Tel. +355 (0) 42 35 75 35    -    Kontakt    -               
American Hospital
  • Shërbimet Mjekësore
  • Stafi Mjekësor
  • Degët
  • Të Reja
  • Pacientët
  • Rreth Nesh
    • Chairman
    • Burimet Njerëzore
    • Pyetjet më të shpeshta
    • Kontakt
  • Shërbimet Mjekësore
  • Stafi Mjekësor
  • Degët
  • Të Reja
  • Pacientët
  • Rreth Nesh
    • Chairman
    • Burimet Njerëzore
    • Pyetjet më të shpeshta
    • Kontakt

Ethet e Nilit Perëndimor: Simptomat dhe parandalimi

By Spitali Amerikan - Të Reja

Ethet e Nilit Perëndimor është një sëmundje virale që shkaktohet nga virusi i Nilit Perëndimor; emri i së cilës rrjedh nga dega e Nilit Perëndimor në Ugandë, dhe për herë të parë është diagnostikuar në 1937 te një grua që vuante nga një temperaturë shumë e lartë.

Sëmundja tipike e kontinentit të Afrikës, po përhapet edhe në pjesët e tjera të botës, siç tregojnë edhe rastet e personave të prekur në vendet e Ballkanit gjatë muajit Gusht.

Simptomat

Periudha e inkubacionit për ethet e Nilit Perëndimor varion nga 2 deri në 15 ditë dhe në format më të lehta sëmundja zgjat nga 3 deri në 6 ditë.

Rreth 80% e rasteve të transmetuara te njerëzit nuk manifestojnë simptoma. Kur manifestohen simptomat ato janë shumë të ngjashme me gripin:

  • temperaturë e moderuar,
  • gjendje parehatie e përgjithshme
  • ulje të oreksit
  • të përziera,
  • dhembje koke,
  • dhembje sysh,
  • dhembje shpine,
  • dhembje muskujsh,
  • kollë
  • puçrra,
  • diarre
  • nyje imfatike të zmadhuara,
  • vështirësi në frymëmarrje.

Format më të rënda të sëmundjes, që kërkojnë trajtim të specializuar, karakterizohen nga simptoma më të rënda, si:

  • temperaturë e lartë,
  • encefalit
  • meningjit
  • dhembje të forta të kokës,
  • dobësi dhe paralizë të lehtë,
  • simptoma gastrointestinale,
  • çorientim,
  • të dridhura
  • konvulsione
  • puçrra në kurriz, qafë, krahë dhe këmbë,
  • ataksi (humbja progresive e koordinimit të muskujve),
  • koma.

Në përgjithësi, kjo sëmundje është e shërueshme, megjithatë, për rreth 1% të pacientëve, mund të degjenerojë në meningjit ose encefalit, sidomos te personat e moshuar ose me imunitet të dobët.

Transmetimi i virusit të Nilit Perëndimor

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet përmes pickimit të mushkonjave. Sa më i madh numri i infeksioneve dhe i mushkonjave në mjedis, aq më e madhe është mundësia e kontaktit me sëmundjen. Ethet e Nilit mund të infektojnë edhe kafshët, në veçanti zogjtë shtegtarë përgjegjës për përhapjen e virusit në botë.

Parandalimi

Mjeti më efikas për të parandaluar është përdorimi i pajisjeve ose spray kundër mushkonjave dhe insekteve në mënyrë që të shmanget një pickim i mundshëm nga insektet bartëse.

Gjithashtu rekomandohet që të evitohen zonat ku ka kafshë të ngordhura ose pellgje me ujë të ndenjur të cilat tërheqin mushkonjat.

Kohëzgjatja e sëmundjes

Ndërsa prognoza e përgjithshme është e favorshme, studimet e tanishme tregojnë se ethet e Nilit Perëndimor shpesh mund të jenë më të rënda sesa supozohej më parë, me raste që kërkojnë deri në 90 ditë për shërimin e plotë. Edhe pacientët e prekur nga format e lehta mund të përjetojnë simptoma të llojeve të ndryshme (të dridhura dhe disfunksion  senso-motor) për një vit ose më shumë, dhe në rastet e rënda, disa dëme mund të jenë të përhershme.

Më pak se 1% e pacientëve të prekur paraqesin simptoma të rënda dhe / ose fatale.

Personat e infektuar dhe që kanë kaluar ethet e Nilit Perëndimor kanë fituar imunitet të përhershëm.

Trajtimi

Aktualisht nuk ekzistojnë vaksina apo trajtime specifike, zakonisht përdoren medikamente që ndihmojnë në lehtësimin e simptomave të sëmundjes.

Në rast se keni simptomat e mësipërme dhe ndjeni se keni nevojë për ndihmën e mjekut drejtohuni tek Urgjenca e Spitalit Amerikan në numrin 068 800 8000

 

Gastroenteritet, rreziku nga të vjellat dhe diarrea në stinën e verës

By Spitali Amerikan - Të Reja

Gastroenteriti është infeksioni i traktit gastrointestinal, kryesisht infeksion i stomakut dhe zorrës së hollë. Shkaktohet nga viruset, bakteret ose mikrobet e tjera. Personat e prekur mund të kenë diarre, të përziera e të vjella apo dhembje barku. Ndonjëherë shoqërohet me temperaturë të lartë, dhembje të kokës dhe të muskujve të trupit. Në përgjithësi është një patologji që kalon brenda pak ditësh dhe nuk ka nevojë per mjekime specifike. Dhembjet e barkut janë të zakonshme dhe qetësohen pak kohë pas jashtëqitjes.

Duhet të shkojnë te mjeku pacientët që kanë:

  • Shenja të dehidrimit, si pasojë e të vjellave dhe diarresë, gjak në jashtëqitje ose dhimbje të forta të barkut.
  • Temperaturë të lartë dhe të vazhdueshme, diarre dhe të vjella që zgjasin.
  • Personat e moshuar, pacientët që vuajnë nga sëmundje kronike apo që kanë probleme me sistemin imunitar (pacientë që marrin mjekime afatgjata me kortizon ose që janë në trajtim me kimioterapi për sëmundje tumorale), gratë shtatzëna. Fëmijët duhet që të konsultohen që në fillim të simptomave të sëmundjes.

