Tel. +355 (0) 42 35 75 35    -    Kontakt    -               
American Hospital
  • Shërbimet Mjekësore
  • Stafi Mjekësor
  • Degët
  • Të Reja
  • Pacientët
  • Rreth Nesh
    • Chairman
    • Burimet Njerëzore
    • Pyetjet më të shpeshta
    • Kontakt
  • EnglishEnglish
  • Shërbimet Mjekësore
  • Stafi Mjekësor
  • Degët
  • Të Reja
  • Pacientët
  • Rreth Nesh
    • Chairman
    • Burimet Njerëzore
    • Pyetjet më të shpeshta
    • Kontakt
  • EnglishEnglish

Eliminoni yndyrën e barkut: kur të mendojmë për Liposuction

By Spitali Amerikan - Të Reja

Dr. Vincenzo Collabianchi, kirurg plastik pranë Spitalit Amerikan 3, jep informacion më të detajuar për këtë temë shqetësuese për femra dhe meshkuj.

“Dhjami në bark”: Shqetësim për meshkujt dhe femrat


Eleminimi i yndyrës së barkut duket se është një detyrë shumë e vështirë për shumicën e njerëzve. “Dhjami në bark”  është një problem shqetësues si për burrat ashtu edhe për gratë, madje edhe për të rinjtë. Shpesh, pavarësisht se janë në gjendje të mirë fizike, duke ndjekur një dietë të kontrolluar dhe duke u ushtruar rregullisht, dhjami në bark duket se i reziston çdo lloj përpjekjeje, duke prishur kështu harmoninë e një fiziku që mund të ishte perfekt.

Parandaloni dhe luftoni “dhjamin në bark”

Ndërkohë që nuk do të lodhemi kurrë së përsërituri, të kemi një formë të mirë fizike dhe gjithashtu të parandalojmë dhe eliminojmë yndyrën e barkut, rregullat që duhet të ndiqni për një jetë të shëndetshme, të ekuilibruar dhe aktive janë gjithmonë të njëjtat:

  • ndiqni një dietë të larmishme, të ekuilibruar dhe të kontrolluar, e cila shmang mbipeshën dhe obezitetin ose, në të kundërt, hollimin e tepërt, mangësitë në ushqyerje ose kequshqyerjen;
  • stërvituni rregullisht duke kryer aktivitet fizik (cardio), për të djegur yndyrën e tepërt, në këtë mënyrë përmirësoni sistemin kardiovaskular, si dhe bëni ushtrime të posaçme për të tonifikuar barkun;
  • pini çdo ditë sasinë e duhur të ujit, që i nevojitet trupit për të parandaluar dehidratimin, i cili çon në mbajtjen e lëngjeve dhe ënjtjen;
  • shmangni zakonet jo të shëndetshme si; pirja e duhanit, alkooli, ushqyerja e parregullt dhe yndyrnat , stresi i tepërt dhe kafeina.

Shkaqet e yndyrës abdominale rezistente

Sidoqoftë, shumë njerëz, si burra ashtu edhe gra, ndërsa ndjekin me përpikëri të gjitha këshillat për parandalimin e “dhjamit në bark” vënë re se eliminimi i yndyrës së barkut ndonjëherë është me të vërtetë i vështirë.

Edhe nëse arrijnë të humbasin peshë, të kenë një sasi të mirë të muskujve dhe një fizik të skalitur, “dhjami në bark” është aq rezistent saqë dështojnë për ta zhdukur atë.

Pse? Cilat janë shkaqet?

  • shtatzënia, e cila bën që toni i muskujve të barkut të humbasë;
  • humbje e papritur e peshës, e cila dobëson muskujt e barkut që nuk janë më në gjendje të punojnë dhe për këtë arsye tonifikohen;
  • shkaqe gjenetike;
  • shkaqe hormonale, veçanërisht për gratë, pasi estrogjenet kanë tendencën të promovojnë akumulimin e yndyrës në zonën e barkut dhe ijet;
  • jeta sedentare dhe pak motivim ose pamundësi për të ushtruar sporte dhe ushtrime të posaçme.

Si të eleminoni “dhjamin në bark”?

Nëse ushqimi i kontrolluar dhe aktiviteti fizik, ndoshta edhe i kombinuar me trajtime të veçanta bukurie si; baltë, alga, masazhe, nuk japin rezultatet e dëshiruara, për shkak të një ose më shumë arsyeve të listuara më lart, zgjidhja për të eleminuar yndyrën rezistente të barkut mund të jetë kirurgjia kozmetike. Në këtë rast, kryhet liposuction. Kjo është një ndërhyrje e cila mundëson thithjen e yndyrës së tepërt, duke rikthyer një bark të sheshtë, të fortë dhe të lëmuar.

Eliminoni yndyrën e barkut falë liposuction

Yndyra e barkut mund të eleminohet me një procedurë të quajtur liposuction. Liposuction realizohet me anestezi lokale ose të përgjithshme. Operacioni zgjat rreth 45 minuta. Plotësisht pa dhimbje. Teknika bën të mundur përdorimin e kanulave të lidhura me një aspirator, të futur nëpër prerje të vogla prej 3-4 mm që, me një veprim mekanik, prishin indin dhjamor dhe e aspirojnë atë. Në këtë mënyrë realizohet rimodelimi i zonës së barkut. Pas operacionit, pacienti për 2-3 javë duhet të mbajë veshur nje korse të veçantë për belin dhe pas 24-48 orësh mund t’i rikthehet aktiviteteve normale.

Avantazhet e liposuction

Eshtë një ndërhyrje relativisht e thjeshtë, minimalisht invazive, pa dhimbje dhe e shpejtë. E cila bën të mundur eleminimin e dhjamit të barkut shumë rezistent, duke e kthyer në një bark të sheshtë, të hollë, të lëmuar dhe të tonifikuar.
Ndërhyrja bën të mundur harmonizimin e siluetës, duke e çliruar atë nga “dhjami i tepërt”, i cili është shumë i vështirë për t’u zhdukur pa ndihmën e operacionit.

Çfarë rezultatesh jep liposuction abdominal

Ndërhyrja e liposuctionit abdominal mundëson shpërndarjen dhe eliminimin e yndyrës së tepërt në bark. Pas ndërhyrjes, do të keni një pamje më të dobët, më harmonike dhe “dhjami në bark” do të zhduket. Natyrisht, për të ruajtur rezultatet e marra falë ndërhyrjes, pacienti më pas do të duhet të angazhohet për të shmangur akumulimin e yndyrës përsëri, duke mbajtur një dietë të shëndetshme të kombinuar me një nivel të mirë të aktivitetit fizik.

