Trajtimi i infertilitetit mashkullor
Nga Dr. Elton Peçi, Obstetër Gjinekolog, Specialist në Mjekësinë Riprodhuese & Fertilizim In Vitro në Spitalin Amerikan 2.
Janë të shumta medikamentet që qarkullojnë për trajtimin e infertilitetit mashkullor, por vlera e tyre në përmirësimin e cilësisë së spermës është shumë modeste. Megjithatë ekzistojnë disa teknika të cilat mund të rrisin shanset për koncepsion duke përdorur spermën eksistuese të mashkullit infertil. Këtu përmendim kirurgjinë. Terapinë hormonale, Inseminim artificial (IUI), Fertilizimin In Vitro (IVF) dhe ICSI.
Kirurgjia
Varikocela: Një pjesë e mirë e mjekëve urologë do të rekomandonin trajtimin kirurgjikal duke hequr venat e zgjeruara që janë në bazë të kësaj sëmundje. Megjithatë përfitimet e kësaj kirurgjie ende janë të debatueshme. Kanalet apo tubulat në sistemin riprodhues të mashkullit mund të bllokohen nga infeksione të ndryshme ose nga një operacion vazektomie në të kaluarën. Në disa raste ky bllokim mund të riparohet përmes kirurgjisë. Por edhe këtu, rikthimi i fertilitetit natyral është shumë modest. Nqs kirurgjia nuk ka efektet e pritura, atëherë kalohet në PESA (Percutaneous Sperm Aspiration) dhe spermatozoidet e aspiruara mund të përdoren për Fertilizim In Vitro me ICSI ose të ruhen për përdorim në një moment të dytë.
Terapia hormonale
Gjendra e hipofizës që ndodhet në tru, prodhon hormone që stimulojnë testikujt që të prodhojnë spemë. Në një numër të vogël të këtyre rasteve, infertiliteti mashkullor është pasojë e niveleve të ulëta të këtyre gonadotropinave. Marrja e tyre përmes injeksioneve mund të rrisë fertilitetin e këtyre rasteve.
Inseminimi Intrauterin (IUI)
Në këtë teknikë, sperma kolektohet, përpunohet dhe koncentrati me vetëm spermatozoidet më të lëvizshme injektohet në mitrën e partneres përmes një kateteri delikat. IUI mund të jetë një mundësi trajtimi në rastet e meshkujve me:• me spermë që ka përqëndrime të ulëta të spermatozoideve (por jo shumë të ulëta!)• me probleme impotence• me antitrupa ndaj spermatozoideve në lëngun seminal
Fertilizimi In Vitro (IVF)
Fertilizimi in Vitro është fertilizimi (bashkimi, fuzionimi) i spermatozoidit me vezën jashtë trupit të njeriut në kushte laboratorike. Në shumë raste, meshkujt infertilë kanë spermë mjaftueshëm për të kryer një Fertilizim In Vitro konvencional (klasik). Në rastet kur kemi të bëjmë me defekte të rënda atëherë kalohet në teknikën modern të Fetilizimit In Vitro që quhet ICSI (Intracytoplasmatic Sperm Injection).
Për më shumë informacion ose vizitë me Dr. Elton Peçi kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com
Spitali Amerikan, përqafoje jetën! #spitaliamerikan