Klasifikimi

Gastroenteriti mund të klasifikohet në bazë të kohëzgjatjes së simptomave:

  • Gastroenterit akut, ndodh në harkun e pak ditëve dhe gjithsesi nuk zgjat më shumë se dy javë
  • Gastroenterit rezistent, ka një zhvillim më të ngadaltë dhe nuk kalon përpara 14 ditëve
  • Gastroenterit kronik, ashtu si sugjeron vetë emri, manifeston simptoma të cilat zgjasin më shumë se 30 ditë.

Gastroenteriti infektiv

Agjentët patogjenë potencialisht përgjegjës për gastroenteritin infektiv janë viruset, bakteret dhe parazitët, të cilët futen në organizmin e njeriut me rrugë fekal-orale si pasojë e kushteve të këqija higjenosanitare apo kontaminimit të ushqimeve apo ujit, kolonizojnë mukozën e zorrës dhe alternojnë punën e saj duke dëmtuar mekanizmat e përthithjes dhe sekretimit të qelizave intestinale apo duke çliruar toksina të ndryshme në lumenin e zorrës. Më të zakonshmit janë:

  • Viruset: Norovirus, Astrovirus, Rotavirus dhe Adenovirus.
  • Bakteret: Salmonella, Campylobacter spp., E. Coli (6 lloje), Vibrio spp., Aeromonas spp., Yersinia, Bacillus cereus, Clostridium perfrigens, Staphylococcus aureus enterotoxicogen, Listeria monocytogenes dhe Shigella spp.
  • Parazitët: Cryptosporidium, Microsporidia, Giardia, Cyclospora cajetanensis dhe Entamoeba histolyca.

 Diagnoza

Diagnoza e gastroenteritit bëhet në bazë të simptomave dhe historisë epidemiologjike të sëmundjes:

  • Konsumin e ushqimeve të dyshimta për të dhënë gastroenterit (ushqime të konsumuara në fast food ose restorant, ushqime të ndenjura)
  • udhëtimet jashtë vendit
  • raste me gastroenterit dhe të personave të tjerë të cilët kanë konsumuar të njëjtin ushqim.

Shenjat klinike të gastroenteritit

Në varësi të shkaktarit të sëmundjes, shenjat klinike më të zakonshme janë:

  • anoreksi, dobësi e përgjithshme,
  • dhembje barku në formë spazmash apo fryrje abdominale, gurgullima të zorrëve
  • diarre, ndonjëherë me gjak
  • hipotension, dhembje koke dhe dhembje muskulare
  • të përziera dhe të vjella
  • rënie në peshë
  • dehidrim, ndjesi të ftohti dhe takikardi.

Cilat janë simptomat e dehidrimit?

Dehidrimi është simptoma më e rëndësishme e gastroenteritit. Ndodh nëse të vjellat dhe diarreja janë abondante dhe sasia e lëngjeve që merren është më e pakët sesa ajo që humbet. Shenjat klinike janë:

  • dobësi, lodhje, marramendje
  • dhimbje koke dhe dhimbje muskulare
  • ulje e elasticitetit të lëkurës
  • urinim të pavullnetshëm në sasi të pakët
  • Tharje të gojës dhe gjuhës

Dehidrimi i theksuar është një emergjencë mjekësore që kërkon një kujdes të menjëhershëm, veçanërisht në grupet e riskut si pacientët që vuajnë nga sëmundje kronike apo kanë probleme me sistemin imunitar, gratë shtatzëna dhe fëmijët.  Nëse gastroenteriti persiston dhe dehidrimi nuk korrigjohet, atëherë mund të çojë në konfuzion, rrahje të shpeshta të zemrës dhe gjendje komatoze.

Si të parandaloni përhapjen e gastroenteritit?

Gastroenteriti mund të transmetohet me lehtësi nga një person te tjetri, kështu që për të parandaluar përhapjen e infeksionit, duhet:

  • Të lahen mirë duart pas shkuarjes në tualet. Të përdoret sapuni dhe uji i ngrohtë. Të thahen duart siç duhet pas larjes.
  • Të përdoren peshqirë apo piceta personale.
  • Të mos përgatitet ose të mos i shërbehet ushqim të tjerëve nëse keni gastroenterit.
  • Të pastrohen rregullisht me dezinfektues tualetet që përdoren.
  • Të qëndrohet të paktën 48 orë në shtëpi nëse keni diarre dhe të vjella
  • Ata që shërbejnë në sektorin e shpërndarjes së ushqimit nuk duhet të punojnë kur kanë gastroenterit.
  • Nëse shkaku i gastroenteritit dihet (ose dyshohet të jetë) mikrobi i quajtur Cryptosporidium spp, nuk duhet të notoni në pishinë për të paktën dy javë nga episodi i fundit i diarresë.

A mund të parandalohen gastroenteritet?

Edhe kur nuk jemi në kontakt me dikë me gastroenterit, kujdesi i duhur, përgatitja dhe gatimi si duhet i ushqimit dhe higjiena e mirë ndihmojnë për të parandaluar infeksionin.

Në veçanti, të lahen gjithmonë duart:

  • Pasi të shkohet në tualet.
  • Para se të preket ushqimi.
  • Pas kopshtarisë.
  • Pasi të keni luajtur me kafshët shtëpiake (kafshët e shëndetshme mund të mbajnë baktere të caktuara të dëmshme).

Gjithashtu duhet të merren masa mbrojtëse shtesë në vendet që kanë kanalizime të dobëta. Për shembull, nuk duhet të pihet uji i çezmës dhe pijet e tjera jo të sigurta si dhe të shmanget konsumimi i ushqimeve të lara me ujëra të pasigurta.

Në rastet urgjente duhet t’i telefononi Urgjencës së Spitalit Amerikan në numrin 068 800 8000

Bunion (gungat) në këmbë. A ka zgjidhje?

By Spitali Amerikan - Të Reja

 


Një bunion (hallux valgus) është një deformim i kyςit bazë të gishtit të madh të këmbës. Në shumë raste shkaku nuk është i qartë. Ky deformim fërkohet me këpucën duke shkaktuar inflamacion dhe dhembje. Këpucët e mira shpesh rekomandohen për të lehtësuar simptomat. Një kirurgji për të korrigjuar deformimin është një opsion, nëse këpucët e mira nuk i lehtësojnë simptomat.