Konvaleshenca

Pas ndërhyrjes së liposuction për të eleminuar yndyrën e barkut, pacienti mund të rifillojë aktivitetet e tij normale maksimumi brenda tre/katër ditëve. Për 15-20 ditë pas operacionit rekomandohet përdorimi i një korseje të posaçme për zonën e barkut. Pas një muaji mund të rifillohet pa asnjë problem aktiviteti fizik.

Për më shumë informacion ose vizitë me Dr. Vincenzo Collabianchi kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan, përqafoje jetën!

Dr. Tonin Aliaj prezanton rastin e rrallë në Spitalin Amerikan

By Spitali Amerikan - Të Reja

Kirurgu Ortoped i mirënjohur Tonin Alia, Shef i Departamentit Ortopedi – Traumatologji në Spitalin Amerikan 3, na prezanton me trajtimin e një rasti shumë të veçantë të një vajze 15 vjeçare.

Vajza ka lindur me një anomali të legenit (anomali koksofemorale) dhe që në moshë të vogël është trajtuar nga mjekë të ndryshëm me metoda të ndryshme. Trajtimet në moshë të hershme duhet të jenë shumë specifike dhe konçize sepse këto trajtime janë shumë të vështira. Në rastin specifik kishim të bënim me një anomali, e cila deri më tani ishte menduar se ishte trajtuar, por gjendja e vajzës vazhdonte të ishte në përkeqësim. Kishim të bënim me dy probleme, atë fizik dhe atë psikologjik të vajzës, duke marrë parasysh moshën e saj të re.

Kjo sfidë e radhës që Dr.Alia ka marrë përsipër do të lejojë të ruajë të gjithë anatominë e artikulacionit koksofemoral, duke përdorur një protezë bashkëkohore, të përshtatshëm për këtë moshë të re dhe që garanton një një cilësi të lartë. Ndërhyrja është kryer me një teknikë të re dhe moderne DAA (Direct anterior approach) e cila ruan të gjithë anatominë dhe muskulaturën e këmbës dhe ka një çarje minimale.

Mbas ndërhyrjes pacientja rekuperoi gjatësinë e munguar të njërës këmbë, artikulacionin dhe gjithashtu tani nuk ka më dhimbje në ecje. Ajo fitoi autoniminë në ecje.

Ju ftojmë të ndiqni intervistën e plotë të Dr. Tonin Alia, ku ai flet për këtë rast të vështirë të trajtuar me sukses nga ekipi në Spitalin Amerikan 3, të drejtuar nga vetë ai.
Spitali Amerikan, përqafoje jetën!
Për t’u informuar rreth projekteve të Z. Klodian Allajbeu ju mund të regjistroheni në newsletter-in personal duke vizituar http://bit.ly/KA-newsletter-8

Ndërhyrja TEVAR në Spitalin Amerikan

By Spitali Amerikan - Të Reja


Gjatë kësaj jave është kryer me sukses ndërhyrja TEVAR nga ekipi i kardilogëve dhe kardiokirurgëve, drejtuar nga Dr. Bekim Jata, Shef i Departamentit të Kardiologjisë në Spitalit Amerikan 3, në një pacient 75 vjeçar banues në Australinë e largët. Muharremi kishte shkruar për pushime në vendin e tij të lindjes Ulqin, Malin e Zi, gjatë pushimeve ka ndjerë një dhimbje të fortë në kraharor dhe është shoqëruar menjëherë në spitalin më të afërt.

Mbas ekzaminimeve paraprake është zbuluar gjendja e tij kritike.

Spitali në Ulqin, nuk kishte stafin mjekësor të duhur dhe kushtet spitalore për të kryer ndërhyrjen që nevojitej dhe këshillon spitalet pranë, në Shqipëri dhe Serbi.

Pacienti zgjedh Spitalin Amerikan 3 në Tiranë, i cili ka kryer me sukses disa ndërhyrje të tilla.

Mbas dy ndërhyrjesh të komplikuara dhe të kryera me sukses, Muharremi është jashtë rrezikut për jetën.

Dr. Artan Jahollari, kirurg kardiovaskular na shpjegon më tepër rreth kësaj ndërhyrjeje të rëndësishme të kryer në Spitalin Amerikan.

Për herë të parë në Shqipëri ndërhyrjet endovaskulare në aortë janë kryer para 8 vitesh nga ekipi i Spitalit Amerikan kryesuar nga Dr. Bekim Jata. Një numër i madh pacientësh i ka besuar këtë ndërhyrje të komplikuar ekipit të mjekëve në Spitalin Amerikan. Gjatë viteve të fundit rreth 50 pacientë nga të gjitha trojet shqiptare i janë nënshtruar me sukses ndërhyrjeve të tilla duke e kthyer spitalin tonë në qendër referente për këtë patologji. Ekipi i kompletuar me kardiolog inaziv, kirurgë kardio-torakal, kirurg kardio-vaskular, anestezist invaziv ofron mundësi trajtimi gjatë 24 orëve në Spitalin Amerikan 3.

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekët tanë kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan, përqafoje jetën!

Për t’u informuar rreth projekteve të Z. Klodjan Allajbeu ju mund të regjistroheni në newsletter-in personal duke vizituar http://bit.ly/KA-newsletter-8

Kujdesi veror për fëmijët – Këshilla nga Spitali Amerikan

By Spitali Amerikan - Të Reja

Ditë më të gjata, netë më të ngrohta, kujdes më i madh për shëndetin; Po, kjo është vera! Seç ka diçka kjo stinë që i bën fëmijët të vrapojnë më shpejt dhe të luajnë më fort.
Dhe para se fëmijët tuaj të dalin me vrap nga dera, juve do t’ju duhet të siguroni mbrojtjen e tyre nga dielli, uji, pickimet e insekteve, aksidentet e mundshme, etj.
Mjekët e Spitalit Amerikan japin këshilla praktike, që çdo prind duhet të ndjekë.

