Tel. +355 (0) 42 35 75 35    -    Kontakt    -               
American Hospital
  • Shërbimet Mjekësore
  • Stafi Mjekësor
  • Degët
  • Të Reja
  • Pacientët
  • Rreth Nesh
    • Chairman
    • Burimet Njerëzore
    • Pyetjet më të shpeshta
    • Kontakt
  • Shërbimet Mjekësore
  • Stafi Mjekësor
  • Degët
  • Të Reja
  • Pacientët
  • Rreth Nesh
    • Chairman
    • Burimet Njerëzore
    • Pyetjet më të shpeshta
    • Kontakt

Kujdes shëndetin në stinën e nxehtë, Spitali Amerikan ofron paketat ekzaminuese për korrik-gusht 2023

By Spitali Amerikan - Të Reja

Pushimet e verës janë periudha më e bukur e vitit, por kjo stinë mbart edhe problematika të ndryshme shëndetësore. Ndaj për të shijuar një verë të qetë dhe të shëndetshme, përpara se të niseni drejt destinacioneve të preferuara, është e rëndësishme të keni një informacion të plotë mbi shëndetin tuaj.

Për këtë, ju vijnë në ndihmë paketat ekzaminuese që ofron Spitali Amerikan, të cilat kanë çmime preferenciale dhe janë të vlefshme për periudhën korrik-gusht 2023.

Paketat përfshijnë teste dhe ekzaminime mjekësore për të gjitha grupmoshat dhe kategoritë dhe ofrohen në të trija degët e spitalit.

Për një kontroll të përgjithshëm të shëndetit të gruas, Spitali Amerikan ofron paketën Check-Up me vlerë 13.500 lekë e cila përfshin:

– Vizitë Mjekësore
– Gjak komplet
– CR.Proteina
– D-dimer
– Creatinemia
– Azotemia
– Lipidogramë
– TSH
– Glicemi esëll
– ALT (SGPT)
– AST (SGOT)
– Bilirubinë Totale
– Ferritinë
– Urinë komlet
– Grafi Pulmoni
– EKG
– Eko mamme

Paketa Check-Up për meshkuj kushton 11.500 lekë dhe përfshin:

– Vizitë Mjekësore
– Grafi pulmoni
– EKG
– Gjak komplet
– CR.Proteina
– D-dimer
– Glicemi esëll
– TSH
– Lipidogramë
– ALT (SGPT)
– AST (SGOT)
– Bilirubinë totale
– PSA Totale
– Azotemia
– Creatinemia

Kirurgjia Përgjithshme në Spitalin Amerikan ofrohet me – 20% ulje gjatë periudhës korrik-gusht.

Të gjitha operacionet realizohen nga kirurgë me eksperiencë dhe ekspertizë si dhe aparatura të teknologjisë së fundit, në salla operatore me të gjitha kushtet në përputhje me çdo standard. Operacionet laparaskopike realizohen me teknologjinë bashkëkohore, me aparaturë laparaskopike HD (high definition). Në kirurgjitë klasike dhe laparaskopike përdoren “high energy surgical devices”, të cilat ofrojnë më tepër siguri dhe shkurtojnë ndjeshëm kohën operatore.

Kontrollohuni me paketat kardiologjike në Spitalin Amerikan dhe siguroni shëndetin e zemrës tuaj.

Paketa Kardiologjike I përfshin:

• Vizitë Kardiologu
• EKG
• Provë ushtrimore
• Ekokardiografi
• Lipidogramë

Paketa Kardiologjike II përfshin:

• Vizitë kardiologu
• EKG
• Ekokardiografi
• Holter 24 orë

Paketa Kardiologjike III përfshin:

• Vizitë kardiologu
• EKG
• Ekokardiografi
• Holter-24 orë, monitorim tensioni

Paketa e Anemisë kushton 4.000 lekë dhe përfshin analizat:

• Ferritinë
• Elektroforezë Hgb
• Gjak komplet

Paketa e kontrollit reumatologjik vjen këtë verë me çmim preferencial me vlerë 7.000 lekë dhe përmban:

– Vizitë Reumatologu
– Grafi.art
– Uricemi (Acid Urik)
– Faktori reumatoid
– CR. Proteina
– Eritrosedimenti
– Gjak komplet

Check-Up pediatrik në Spitalin Amerikan

Shërbimi më i mirë për fëmijën tuaj edhe në këtë stinë të nxehtë.
Spitali Amerikan mundëson për të gjithë fëmijët Paketën Pediatrike e cila kushton 3.500 lekë.

Paketa përmban:

– Vizitë pediatri
– Gjak komplet
– Urinë
– PCR

Kontrollet e rregullta gjinekologjike janë thelbësore për mbrojtjen e shëndetit të çdo gruaje.

Prandaj është shumë e rëndësishme që secila prej nesh, duke kryer teste të thjeshta dhe minimalisht invazive, të ulë rrezikun e shfaqjes së një sëmundjeje ose ta diagnostikojë dhe trajtojë në kohë atë.

Paketa e kontrollit gjinekologjik, dedikuar shëndetit të gruas kushton 4.700 lekë dhe përfshin:

  – Vizitë gjinekologjike
– Eko gjinekologjike
– PAP Test

Për më shumë informacion ose rezervim për paketat kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan, përqafoje jetën!

Prof.Dr. Perlat Kapisyzi FCCP: Pletismografia, është i vetmi ekzaminim i sistemit respirator që vlerëson shkëmbimin e oksigjenit në nivel alveolar

By Spitali Amerikan - Të Reja

Ndjeni vështirësi në frymëmarrje, keni kollë të thatë ose me gëlbazë, lodhje, këputje e shoqëruar me ndjenjën e një frymëmarrje jonormale?

Në situatën epidemiologjike të COVID 19 dhe LONG COVID sistemi respirator është ndër më të dëmtuarit deri në nivelin alveolar të shkëmbimit të oksigjenit.

Tashmë nëpërmjet Pletismografisë së sistemit respirator, të cilën mund ta kryeni me teknologjinë e fjalës së fundit PulmOnePlus në Spitalin Amerikan 3, e vetmja në Shqipëri që vlerëson shkëmbimin e oksigjenit në nivel alveolar, keni mundësinë të kontrolloni shëndetin e mushkërive tuaja.

Pletismografia është ekzaminimi i duhur për ju sepse:

– Ofron informacion të hollësishëm, të plotë të mushkërive duke zbuluar llojin e dëmtimit të sistemit respirator në nivelin alveolar dhe ndihmon mjekun në planin e trajtimit
– Zbulon pasojat e COVID 19 dhe sëmundjeve të tjera në mushkëri
– Kontrollon me saktësi shkallën e dëmtimit pulmonar në nivelin e shkëmbimit të oksigjenit nga mushkëritë në gjak
– Ofron komoditet për pacientin gjatë ekzaminimit që zgjat më pak se 20 minuta

Pletismografia e sistemit respirator gjithashtu mund të:

– Krahasojë se si funksionojnë mushkëritë tuaja në nivel alveolar në krahasim me çdo test të mëparshëm që keni bërë
– Mat efektin e sëmundjeve kronike (të zgjatura) të mushkërive në funksionin e pulmoneve në nivelin alveolar
– Zbulon dëmtimet e hershme në funksionin e mushkërive në nivelin alveolar që mund të kërkojnë një ndryshim në trajtimin mjekësor
– Përcakton nëse substancat në shtëpinë tuaj ose mjedisin e punës kanë dëmtuar mushkëritë tuaja në nivel alveolar
– Përcakton me siguri më të madhe aftësinë tuaj për të toleruar procedurat mjekësore, duke përfshirë kirurgjinë.
– Vlerëson aftësitë tuaja për punë në lidhje me funksionin e sistemit respirator.

Prof.Dr. Perlat Kapisyzi është çdo pasdite në Spitalin Amerikan 3.

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekët tanë kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan, përqafoje jetën! #spitaliamerikan

Sindromi i Zorrës së Gjatë apo Dolichosigmoid Colon Syndrome

By Spitali Amerikan - Të Reja

Përgatiti, Dr.Shk.Lida Shosha, Kirurge e Përgjithshme, Kirurge Kolo-proktologe

●A e dini që një pjesë prej jush lindin me një zorrë të trashë më të gjatë se norma?

■Shpesh pacientët vijnë e më pyesin:

– nuk ndihem rehat

– më dhemb ana e majtë e barkut

– fryhet barku nga çdo gjë që ha

– nuk dal dot jashtë

– nuk nxjer dot gazrat

– ndjej gurgullitje të zorrëve

– dhimbjet ndonjëherë më lënë pa frymë

– Kam shkuar disa herë në Urgjencë për ndihmë

– Kam bërë Echo barku, kam bërë analiza, të gjitha janë mirë, çfarë problemi kam?