Ҫfarë është një bunion?

Kur gishti i madh ka një deviacion në drejtim të gishtit të dytë, deformimi quhet bunion (hallux valgus). Kjo shkakton një dalje në formë gunge në pjesën anësore të gishtit të madh. Përveç kësaj, ka një ashpërsim të lëkurës dhe indeve pranë zonës së prekur. Lëkura e ashpërsuar dhe indet skuqen dhe shkaktojnë dhembje.

Ndonjëherë një qeskë e mbushur me lëng (bursit) zhvillohet mbi nyje.

Ҫfarë i shkakton bunionet?

Shkaku kryesor është një deformim i kycit bazë të gishtit të madh. Deformimi quhet hallux valgus. Në këtë deformim gishti i madh i këmbës zhvillon një deviacion me kënd. Për shkak të këtij deformimi, kockat e gishtit të madh shtyjnë drejt gishtërinjve të vegjël.

Lëkura mbi nyjen e devijuar më pas tenton të fërkohet me brendësinë e këpucëve. Kjo mund të shkaktojë trashje dhe inflamim të lëkurës dhe të indeve që ndodhen në anën kyçit të prekur.

Në shumicën e rasteve nuk është e qartë pse zhvillohet një deformim si bunion. Mund të jetë e trashëguar (gjenetike) që një person të ketë një kyç të dobët të gishtit të madh të këmbës. Në disa raste është i lidhur me një problem si osteoartriti ose artriti reumatoid.

Megjithatë, pavarësisht shkakut kryesor, veshja e këpucëve të ngushta ose jo komode ka tendencë ta përkeqësojë problemin. Përdorimi i këpucëve të tilla shton presionin mbi gishtin e madh të këmbës dhe shkakton fërkim me shtresën e sipërme të lëkurës.

Cilat janë simptomat dhe problemet që shkaktojnë bunions?

  • Ju mund të keni vështirësi gjatë ecjes për shkak të dhembjes.
  • Inflamacion dhe ënjtje të shputës së këmbës. Kjo e fundit ndonjëherë infektohet.
  • Këmba mund të zgjerohet aq shumë sa që të bëhet e vështirë të gjesh këpucë të përshtatshme.
  • Ju mund të zhvilloni artrit në gishtin e madh të këmbës.
  • Gishti i dytë mund të deformohet gjithashtu.
  • Në rastet më të rënda, gishti i madh mund ta spostojë sipër gishtin e dytë.

 Si trajtohen bunions?

Një palë këpucë të mira shpesh janë ato që duhen

Përdorimi i këpucëve të mira nuk e shëron deformimin, por mund të lehtësojnë dhembjen dhe shqetësimin. Idealja do të ishte të ndiqni këshillat e mjekut specialist për të diagnostikuar dhe trajtuar çrregullimet e këmbës.

Këshillat mund të përfshijnë:

  • Përdorni këpucë, atlete, ςizme apo pantofla që përshtaten mirë me këmbët tuaja
  • Mos vishni këpucë me takë të lartë, me majë ose të ngushta.
  • Ju do të konstatoni se këpucët me lidhëse apo shirita ngjitës janë më të mira, sepse ato mund të përshtaten sipas gjerësisë së këmbës.
  • Vendosja e një materiali të butë mbi bunion mund të ndihmojë, por edhe një copë akull lehtëson dhembjet.
  • Pajisjet që ndihmojnë në drejtimin e gishtit (orthoses) mund të rekomandohen. Megjithatë, nuk është provuar që ato përmirësojnë apo parandalojnë përkeqësimin e situatës. Këto pajisje mund të ndihmojnë në reduktimin e dhembjes, të paktën për një farë kohe.

Mjekimi

Medikametet si paracetamoli apo ibuprofeni mund të lehtësojnë dhembjen. Antibiotikët mund të nevojiten nëse lëkura dhe indi mbi kyςin e deformuar mund të infektohen.

Kirurgji

Kirurgjia mund të këshillohet nëse ndryshimi i këpucëve nuk lehtëson simptomat. Qëllimi i operacionit është të rregullojë sa më shumë të jetë e mundur dhe të lehtësojë dhembjen. Zakonisht nuk bëhet vetëm për të përmirësuar pamjen. Kjo mund të bëhet duke përdorur një anestezi lokale ose të përgjithshme dhe zakonisht jeni jashtë spitalit në të njëjtën ditë.

Ka lloje të ndryshme të operacioneve të cilat përdoren për të trajtuar bunions. Operacionet variojnë nga prerja e pjesës së devijuar e deri në një zëvendësim total artificial të nyjes së madhe të këmbës. Një procedurë kirurgjikale që përdoret zakonisht quhet osteotomi (një prerje në kockë).

Zgjedhja e operacionit të duhur varet nga:

  • Fortësia e bunionit dhe se sa i deformuar është gishti i këmbës.
  • Forma e këmbës.
  • Nëse vuani nga konsumimi (osteoartriti) i kyçeve.
  • Eksperienca dhe ekspertiza personale.

Një kirirgji zakonisht është e suksesshme në lehtësimin e simptomave, por jo në të gjitha rastet. Nuk është gjithmonë e mundur shmangia e plotë e dhembjes dhe devijimit të gishtit. Mjeku specialist do t’ju këshillojë mbi arsyet pro dhe kundër operacionit dhe mbi shkallën e suksesit të operacionit të zgjedhur. Komplikimet e operacionit mund të përfshijnë:

  • Dhembje e vazhdueshme
  • Infeksion
  • Rikthimi i bunionit (ripërsëritja)
  • Rreziqet e përgjithshme dhe joestetike

Rekomandohet të mbathni këpucë speciale për gjashtë muaj pas operacionit. Mjeku ortoped do t’ju japë këshillat dhe infomacionin e duhur për periudhën pas operacionit.

