A keni probleme me tiroiden?
A keni probleme me tiroiden?
Simptomat e problemeve të tiroides mund të ngatërrohen me ato të patologjive të tjera, ndaj ekzaminimet mjekësore janë të domosdoshme për të vendosur diagnozën. Gjëndra tiroide rregullon shumë procese metabolike dhe prishja e funksionit të saj shfaqet klinikisht me një sërë simptomash. Disa pacientë mund të ndjejnë lodhje, shtim në peshë, pamundësi për të dalë jashtë, të kenë shumë ftohtë ose të ankojnë rënie të flokëve. Të tjerë mund të ndihen anksioze, të shqetësuar, me rrahje të forta të zemrës, bien në peshë ose djersiten shumë më tepër se zakonisht. Të gjitha këto janë simptoma të zakonshme të çrregullimeve të tiroides. Veçanërisht gratë janë të prirura të kenë anomali të funksionit te kësaj gjëndre të rëndësishme. Njohja dhe trajtimi i patologjive të tiroides është e domosdoshme për një shëndet të mirë dhe parandalimin e problemeve afatgjata shëndetësore.
Gjëndra tiroide
Gjëndra tiroide ndodhet në pjesën e përparme të qafës. Ka dy lobe, të djathtë dhe të majtë, që i japin strukturës formën e fluturës. Hormonet e prodhuara nga kjo gjëndër kontrollojnë metabolizmin e trupit dhe proceset me të cilat ai përdor energjinë si: rrahjet e zemrës, Sistemin nervor qendror dhe periferik, frymëmarrjen, peshën e trupit, muskujt, ciklin menstrual, temperaturën trupore, nivelet e kolesterolit dhe shumë të tjera. Anomalitë e funksionit të tiroides mund të përshpejtojnë ose të ngadalësojnë këto procese metabolike, të cilat mund të çojnë në një gamë të gjerë simptomash.
Simptomat e Hipotiroidizmit dhe Hipertiroidizmit:
Luhatjet në Peshë
Ndryshimet në peshë mund të sinjalizojnë një funksion jo normal të gjëndrës tiroide. Nivelet e ulëta të hormoneve tiroide (hipotirozë) mund të shkaktojnë shtim në peshë, ndërsa rënia e papritur në peshë mund të vijë si pasojë e prodhimit të shtuar të hormoneve të tiroides (hipertirozë). Hipotiroza haset më shpesh se hipertiroza.
Qafa e fryrë (Struma, Gusha)
Një strumë është një zmadhim i gjëndrës tiroide. Një tiroide e zmadhuar shfaqet në formën e ënjtjes në pjesën e përparme të qafës. Një strumë mund të shoqërojë hipotirozën ose hipertirozën. Ndonjëherë mund të jetë si pasojë e tumoreve ose noduseve që zhvillohen brenda gjëndrës tiroide.
Ndryshimet në Ritmin e Zemrës
Hormonet e prodhuara nga gjëndra tiroide ndikojnë pothuajse në çdo organ të trupit, duke përfshirë edhe zemrën. Hipotiroza mund të shkaktojë rrahje të ngadalta të zemrës, ndërsa hipertiroza rrahje të shpeshta të saj. Nivelet e larta të hormoneve tiroide gjithashtu mund të rrisin presionin e gjakut dhe të shkaktojnë rrahje të forta të zemrës (palpitacione).
Ndryshimet në sistemin nervor
Çrregullimet e tiroides mund të ndikojnë në gjendjen emocionale, energji dhe humor. Hipotiroza mund të shkaktojë simptoma si depresion, lodhje dhe ndjesinë e këputjes. Hipertiroza shoqërohet me çrregullime të gjumit, nervozizëm, ankth dhe shqetësim.
Rënia e flokëve
Rënia e flokëve është një shenjë e zakonshme e një problemi të tiroides. Të dyja gjendjet, nivelet shumë të larta dhe shumë të ulëta të hormoneve të tiroides mund të çojnë në rënien e flokëve.
Temperatura e Trupit
Tiroidja ndikon në rregullimin e temperaturës së trupit, ndaj personat me hipotirozë shpesh ankohen se kanë ftohtë. E kundërta ndodh me ata që vuajnë nga hipertiroza të cilët priren të kenë vapë dhe djersitje të shtuar.
Simptoma të tjera
Simptoma të tjera të hipotirozës përfshijnë:
- Kapsllëk
- Ndryshime ose anomali në ciklin menstrual
- Lëkurë të thatë dhe thonj të brishtë
- Ndjeshmëri dhe mpirje në duar ose gishta
Simptoma të tjera të hipertirozës janë:
- Probleme me shikimin
- Diarre
- Parregullsi në ciklin menstrual
- Dridhje të duarve
- Dobësi muskulore
Është menopauza apo çrregullimi i tiroides?
Çrregullimet e tiroides mund të shkaktojnë simptoma që janë të ngjashme me ato të një gruaje që i afrohet menopauzës. Si ndryshimet e ciklit menstrual ashtu edhe ndryshimet e humorit mund të rezultojnë nga tranzicioni menopausal ose nga problemet e tiroides. Testet e gjakut mund të përcaktojnë se cila prej patologjive është përgjegjëse për simptomat. Është gjithashtu e mundur që të ketë një kombinim të dy shkaqeve.