Sigurisht, pacientët nuk ankojnë pa arsye.

● Ҫfarë është sindromi i zorrës së gjatë apo Dolichosigmoid  colon syndrome

 ■Dolichocolon është një zgjatim i zorrës së trashë, që më së shpeshti përfshin një segment, zakonisht kolonin  deshendent  apo zbritës dhe kolonin sigmoid,(që ndodhen në flankun e  majtë) duke rezultuar në përkulje e përthyerje të këtij segmenti  të zorrës e spazma  shoqëruese te saj. Mund të kemi dilatim të segmentit të prekur ose jo. 

■Nuk duhet të ngatërrohet me një zorrë të trashë jo të zgjatur, por anormalisht të gjerë, e cila quhet #megacolon.

■Koloni sigmoid është një pjesë e zorrës së trashë dhe normalisht ka një gjatësi prej  25-40 cm.

■Dolichosigma është një term që përdoret për zorrën e trashë kur pjesa sigmoide e zorrës ka një gjatësi më te madhe se normalja. Pjesa e tepërt e kolonit sigmoid vendoset në qendër si një lak që ngjitet në zgavrën peritoneale duke arritur deri në fleksurën lienale, në nivelin e T1 afërsisht. Por ka raste që segmenti i përthyer ështe kaq i gjatë sa arrin dhe në fleksurën hepatike. Pjesa zbritëse e zorrës së trashë sigmoide kalon vijën e mesit në L1 dhe vazhdon si rektum. Në këto raste, feçja apo uji i trashë, duhet të bëj “xhiro”poshtë, pastaj   lart e poshtë, e në varësi të lupeve apo segmenteve të përthyera derisa të arrijë në pjesën më fundore që është rektumi, e të dalë jashtë. Kjo situatë e përditëshme krijon një mori simptomash që e lodhin së tepërmi pacientin në përditshmërinë e tij.

■Lind pyetja, pse dikush e ka zorrën e trashë,  më të gjate se dikush tjetër? Njeriu lind me zorrë më të gjatë, apo zgjatet zorra gjatë jetës….

Zorra nuk zgjatet gjatë jetës, disa njerëz lindin me zorrë më të gjatë.

■Embriologjia e zhvillimit të zorrëve është komplekse dhe shpesh e paparashikueshme, duke çuar në ndryshime në gjatësi dhe pozicion. Një rritje e tepërt e segmentit kaudal të zorrëve në fazën 3 të embriogjenezës, mund të shkaktojë kolon sigmoid të tepërt, apo zorrë më të gjatë. Ky variacion mund të rrisë shanset për volvulus sigmoid, konstipacion kronik dhe mund të përbëjë rrezik pasi lupet apo segmentet e zorrës mund të mbështillen dhe të çojnë në pengim apo bllokim të tranzitit intestinal.

■Një segment  i tepërt i zorrës së trashë sigmoide mund të jetë asimptomatik ose mund të çojë në komplikime digjestive, urinare dhe vaskulare. Koloni zbritës është normal në gjatësi, por shtrihet afër vijës së mesme, e cila mund të shtypë aortën kur ngarkohet me feçe. Radiologët dhe kirurgët duhet të jenë të vetëdijshëm për këto variacione për të vendosur një diagnozë të saktë dhe për të vendosur trajtimin e duhur gjatë kryerjes së kolonoskopisë dhe procedurave abdominopelvike.

■Dolichocolon mund të predispozojë për volvulus, përdredhje apo rrotullim jonormal që rrit intensitetin e ankesave dhe e çon pacientin në kirurgji.

■Nga eksperienca ime personale nuk e shoh vetëm te të moshuarit, pacientë psikiatrikë ose tek individët e institucionalizuar, por rëndom dhe në moshat mbi 30-40 vjeç që kanë marë laksativë (apo ilaçe për zbrazjen e zorrës) prej shumë vitesh, pasojë e vështirësisë ekstreme për të defekuar, pa një shkak të mirëfilltë të vështirësisë në jashtëqitje. Megjithatë, kjo nuk është pjesë e plakjes normale. Shkaku i saktë mbetet i panjohur.

■Dolichocolon diagnostikohet saktë në irigografi  të barkut, që është superiore mbi të gjitha egzaminimet e tjera, ndërsa gjatë kolonoskopisë, mjeku konstaton një vështirësi më të theksuar të arrijë fleksurën lienale pasojë e gjatësisë anormale të sigmës dhe përthyerjeve të saj. Dhe Ct Abdomenit shpesh jep info të saktë në këtë drejtim.

■Dolikokoloni nuk konsiderohet  në vetvete një sëmundje dhe si e tillë nuk kërkon trajtim në cdo pacient përvecse në rastet simptomatike.  Termi është nga greqishtja e lashtë dolichos, distanca e gjatë.

■Simptomat mbizotëruese të dolichocolon janë kapsllëku, dhimbje barku, fryrje barku, vështirësi në zbrazjen e gazrave dhe volvulus. Koha e kalimit të feçes, apo ujit të trashë në zorrën e trashë zgjatet dhe rritet ndjeshëm, sa më shume lupe apo segmente të zgjatura e të përthyera të ketë zorra, gjë që rrit intensisitetin e simptomave, vështirësinë në defekim, distension abdominal, dhimbjet në fund të barkut, të përziera, të vjella, parehati dhe shpesh dhimbjet mund të marin formën e kolikave të forta që e detyrojnë pacientin të përfundojne në urgjencë.

■Zgjidhjet janë të personalizuara në varësi të klinikës dhe agresivitetit të simptomave.  Një pjesë e pacientëve nga vështirësitë me vite në jashtëqitje , bëjnë problematika të pjesës fundore të zorrës si hemorroide, me deformacione anale teë shprehura, fissura apo çarje të zorrës, etj.

Kirurgjia mbetet alternativa e fundit dhe e domosdoshme në rastet me komplikacione dhe agresivitet  të simptomave që rëndojnë ndjeshëm kualitetin e përditshmërise së jetës te këta pacientë.

Për më shumë informacion ose vizitë kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan, përqafoje jetën!

Infeksionet Stafilokoksike, diagnostikimi, trajtimi dhe masat parandaluese

By Spitali Amerikan - Të Reja

Nga Dr. Monika Dede, mjeke infeksioniste

Infeksionet Stafilokoksike shkaktohen nga bakteret e stafilokokut, të cilat zakonisht gjenden në lëkurën ose në hundë te shumë persona të shëndetshëm. Në shumicën e rasteve, këto baktere nuk shkaktojnë probleme ose shkaktojnë infeksione relativisht të lehta të lëkurës.

Por infeksionet e stafilokokut mund të kthehen në vdekjeprurëse nëse bakteret futen më thellë trupit tuaj, duke hyrë në qarkullimin e gjakut, në kyçe, kocka, mushkëri, zemër ose dhe organe te tjera, veçanërisht te pacientët me imunitet të kompromentuar. Ditët e sotme është vënë re një numër në rritje i personave të shëndetshëm që po zhvillojnë infeksion nga stafilokoku.

Trajtimi zakonisht përfshin antibiotikë si dhe pastrimin e zonës së infektuar nëse është e nevojshme. Mëgjithatë, disa infeksione të stafilokokut nuk reagojnë mirë ndaj mjekimit dhe për këtë arsye aktualisht ka një rritje të rasteve që rezultojnë rezistente ndaj antibiotikëve të zakonshëm.

Shkaqet

Shumë persona janë bartës të baktereve të stafilokokut në lëkurën e tyre ose në hundë dhe nuk zhvillojnë kurrë infeksione të stafilokokut, megjithatë, nëse zhvilloni një infeksion stafilokoksik, ka shumë mundësi që ai të jetë nga bakteret që kemi mbartur për disa kohë.

Bakteret e stafilokokut mund të përhapen nga personi në person. Duke qenë se janë shumë të qëndrueshme ato mund të jetojnë në objekte të tilla si këllëfët e jastëkëve ose peshqirë për një kohë të mjaftueshme për t’i transferuar te personi që bie në kontakt me to.

Bakteret e stafilokokut mund t’ju bëjnë të sëmureni duke shkaktuar një infeksion. Ju gjithashtu mund të sëmureni nga toksinat e prodhuara nga bakteret tek ushqimet që konsumoni dhe të keni diarre e të vjella.