Prof. Dr. Ernst Orthner, kirurgu ortoped austriak, eminent në kirurgjinë ortopedike, ju shërben pacientëve në Spitalin Amerikan, me metodat më të avancuara të trajtimit të problemeve me këmbën.
Për më shumë informacion ose vizitë me Prof. Dr. Ernst Orthner kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Çfarë duhet të dini për hepatitin dhe llojet e tij

By Spitali Amerikan - Të Reja

Hepatiti i referohet një inflamacioni të mëlçisë. Zakonisht shkaktohet nga një infeksion viral, por mund të ketë dhe shkaktarë të tjerë të hepatitit, si hepatiti autoimun ose hepatiti që ndodh si rezultat i mjekimeve, drogave, toksinave dhe alkoolit. Rreth 90% e të infektuarve me hepatit nuk janë në dijeni të infeksionit të tyre.

Mëlçia si organ ndodhet në pjesën e sipërme djathtas të abdomenit tuaj. Ajo kryen disa funksione kyçe që kanë të bëjnë me metabolizmin e trupit të njeriut. Disa prej tyre janë:

  • filtrimi i toksinave
  • asimilimin e kolesterolit, hormoneve dhe barnave
  • shpërbërjen e karbohidrateve, yndyrave dhe proteinave
  • aktivizimin e disa enzimave që janë proteina esenciale për funksionet e trupit
  • depozitimin e glikogjenit, mineraleve, dhe vitaminave (A, D, E dhe K)
  • sintetizon proteinën e gjakut si albumina etj.

5 llojet e hepatitit viral

Infeksionet virale të mëlçisë që klasifikohen si hepatit, përfshijnë hepatitin A, B, C, D dhe E. Virusë të ndryshëm shkaktojnë secilin prej këtyre hepatiteve.

Hepatiti A është një formë akute dhe kohë shkurtër i sëmundjes. Ndërkohë B, C dhe D janë forma përgjithësisht kronike. Hepatiti E është gjithashtu akut, por mund të jetë shumë i rrezikshëm në gratë shtatzëna. Nga studimet të kryera në Shqipëri rezulton se hepatiti B ka një prevalencë 7-9 % dhe hepatiti C, një prevalencë 0.5-1%.

Hepatiti A

Hepatiti A shkaktohet nga një infeksion me virusin e hepatitit A. Ky lloj hepatiti transmetohet më së shpeshti nga konsumimi i ushqimit ose i ujit të kontaminuar nga feçet e një personi të infektuar me hepatitin A.

Hepatiti B dhe C

Hepatiti B dhe C është një infeksion viral i mëlçisë i shkaktuar nga virusi i hepatitit B, që mund të shkaktojë infeksion akut dhe kronik të saj. Virusi i hepatitit B dhe C transmetohet nëpërmjet kontaktit me gjakun ose lëngje të tjera trupore (p.sh. sperma apo sekrecionet vaginale) të një personi të infektuar.

Hepatiti D

I quajtur edhe hepatiti delta, hepatiti D është një sëmundje serioze e mëlçisë e shkaktuar nga virusi i hepatitit D (HDV). HDV transmetohet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun e infektuar. Hepatiti D është një formë e rrallë e hepatitit, që ndodh vetëm me ndërthurje me hepatitin B. Virusi i hepatitit D nuk mund të shumëfishohet pa praninë e hepatitit B.

Hepatiti E

Hepatiti E është një sëmundje që vjen nga uji i ndotur. Hepatiti E gjendet kryesisht në zonat me higjienë publike të ulët dhe zakonisht rezulton nga ndotja e ujit të pijshëm nga fekale të infektuara. Kjo sëmundje është e pazakontë në Shqipëri. Megjithatë, rastet e hepatitit E janë raportuar në Lindjen e Mesme, Azi, Amerikë Qendrore dhe Afrikë.

Simptoma të zakonshme të hepatitit

Nëse keni forma infektive të hepatitit që janë kronike, si hepatiti B dhe C, nuk mund të keni simptoma në fillim. Simptomat mund të mos ndodhin derisa dëmtimi të prekë funksionin e mëlçisë.

Shenjat dhe simptomat e hepatitit akut shfaqen shpejt. Ato përfshijnë:

  • lodhje
  • simptoma të ngjashme me gripin
  • urinë e errët
  • feçe e zbehtë
  • dhimbje barku
  • humbja e oreksit
  • humbje peshe e pashpjegueshme
  • zverdhja e lëkurës dhe syve, të cilat mund të jenë shenja të verdhëzës

Hepatiti kronik zhvillohet ngadalë, kështu që këto shenja dhe simptoma mund të jenë të papërfillshme për t’u vënë re. Periudha e inkubacionit të hepatitit B është mesatarisht 75 ditë, por mund të variojë nga 1 deri 6 muaj. Shumica e njerëzve nuk përjetojnë asnjë shenjë gjatë fazës akute të infeksionit. Në disa njerëz, virusi i hepatitit B mund të shkaktojë infeksion kronik të mëlçisë, që më vonë mund të kalojë në cirrozë dhe kancer të mëlçisë.

Në nivel global, më shumë se 240 milionë persona kanë hepatit kronik B dhe rreth 150 milionë hepatit C. Miliona të tjerë janë në risk për t’u infektuar. Mjaft njerëz me infeksion kronik nga virusi i hepatitit B ose C nuk janë në dijeni se janë të infektuar dhe vazhdojnë ta mbajnë këtë virus.

Konkretisht, këshillohet që çdo individ duhet të jetë i ndërgjegjshëm në njohjen e simptomave dhe rrezikut të infektimit, marrjen e injeksioneve të sigurta, kryerjen e vaksinës që në moshën përkatëse, testimin e herë pas hershëm për të zbuluar praninë e sëmundjes, si dhe marrjen e mjekimit të duhur në kohë.

Testimi

Ekzistojnë teste të gjakut për secilin lloj të hepatitit viral. Disa teste kontrollojnë antitrupat ndaj virusit. Antitrupat janë proteina të gjakut që sistemi imunitar prodhon në përgjigje të virusit. Analiza të tjera të gjakut kërkojnë pjesë të virusit, të tilla si proteina ose materiali gjenetik. Disa teste tregojnë se ju keni një infeksion aktiv. Teste të tjera tregojnë se ju keni pasur atë, ose që ju keni fituar imunitet ndaj tij.

Çdo person që rezulton pozitiv, megjithëse mund të mos ketë shenja klinike, duhet të ndiqet nga mjeku specialist përkatës, i cili sugjeron kryerjen e testeve të mëtejshme.

