Sukses i rradhës në Spitalin Amerikan, kirurgjitë në zemër me anestezi lokale
Për herë të parë për të gjithë pacientët që kanë probleme në zemër dhe duhet t’i nënshtrohen një ndërhyrjeje kirurgjikale, Spitali Amerikan sjell një risi në fushën e ndërhyrjeve kirurgjikale në zemër, përmes anestezisë lokale.
Anestezia e pjesshme në ndërhyrjet kardiovaskulare aplikohet për herë të parë, duke iu ofruar pacientëve një sërë përfitimesh. Mjeku kirurg kardio-torakal Dr. Arben Kojqiqi informon se kjo është një formë e re e ndërhyrjes kirurgjikale, e cila sjell shërbim më të ri për pacientët, duke ju mundësuar daljen sa më të shpejtë nga spitali. “Ndërhyrjet më të reja dhe të fundit që kemi realizuar në kirurgji janë ndërrime valvulash dhe By Pass-e. Pacientët kanë qenë zgjuar, pa intubim dhe me anestezi epidurale” thekson Dr. Kojqiqi.
Ndërkohë Shefi i Anestezisë në Spitalin Amerikan, Dr. Gentian Huti shprehet se kjo risi është aplikuar më sukses në 7 raste të ndërhyrjeve kirurgjikale në zemër dhe të gjithë pacientët brenda 7 ditësh kanë lënë spitalin në një gjendje shumë të mirë shëndetësore. Sipas Dr. Huti, anestezia rutinë për këto lloj operacionesh është anestezia gjenerale në disa pacientë me probleme të veçanta kryesisht pulmonare. Ekziston edhe metoda tjetër e anestezisë lokale (epidurale), ku pacienti gjatë gjithë kohës është zgjuar. Përfitimi më i madh në këto raste është aktivizimi i pacientit post-operator, i cili është shumë herë më i shpejtë në krahasim me anestezinë e përgjithshme.
Përmes anestezisë së pjesshme pacienti mund të ndjekë të gjithë procesin e ndërhyrjes pa dhembje. Anestezia e pjesshme është risia e fundit që vjen në Shqipëri dhe në Ballkan, për herë të parë nga Spitali Amerikan, duke garantuar edhe njëherë shërbimin cilësor, si dhe mundësinë më të mirë për kurimin e të gjitha sëmundjeve.