Parandalimi

Disa masa paraprake për të ulur rrezikun e marrjes së infeksioneve të stafilokokut:

– Lani duart. Lani duart rregullisht me sapun dhe ujë për të paktën 20 sekonda, si para, gjatë dhe pas përgatitjes së ushqimit; pas trajtimit të mishit të papërpunuar ose shpendëve; para se të ushqeheni; pas përdorimit të banjës; dhe pas prekjes së kafshvëve apo mbeturinave shtazore.
– Mbani të mbuluara plagët. Mbajini prerjet dhe gërvishtjet të pastra dhe të mbuluara me fasha sterile dhe të thata derisa të shërohen. Qelbi nga plagët e infektuara shpesh përmban baktere stafikolokoku.
– Shmangni ndarjen e sendeve personale si peshqirë, çarçafë, brisqe, veshje dhe pajisje sportive.
– Lani rrobat dhe çarçafët. Bakteret e stafilokokut mund të përhapen në veshje, peshqirë dhe krevat.
– Merrni masa paraprake për sigurinë ushqimore. Lani duart përpara se të përdorni ushqimin. Mbajini ushqimet në vende të freskëta dhe kushtet e duhura të higjienës.

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekët tanë kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan, përqafoje jetën!

Urtikariet, Dr. Shk.Alketa Bakiri: Ja çfarë duhet të bëni kur keni këto manifestime kutane në lëkurë të shoqëruara me skuqje dhe kruarje

By Spitali Amerikan - Të Reja

Urtikaria është një patologji e lëkurës që mund të prekë njerëz të të gjitha moshave. Urtikariet shoqërohen me skuqje e prurit dhe ne 50% të pacienteve vërehen angioedema apo enjtje të buzëve, syve etj. Urtikaria shfaqet në dy forma, akute dhe kronike. Sëmundja quhet akute kur shfaqja e simptomave nuk zgjat më shumë se 6 javë dhe kronike kur zgjat më shumë se 6 javë. Urtikaria akute mund shkaktohet nga infeksione kalimtare, nga një medikament apo pickimi i insekteve si bletë apo grerëza.Ka një sërë shkaktarësh, janë shumë të gjerë sa dhe mjeku gjendet dhe përballë sfidës për të përcaktuar shkakun apo shkaqet kur bëhen kronike.

Urtikariet mund të jenë dhe urtikarie kontakti dhe të nxitet shfaqja e tyre nga faktorë si: rënia në kontakt me barishtet, qenin, macen, latex-in ne doreza, tullumbace etj. Shfaqen dhe kur merr një medikament ose mund te nxitet shfaqja e tyre nga faktorë të ndryshëm fizikë, nga i nxehti, djersitja.Kjo gjendje mund të prekë dhe gratë shtatzëna në formën e papulave e pllakave urtikarjale pruritike (PUPPP- pruritic urticarial papules and plaques of pregnancy), të cilat shpesh shqetësohen nëse vihet në rrezik jeta e fëmijës, por nuk ka arsye për t’u shqetësuar.

Ende nuk eshte percaktuar shkaku i PUPPP, por mendohet se manifestime të tilla kutane në shtatzani shkaktohen nga tërheqja e presioni në lëkurë që ushtrohet me rritjen e zhvillimin e fëmijës, por edhe nga ndryshimet hormonale, ndërkohë që femija është i shëndetshëm. Megjithatë duhen bërë gjithe ekzaminimet e rekomanduara gjatë periudhës së shtatzënisë, në mënyrë që të sigurohemi se nuk ka çrregullime të funksioneve të organeve të tjera te nëna, që mund të ndikojnë në shëndetin e fëmijës.

Mund të kalohet me banja apo me kremra hidratues apo dhe duke shtuar antihistaminikë të gjenerates së dytë të konfirmuara tashmë nga një sërë studimesh si të sigurt në trimestrin e dytë dhe të tretë të shtatzënise.Ndjekja e një regjimi ushqimor të shëndetshëm dhe shmangia e ushqimeve të paketuara apo me konservante eshte e rekomanduar gjuthashtu. Ushqimet që shkaktojnë shpesh urtikarie te fëmijët janë qumështi, veza, kikirikët dhe frutat e thata ndërsa te të rriturit janë frutat e detit, prodhime ushqimore me origjine nga deti dhe frutat e thata.

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekët tanë kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan, përqafoje jetën!

Doktor, kur je mbi 40 vjeç, duhet ta marrësh aspirinën e zemrës?

By Spitali Amerikan - Të Reja

Përgatitur nga Dr.Alfred Nona, mjek kardiolog pranë Spitalit Amerikan 1

Përgjigjia është edhe PO edhe VARET (ose më shumë JO).

Pergjigja është PO, në rastet e PARANDALIMIT SEKONDAR, DYTËSOR, pra kur ka ndodhur një event kardio-vaskular, pavarsisht moshës në këtë rast, pra kur pacienti ka kaluar njëherë infarkt të miokardit, apo ka vendosur stent (rrjet metalike, unazë) në arteriet koronare, apo ka bërë rivaskularizim të zemrës nëpërmjet By-pass-it, apo ka kaluar një stroke iskemik/TIA (infarkt në tru), apo event atero-trombotik arterial në gjymtyrët inferiore etj etj. Pra në këto kategori pacientësh përdorimi i aspirinës me dozë kardiake është solid, gur themeli në trajtimin standard dhe rekomandohet fortësisht (medikament jetëshpëtues) dhe këtu nuk diskutohet përdorimi nga të gjitha protokollet europiane dhe ndërkombëtare.

Ndërsa përgjigja është VARET (ose më shumë JO) në shumicën e rasteve të PARANDALIMIT PRIMAR, PARËSOR, pra tek ata pacientë që nuk kanë patur një ngjarje kardio-vaskulare të mëparshme, dhe kur aspirina mund të përdoret për të parandaluar një event kardio-vaskular madhor të mundshëm në të ardhmen tek individë që dukshëm janë të shëndoshë (si parandalim infarkti, vdekje kardio-vaskulare apo stroke).

Te kjo kategori individësh të cilët janë pjesa dërrmuese “evidenca shkencore” për perdorimin e aspirinës është pak e qartë dhe e debatueshme dhe jo solide si parandalimi sekondar, sepse nga studimet duket sikur përfitimet në krahasim me efektet anësore (hemorragji të ndryshme, hemorragji intrakraniale, stroke hemorragjik etj etj) nuk anojnë dukshëm drejt të parës, pra nuk kemi “benefite klinike neto” në favor të parandalimit të ngjarjeve si infarkti në zemër apo në tru. Aspirina është medikament anti-agregant (hollues që pengon mpiksjen e gjakut në fazën e tij fillestare) dhe si e tillë ka efekte pozitive dhe negative (si të gjitha medikamentet) edhe pse në popullatë pranohet lehtë për tu marrë si terapi.

Në vitin 2018 dolën rezultatet e tre studimeve të rëndësishme (Aspree, Ascend dhe Arrive) dhe një tjeter studim në 2020-tën (IPS-3) përfshirë edhe studimet e mëparshme që kane filluar që nga viti 1988, dhe në total janë testuar rreth 168.000 pacientë. Të marra së bashku këto studime shkencore aktualisht NUK REKOMANDOJNË PËRDORIMIN e aspirinës te pacientët me RISK TË ULËT për ngjarje kardio-vaskulare në 10 vitet e ardhshme dhe PËRDORIM të aspirinës, nëse nuk kanë risk për hemorragji, nëse kategorizohen si pacientë me RISK TE LARTË për ngjarje në 10 vitet e ardhshme (edhe pse rekomandohet mesatarisht ose lehtësisht dhe jo fortësisht si në rastin e parandalimit sekondar të mësipërm) dhe terapi akoma më e individualizuar te pacientët me RISK MESATAR. Është detyrë e mjekut të shtresëzoje pacientët në këto tre kategori.