Kujdes nga dielli

Ekspozimi i një personi në rrezet e diellit gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës përgjithësisht konsiderohet të rrisë rrezikun e melanomës. Për të shmangur djegien dhe çdo dëmtim tjetër më të avancuar kini parasysh:

  • Përdorini fëmijëve tuaj krem me faktor mbrojtës (SPF) nga 15 e lart për të ulur intensitetin e rrezeve të dëmshme, që shkaktojnë të djegura. Aplikimi i kremit duhet bërë 15 ose 30 min para ekspozimit në diell, në mënyrë që lëkura të absorbojë sa më shumë krem dhe të zvogëlohen gjasat që ky i fundit të lahet nëpërmjet djersës, notit, të fshirave me peshqir. Për këtë arsye është e këshillueshme që kremi të riaplikohen çdo dy orë si edhe pas çdo veprimtarie fizike. Edhe kremrat water resistant e humbasin efektin e tyre pas 80 min qëndrim në ujë. Si duhet vepruar? Në rast se fëmija pëson djegie është e rekomandueshme të përdoren kompresa të ftohta, analgjezikë si dhe kremra me bazë aloe vera.
  • Pajisini fëmijët me kapele dhe rroba të lehta pambuku. Veshja është një barrierë shumë e mirë ndaj rrezeve ultraviolet.
  • Mbajini bebet larg diellit. Fëmijët nën gjashtë muaj duhet të reduktojnë sa më shumë kontaktin me rrezet e diellit dhe përdorimin e kremit. Mbi këtë moshë, mund t’u aplikohet krem me faktor mbrojtës në zonat e paveshura të lëkurës.
  • Shmangni aktivitetet në natyrë gjatë orës 11 të paradites me 4 të mbasdites. Duket mision i pamundur për fëmijët tuaj aktivë? Bëni të mundur që e gjithë familja të bëjë pak pushim prej diellit në këtë orar. Këto janë rreze të dëmshme për të gjithë.
  • Kini kujdes nga hija. Të shumtë janë ata që mendojnë se të qëndruarit në hije është mënyra më e mirë për t’u ruajtur nga dielli. Hija mundëson një ndjesi lehtësie nga nxehtësia por jo shmangie nga rrezet UV.

Mbajini fëmijët e hidratuar

Me rritjen e temperaturave, lodhja nga vapa fillon të bëhët shqetësuese. Simptomat përfshijnë lodhje, etje ekstreme, dhe krampe muskulare. Nëse fëmijët nuk freskohen dhe hidratohen, lodhja nga vapa mund të çojë deri në goditje nga të nxehtit (shenjat janë dhimbje koke, marramendje, të përziera, të vjella, dhe mungesa e djersës), e cila është potencialisht fatale. Si duhet vepruar? Nëse vini re këto shenja tek fëmija juaj, i hidhni ujë të ftohtë, zhvendosini në hije ose pranë një ventilatori. Vendosja e akullit nën sqetull dhe ije e përshpejton procesin e ftohjes. Nëse dyshoni për goditje nga të nxehtit, telefononi menjëherë 127.

Mos i largoni sytë nga fëmijët kur janë në ujë

Fatkeqësisht, mbytja në ujë (më së shumti pa të bërtitura dhe spërkatje) është një nga shkaqet më të shpeshta të aksidenteve që shkaktojnë vdekje tek fëmijët.

  • Pajisini fëmijët me komardare. Komardaret me krahë kanë pak mundësi të rrëshkasin dhe krahasuar me ato në formë rrethore kanë më pak mundësi për t’u kthyer përmbys.
  • Mos ia lejoni vetes të shpërqendroheni teksa fëmijët tuaj janë në ujë. Shmangni celularët dhe bisedat e gjata me prindërit përreth.
  • Telefononi 127.

Ruhuni nga thumbi i bletës

Bletët tërhiqen prej luleve, ndaj mos aplikoni parfum me esenca lulesh në rrobat e fëmijëve tuaj. Gjithashtu, shmangni lënien hapur të ushqimeve dhe pijeve; nëse fëmijët bëhen pis, vishini diçka tjetër; dhe në rast se shikoni një bletë të afrohet pranë tyre, ruani qetësinë dhe po kështu përpiquni t’i largoni. Si duhet vepruar? Nëse fëmija juaj pickohet, si fillim përpiquni të largoni thumbin me një kartë (krediti, rimbushëse) dhe më pas, mund të aplikoni mbi zonën e prekur akull ose një pastë të përgatitur me sodë buke dhe ujë. Pas kësaj, në farmacinë më të afërt kërkoni krem me hydrocortizon edhe antihistaminikë oralë për të evituar ënjtjen.

Veshi i notarit

Veshi i notarit quhet infeksioni i kanalit të jashtëm të veshit dhe dhimbja është simptoma më e hershme. Teksa përparon ju mund të shihni kullim nga veshi i fëmijës suaj dhe butësi ekstreme kur pjesa e jashtme e veshit është prekur. Ky infeksion shkaktohet nga invadimi i mikrobeve në kanalin e veshit, me futjen e ujit brenda dhe me thatësinë e tepërt pasuese kur fëmija del nga uji. Si duhet vepruar? Aplikoni antibiotikun e rekomanduar nga mjeku dhe frenoni larjet në pishinë.

Helmimi nga ushqimi

Nuk është gjë e re të dëgjosh për helmimet nga ushqimi gjatë stinës së verës. Me aq sa ju mund të keni në dorë, sigurohuni që jashtë shtëpisë, përpara të ngrënit, fëmijët të lajnë duart apo të përdorin xhel antibakterial. Lajini mirë frutat dhe perimet, mbajini ushqimet në frigorifer dhe rifutini ato nëse nuk kanë mbaruar. Shenjat e helmimit janë të përziera, të vjella dhe diarre. Zakonisht nuk ka ethe dhe gjak në jashtëqitje. Si duhet vepruar? Trajtimi kërkon vëmendje, pushim, lëngje si dhe një dietë të lehtë ushqimore.

Mos i lini fëmijët të presin në makinë

Duhen vetëm 10 min që temperatura e makinës të ngrihet me 19 gradë. Shpesh janë dëgjuar lajme tragjike me prindër që lenë fëmijët për një kohë të gjatë në makinë apo bebet të flenë. Mos i lini fëmijët as edhe një minutë vetëm; gradët e makinës ndonjëherë mund t’ju mashtrojnë për shkak se makina nxehet shumë shpejt. Fëmijët janë në risk më të madh prej goditjes nga i nxehti, kjo sepse trupat e tyre e rrisin temperaturën tre deri në pesë herë më shpesh se të rriturit.

Ky informacion nuk ka për qëllim t’ju frikësojë e t’i mbani fëmijët të mbyllur në shtëpi. Vera është koha më e bukur për t’u argëtuar. Mjafton informacioni i duhur dhe jeni gati të shijoni stinën me fëmijët tuaj!

