksor. Ato nuk shkatojnë dhimbje. Efekte anësore, kalimtare, janë stresi emocional dhe / ose gjendje rëndese në fund të barkut, sidomos në ditët e fundit të stimulimit.
6. Sa gjatë mund të ruhen vezët në ngrirje?
Studimet tregojnë se vezët mund të ruhen në ngrirje deri edhe 10 vite nga momenti i aspirimit.
7. Cfarë ndodh kur femra të jetë gati për një shtatzëni?
Në momentin që femra që ka ruajtur vezët në ngrirje për disa vite, ndjen se është gati për të patur një shtatzëni, atëherë paraqitet tek mjeku specialist për konsultë dhe analiza rutinë. Pas kësaj vijon një mjekim me tableta (orale) për dy – tre javë me qëllim përgatitjen e endometriumit (shtresës së brendshme të mitrës që është përgjegjëse për rritjen e embrionit). Kur endometriumi është gati, atëherë vezët e ruajtura shkrihen dhe i nënshtrohen fertilizimit në laborator me spermën e partnerit përmes teknikës ICSI. Disa ditë pas fertilizimit, kryhet transferta e embrionit në mitrën e pacientes.
8. Ku janë përfitimet e ruajtjes së vezëve në ngrirje?Përfitimet janë të shumta.
- Nqs do të flasim për shanse suksesi, një femër ka më tepër shanse për një shtatzëni nqs vezët e saj janë në një moshë të re për shkak se në një moshë të tillë vezët (ovocitet) janë më të shumta në numër dhe me cilësi më të mirë. Pra nqs një femër në moshën 40 vjecare përdor vezët e saj që i ka të ruajtura në ngrirje që nga mosha 34 vjecare, në fakt ka shanset që do të kishte në moshën 34 vjecare! Pra në një farë mënyre femra arrin të “ndalojë” kohën.
- Nqs do të flasim lidhur me anën financiare, stimulimi në moshën 40 vjecare është 2-3 fish më i shtrenjtë se sa në moshat nën 35 vjeç. Pra në këtë aspect ngrirja e vezëve ofron edhe përfitime financiare.
- Përfitimi i fundit, por mbase më i rëndësishmi vlen sidomos tek ato femra që në moshë të avancuar (>38 – 40 vjece) të cilat mund të kenë një rezervë ovariane shumë të reduktuar ose edhe të kenë kaluar në menopauzë të parakohshme. Në mungesë të rezervës ovariane shtatzania do të ishte e mundur vetëm me vezë të dhuruara, por nqs një femër që ka ruajtur vezët në moshën 25 – 35 vjeçare sepse nuk ka gjetur partnerin e duhur, ose për arsye karriere etj etj, nqs ajo në moshën 40 vjecare do të kishte rezervë shumë të reduktuar ovariane ose edhe menopauzë të parakohshme, atëherë ajo nuk do të kishte nevojë për vezë të dhuruara, pasi do të mund të përdorte vezët e ruajtura në ngrirje.
Për më shumë informacion ose vizitë me Dr. Elton Peçi kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com
Spitali Amerikan, përqafoje jetën!