Në kohët e sotme përpara se të japim aspirinën në parandalim primar duhet:

1) të trajtojmë në mënyrë rigoroze faktorët e riskut që dëmtojnëe zemrën, pra të kurojmë mirë hipertensionin, të kurojmë mirë diabetin, mos të konsumojmë duhanin dhe të kurojmë mirë kolesterolin. Gjithashtu të ruajmë një mënyrë jetese cilësore, jo sedentare, jo obezitet, të kryejmë aktivitet fizik aerobik të rregullt dhe dietë të ekuilibruar.
2) Nëse pacienti është > 70 vjeç (ka protokolle edhe >60 vjeç), MOS të përdorim aspirinën në parandalim primar, sepse këtu risku për efekte anësore (zakonisht hemorragji gastro-intestinale, hemorragji intrakraniale etj) është i lartë, pra rreziqet janë njëlloj apo tejkalojnë benefitet.
3) Nëse kemi kryer imazheri si CAC score (calcium score) në Angio CT koronare, apo kemi koronaropati gjithmonë në Angio-TC, nëse kemi stenoza në arteriet karotide të kryera me eko-color- doppler karotide (stenoza >50%), nëse kemi nje ABI<0,9, të gjithë këta individë konsiderohen me risk të lartë dhe këtu aspirina mund të perdoret në parandalim primar, pra benefitet tejkalojnë rreziqet.
4) Nëse në bazë të disa të dhënave klinike-anamnestike-laboratorike (si mosha, hipertensioni, kolesteroli, gjinia dhe duhani) mjekët duhet të llogarisin dhe kategorizojnë pacientin në tre grupe (me risk të ulët-të mesëm-dhe të lartë e gjithë kjo nëpërmjet “SCORE 2”, instrument ky i fundit që mundëson kategorizimin e pacientëve dhe është një përmbledhje e faktorëve të riskut që dëmtojnë zemrën të marrë së bashku, në USA përdoret ASCVD duke përfshirë edhe diabetin) dhe si më lart, aspirina rekomandohet të përdoret te disa pacientë me risk mesatar dhe ata me risk të lartë edhe nëse nuk kanë risk për hemorragji dhe jo te pjesa më madhe që janë me risk të ulët-mesatar. Pra vetëm hipertension dhe të marrësh aspirinën, apo vetëm diabet i pakomplikuar dhe të marrësh aspirinën apo vetëm kolesterol dhe të marrësh aspirinën apo vetëm duhanpirës dhe te marrësh aspirinën apo edhe më keq asnjë faktor risku dhe të marrësh aspirinën, sepse jam mbi 40 vjeç, NUK REKOMANDOHET. Kombinim i disa faktorëve BASHKË (pra edhe diabet edhe duhanpirës edhe me hipertension), që rrisin riskun për sëmundje kardio-vaskolare, atëherë PO mund të gjykohet të merret.

Mund të përmblidhet që në 100 pacientë që sot trajtohen me aspirinën me dozë të vogël për parandalim primar vetëm 10-20% e tyre kanë realisht nevojë ta marrin këtë medikament (ndaj pergjigjja është më shumë JO), pra vetëm tek ata pacientë që kategorizohen me risk mesatar-të lartë. Është detyrë e kardiologut apo e mjekut që aspirina mos të përdoret te të gjithë pa dallim (mjafton të jenë > 40 vjeç) por në mënyrë selektive, pra terapi e personalizuar në bazë të faktorëve të riskut individual apo qoftë edhe ndonjëherë imazherik, në mënyrë që benefitet të tejkalojnë qartazi efektet anësore.

PS: 1) nëse aspirina përdoret te të gjithë, pa dallim, parandalojmë 2 ngjarje madhore kardio-vaskulare në 1000 pacientë të trajtuar për një vit, pra kuptohet parandalojmë pak.

2) nëse jemi duke marrë aspirinën edhe në parandalim primar për më shumë se një vit, qoftë edhe pa indikacion, ekziston rreziku i “rebound” nga ndërprerja (rritjes së eventeve kardiake) ndaj duhet kujdes.

3) nuk diskutohet përdorimi i aspirinës në parandalim sekondar por primar, te ky i fundit duhet të identifikohen në mënyrë rigoroze pacientët e duhur në mënyrë që bilanci të shkojë qartazi për nga benefitet.

Për më shumë informacion ose vizitë kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan, përqafoje jetën! 

Ad hominem “Protegas sanitas, diutius vivere” – Mbroni shëndetin, të jetoni gjatë.

By Spitali Amerikan - Të Reja

Përgatitur nga MD. PhD, Lida Shosha #ColorectalConsultant, Spitali Amerikan 1.

Marsi kudo në botë është muaj sensibilizimi kundër Kancerit Kolorektal apo tumorit të zorrës së trashë. Për të nëntin vit radhazi Spitali Amerikan i bashkohet Colorectal Cancer Alliance,  në një fushatë sensibilizuese, informuese, ndërgjegjësuese, diagnostikuese për të përcjellë informacionin e duhur në popullatë për  moshat e rrezikuara, në mënyrë që sëmundja të diagnostikohet në kohë të hershme, edhe të kurohet plotësisht. Parandalimi është strategjia më e mirë e kurimit “Locus praeventioni melior quam rememdium”.

Po çfarë është kanceri i zorrës së trashë? Sa të prekur janë shqiptarët? A ka ndikuar Pandemia në shtimin e numrit të rasteve me tumor?

Pas njoftimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për pandeminë globale të COVID-19 në mars 2020 dhe zhvendosjen e burimeve të kujdesit shëndetësor për kontrollin e këtij infeksioni, programet e depistimit të kancerit, veçanërisht kancerit kolorektal (CRC) u pezulluan në shumë vende të botës. Sipas të dhënave të GLOBOCAN 2020, CRC është kanceri i tretë i përhapur dhe i dyti më vdekjeprurës në botë. Ulja e depistimit të kancerit kolorektal pas pandemisë COVID-19 kryesisht, ishte për shkak të kufizimeve të vendosura për prevalencën e lartë të sëmundjes COVID-19 dhe mungesës së paraqitjes në spitale për shkak të frikës nga infektimi COVID-19.

Një studim  gjithëpërfshirës,  në qershor 2021 në bazë të të dhënave të ndryshme,  nga  Medline, Web of Science dhe Scopus, konstatoi  se në përgjithësi, depistimi i kancerit kolorektal është ulur nga 28 – 100% në vende të ndryshme dhe në periudha të ndryshme pas fillimit të pandemisë COVID-19. Gjatë kësaj periudhe, vetëm 2 deri në 2.5% e spitaleve dhe qendrave të depistimit me kapacitet vazhduan të funksionojnë, dhe më shumë se 77% e tyre e kufizuan aktivitetin e tyre në më pak se 10% të kapacitetit të tyre normal. Gjithashtu, studimi  i  rasteve që kërkonin kolonoskopi,  tregoi një rënie prej 65.7% te tyre,  ndërkohë kolonoskopia survejuese tregoi një rënie prej 44.6 në 79%, kolonoskopia me recetë u ul 60 – 81%, dhe referimet për  kolonoskopi treguan një rënie  totale në tërësi, prej 43%. Megjithatë, kolonoskopia urgjente tregon një rritje prej 2 deri në 9%. Përdorimi i testit imunokimik fekal (FIT) gjithashtu ishte përgjithësisht në rënie, por po rritet në zonat që përdoren si alternativë për kolonoskopinë. Kështu, shërbimet e kujdesit parandalues, duke përfshirë kontrollin e kancerit kolorektal (CRC) në sistemet shëndetësore kanë parë një rënie dramatike në mbarë botën.

Mbetet për t’u parë, ndikimi i Pandemisë dhe  i infektimit me Covid-19, në rritjen apo jo të rrezikut të kancerit kolorektal në popullatë, në studime multicentrike më afatgjata në komorbititetin që ky virus pati në organizmin e njeriut,  por një gjë është e sigurt, që frika ndaj infektimit dhe mbyllja e një pjese të mirë të spitaleve, shtyrja e kolonoskopive diagnostikuese, survejuese, rikontrolluese, i detyroi pacientët të paraqiteshin  vonë në spitale për ndihmë, qoftë në diagnostikim, qoftë edhe në trajtime kirurgjikale apo onkologjike.

Po çfarë është Kanceri i zorrës së trashë?

Kanceri  kolorektal është formacion tumoral me qeliza atipike që rritet në murin e zorrës së trashë, dhe duke u zhvilluar, prek gradualisht të gjithë murin e saj, duke u përhapur lokalisht dhe në distancë në organe të tjera të trupit. Gjenetikisht është vërtetuar që kanceri i kolonit dhe ai i rektumit janë të njëjtë. Kjo ndodh për shkak të mutacioneve gjenetike kryesisht në genin APC, TGF-b, DCC,  TP53 të cilat e shndërrojnë adenomen në karcinomë. Është sëmundja e tretë më e diagnostikuar ndër sëmundjet tumorale dhe zë vendin e dytë për vdekjet nga tumori në burra dhe gratë, ndërsa kanceri anal përbën rrreth 4% të rasteve të diagnostikuar me kancer të zorrës së trashë. Incidenca rritet me rritjen e moshës dhe është pak më e lartë tek meshkujt se femrat.