Për t’u informuar rreth projekteve të Z. Klodjan Allajbeu ju mund të regjistroheni në newsletter-in personal duke vizituar http://bit.ly/KA-newsletter-8

Dr. Klaudia Stajka

Spitali Amerikan 2

Shëndeti juaj këtë verë në Spitalin Amerikan

By Spitali Amerikan - Të Reja

Si çdo vit edhe këtë sezon veror, Spitali Amerikan, sjell paketa me shërbime mjekësore, për të gjitha grupmoshat dhe kategoritë.

Këtë korrik, çdo konsultë mjekësore në Spitalin Amerikan ju kushton vetëm 2000 lekë të reja.

Ekzaminimet mjekësore mund të dallojnë sëmundjet edhe pa ndjerë simptomat.

Në shërbim të popullatës, gjatë muajit korrik çdo konsultë mjekësore në Spitalin Amerikan do të kushtojë vetëm 2000 lekë të reja.

Paketa Gjinekologjike

Shëndeti i gruas është një nga shtyllat e filozofisë të Spitalit Amerikan, gjithmonë në shërbim të jetës. Paketa dedikuar vajzave dhe grave është gjithpërfshirëse, duke nisur nga vizita e përgjithshme dhe deri tek ekzaminimet specifike.

Zgjidhni paketën “DEDIKUAR GRUAS” e cila me një vlerë 4700 lekë të reja përfshin:

– Vizitë Gjinekologjike

– Mamografi

-Vizitë e përgjithshme

-Paptest

-Gjak komplet

-Urinë Komplet

Paketë kontrolli për diabetin

E konsideruar si sëmundja e shekullit, diabeti, nuk po kursen as moshat e reja e madje edhe fëmijët. Diabeti i tipit 1 shfaqet kryesisht në mënyrë të papritur gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës. Diabeti i tipit 2 shfaqet më shpesh pas moshës 35-40 vjeç dhe te të moshuarit. Megjithatë kohët e fundit po shtohen rastet e këtij lloj diabeti tek adoleshentët dhe moshat nën 35 vjeç, për shkak të rritjes së peshës mesatare të kësaj grupmoshe.

Paketë kontrolli reumatologjik

Dhembje të artikulacioneve, muskujve, vështirësi në lëvizje janë disa nga simptomat që shqetësojnë përditshmërinë e personave që vuajnë nga sëmundjet reumatologjike. Për diagnostikimin e saktë të tyre, Spitali Amerikan ka ofruar një paketë specifike ekzaminimesh. Departamenti i Reumatologjisë disponon stafin dhe ekspertizën e nevojshme për trajtiminin e sëmundjeve reumatizmale duke nisur nga rastet e thjeshta deri tek ato më të komplikuarat, ku shpeshherë gjejnë kombinim në trajtim me Departamentin e Ortopedisë, Fizioterapisë, Neurologjisë, etj.

Paketa e fizioterapisë

Fizioterapia sot vërtet bën mrekulli duke ngritur në këmbë edhe persona të cilëve për shkak të një aksidenti apo një dëmtimi të rëndë fizik, mjekët nuk i kanë ofruar asnjë alternativë tjetër. Fizioterapia, shpesh është zgjidhja e rekomanduar nga mjekët specialistë për një sërë problemesh me karakter ortopedik, neurologjik, reumatologjik, kardiologjik, rehabilitim sportiv. Përveç stafit të kualifikuar, Kabineti i Fizioterapisë në Spitalin Amerikan 3 ofron aparaturat e teknologjisë së fundit si dhe hapësirat e nevojshme për një trajtim të personalizuar dhe efikas në mënyrë që çdo pacient të gjejë veten në çdo fazë të rehabilitimit.

Për më shumë informacion ose rezervim për paketat kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan, përqafoje jetën!

Spitali Amerikan – Trup perfekt para verës

By Spitali Amerikan - Të Reja

Procesi i plakjes është diçka e pashmangshme pavarësisht dëshirës sonë, ky proces vjen natyrshëm.
Sado të mundohemi ta shmangim, graviteti, ekspozimi mjedisor dhe gjenetika përfundimisht do të fillojnë të zbulojnë moshën tonë. Dhe ndërsa disa e tolerojnë plakjen si një pjesë natyrshme të jetës, disa te tjerë duan të duken më të rinj dhe më të bukur. Kirurgjia plastike është një zgjidhje e rëndësishme dhe e dobishme për të trajtuar disa nga shqetësimet më të zakonshme estetike me të cilat përballemi. Një nga përfitimet kyçe të kirurgjisë plastike është aftësia e tij për të rritur vetëbesimin dhe për ti dhënë vetes suaj një pamje pranverore gjatë gjithë kohës.
Shumë nga pacientët tanë ankohen se ndërsa ata ende ndjehen energjik dhe të gjallë, pamja e tyre tregon tjeter gjë. Pamja në pasqyrë mund të sjellë konfuzitet pasi mënyra se si e perceptoni veten jashtë nuk është e njëjtë me mënyrën si ndiheni brenda. Për fat të mirë, kirurgjia plastike mund të zgjasë vite, kështu që ju mund të shikoni veten tuaj gjatë gjithë kohës po aq të ri sa ju ndiheni.

Përgjatë muajit Maj Departamenti i Kirurgjisë Plastike në Spitalin Amerikan vjen me një paketë ndërhyrjesh me çmime preferenciale:

Rinoplastikë / Rimodelim i Hundës – 1200 Euro
Abdominoplastikë / Rimodelim i barkut – 2500 Euro
BBL – Rimodelim i Vitheve – 3000 Euro
Rimodelim i Gjoksit / Zmadhim/ Zvogëlim – 2400 Euro

Një tjetër risi në Spitalin Amerikan ështe fakti se tashmë kushdo mund ti nënshtrohet kirurgjisë plastike për të rimodeluar trupin apo fytyrën pasi Spitali Amerikan në bashkëpunim me Lute Credit ofron kredi me komision 0, vetëm me një kartë identiteti. Tashmë të gjithë mund të kenë një trup perfekt.

Departamenti i Kirurgjisë Plastike në Spitalin Amerikan është i përbërë nga kirurgë plastikë profesionistë dhe të kualifikuar, vendas dhe ndërkombëtar, të cilët ofrojnë një gamë të gjerë shërbimesh kirurgjike rindërtuese dhe kozmetike.
Kirurgjia Plastike e Spitalit Amerikan, jo vetëm u ka dhënë përgjigje kërkesave të atyre që preferojnë një pamje më të sofistikuar, por ka thyer përfundimisht tabunë që kirurgjia plastike bëhet vetëm jashtë vendit.

Drejtori i Spitalit Amerikan zbulon vizionin për të ardhmen: e keqja e vetme në Shqipëri… shantazhet!