Kur duhet të shkoni te mjeku?
Mjeku mund të rekomandojë ekzaminimet përkatëse të gjëndrës tiroide, nëse keni simptoma ose faktorë rreziku për sëmundjet e tiroides. Autoimuniteti është shkaku më i shpeshte i çrregullimeve të funksionit të tiroides dhe haset më shpesh te femrat pas pubertetit dhe në periudhën pas menopauzës. Një histori familjare e sëmundjes së gjëndrës tiroide rrit rrezikun e zhvillimit të patologjive të tiroides.
Kontrolloni qafën për çrregullime të strukturës së tiroides
Ekzaminimi i qafës në pjesën e përparme në zonën e mollës së Adamit ndërsa gëlltiteni mund të zbulojë nëse gjëndra tiroide është zmadhuar. Gëlltisni ndërsa përkulni kokën mbrapa, dhe shikoni qafën dhe zonën mbi klavikula. Nëse shihni ndonjë gungë ose fryrje, drejtohuni te mjeku.
Testet e çrregullimeve të tiroides
Testet e gjakut mund të diagnostikojnë shumë patologji të tiroides. Hormoni stimulues i tiroides (TSH) është një hormon që sekretohet në kokë dhe që kontrollon aktivitetin e gjëndrës tiroide. Nëse TSH-ja është e lartë, kjo zakonisht sinjalizon që funksioni i tiroides është i ulët (hipotirozë ). Në të kundërt, nivelet e ulëta të TSH sugjerojnë hipertirozë. Mjeku gjithashtu mund të kërkojë kryerjen e ekzaminimeve për të përcaktuar nivelet e hormoneve FT3 dhe FT4 që sekreton vetë gjëndra tiroide. Janë pikërisht këto 3 analiza gjaku që vërtetojnë diagnozën dhe sugjerojnë për shkakun e hipo dhe hipertirozës. Ekzaminimet imazherike dhe biopsia janë teste të tjera që përdoren për të vlerësuar strukturën dhe funksionin e tiroides dhe ndihmojnë për të përcaktuar diagnozën.
Hipotiroza shkaqet:
Sëmundja e Hashimotos
Sëmundja e Hashimotos, një patologji autoimune, është shkaku më i zakonshëm i hipotirozës. Në sëmundjen e Hashimotos, sistemi imunitar gabimisht sulmon dhe dëmton gjëndrën tiroide, dhe kjo e fundit nuk prodhon hormone mjaftueshëm aq sa i nevojiten organizmit. Sëmundja e Hashimotos mund të jetë e trashëgueshme, sepse faktorët gjenetikë kanë influencë të madhe, sepse faktorët gjenetikë kanë influencë të madhe.
Sëmundjet e Hipofizës
Gjëndra e Hipofizës gjendet në bazën e trurit. Ajo kontrollon funksionet e shumë gjëndrave të tjera në trup, duke përfshirë edhe tiroiden. Gjëndra e Hipofizës prodhon TSH, e cila sinjalizon gjëndrën tiroide që të prodhojë hormonet e tiroides. Nëse ka një problem me gjëndrën e Hipofizës dhe nuk prodhohet TSH në sasinë e duhur, kjo mund të shkaktojë hipotirozë që në gjuhen mjekësore njihet si sekondare.
Shkaqe të tjera të hipotirozës janë: Inflamimi i tiroides dhe marrja e medikamenteve të caktuara, që mund të shkaktojnë nivele të ulëta të hormoneve të tiroides.
Hipertiroza shkaqet:
Sëmundja “Graves”
Sëmundja e “Graves” është shkaku më i shpeshtë i sekretimit të niveleve të shtuara të hormoneve të tiroides. Kjo është një tjetër sëmundje autoimune në të cilën sistemi imunitar sulmon gjëndrën tiroide.
Çfarë është sëmundja “Graves”?
Në sëmundjen “Graves” sistemi imunitar nxit prodhimin në nivele të larta të hormoneve të tiroides. Një ënjtje dhe një dalje përpara e syve është një nga shenjat karakteristike të sëmundjes “Grave”.
Noduset e tiroides
Noduset e tiroides janë deformime të strukturës, kokrra që rriten brenda gjëndrës tiroide. Këto kokrra mund të nxisin një prodhim të shtuar të hormoneve te tiroides, që shfaqen klinikisht me simptoma të hipertirozës. Kokrrat e mëdha mund të jenë të dukshme me sy të lirë, ndërsa më të voglat mund të diagnostikohen me anë të ekzaminimit ekografik të tiroides.
Ndërlikimet e tiroides
Hipotiroza e patrajtuar mund të rrisë nivelin e kolesterolit, rrezikun e atakut në zemër ose goditjes në tru. Nëse prodhimi i hormoneve të tiroides zbret në nivele ekstreme, personi mund të bjerë në gjendje kome dhe të ketë një temperaturë shumë të ulët trupore e cila mund të jetë fatale për jetën. Komplikacione të tjera të hipertirozës të patrajtuar përfshijnë një humbje të densitetit të kockave, rritje të rrezikut për fraktura dhe probleme të zemrës.
Për më shumë informacion ose vizitë me mjekët tanë kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com
Spitali Amerikan, përqafoje jetën!