Sipas Statistikave Përmbledhëse 2018 / Albania Burimi: Globocan 2018, Incidenca mesatare vjetore e kancerit kolorektal  në Shqipëri,  në një popullsi në total 2.934.345 popullsi, është rrreth 9.7 për 100.000 persona,  ndërsa në rrrethin e Tiranës, është 13.6 për 100000.  Kanceri Kolorektal është në vendin e 8 me incidence 8.4% dhe vdekshmëria 3,7%. Është konstatuar që ka rrreth 188 raste të reja me Kancer  Rectum/vjet, Kancer Koloni 186 raste të reja/vit, Kanceri Anal 28 raste/raste të reja,  numër total  të Kancerit Anokolorectal rrreth 402 raste të reja në vit.

Zbulimi i hershëm dhe ekzaminimi i kancerit duhet të shihet si një mjet kryesor i kujdesit shëndetësor, gjithashtu, pasi investimi në programin e screening mbron më të dobëtit në popullatë, zvogëlon barrën sociale të kancerit dhe zvogëlon të gjitha llojet e kostove të kujdesit shëndetësor, përfshirë ato për operacionin radikal, shtrimin në spital me ditëqëndrime të zgjatura, dhe aplikimin e  kimio-radioterapisë. Incidenca e CRC në Shqipëri rezulton më  e ulët në krahasim me vendet e tjera evropiane, por Shqipëria duhet të aplikojë programin kombëtar të screening  për të diagnostikuar më shumë kancer të hershëm dhe për të parandaluar këtë sëmundje, para se të shkojnë në fazat e përparuara metastatike. Në vendet ku programet e screening u krijuan dy ose tre dekada më parë, u konstatuan  uljet e niveleve të vdekjeve dhe ulje të shpenzimeve që lidheshin direkt me kostot e  ndërhyrjeve kirurgjikale.  Më shumë akses në kolonoskopinë dhe zbulimin në fazën e hershme, si dhe teknikat e përmirësuara kirurgjikale, radioterapinë, kimioterapinë, terapinë e personalizuar dhe kujdesin paliativ, do të kontribuojnë në uljen e numrit të vdekjeve për shkak të kancerit kolorektal.

Rreth 72 % të rasteve i përkasin kancerit të kolonit dhe 28% atij anorektal. Rreziku i zhvillimit të këtij kanceri gjatë jetës është mesatarisht 1 (një) në 20 persona (5-6%), rreth 1;22 meshkuj dhe 1;23 femra, por kjo e fundit në fakt varet dhe nga faktorët e riskut individual.

Parandalimi parësor është strategjia kryesore për të reduktuar barrën globale në rritje të kancerit të zorrës së trashë,  megjithatë, duhet theksuar se kanceri kolorektal, me një shkallë vdekshmërie prej 9.4%, është shkaku i dytë i vdekjes nga kanceri në botë pas kancerit të mushkërive dhe shkaku i tretë kryesor i vdekjes nga kanceri te meshkujt dhe femrat. Gjithashtu, është kanceri i tretë më i zakonshëm tek meshkujt dhe kanceri i dytë më i zakonshëm tek femrat.

Më shumë se 1.9 milionë raste të reja dhe 935,000 vdekje nga ky kancer kanë ndodhur në vitin 2020, rritje e ndjeshme nga mesatarja vjetore, prandaj zbulimi i hershëm përmes ekzaminimit rutinë është gjithashtu i nevojshëm për të përmirësuar shkallën e vdekshmërisë së këtij kanceri. Meqenëse ulja dramatike e depistimit të kancerit për shkak të pandemisë Covid-19 ka pasur një ndikim të rëndësishëm në diagnostikimin e kancerit, veçanërisht kancerin e zorrës së trashë, diagnostikimin në faza të avancuara ose në fazat e mëvonshme, fillimin e vonuar të trajtimit, uljen e cilësisë së jetës dhe rritjen e vdekshmërisë, janë probleme të lidhura me pandeminë COVID-19.

Por rreth 20% e pacientëve në kohën që diagnostikohen kanë metastaza në distance dhe  25% e tyre  kanë metastazë solitare potencialisht të rrezekueshme në mëlçi, e cila duhet të hiqet pasi e rrit mbijetesën e këtyre pacientëve. Në Shqipëri në momentin kur pacientët diagnostikohen, përqindja e tumorit metastatik është më e lartë dhe shkon mbi  50%. Kjo për faktin se pacientët vijnë vonë, nuk ka program kombëtar të screening për kancerin kolorektal, i cili është i detyrueshëm mbi moshën 50 vjeç, siç e kanë shumë prej vendeve të zhvilluara, dhe se konsulta për këtë kategori pacientësh akoma është tabu dhe konsiderohet e sikletshme. Sigurisht, ndikon edhe fakti që Shqipëria ka numër të pakët specialistësh të profilizuar në kirurgjinë kolorektale, të cilët kanë më tepër eksperiencë në diagnostikimin dhe trajtimin adekuat të kësaj patologjie. 

Më tepër se 80% e kancerit të zorrës vjen nga polipet adenomatoze të cilat identifikohen nga kolonoskopia, dhe nëse ato kapen 2-3 vjet para se të shfaqet kanceri simptomatik, vdekjet nga tumori ulen deri në 60%.

Kryerja e testit imunologjik të enzimës M2-PK , biomarkeri kyç në kancerin kolorektal dhe polipet, e cila lidhet me metabolizmin tumoral dhe jo prezencën e gjakut në feçe ndihmon në diagnozën e tij të hershme Kjo  bëhet me anë të egzaminimit të feçes, dhe nese është pozitive, atëhere pacienti i nënshtrohet kolonoskopisë.

Rreth 95% e rasteve të kancerit kolorektal  janë adenokarcinoma dhe pjesa tjetër limfoma  dhe karcinoma skuamoze qelizore. Adenokarcinoma e mer origjinën nga epiteliumi glandular i mukozës së zorrës. Në varesi të arkitekturës glandulare, pleomorfizmit dhe mukosekrecionit, adenocarcinoma ka tre shkallë të diferencimit që janë; e mirë diferencuar, mesatarisht e diferencuar dhe e padiferencuar. Në zorrën e trashë  zhvillohen lloje të ndryshme polipesh por është  adenoma  që njihet si prekanceroze, ato janë të shpeshta sidomos në meshkujt mbi 50 vjeç. Nën moshën 40 vjeç, zhvillohen më pak  se 2% e kancereve të zorrës së trashë. Duhet të përjashtohet predispozicioni gjenetik i trashëguar si polipozat adenomatoze familjare, ose kancerin jopolipoz të trashëguar që është vetëm  në 4% e kancereve kolorektalë.Testet gjenetike laboratorike të gjakut janë shumë ndihmëse për të parë se cili pjesëtar i familjes është i rrrezikuar dhe  ndihmojnë në përcaktimin e riskut. Vitet e fundit konstatojmë që në Shqiperi  është rritur numri i rasteve me tumor të zorrës së trashë  nën moshat  50 vjeç,  madje dhe nën moshat 40 vjeç, sikundër  kemi diagnostikuar dhe trajtuar raste dhe nën moshat 30 vjeç.

Nga mosha 50-75 vjeç rekomandohet të bëhet:

Çdo vit feçe gjak okult, sigmoidoskopy çdo 5 vjet, kolonoskopy çdo 10 vjet. Këto ndihmojnë në diagnostikimin e hershëm të polipeve dhe formacioneve potencialisht displazike. Sot aplikohet dhe kolonoskopia virtuale via CT, por kjo e fundit ka kosto më të lartë, ka rrezatim nga skaneri, dhe nuk mund të bëjë polipektomitë që i realizon kolonoskopia standarde. Në rastet me rrezik të lartë ekzaminimi duhet të fillojë pas moshës 40 vjeç. Pas moshës 75 vjeç kontrollet rekomandohen në varësi të situatave problematike që mund të paraqiten. Shumë vende, duke parë shtimin e rasteve dhe nën moshën 50 vjeç, kanë ulur moshën e skriningut që fillon në 45 vjeç. OBSH në studimet që kanë bërë sugjerojnë që nga ekzaminimi çdo dy vjet  ose  çdo vit të feçes, pas 10 vjetësh, mund të ketë një reduktim deri në 20% në vdekshmërinë e kancerit kolorektal. Parandalimi ofron strategjinë më të sigurt dhe afatgjatë për kontrollin e kancerit. Politikat dhe programet kombëtare duhet të zbatohen për të rritur ndërgjegjësimin, për të zvogëluar ekspozimin ndaj faktorëve të rrezikut të kancerit dhe për të siguruar që njerëzit të kenë informacionin dhe mbështetjen që ata kanë nevojë për të adoptuar mënyra jetese të shëndetshme.

Faktorët kontribues

Pse është rritur numri i kancerëve tek të rinjtë?