By Spitali Amerikan - Të Reja

Spitali Amerikan është një realitet i mjekësisë në Shqipëri dhe në harkun e më shumë se një dekade ka bërë një progres të vazhdueshëm, duke sjellë një imazh të ri për spitalet e një komoditet për pacientët, që kurën për jetën tashmë e kanë gjetur brenda kufijve të vendit. Një investim kolosal, që ka shërbyer për zhvillimin e gjithë vendit në tërësi, përmes një strukture të mirëorganizuar e një strategjie largpamëse, që po rezulton më shumë se e suksesshme.

Prej 9 vjetësh në krye të këtij institucioni është Mario Karaj, i specializuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i kthyer në Shqipëri, i joshur nga një sfidë e re dhe tepër interesante. Botëkuptimi i tij është bashkuar me konceptin e Spitalit Amerikan duke e bërë një bashkëpunim efikas. Në një intervistë të detajuar, Karaj ka folur për momentin në të cilin zgjodhi të përqafonte projektin ambicjoz, vështirësitë me të cilat është përballur, arritjet dhe vizionin mbi të ardhmen e Sptalit Amerikan.

Intervistë me z. Mario Karaj, Drejtor i Përgjithshëm Spitalor, Spitali Amerikan

Ju jeni kthyer nga SHBA-ja për të punuar në Spitalin Amerikan. Ç’mund të thoni për këtë hap dhe për Spitalin Amerikan në përgjithësi?

Po, është e vërtetë, unë jam kthyer nga SHBA në vitin 2010-të. Pas një periudhe 10-vjeçare në Amerikë, ku studiova për Menaxhim Biznesi dhe fitova eksperienca të ndryshme në punë, u ktheva në Tiranë për të punuar në stafin drejtues të Spitalit Amerikan. Vendosa të kthehem pasi Projekti Amerikan për Zhvillimin e Mjekësisë në Shqipëri ishte tepër sfidues dhe interesant. E unë jam nga ata njerëz që më pëlqejnë sfidat. Spitali Amerikan është një investim i Fondit Amerikan të Investimeve SEAF, në partneritet me Agjencinë Amerikane të Investimeve OPIK, Bankën Europiane të Rindërtimit dhe Zhvillimit EBRD, si dhe Fondit të Pensioneve në Danimarkë. Që nga fillimet e deri tani, duhet përmendur, që investimi në tërësi ka qenë kolosal dhe ka shërbyer për pacientët shqiptarë, si dhe për zhvillimin e vendit në tërësi.

Çfarë avantazhesh ka sjellë Spitali Amerikan për pacientët?

Një nga avantazhet kryesore, të ngritjes së një strukture të tillë, është që pacientët shqiptarë për diagnoza të vështira dhe specifike, nuk kanë më nevojë të shkojnë në spitalet jashtë Shqipërisë, ku më parë përveç kostove tepër të larta përballeshin edhe me shumë probleme të tjera, duke filluar nga komunikimi me mjekët e huaj, udhëtimet e gjata dhe vështirësitë e ndjekjes post-operatore, që kërkojnë rikontrolle të herëpashershme. Që të jemi të qartë, në princip të qenit i huaj është e vështirë, imagjino të qenit një pacient i huaj sa sfilitëse dhe rraskapitëse është. Spitali Amerikan ka sjellë në Shqipëri, jo vetëm teknologjinë e fundit mjekësore, por edhe mjekë shumë profesionistë që çdo institucion mjekësor në botë do t’i dëshironte.

Qendra e dializës ka nisur Spitali Amerikan në vitin 2008, në atë kohë në Shqipëri numri i pacientëve që merrnin dializë ishte me pak se 40 persona. Këta persona merrnin këtë shërbim të vyer për jetën e tyre me disa pajisje që ishin mbetje nga lufta e Kosovës.

Pjesa tjetër ishin të destinuar ose të humbnin jetën ose të emigronin jashtë vendit për të patur këtë shërbim.

Sot, në sajë të këtij projekti dhe të mbështetjes nga shteti, trajtohen mbi 1200 pacientë pranë vendbanimeve të tyre, të shtrira në gjithë Shqipërinë, duke përmirësuar cilësinë e jetës dhe duke shtuar jetëgjatësinë. Janë mbi 1200 jetë të shpëtuara.

Gjithashtu marr rastin të them se në lidhje me partneritetin publik-privat të laboratoreve, që do të jetë një risi shumë e madhe për shëndetësinë shqiptare, as Spitali Amerikan dhe as z.Klodian Allajbeu personalisht, nuk ka patur dhe nuk ka asnjë lidhje me këtë projekt, as me bashkimin operator, që ka fituar këtë partneritet si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Çdo aludim tjetër është thjesht një gënjeshtër.

Progresi i Spitalit Amerikan në më shumë se një dekadë është evident, por çfarë do të cilësonit si problem…?

Në anën e zezë të medaljes dua të përmend një nga gjërat, që është tronditëse si fakt dhe që është një ngërç i përgjithshëm në zhvillimin e biznesit në Shqipëri: faktin që Spitali Amerikan është përballur dhe vazhdon të përballet në mënyrë të vazhdueshme me presione dhe shantazhe, që arrijnë deri në gjobëvënie nga media të ndryshme. Sulmi ndaj bizneseve po shndërrohet në një mënyrë funksionimi nga disa media dhe do të dëshiroja të ndërgjegjësoheshin e të mos humbasin besueshmërinë e tyre, duke keqpërdorur lirinë e fjalës, të ruajnë profesionalizmin dhe integritetin, duke mos keqinformuar publikun.

Përveç kësaj, të kënaqur me çfarë keni arritur?

Pavarësisht këtyre vështirësive, strategjia e konceptit amerikan për të ngritur një institucion të qëndrueshëm, ka funksionuar deri tani për ne. Përgjigjia jonë ndaj këtyre fenomeneve është vetëm puna e përkushtuar dhe rritja e vazhdueshme e kënaqësisë së pacientëve. Kjo ka bërë që Spitali Amerikan të ketë një kërkesë mjaft të madhe nga pacientët duke u “detyruar” në kuptimin e mirë të fjalës, të zgjerohet vazhdimisht.

Cilat janë planet për të ardhmen?