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekun infeksionist kontaktoni në 042 35 75 35 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Nga konferenca në konferencë, Spitali Amerikan pararojë në përqafimin e risive në shëndetësi

By Spitali Amerikan - Të Reja

Të qënit në koherencë me zhvillimet e fundit të mjekësisë moderne është një tjetër detaj që dallon Spitalin Amerikan. Organizimi i konferencave të përmuajshme janë mundësia më e mirë për stafin shëndetësor për t’u njohur me risitë e fundit mjekësore në funksion të një shërbimi sa më efiçent ndaj pacientëve.

“Sfidat e diagnozës së noduseve tiroidene” ishte tema e konferencës së radhës, e cila u ndoq me shumë interes në Spitalin Amerikan 3. Lektorët e konferencës, mjekët anatomopatologë Leart Bërdica dhe Teona Bushati theksuan se njohja e stafit mjekësor me metodikat bashkëkohore e ndihmojnë atë në një përcaktim më të saktë të diagnozës midis noduseve beninje dhe malinje të tiroides.

“Kanceri i tiroides është një nga kancerat që mjekohen dhe shërohen totalisht në shumicën e rasteve, por ekzaminimi i saktë dhe në kohë është përcaktues për jetën e pacientit”, sqaroi Dr.Leart Bërdica.

Ndërsa sipas Dr. Teona Bushati, metodikat e reja që janë zhvilluar kryesisht në 10 vjeçarin e fundit i vijnë në ndihmë metodikave klasike të diagnozës së këtyre noduseve dhe përmirësimit të diagnozës. Ky është një shërbim që ofrohet në mënyrë të veçantë dhe unike në Shqipëri vetëm në Spitalin Amerikan.

Konferenca “Sfidat e diagnozës së noduseve tiroidene” vjen në kuadër të një programi vjetor të mirëdetajuar nga Drejtoria e Strategjisë Akademike të Spitalit Amerikan. Në këtë konferencë morën pjesë: mjekë të të gjitha specialiteteve, klinicistë, onkologë, anestezistë radiologë, teknicienë laboratori, teknicienë radiologjie, mjekë të përgjithshëm, urgjencash dhe mjekësie apo të shkencave të tjera mjekësore nga degët e Spitalit Amerikan, spitaleve shtetorë Tiranë dhe rrethe apo klinikave mjekësore në vend etj.

Spitali Amerikan dhe Qendra e Labiopalatoskizës në Piza, kirurgji të suksesshme te foshnja 4 muajsh

By Spitali Amerikan - Të Reja

“Kemi lumturuar një familje, foshnjës i është rikthyer buzëqeshja dhe cilësia optimale e jetesës. Na bën të ndihemi krenarë dhe të gatshëm të vazhdojmë të shërbejmë me profesionalizëm pacientëve”, janë shprehur ekipi i mjekëve që realizoi mjeshtërisht ndërhyrjen e vështirë e të suksesshme.

Falë bashkëpunimit të kirurgëve italianë nga Qendra e Labiopalatoskizës në Piza të Italisë dhe mjekëve të Spitalit Amerikan, u krye një ndërhyrje e vështirë dhe shumë delikate e një foshnje 4 muajshe, i cili vuante nga një keqformim i lindur i pjesës së fytyrës (labiopalatoskizë bilaterale ose ndryshe buzë lepuri).

Qendra e Pizës, kryeson për një numër të madh rastesh në të gjithë Italinë, duke numëruar mbi 300 operacione të tilla në vit. Ekipi i përbashkët i kirurgëve plastikë arritën të rindërtojnë në perfeksion defektin e fëmijës së vogël, duke i rregulluar në të njëjtën ndërhyrje, buzën e sipërme dhe rindërtuar flegrat e hundës. Kjo mundësoi rekuperim shumë të shpejtë dhe ushqyerjen pa probleme që në ditën e parë postoperatore të foshnjës. Ndërhyrja u realizua nga ekipi i përbërë nga Dr. Gianluca Gatti dhe Dr. Alessandro Giacomina, nën organizimin e Dr. Alfred Aga dhe Dr. Gera Tagani, mjekëve anestezistë Blerim Arapi, Rinard Kertoci dhe stafit infermieror të Spitalit Amerikan.

Po ku qëndron veçantia?

Buza e lepurit, sipas mjekëve është një deformim ose defekt që krijohet gjatë zhvillimit embrional të javëve të para të shtatzënisë, i cili shfaqet në lindjen e fëmijës me çarje të  buzës së sipërme, e cila mund të shtrihet në të gjithë qiellzën apo edhe në pjesën e hundës. Në jo pak raste, buza e lepurit është e lidhur me keqformime të tjera apo sindroma kongenitale. Prania e kësaj anomalie krijon problem në ushqyerjen me gji të foshnjës dhe në moshë më madhore, nëse nuk korrigjohet në kohë. Përveç anës estetike mund të kemi edhe probleme në të folur. Diagnoza e kësaj anomalie mund të bëhet që në ekografinë morfologjike nga një ekografist i specializuar.

Që sot foshnjet e lindura me këtë anomali kanë një mundësi më shumë për t’ju kthyer buzëqeshja, duke mos e konsideruar si fatkeqësi lindjen e fëmijës me anomali të tilla.

Kirurgët italianë do të jenë pranë Spitalit Amerikan, për të trajtuar sa herë paraqiten raste të tilla specifike, përfshirë këtu edhe kirurgjinë plastike dhe rindërtuese.

Jodi, mungesë apo tepri? Çfarë duhet të dimë?

By Spitali Amerikan - Të Reja

Rëndësia e jodit në mirëfunksionimin e gjendrës tiroide

Në trupin e njeriut ka më pak se një majë (0.00004%) lugë jod. Ky element kimik është i domosdoshëm në prodhimin e hormoneve të tiroides, që kanë një rol kyç në proceset metabolike qelizore dhe funksionet jetësore, si në rritjen dhe zhvillimin e disa organeve; në veçanti të trurit dhe SNQ-së (Sistemit Nervor Qendror). Ndaj furnizimi me jod në sasinë e duhur është shumë i rëndësishëm për organizmin e njeriut, duke nisur nga fëmijët e deri tek moshat e treta.