Nuk dihet pse ka ndryshuar gjenetika, mbase stili dhe mënyra e ushqyerjes, konsumimi me tepricë i mishit të kuq dhe produkteve të zgarës, obeziteti, jeta sedentare, alkoli dhe duhani janë faktorët kontribues të këtyre tumoreve.

– Aktiviteti fizik, faktorët dietetik, mbipesha

Aktiviteti fizik i rregullt dhe mbajtja e një peshë të shëndetshme të trupit, së bashku me një dietë të shëndetshme, zvogëlojnë dukshëm rrezikun e kancerit. Ekziston një lidhje midis mbipeshës dhe obezitetit ndaj shumë llojeve të kancerit, si ezofagut, kolorektumit, gjirit, endometrit dhe veshkave. Ushqimi i lartë në fruta dhe perime  të pasura me fibër mund të ketë një efekt mbrojtës të pavarur kundër  kancerit të zorrës së trashë. Sikundër konsumimi i mishit të kuq është akuzuar si faktor kontribues në zhvillimin e kancerit kolorektal.

– Alkooli  është një faktor rreziku për shumë lloje të kancerit duke përfshirë kancerin e gojës, faringut, laringut, ezofagut, mëlçisë, kolorektumit dhe gjirit. Rreziku i kancerit rritet me sasinë e alkoolit të konsumuar. Për disa lloje të kancerit, pirja e alkoolit të rëndë të kombinuar me përdorimin e duhanit rrit ndjeshëm rreziqet e kancerit. Në vitin 2010, kanceret që i atribuohen alkoolit vlerësoheshin të jenë përgjegjës për 337.400 vdekje në mbarë botën, kryesisht në mesin e meshkujve.

– Duhani. Në mbarë botën, përdorimi i duhanit është faktori më i madh i shmangshëm i rrezikut për vdekshmërinë e kancerit dhe vret rreth 6 milionë njerëz çdo vit, nga kanceri dhe sëmundjet e tjera. Tymi i duhanit ka më shumë se 7000 kimikate, të paktën 250 janë të njohur të jenë të dëmshme dhe më shumë se 50 janë të njohur për të shkaktuar kancer. Pirja e duhanit shkakton shumë lloje të kancerit, duke përfshirë kancerin e mushkërive, ezofagun, laringut, gojës, fytit, veshkës, fshikëzës urinare, pankreasit, stomakut dhe qafës se mitrës.

– Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës me kimikate kancerogjene kontribuon në ngarkesën e kancerit në nivele të ndryshme varësisht nga mjedisi gjeografik. Ndotja e ajrit në natyrë është klasifikuar si kancerogjen, për njerëzit ekspozimi ndaj kancerogjenëve gjithashtu ndodh nëpërmjet kontaminimit të ushqimit, siç janë aflatoksinat ose dioksinat. Në vendin tonë  duhet një kontroll më i rreptë ushqimor nga strukturat shtetërore mbi produktet e konsumimit nga popullata në drejtim të përdorimit brenda normave të përcaktuara nga komuniteti europian sidomos në  drejtim të përdorimit të OMGJ. Ka mendime kontraverse mbi përdorimin e tyre.

Ka studime që lidhin rreziqet e OMGJ-ve në shëndetin e njeriut, kryesisht me çrregullime metabolike, diabeti, reaksione alergjike, komprimim të imunitetit të njeriut, rezistencë ndaj përdorimit të antibiotikëve, dhe sëmundjet tumorale. Ekspertët në vende të ndryshme mendojnë që duhet Moratorium mbi përdorimin e OMGJ-ve në bujqësi dhe industrinë ushqimore. Këshillohet  konsumimi i sa më shumë produkteve bio, fruta dhe perime, por jo gjithmonë të gjindshme nëpër markete. Ajo që duket e bukur, jo gjithmonë është e dobishme për shëndetin. Një grup shkencëtarësh nga 13 vende kanë mbështetur thirrjet për një moratorium për bllokimin  e ushqimeve të modifikuara gjenetikisht pas miratimit të hulumtimeve të pabotuara që kanë ngritur frikën e rreziqeve të mundshme shëndetësore. Qeveria britanike ka qenë nën presion për të vepruar,  pas një njoftimi nga 22 shkencëtarët që hulumtimi i kryer nga Dr. Arpad Pusztai në Institutin e Kërkimeve Rowett në Aberdeen të Britanisë së Madhe,  kishte gjetur prova të ndryshimeve të sistemit imunitar dhe dëmtimit të organeve në minjtë të ushqyer me ushqim të modifikuara gjenetikisht. Eksperimentet dhe debatet në këtë pikë janë të nxehta dhe vazhdojnë në shumë vende të botës, në të dy krahët.

Diagnoza e hershme

Diagnoza e hershme e kancerit rrit gjasat për trajtim të suksesshëm duke u fokusuar në zbulimin e pacientëve simptomatikë sa më shpejt që të jetë e mundur. Ajo ka për qëlli, ka për qëllim zvogëlimin e përqindjes së pacientëve të cilët janë diagnostikuar në fazën e vonshme dhe ajo  përmirëson rezultatet e trajtimit  duke siguruar kujdesin në fazën më të hershme të mundshme dhe prandaj është një strategji e rëndësishme e shëndetit publik në të gjitha mjediset. Pasojat e kujdesit të vonuar të kancerit mbartin   gjasat më të ulëta për mbijetesë, morbiditet më të madh të trajtimit dhe kosto më të lartë të kujdesit, duke rezultuar në vdekje të shmangshme dhe paaftësi nga kanceri.

Agjensia Ndërkombëtare për Hulumtime mbi Kancerin (IARC) ka arritur në përfundimin se përfitimet e depistimit me testet e përcaktuara aktualisht të bazuara në jashtëqitje (testi i gjakut okult fekal ose testi imunokimik i feceve) dhe ekzaminimet  endoskopike (sigmoidoskopia ose kolonoskopia) janë shumë të vlefshme. Prandaj, testet e jashtëqitjes, të cilat janë të lira dhe të lehta për t’u realizuar, janë më praktike në shumë zona të botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Programet e screening  nuk rekomandohen në shumë vende me indeks të ulët të zhvillimit  me incidencë të ulët, kështu që këto nisma janë të pakta në Afrikë, Azi dhe Amerikën e Jugut. Shqipëria ende  nuk ka një program kombëtar screening  për parandalimin e kancerit kolorektal. Mbijetesa është shumë më e lartë kur kanceri kolorektal zbulohet në një fazë të hershme; sidoqoftë, më pak se gjysma e rasteve diagnostikohen herët, madje edhe në vendet e zhvilluara, kryesisht për shkak të niveleve të kontrollit suboptimal. Për shembull, vetëm rreth 40% e kancerit kolorektal diagnostikohen në një fazë të hershme në Kanada, Danimarkë dhe Mbretërinë e Bashkuar, më shumë se 50% e rasteve kur vijnë në spitale në Shqipëri janë tashmë faza të përparuara metastatike.

Trajtimet moderne të kancerit kolorektal përfshijnë protokollet e trajtimit kirurgjikal, i cili realizohet me kirurgji tradicionale të hapur, laparaskopike (me sondë) dhe kirurgjinë robotike e cila është shumë efikase sidomos  në tumoret e rektumit. Trajtimit kirurgjikal i bashkangjitet trajtimi neoadjuvant (para operacionit) me kemio-radioterapi në varësi të vlerësimit bashkarisht me mjekun onkolog, dhe trajtimi postoperator me kemio-radioterapi, po përsëri në konsulencë me mjekun onkolog. Trajtimi i kancerit kolorektal është trajtim multidisiplinar, dhe përfshin disa specialistë të fushës, si kirurg, onkolog, radiolog, gastroenterolog, anatomopatolog, staf për kujdesin ndaj kolostomisë dhe rehabilitimit të pacientit etj.

Shoqëria shqiptare ka nevojë për ndërgjegjësim të vazhdueshëm, informim më të gjitha burimet e informacionit, aplikimin e  planit kombëtar të kontrollit të detyrueshëm kolonoskopik  mbi moshën 50 vjeç, për parandalimin në kohë të sa më shumë rasteve potencialisht tumorale me  një kosto të rënduar financiare  si për shtetin ashtu dhe për individin, përgjatë procesit të trajtimit.

Politikat  sensibilizuese dhe parandaluese mjekësore, duhet të konsiderojnë zbatimin e disa elementeve kyç si:

– Rritja e ndërgjegjësimit të publikut duke transmetuar programe edukative dhe praktike në masmedia (radio dhe televizion) për rrezikun e kancerit kolorektal, pasojat dhe rezultatet e vonesës së referimit në qendrat diagnostike nëse ka simptoma të dyshimta, si dhe përfitimet e referimit në kohë.