Për vite me radhë Spitali Amerikan ka qënë i fokusuar në shërbimin e pacientëve vendas. Rekordet dhe historitë e suksesit të Spitalit Amerikan kanë kapërcyer edhe kufijtë e Shqipërisë, duke bërë që, gjithmonë e më shumë, pacientë të huaj të na besojnë. Prej rreth 5 vjetësh, Spitali Amerikan pret dhe përcjell pacientë të huaj, të cilët vijnë dhe shpenzojnë në Shqipëri, duke e kthyer kështu turizmin mjekësor në një pikë të nxehtë të zhvillimit të ekonomisë edhe për vitet në vazhdim. Me zgjerimin e rrjetit spitalor në gjithë Shqipërinë, kapaciteti e teknologjia kanë avancuar dhe stafi drejtues tani synon tërheqjen e udhëtarëve mjekësorë “Health Tourism” si prioritet për pesë vitet e ardhshme.

Infermieri i Spitalit Amerikan fiton zemrën e Elvana Gjatës.

By Spitali Amerikan - Të Reja

Shigjeta e Kupidit mund të godasë këdo duke bërë bashkë edhe ata që i përkasin dy botëve të ndryshme, muzikës dhe mjekësisë. Kjo i ka ndodhur yllit të muzikës shqiptare Elvana Gjatës, e cila në filmin “Dy gisht mjaltë” në rolin e një vajze të thjeshtë bie kokë e këmbë në dashuri me një infermier.

https://al.spitaliamerikan.com/wp-content/uploads/2019/03/VIDEO-2019-03-28-14-40-53.mp4

Infermier në Spitalit Amerikan, aktori i njohur i humorit Ermal Mamaqi po dimplomohet dhe do të bëhet doktor. Ervini, personazhi ynë, gjatë ditës së punës në Spitalin Amerikan përballët me shumë paciente, me disa nga të cilët, pa e ditur as ai, do të krijojë lidhje të forta në të ardhmen.

Në filmin komik, të mbështetur nga Spitali Amerikan, interpretojnë aktorë të njohur të skenës shqiptare, si Koço Devole, Marjana Kondi, Natasha Sela, Bujar Asqeriu, Ervin Bejleri, Rezart Veleshnja, e madje edhe vetë kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, ku skenat e humorit pasojnë njëra-tjetrën duke shkaktuar shumë të qeshura.

Në film preken problematika të ndryshme të shoqërisë shqiptare, të trajtuara me humor, duke e bërë filmin komedinë romatike të vitit. Se çfarë ndodh me dy të sapomartuarit mbetet ta zbuloni në filmin “Dy gisht mjaltë” që po shfaqet në të gjitha kinematë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Sukseset arrihen nga ata që besojnë! IVF në Spitalin Amerikan realizon ëndrrën për qytetarët europiane.

Sukseset arrihen nga ata që besojnë! IVF në Spitalin Amerikan realizon ëndrrën për qytetarët europiane.

By Spitali Amerikan - Të Reja

Shqipëria po transformohet në një destinacion turizmi shëndetësor për qytetarët europiane, të cilët po zgjedhin gjithmonë e më shumë të besojnë shëndetin e tyre te Spitali Amerikan.

Sukseset në Fertilizimin In Vitro sjellin ëngjëj të vegjël në krahët e çifteve të cilët kishin ëndërruar gjatë që mrekullia të ndodhte.
Departamenti i Mjekësisë Riprodhuese dhe Fertilizimit In Vitro në Spitalin Amerikan numëron rekorde të njëpasnjëshme në Fertilizimin In Vitro. Rekorde dhe histori suksesi që kanë kapërcyer edhe kufijtë e Shqipërisë, duke bërë që gjithmonë e më shumë paciente të huaja të na besojnë. Ky besim nuk është rastësi, por rezultat i profesionalizmit të lartë të stafit mjekësor të specializuar dhe një laboratori modern IVF që ofron teknologjinë e fundit.

Në bashkëpunim me klinikat prestigjoze europiane, Spitali Amerikan aplikon teknologjinë Time-Lapse e cila ka rritur ndjeshëm shanset për sukses. Një metodë e futur vetëm prej një dekade në mjekësinë botërore e që aplikohet vetëm në 5 klinika në Ballkan, në Shqipëri ofrohet vetëm nga Spitali Amerikan.
Time-Lapse (embrioskopi) i ka lejuar shkencëtarët të kuptojnë më mirë zhvillimin e embrionit duke lehtësuar ndjeshëm punën e embriologut në përzgjedhjen e embrioneve me potencial më të mirë për implantim. Në teknikën klasike (atë të vjetër), embrionet duhet të nxirren nga inkubatori për t’u analizuar në mikroskop. Me Time-Lapse embrionet nuk zhvendosen nga inkubatorët duke shmangur kështu rreziqe të mundshme. Të dhënat nga Time-Lapse nuk janë më fotografi, por një filmim i plotë i embrionit që i ndihmon mjekët të shohin me detaje të gjithë parametrat morfologjikë dhe ndryshimin që ai pëson me kalimin e ditëve deri sa të transferohet në barkun e nënës. Të gjitha këto sjellin mundësi më të lartë për sukses në një cikël Fertilizimi In Vitro.
Përqindja më e lartë e suksesit të shtatzanive me IVF në rajon ka bërë që Qendra e Fertilitetit në Spitalin Amerikan të jetë zgjedhja e parë për të gjitha pacientet, vendas edhe ato të huaja, që konsiderojnë këtë procedurë.

Bazuar në statistika me Fertilizim In Vitro 80 % e shtatzanive janë të suksesshme, për moshat mbi 30 vjeç përqindja e suksesit është 62 %, ndërsa për ato mbi 40 vjeç arrin në 46 %.

Në Spitalin Amerikan pacientet i nënshtrohen trajtimit të personalizuar të IVF, që përcaktohet në bazë të eksperiencës së suksesshme disavjecare të këtij ekipi e kombinuar me arritjet më të reja në shkencën e Riprodhimit të Asistuar.

Sukseset arrihen nga ata që besojnë dhe Qendra e Fertilitetit në Spitalin Amerikan është rruga drejt realizimit të ëndrrës së një gruaje për të përqafuar ëngjëllin e saj të vogël.

“Kanceri kolorektal, muaji i ndërgjegjësimit”

By Spitali Amerikan - Të Reja

Marsi kudo në botë është muaj sensibilizimi kundër kancerit kolorektal apo tumorit të zorrës së trashë. Për të pestin vit radhazi Spitali Amerikan 1 i bashkohet “Colorectal Cancer Alliance” në një fushatë informuese, ndërgjegjësuese, sensibilizuese, diagnostikuese, për të përcjellë informacionin e duhur në popullatë për moshat e rrezikuara, në mënyrë që sëmundja të kapet në kohë dhe të parandalohet. Shumë raste të diagnostikuara në stadet e hershme, kurohen plotësisht.