Sasia e jodit që rekomandohet për fëmijët është 90-120 mcg/ditë, ndërsa për të rriturit është 150 mcg në ditë. Duhet bërë kujdes që jodi të merret në sasinë e duhur, veçanërisht në periudhën e shtatëzanisë (200 mcg/ditë), si dhe gjatë ushqyerjes me gji të foshnjëve, për t’iu mundësuar një zhvillim normal.

Mungesa apo tepria e jodit në organizëm mund të bëhet shkak për komplikacione shëndetësore. Dy janë hormonet kryesore me bazë jodi që prodhon tiroidja, të cilat njihen si T4 dhe T3.

Mungesa e hormoneve të tiroides në organizëm shoqërohet me:

  • Lodhje
  • përgjumje
  • apati
  • gjendje emocionale e rënduar
  • shtim në peshë
  • rrahje të ngadalta të zemrës
  • lëkurë dhe flokë të thatë
  • kapsllëk etj.

Pamjaftueshmëria e hormonit të tiroides te fëmijët shkakton vonesë në zhvillimin fizik dhe mendor, defekte në të folur dhe në dëgjim, ulje të përqëndrimit, vështirësi në të mësuar, paralizë etj.

Ndërsa te gratë shtatzëna, mosmarrja e jodit në sasinë e duhur mund të sjellë si pasojë dështimin, lindje të parakohshme, lindje nën peshë etj.

E ndryshme situata kur kemi tepricë të hormoneve të tiroides. Personat që kanë vlera të shtuara të këtij hormoni janë hiperaktivë, mendojnë dhe flasin shpejt, bëjnë veprime tepër të nxituara, janë intolerantë ndaj të nxehtit, kanë rrahje të shpeshta të zemrës, djersitje të lartë, rënie në peshë, etj.

Shqipëria është një vend i varfër me jod dhe ky është një problem për të gjithë vendin. Studimet e fundit të Institutit të Shëndetit Publik kanë treguar se më tepër se gjysma e popullsisë kanë mungesë të jodit në organizëm. Ndaj përveç ushqimeve që përmbajnë jod (prodhimet e detit, patatja, hurma, speci, domatja, etj), rekomandohet të përdoret gjithmonë kripa e jodizuar.

Çrregullimet e tiroides mund të prekin të gjitha moshat, por më së shumti janë të rrezikuara ato madhore dhe kryesisht të seksit femër. Moskurimi në kohën e duhur shoqërohet me pasoja të rënda në organizëm, deri edhe të rrezikshme për jetën. Ndaj nëse keni disa nga simptomat e lartpërmendura duhet patjetër të konsultoheni me mjekun endokrinolog për të diagnostikuar dhe mjekuar patologjitë që lidhen me tiroiden.

Prej vitesh, Spitali Amerikan i ka dhënë zgjidhje edhe rasteve më komplekse. Departamenti i endokrinologjisë ofron një gamë të gjerë dhe të plotë ekzaminimesh për të trajtuar të gjitha patologjitë e gjendrës tiroide.

Për më shumë informacion ose vizitë me një nga mjekët endokrinologë në Spitalin Amerikan 1, 2 dhe 3, kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan shpëton turistin hungarez

By Spitali Amerikan - Të Reja

Kirurgjia e suksesshme dhe në kohë i rikthen normalitetin pacientit hungarez

Ka mjaftuar vetëm një telefonatë urgjence për të mobilizuar një strukturë të mirëfilltë mjekësore, si ajo e Spitalit Amerikan. Shpejtësia dhe kapaciteti mjekësor i standarteve më të larta, ka mundësuar në kohë menaxhimin dhe zgjidhjen e urgjencës tek pushuesi hungarez Szilagyi Bela, turist në Shkodër.

Ndodh të vish për pushime, por papritur të ndihesh keq dhe të kesh nevojë për ndihmë mjekësore. Ky ka qenë rasti i Szilagyi Bela i cili ka gjetur shpëtimin te ndihma e menjëhershme dhe përvoja e stafit të Spitalit Amerikan. Sipas kirurges  Dr. Sc. Lindita Shosha, turisti 65-vjeçar hungarez mbërriti në gjendje kritike për jetën, por falë ndërhyrjes kirugjikale gjendja e tij është normalizuar.

Pacienti ka ardhur me urgjencë në ambulancën e Spitalit Amerikan pas komplikacionit akut të shoqëruar me dhimbje të forta të barkut, të vjella dhe nauze, situatë e cila kërkonte një ndërhyrje urgjente.

Obstruksioni Intestinal, thënë me fjalë të thjeshta bllokimi i zorrës është një patologji e cila prek më shumë meshkujt dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

Sipas kirurges së përgjithshme proktologe Dr.Sc.Lindita Shosha këto klasifikohen si ndërhyrje serioze për pacientët në rastin konkret është hera e dytë që bën obstruksion intestinal. Pacienti iu nënshtrua operacionit në kushtet e urgjencës, pasi u vlerësua nga gjithë stafi për shkak edhe të problemeve shoqëruese që kishte dhe operacioni kaloi me sukses. Gjendja e tij e përgjithshme është e mirë. Aktualisht është në reanimacion dhe po merr kujdesin e duhur. Në bashkëpunim me ambasadën hungareze, u mundwsua mbështetja maksimale për shtetasin hungarez.

Spitali Amerikan prej vitesh njihet si një qendër e rëndësishme shëndetësore edhe për pacientët e huaj, qofshin këta rezidentë në Shqipëri, të ardhur për punë apo edhe për turizëm.

Profesionalizmi i stafit mjekësor, aparaturat më moderne, komoditeti që ofron, por edhe çmimet shumë konkurruese me vendet e tjera të Europës janë arsyet që shtyjnë të huajt të drejtohen në Spitalin Amerikan për asistencë mjekësore.

Kur duhet t’i drejtohemi urgjencës? Besojini intuitës tuaj

By Spitali Amerikan - Të Reja

 

Një nga mjetet më të mira për t’i paraprirë sëmundjes është vëzhgimi i vetvetes. Shumica prej nesh e kuptojnë kur një situatë është e rrezikshme. Nëse instinkti apo intuita juaj ju thotë se është serioze, atëherë duhet t’i telefononi Urgjencës së Spitalit Amerikan në numrin 068 800 8000. Është gjithmonë më mirë të tregoni një kujdes të tepruar kur bëhet fjalë për shëndetin.