– Pacientët duhet të inkurajohen të shkojnë të vizitohen në kohë tek mjeku specialist.

– Organizimin e  fushatave për të rritur sensibilizimin kundrr kancerit kolorektal, për të rritur njohuritë dhe ndërgjegjësimin e publikut duke përdorur kapacitetet ekzistuese, duke përfshirë punonjësit e shëndetësisë, studentët e universitetit, OJQ-të dhe grupet vullnetare.

– Zbatimi i programeve të depistimit falas ose me kosto të ulët

Konsideroni seriozisht simptomat e Kancerit kolorektal dhe drejtohuni në qendrat e specializuara në kohën e duhur!

“Dum vita est spes est” Where there is life, there is hope ” Ku ka jete, ka dhe shprese”

Përgatitur nga MD. PhD, Lida Shosha #ColorectalConsultant, Spitali Amerikan 1.

Për më shumë informacion ose vizitë kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan, përqafoje jetën!

Zhurmat në vesh dhe problematikat e saj

By Spitali Amerikan - Të Reja

Nga Arvenol Meta, audiolog

Shumë persona ankohen nga zhurmat në vesh. Por çfarë janë ato?

Zhurmat në vesh ose siç njihen ndryshe si Tinnitus nga latinishtja janë bezdisje në njërin ose në të dy veshët në forma të ndryshme si fishkëllima, zhurma e televizorit të vjetër kur nuk kap kanal, gjinkalla, zhurma e ujit apo një çezme të hapur, në formën e erës që fryn, e ngjashme me rrahjet e zemrës, etj.

Çfarë lloj sëmundje është?

Tinnitus nuk konsiderohet një sëmundje, por kemi të bëjmë me një sindromë multifaktoriale dhe si rrjedhojë shkaqet që mund të çojnë në shfaqjen e saj mund të jenë të ndryshme dhe jo gjithmonë të lidhura së bashku.

Para disa kohësh kam patur zhurma në vesh që më zgjatën disa ditë. A mund të shfaqen sërish?

Tinnitus është një gjendje që mund të klasifikohet në dy kategori bazuar në kohëzgjatjen e saj.

  • Tinnitus akut i cili shfaqet papritur apo pas një ekspozimi ndaj një zhurme të beftë dhe të fortë dhe normalisht nuk zgjat më shumë se nga disa orë deri në 3 muaj.
  • Tinnitus kronik ndodh kur kjo gjendje e nisur si një tinnitus akut zgjat përtej 3 muajve me intensitet të ndryshëm.

A janë të gjitha zhurmat në vesh njësoj?

Tinnitus gjithashtu ndahet edhe në dy kategori të rëndësishme:

a) tinnitus subjektiv (ndihen vetëm nga personi që i ka)

b) tinnitus objektiv (përvec personit që i ka i dëgjojnë edhe personat pranë tij)

Cilat janë shkaqet më të shpeshta?

  1. Dëmtimi i dëgjimit apo probleme me dëgjimin
  2. Shtatzënia
  3. Bruksizmi
  4. Problemet cervikale (probleme të ndryshme me qafën)
  5. Probleme me qarkullimin e gjakut
  6. Stresi dhe depresioni
  7. Problematika të ndryshme me sistemin nervor qendror
  8. Ekspozimi në ambiente shumë të zhurmshme për një kohë relativisht të gjatë (diskoteka, koncerte, salla dasmash etj)

Si mund të diagnostikohet një Tinnitus?

Diagnostikimi i tinnitus nuk është gjithnjë i lehtë, si për nga kompleksiteti që ka por edhe nga situata të ndryshme që shkakton. Shpeshherë në diagnostikimin e tij përfshihen një sërë figurash profesioniste mjekësore ORL, audiologu, neurologu, psikiatri, endokrinologu etj.

Procedurat e diagnostikimit fillojnë nga kabineti i ORL/AUDIOLOGJI ku mund të kryhen një sërë testesh për të bërë një vlerësim sa më të hollësishëm të funksionimit otologjik.

a) ekzaminimi objektiv ORL

b) audiometri tonale

c) timpanometri dhe reflekse stapediale

d) akufenometri

e) audiometri vokale liminare dhe sopraliminare

f) ABR

g) DPOAE

A është e vërtet që tinnitus një herë që ndodh nuk largohet më?

Tinnitus apo zhurmat në vesh shpeshherë nënvlerësohen apo keqtrajtohen. Diagnostikimi dhe trajtimi i hershëm janë arma kryesore në “luftën” kundër tinnitus. Nuk është e vërtet që të gjitha zhurmat në vesh, një herë që shfaqen nuk largohen, por mënyrat e trajtimit janë të të ndryshme po ashtu edhe koha në dispozicion. Patjetër që ka forma të vështira të cilat fatkeqësisht nuk kanë një zgjidhje në termin afatgjatë.

Si trajtohet tinnitus?

Fakti që tinnitus është një sindromë dhe jo një sëmundje kryefjala është diagnostikimi korrekt i tij dhe gjetja e një shkaku real të kësaj gjendje. Terapia e tinnitus ka qenë gjithnjë në fokus të shumë kërkimeve shkencore dhe publikimeve mjekësore të ndryshme dhe nga të cilat kanë dalë linja udhëzuese për mënyrat e trajtimit të tinnitus.

1) Trajtimi farmakologjik

2) Trajtimi kirurgjikal

3) Trajtimi proteziv përmes aparateve të dëgjimit me sistem TRT (Tinnitus Retraining Terapy )

4) Trajtimi psikologjik

5) Trajtimi fizioterapeutik

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekët tanë kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan, përqafoje jetën!

Ekografia karotide, ekzaminimi që ndihmon në parandalimin e goditjes në tru

By Spitali Amerikan - Të Reja

Nga Dr.Erald Vasili, radiolog

Ekografia karotide është një procedurë e sigurt, pa dhembje që përdor ultratingujt për të ekzaminuar rrjedhën e gjakut nëpër arteriet karotide.

Dy arteriet karotide ndodhen në secilën anë të qafës dhe sjellin gjak nga zemra në tru. Ngushtimi apo bllokimi i tyre nga grumbullimi i pllakave të përbëra nga yndyra, kolesteroli, kalciumi dhe substanca të tjera që qarkullojnë në rrjedhën e gjakut mund të shkaktojë goditje në tru. Diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi i një arterie karotide të ngushtuar mund të ulë rrezikun e goditjes në tru.

Pse bëhet?

Mjeku juaj do të rekomandojë ekografinë karotide nëse keni sulme ishemike kalimtare (TIA), lloje të caktuara të goditjes në tru ose nëse keni gjendje mjekësore që rrisin rrezikun e goditjes në tru, duke përfshirë:

• Presion i lartë i gjakut

• Diabet

• Kolesterol i lartë

• Histori familjare e goditjes në tru ose sëmundjes së zemrës

• Sulmi i fundit kalimtar ishemik (TIA) ose goditja në tru

• Tingull jonormal në arteriet karotide, të zbuluara nga mjeku me stetoskop

• Sëmundje të arteries koronare

Për të kontrolluar enët e gjakut të ngushta ose të bllokuara në zona të tjera të trupit, mund t’ju duhen teste shtesë, duke përfshirë:

• Ekografia e barkut. Ju mund të bëni një eko të barkut për të parë enët e gjakut ose organet e barkut.

• Testi i indeksit të kyçit të këmbës. Ky test mat dhe krahason presionin e gjakut midis kyçit të këmbës dhe krahut tuaj. Testi tregon rrjedhje të reduktuar ose të bllokuar të gjakut në këmbët tuaja.

• Testi i stresit kardiak. Ky test tregon se sa mirë funksionon zemra juaj kur jeni nën stres, të tilla si gjatë ushtrimeve. Rezultatet mund të tregojnë rrjedhje të dobët të gjakut në zemër. Mjeku juaj gjithashtu mund të urdhërojë teste imazherie për të zbuluar sëmundjen e arterieve koronare.

Për më shumë informacion ose vizitë me Dr.Erald Vasili kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan, përqafoje jetën!

Menopauza, nevoja e kujdesit mjekësor adekuat dhe rritja e cilësisë së jetës

By Spitali Amerikan - Të Reja

Menopauza është një proces i natyrshëm që përfshin ndryshime biologjike, funksionale, hormonale, fizike dhe psikologjike. Vlerësohet si një periudhë kohore e ndalimit të ciklit menstrual për 12 muaj, si pasojë e pakësimit të ovociteve ovarian për shkak të “moshës biologjike” të gruas dhe shënon fundin e fertilitetit biologjiko-fiziologjik të saj. Përgjithësisht ndodh në gratë rreth moshës 50-52 vjeç, plus/minus 4-5 vite.