‘Locus praeventioni melior quam rememdium”, më  mirë të parandalosh sesa të kurosh…

Po çfarë është kanceri i zorrës së trashë?

Kanceri kolorektal është formacion tumoral me qeliza atipike që rritet në paretin e zorrës së trashë dhe duke u zhvilluar prek gradualisht murin e saj duke u përhapur lokalisht dhe në distancë në organe të tjera të trupit. Gjenetikisht është vërtetuar se kanceri i kolonit dhe ai i rektumit janë të njëjtë, kjo ndodh për shkak të mutacioneve gjenetike kryesisht në genin APC, TGF-b, DCC,  TP53, të cilat e shndërrojnë adenomën në karcinomë.

Kanceri i zorrës së trashë prek mbi 180,000 raste të reja në vit në Amerikë.

Është sëmundja e tretë më e diagnostikuar ndër sëmundjet tumorale dhe zë vendin e dytë për vdekjet nga tumori në burra dhe gra, ndërsa kanceri anal përbën rreth 4% të rasteve të diagnostikuara me kancer të zorrës së trashë. Incidenca rritet me rritjen e moshës dhe është pak më e lartë te meshkujt se te femrat.

Reth 72 % të rasteve i përkasin kancerit të kolonit dhe 28% atij anorektal. Rreziku i zhvillimit të këtij kanceri gjatë jetës është mesatarisht një në 20 persona (5-6%), rreth 1.22 meshkuj dhe 1.23 femra, por kjo e fundit në fakt varet dhe nga faktorët e riskut individual.

Çdo vit në botë diagnostikohen mbi 1 milion raste të reja dhe vdesin reth 600.000 njerëz. Në vendet në zhvillim diagnostikohen 60% e rasteve të reja çdo vit.

Reth 20% e pacientëve në kohën që diagnostikohen kanë metastaza në distancë dhe 25% e tyre kanë metastazë solitare potencialisht në mëlçinë e zezë, e cila duhet të hiqet pasi e rrit mbijetesën e këtyre pacientëve. Në Shqipëri në momentin kur pacientët diagnostikohen, përqindja e tumorit metastatik është më e lartë dhe shkon deri në 40%. Kjo për faktin se pacientët vijnë vonë, nuk ka program kombëtar të “screening” për kancerin kolorektal, i cili është i detyrueshëm mbi moshën 50 vjeç siç e kanë vendet e zhvilluara dhe se konsulta për këtë kategori pacientësh akoma është tabu dhe konsiderohet e sikletshme. Sigurisht ndikon dhe fakti që Shqipëria ka numër të paktë specialistësh të profilizuar në kirurgjinë kolorektale, të cilët kanë më tepër eksperiencë në diagnostikimin dhe trajtimin adekuat të kësaj patologjie.

Më tepër se 80% e kancerit të zorrës vjen nga polipet adenomatoze, të cilat identifikohen nga kolonoskopia dhe nëse ato kapen 2-3 vjet para se të shfaqet kanceri simptomatik, vdekjet nga tumori ulen deri në 60%.

Kryerja e testit imunologjik të enzimës M2-PK, biomarkeri kyç në kancerin kolorektal dhe polipet, e cila lidhet me metabolizmin tumoral dhe joprezencën e gjakut në feçe ndihmon në diagnozën e tij të hershme. Kjo bëhet me anë të ekzaminimit të feçes dhe nëse është pozitive, atëherë pacienti i nënshtrohet kolonoskopisë.

Reth 95% e rasteve të kancerit kolorektal janë adenokarcinoma dhe pjesa tjetër limfoma dhe karcinoma skuamoze qelizore. Adenokarcinoma e merr origjinën nga epiteliumi glandular i mukozës së zorrës, në varësi të arkitekturës glandulare, pleomorfizmit dhe mukosekrecionit. Adenocarcinoma ka tre shkallë të diferencimit që janë: e mirë diferencuar, mesatarisht e diferencuar dhe e padiferencuar.

Në zorrën e trashë zhvillohen lloje të ndryshme polipesh, por është adenoma që njihet si prekanceroze, ato janë të shpeshta në meshkujt mbi 50 vjeç.

Nën moshën 40 vjeç zhvillohen më pak se 2% e tumoreve të zorrës së trashë. Duhet të përjashtohet predispozicioni gjenetik i trashëguar si polipozat adenomatoze familjare ose kancerin jopolipoz të trashëguar, që është vetëm në 4% e tumoreve kolorektalë. Testet gjenetike laboratorike të gjakut janë shumë ndihmëse për të parë se cili pjesëtar i familjes është i rrezikuar dhe ndihmojnë në përcaktimin e riskut. Vitet e fundit konstatojmë që në Shqipëri është rritur numri i rasteve me tumor të zorrës së trashë nën moshat 50 vjeç dhe nën moshat 40 vjeç, madje kemi diagnostikuar dhe trajtuar raste edhe nën moshat 30 vjeç

Nga mosha 50-75 vjeç rekomandohet të bëhet çdo vit feçe gjak okult, sigmoidoskopi çdo 5 vjet, kolonoskopi çdo 10 vjet. Në rastet me rrezik të lartë ekzaminimi duhet të fillojë pas moshës 40 vjeç. Pas moshës 75 vjeç kontrollet rekomandohen në varësi të situatave problematike që mund të paraqiten. Kolonoskopia, sigmoidoskopia fleksibile, feçe gjak okult ndihmojnë në diagnostikimin e hershëm të polipeve dhe formacioneve potencialisht displazike. Sot aplikohet dhe kolonoskopia virtuale via CT, por kjo e fundit ka kosto më të lartë, ka rrezatim nga skaneri dhe nuk mund të bëjë polipektomitë që i realizon kolonoskopia standarde.

OBSH në studimet që ka bërë sugjeron që nga ekzaminimi çdo dy vjet ose çdo vit të feçes, pas 10 vjetësh, mund të ketë një reduktim deri në 20% në vdekshmërinë e kancerit kolorektal. Parandalimi ofron strategjinë më të sigurt dhe afatgjatë për kontrollin e kancerit. Politikat dhe programet kombëtare duhet të zbatohen për të rritur ndërgjegjësimin, për të zvogëluar ekspozimin ndaj faktorëve të rrezikut të kancerit dhe për të siguruar që njerëzit të kenë informacionin dhe mbështetjen që ata kanë nevojë për të adoptuar mënyra jetese të shëndetshme.

Faktorët kontribues

Pse është rritur numri i kancerit te të rinjtë?