Dhembje gjoksi

Nëse keni dhembje ose shtrëngim në gjoks që zgjat më shumë se disa minuta ose në mënyrë të përsëritur, është koha për t’i telefonuar urgjencës. Ju nuk duhet të përpiqeni t’i jepni makinës në një gjendje të tillë. Ambulanca ka pajisje speciale dhe njerëz të trajnuar, të cilët mund t’ju ndihmojnë më shpejt.

Frymëmarrje të shkurtër dhe të shpeshtë

Nëse ndodh papritur dhe ju pengon në aktivitetet tuaja të përditshme, kërkojini dikujt t’ju dërgojë në urgjencë. Nëse situata është e rëndë ose keni të përziera, dhembje gjoksi ose humbni ndjenjat, ju mund të jeni duke pësuar një sulm në zemër ose embolizëm pulmonar (mpiksje gjaku në mushkëri).

Probleme me shikimin

Nëse papritur keni një pamje të paqartë, vizion të dyfishtë ose humbje të shikimit nuk duhet ta anashkaloni. Kjo mund të jetë shenjë e një stroku ose sëmundje tjetër serioze. Nëse keni vështirësi në shikim dhe një dhembje të fortë koke, të përziera ose të vjella, mpirje, dobësi, marramendje, konfuzion ose vështirësi në të folur, mos prinsni më gjatë por kontaktoni urgjencën sa më parë.

Konfuzion ose vështirësi në të folur

Këto janë dy nga simptomat më të zakonshme të goditjes në tru. Trajtimi dhe riaftësimi juaj varen shumë nga shpejtësia e marrjes së ndihmës mjekësore. Simptoma të tjera të goditjes mund të përfshijnë probleme të papritura me këmbët ose balancimin, dhembje të forta koke, rënie të njërës anë të fytyrës dhe mpirje apo dobësi në njërën anë të trupit.

Të vjella

Ju duhet të shkoni në urgjencë nëse të vjellat janë me gjak ose keni simptoma të tjera, si dhembje të forta të kokës ose të barkut, konfuzion ose gulçime në frymëmarrje dhe rrahje të shpeshta të zemrës. Një fëmijë më i vogël se 6 vjeç duhet të kontrollohet menjëherë, nëse të vjellat zgjasin më shumë se disa orë ose nëse ka shenja të dehidrimit. Fëmijët mbi 6 vjeç dhe të rriturit duhet të shkojnë te mjeku, nëse të vjellat zgjasin më shumë se një ditë ose shoqërohen me temperaturë të lartë (mbi 38°C për të rriturit dhe 38.8°C për fëmijët).

Dëmtim në kokë

Një përplasje në kokë mund të jetë serioze dhe duhet të merrni kujdes të menjëhershëm mjekësor nëse ju bie të fikët, keni konvulsione ose dhembje koke që nuk largohet, vjellje të vazhdueshme ose të përziera, të folur të ngathët ose ndjeni hutimllëk, dobësi, mpirje apo jeni më pak i koordinuar.

Ҫarje të thella

Nëse shihni indin yndyror të verdhë nën shtresën e parë të lëkurës, duhet të shkoni menjëherë në urgjencë. Duhet një ndërhyrje e menjëhershme nëse çarja nuk mbyllet ose është në fytyrë, qafë, në organet gjenitale, ose tek nyjet. Gjithashtu duhet të shkoni në urgjencë nëse ju ka kafshuar një kafshë, jeni prerë me një objekt të ndotur ose të ndryshkur, keni gjakderdhje ose ju ka mbetur ndonjë objekt i huaj në vendin ku jeni prerë.

 

Gjithֹçka që duhet të dini për hipertensionin. Mos e nënvlerësoni!

By Spitali Amerikan - Të Reja

 

Presioni i lartë i gjakut mund ta dëmtojë trupin e njeriut gradualisht ndër vite, përpara se të shfaqë simptomat e para. Rreth gjysma e njerëzve me hipertension të patrajtuar vdesin nga sëmundjet e zemrës që ndryshe quhet sëmundja ishemike e zemrës. Trajtimi dhe stili i jetesës mund të ndihmojnë në kontrollin e presionit të lartë të gjakut, për të zvogëluar rrezikun e komplikimeve kërcënuese për jetën.

Arteriet e shëndetshme janë elastike, të forta dhe fleksibël. Në brendësi të tyre, arteriet janë të buta (lëmuara), në mënyrë që gjaku të kalojë lirisht për të furnizuar me oksigjen organet vitale. Hipertensioni rrit gradualisht presionin e gjakut, që rrjedh nëpër arteriet e tua. Si rezultat, mund të përjetoni:

Dëmtim dhe ngushtim të arterieve

Presioni i lartë i gjakut dëmton indet në brendësi të arterieve. Kur yndyrnat në trupin tuaj futen në sistemin e qarkullimit të gjakut, ata mund të mblidhen në arteriet e dëmtuara. Përfundimisht, muret e arterieve bëhen më pak elastike, duke kufizuar qarkullimin e gjakut në të gjithë trupin tuaj.

Aneurizëm

Me kalimin e kohës, presioni i vazhdueshëm i gjakut duke lëvizur përmes një arterie të dobësuar mund të çojë në zmadhimin e një pjese të murit të arteries dhe për këtë arsye formohet aneurizma e aortës. Një aneurizëm ka tendencën të këputet dhe të shkaktojë gjakderdhje të brendshme kërcënuese për jetën. Aneurizmat mund të formohen në çdo arterie, në të gjithë trupin tuaj, por ato janë më të zakonshme në arterien më të madhe të trupit (aorta).

Dëmtim të zemrës

Zemra pompon gjak në të gjithë trupin e njeriut. Presioni i pa kontrolluar i gjakut e dëmton zemrën në disa mënyra sic është:

Sëmundje të arteries koronare

Sëmundja e arteries koronare ndikon në arteriet që furnizojnë muskujt e zemrës me gjak. Arteriet e ngushtuara nga sëmundja e arteries koronare nuk lejojnë qarkullimin e gjakut lirisht nga arteriet. Kur gjaku nuk mund të rrjedhë lirshëm në zemër, kjo sjell dhimbje në gjoks, atak në zemër ose ritme të parregullta të zemrës (aritmi).