Rrjedhimisht shoqërohet me uljen e niveleve të hormoneve riprodhuese, veçanërish të estrogjenit duke sjellë si pasojë çrregullim në aspektin fiziologjik vazomotor, siç janë afshet e nxehta dhe djersitja natën. Në aspektin psikologjik kemi të bëjmë me ndryshime të humorit, vështirësi në përqendrim, depression dhe deri në pagjumësi.

Për sa i takon aspektit fizik ndryshimet ndodhin në organet gjenitale femërore, e njohur si atrofia e organeve gjenitale, e cila shkakton tharje në mukoza të organeve të jashtme dhe të brendshme gjentitale e për rrrjedhojë dhimbje në kontaktin seksual, kruarje dhe bezdisje pavarësisht mungesës së faktorëve të tjerë patologjikë si infeksionet vulvovaginale, etj. Inkontinenca urinare (urinim i pavullnetshëm) është një tjetër pasojë e menopauzës apo ndryshime në lëkurë si hollimi dhe humbja e elasticitetit të saj.

Në bio-fiziologjinë e femrës konstatohet rënia e libidos (dëshirës seksuale) për shkak të uljes së prodhimit të hormoneve seksuale (estrogjenit, progesteronit), duke përfshirë edhe nivelet e androgeneve që kontribuojnë në këtë aspekt.

Edhe pse një fazë e paevitueshme biologjike nëse lihet pa kujdesin e duhur mjekësor ndikon shumë në cilësinë e jetës së pacientes e madje deri në patologji të cilat shfaqen më vonë me pasoja që kërkojnë deri ndërhyrje kirurgjikale apo trajtim mjekësor afatgjatë.

Në jo pak raste, gratë në menopauzë marrin mjekime të panevojshme për acarimin e organeve të jashtme gjenitale, shpesh përdorin edhe antibiotikë të panevojshëm, ndërkohë që kemi të bëjmë me atrofi vulvovaginale e cila do mjekim tjetër, pa antibiotikë, nëse mungon flora bakteriale patogjene. Në atrofinë vulvovaginale duhet përdorur xhel estrogen, apo zbutës vulvovaginal apo lubrifikues vaginal.

Një shembull tjetër është incontinenca urinare, ku sërish marrin mjekime të panevojshme duke përfshirë edhe antibiotikë, ndërkohë që mund të jetë e nevojshme një ndërhyrje kirurgjikale, sepse mund të kemi të bëjmë siç quhet në termin e kuptueshëm nga popullata – rrëshqitje të organeve pelvike, pra rrëshqitje të murit të përparmë të vaginës siç është cystocela, rrëshqitje të dyshemesë pelvike, të uterusit (mitrës), apo deri probleme me jashtëqitjen.

Gjithashtu, në periudhën e menopauzës dhe post menopauzës duhet të vlerësohet periodikisht te mjeku gjinekolog edhe për problemet e mundshme që shfaqen shpesh në këtë periudhë të jetës si patologjitë malinje gjinekologjike, si kanceri i vulvës dhe vaginës, kanceri i qafës se mitrës, kanceri i endometrit, kanceri i vezoreve.

Mostrajtimi i menopauzës mund të sjellë si pasojë osteoporozën që çon në fraktura të kockave, sidomos ato kokso-femorale, të cilat kërkojnë më pas implantim kirurgjikal të protezave ortopedike.

Në menopauzë dhe pas menopauze gratë janë në rrezik të lartë edhe për sëmundje kardio-vaskulare, ndaj në periudhën e pre menopauzës, apo menopauzës ato duhet të kërkojnë kujdes mjekësor, të informohen dhe të kuptojnë më mirë problematikat e mundshme, suplementet, hormonoterapinë zëvendësuese, trajtimet dhe menaxhimin e problematikave të ndryshme mjekësore. Kjo do të ndikonte pozitivisht jo vetëm në cilësinë e tyre të jetës, por do të kishte edhe një impakt pozitiv në parandalimin dhe minimizimin e patologjive të ndryshme që ndodhin në menopauzë dhe post menopauzë.

Gratë në periudhën e menopauzës dhe post menopauzë kanë nevojë edhe për vlerësim nga mjeku kardiolog, apo endokrinolog, sepse problemet kardiovaskulare dhe diabeti kanë tendencë të shfaqen dhe përkeqësohen në këtë periudhë të jetës.

Në Spitalin Amerikan trajtimi përshtatet sipas problematikave të pacientes. Për shembull: Terapia e Zëvendësimit të Hormoneve (TZH) mund të jetë një ndihmë në trajtimin e shqetësimeve që lidhen me menopauzën si afshet, djersitja dhe problemet e gjumit, të cilat mund të kompromentojnë punën, marrëdhëniet shoqërore dhe jetën në çift.

Informimi, këshillimi për dietë të shëndetshme, ushtrimet fizike, ndalimi i konsumimit të duhanit dhe alkoolit, suplementet përkatëse (vitamina D, Kalcium), si dhe edukimi mjekësor i pacienteve nga profesionistët e fushës së mjekësisë ndihmojnë ndjeshëm në reduktimin e shenjave dhe simptomave, menaxhimin adekuat të tyre sipas problematikave, parandalimin e komplikacioneve të mundshme, dhe rritjen e cilësisë së jetës në tërësi.

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekë tanë, kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan, përqafoje jetën!

Page 1 of 7123›»

Të Fundit

  • Mario Karaj – CEO i Spitalit Amerikan, intervistë ekskluzive për prestigjozen “USA Today”
    Mario Karaj – CEO i Spitalit Amerikan, intervistë ekskluzive për prestigjozen “USA Today”
    05/03/2025
  • Nga Dhjetori 2006, Spitali Amerikan prej 17 vitesh mundëson shërbimet bashkëkohore që dikur detyronin shqiptarët të dilnin jashtë vendit
    Nga Dhjetori 2006, Spitali Amerikan prej 17 vitesh mundëson shërbimet bashkëkohore që dikur detyronin shqiptarët të dilnin jashtë vendit
    13/12/2023
  • Masterklasi Ndërkombëtar i Imazherisë së Gjirit mbledh në Tiranë elitën e mjekësisë shqiptare dhe të huaj
    Masterklasi Ndërkombëtar i Imazherisë së Gjirit mbledh në Tiranë elitën e mjekësisë shqiptare dhe të huaj
    18/09/2023
  • Kujdes shëndetin në stinën e nxehtë, Spitali Amerikan ofron paketat ekzaminuese për korrik-gusht 2023
    Kujdes shëndetin në stinën e nxehtë, Spitali Amerikan ofron paketat ekzaminuese për korrik-gusht 2023
    10/07/2023
  • Prof.Dr. Perlat Kapisyzi FCCP: Pletismografia, është i vetmi ekzaminim i sistemit respirator që vlerëson shkëmbimin e oksigjenit në nivel alveolar
    Prof.Dr. Perlat Kapisyzi FCCP: Pletismografia, është i vetmi ekzaminim i sistemit respirator që vlerëson shkëmbimin e oksigjenit në nivel alveolar
    15/05/2023
  • Sindromi i Zorrës së Gjatë apo Dolichosigmoid Colon Syndrome
    Sindromi i Zorrës së Gjatë apo Dolichosigmoid Colon Syndrome
    06/03/2023
  • Infeksionet Stafilokoksike, diagnostikimi, trajtimi dhe masat parandaluese
    Infeksionet Stafilokoksike, diagnostikimi, trajtimi dhe masat parandaluese
    06/03/2023
  • Urtikariet, Dr. Shk.Alketa Bakiri: Ja çfarë duhet të bëni kur keni këto manifestime kutane në lëkurë të shoqëruara me skuqje dhe kruarje
    Urtikariet, Dr. Shk.Alketa Bakiri: Ja çfarë duhet të bëni kur keni këto manifestime kutane në lëkurë të shoqëruara me skuqje dhe kruarje
    06/03/2023
  • Doktor, kur je mbi 40 vjeç, duhet ta marrësh aspirinën e zemrës?
    Doktor, kur je mbi 40 vjeç, duhet ta marrësh aspirinën e zemrës?
    06/03/2023
  • Ad hominem “Protegas sanitas, diutius vivere” – Mbroni shëndetin, të jetoni gjatë.
    Ad hominem “Protegas sanitas, diutius vivere” – Mbroni shëndetin, të jetoni gjatë.
    06/03/2023
© American Hospital sh.a. Të gjitha të drejtat e rezervuara. - Politikat e privatësisë