Zmadhimin e zemrës

Presioni i lartë i gjakut e detyron zemrën të punojë më shumë se sa është e nevojshme, për të pompuar gjakun në pjesën tjetër të trupit. Barkushja e majtë trashet ose ngurtësohet (hipertrofi e majtë ventrikular). Këto ndryshime e vështirësojnë funksionin e zemrës, për të pompuar gjakun në trupin tuaj dhe si pasojë kjo gjendje rrit rrezikun e sulmit në zemër, dëmtimin e zemrës e cila çon deri në vdekje.

Infarkt

Me kalimin e kohës, presioni i lartë i gjakut sjell tendosjen e zemrës, dëmtimin e muskujve të saj, si dhe ndikon në funksionin e saj, duke bërë që zemra të punojë në mënyrë shumë pak efikase. Përfundimisht, zemra e mbingarkuar thjesht fillon të konsumohet shumë dhe të dështojë. Si pasojë e kësaj rritet mundësia e sulmit në zemër.

Dëmtimi e trurit nga presioni i gjakut

Ashtu si zemra dhe truri furnizohet me gjak për të funksionuar në mënyrën që duhet. Por presioni i lartë i gjakut mund të shkaktojë disa probleme, duke përfshirë:

Sulm i përkohshëm ishemik (TIA)

Sulm i përkohshëm ishemik (TIA). Ndonjëherë quhet një ministroke, një sulm ishemik i përkohshëm është një ndërprerje e shkurtër, e përkohshme e furnizimit me gjak në trurin tuaj. Shpesh është shkaktuar nga ateroskleroza ose nga mpiksja e gjakut, të cilat mund të lindin nga presioni i lartë i gjakut. Një sulm i përkohshëm ishemik, shpesh është një paralajmërim se mund të ketë rrezik për të patur një goditjeje në tru.

Stroke

Stroke është goditja në tru, e cila ndodh kur një pjesë e trurit nuk furnizohet me oksigjen, duke shkaktuar vdekjen e qelizave e trurit. Presioni i lartë i gjakut mund të çojë në goditje, duke dëmtuar dhe dobësuar enët e gjakut të trurit. Tensioni i lartë i gjakut mund të shkaktojë mpiksjen e gjakut në arteriet që çojnë gjakun në trurin tuaj, duke bllokuar rrjedhjen e gjakut dhe duke shkaktuar potencialisht një goditje në tru.

Demenca

Demenca është një sëmundje e trurit që çon në probleme me të menduarin, të folurin, arsyetimin, kujtesën, vizionin dhe lëvizjen. E shfaqur më shpesh është demenca vaskulare, e cila vjen si pasojë e ngushtimit dhe bllokimit të arterieve që furnizojnë trurin me gjak.

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekët tanë, kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

 

 

 

Page 5 of 7«‹34567›»

Të Fundit

  • Mario Karaj – CEO i Spitalit Amerikan, intervistë ekskluzive për prestigjozen “USA Today”
    Mario Karaj – CEO i Spitalit Amerikan, intervistë ekskluzive për prestigjozen “USA Today”
    05/03/2025
  • Nga Dhjetori 2006, Spitali Amerikan prej 17 vitesh mundëson shërbimet bashkëkohore që dikur detyronin shqiptarët të dilnin jashtë vendit
    Nga Dhjetori 2006, Spitali Amerikan prej 17 vitesh mundëson shërbimet bashkëkohore që dikur detyronin shqiptarët të dilnin jashtë vendit
    13/12/2023
  • Masterklasi Ndërkombëtar i Imazherisë së Gjirit mbledh në Tiranë elitën e mjekësisë shqiptare dhe të huaj
    Masterklasi Ndërkombëtar i Imazherisë së Gjirit mbledh në Tiranë elitën e mjekësisë shqiptare dhe të huaj
    18/09/2023
  • Kujdes shëndetin në stinën e nxehtë, Spitali Amerikan ofron paketat ekzaminuese për korrik-gusht 2023
    Kujdes shëndetin në stinën e nxehtë, Spitali Amerikan ofron paketat ekzaminuese për korrik-gusht 2023
    10/07/2023
  • Prof.Dr. Perlat Kapisyzi FCCP: Pletismografia, është i vetmi ekzaminim i sistemit respirator që vlerëson shkëmbimin e oksigjenit në nivel alveolar
    Prof.Dr. Perlat Kapisyzi FCCP: Pletismografia, është i vetmi ekzaminim i sistemit respirator që vlerëson shkëmbimin e oksigjenit në nivel alveolar
    15/05/2023
  • Sindromi i Zorrës së Gjatë apo Dolichosigmoid Colon Syndrome
    Sindromi i Zorrës së Gjatë apo Dolichosigmoid Colon Syndrome
    06/03/2023
  • Infeksionet Stafilokoksike, diagnostikimi, trajtimi dhe masat parandaluese
    Infeksionet Stafilokoksike, diagnostikimi, trajtimi dhe masat parandaluese
    06/03/2023
  • Urtikariet, Dr. Shk.Alketa Bakiri: Ja çfarë duhet të bëni kur keni këto manifestime kutane në lëkurë të shoqëruara me skuqje dhe kruarje
    Urtikariet, Dr. Shk.Alketa Bakiri: Ja çfarë duhet të bëni kur keni këto manifestime kutane në lëkurë të shoqëruara me skuqje dhe kruarje
    06/03/2023
  • Doktor, kur je mbi 40 vjeç, duhet ta marrësh aspirinën e zemrës?
    Doktor, kur je mbi 40 vjeç, duhet ta marrësh aspirinën e zemrës?
    06/03/2023
  • Ad hominem “Protegas sanitas, diutius vivere” – Mbroni shëndetin, të jetoni gjatë.
    Ad hominem “Protegas sanitas, diutius vivere” – Mbroni shëndetin, të jetoni gjatë.
    06/03/2023
© American Hospital sh.a. Të gjitha të drejtat e rezervuara. - Politikat e privatësisë