Nuk dihet pse ka ndryshuar gjenetika, mbase stili dhe mënyra e ushqyerjes, konsumimi me tepricë i mishit të kuq dhe produkteve të zgarës, obeziteti, jeta sedentare, alkooli dhe duhani janë faktorët kontribues të këtyre tumoreve.

Aktiviteti fizik, faktorët dietetikë, mbipesha

Aktiviteti fizik i rregullt dhe mbajtja e një peshe të shëndetshme të trupit, sëbashku me një dietë të shëndetshme, zvogëlojnë dukshëm rrezikun e kancerit. Ekziston një lidhje midis mbipeshës dhe obezitetit ndaj shumë llojeve të kancerit, si ezofagut, kolorektumit, gjirit, endometrit dhe veshkave. Ushqimi i lartë në fruta dhe perime të pasura me fibër mund të ketë një efekt mbrojtës të pavarur kundër kancerit të zorrës së trashë, sikundër konsumimi i mishit të kuq është akuzuar si faktor kontribues në zhvillimin e kancerit kolorektal.

Alkooli 

Është një faktor rreziku për shumë lloje të kancerit duke përfshirë kancerin e gojës, faringut, laringut, ezofagut, mëlçisë, kolorektumit dhe gjirit. Rreziku i kancerit rritet me sasinë e alkoolit të konsumuar. Për disa lloje të kancerit, pirja e alkoolit të rëndë të kombinuar me përdorimin e duhanit rrit ndjeshëm rreziqet e kancerit. Në vitin 2010, kanceret që i atribuohen alkoolit vlerësoheshin të jenë përgjegjës për 337,400 vdekje në mbarë botën, kryesisht në mesin e meshkujve.

Duhani

Në mbarë botën, përdorimi i duhanit është faktori më i madh i shmangshëm i rrezikut për vdekshmërinë e kancerit dhe vret rreth 6 milionë njerëz çdo vit nga kanceri dhe sëmundjet e tjera. Tymi i duhanit ka më shumë se 7000 kimikate, të paktën 250 janë të njohur të jenë të dëmshme dhe më shumë se 50 janë të njohur për të shkaktuar kancer. Pirja e duhanit shkakton shumë lloje të kancerit, duke përfshirë kancerin e mushkërive, ezofagut, laring gojën, fytit, veshkës, fshikëzës, pankreasit, stomakut dhe qafës së mitrës.

Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës me kimikate kancerogjene kontribuon në ngarkesën e kancerit në nivele të ndryshme varësisht nga mjedisi gjeografik. Ndotja e ajrit në natyrë është klasifikuar si kancerogjen ose kancer-shkaktar, për njerëzit ekspozimi ndaj kancerogjenëve gjithashtu ndodh nëpërmjet kontaminimit të ushqimit, siç janë aflatoksinat ose dioksinat.

Ka studime që lidhin rreziqet e OMGJ-ve në shëndetin e njeriut, kryesisht me çrregullime metabolike, diabeti, reaksione alergjike,  komprimim të  imunitetit të njeriu, rezistencë ndaj përdorimit të antibiotikëve dhe sëmundjet tumorale. Ekspertët në vende të ndryshme  mendojnë se duhet moratorium mbi përdorimin e OMGJ-ve në bujqësi dhe industrinë ushqimore. Këshillohet konsumimi i sa më shumë produkteve bio, fruta dhe perime, por jo gjithmonë prezente nëpër markete. Ajo që duket e bukur, jo gjithmonë është e dobishme për shëndetin.

Një grup shkencëtarësh nga 13 vende kanë mbështetur thirrjet për një moratorium për bllokimin e ushqimeve të modifikuara gjenetikisht pas miratimit të hulumtimeve të pabotuara që kanë ngritur frikën e rreziqeve të mundshme shëndetësore.

Diagnoza e hershme

Diagnoza e hershme e kancerit rrit shanset për trajtim të suksesshëm duke u fokusuar në zbulimin e pacientëve simptomatikë sa më shpejt të jetë e mundur. Diagnoza e hershme ka për qëllim zvogëlimin e përqindjes së pacientëve të cilët janë diagnostikuar në fazën e vonshme. Pasojat e kujdesit të vonuar të kancerit mbartin gjasat më të ulëta për mbijetesë, morbiditet më të madh të trajtimit dhe kosto më të lartë të kujdesit, duke rezultuar në vdekje të shmangshme dhe paaftësi nga kanceri. Diagnoza e hershme përmirëson rezultatet e kancerit duke siguruar kujdesin në fazën më të hershme të mundshme dhe prandaj është një strategji e rëndësishme e shëndetit publik në të gjitha mjediset.

Trajtimet moderne në Spitalin Amerikan të kancerit kolorektal përfshijnë protokollet e trajtimit kirurgjikal i cili realizohet me kirurgji tradicionale të hapur, laparaskopike (me sondë) dhe kirurgjinë robotike e cila është shumë efikase sidomos në tumoret e rektumit. Trajtimit kirurgjikal i bashkangjitet trajtimi neoadjuvant (para operacionit) me kemioradioterapi në varësi të vlerësimit bashkarisht me mjekun onkolog dhe trajtimi postoperator me kemioradioterapi, po përsëri në konsulencë me mjekun onkolog. Trajtimi i kancerit kolorektal është trajtim multidisiplinar dhe përfshin disa specialistë të fushës, si kirurg, onkolog, radiolog, gastroenterolog, anatomopatholog, staf për kujdesin ndaj kolostomisë dhe rehabilitimit të pacientit etj.

Shoqëria shqiptare duhet të ndërgjegjësohet dhe informohet më tepër mbi këtë sëmundje të rrezikshme, të mposhten barrierat e turpit, frikës, neglizhencës që sëmundja të diagnostikohet dhe trajtohet në stade më të hershme, trajtimet të jenë më shumë kurative dhe sa më pak paliative.

Dr.Shk.Mjk Lindita Shosha

Spitali Amerikan  1, TIRANË

Page 18 of 34«‹1617181920›»

Të Fundit

  • Mario Karaj – CEO i Spitalit Amerikan, intervistë ekskluzive për prestigjozen “USA Today”
    Mario Karaj – CEO i Spitalit Amerikan, intervistë ekskluzive për prestigjozen “USA Today”
    05/03/2025
  • Nga Dhjetori 2006, Spitali Amerikan prej 17 vitesh mundëson shërbimet bashkëkohore që dikur detyronin shqiptarët të dilnin jashtë vendit
    Nga Dhjetori 2006, Spitali Amerikan prej 17 vitesh mundëson shërbimet bashkëkohore që dikur detyronin shqiptarët të dilnin jashtë vendit
    13/12/2023
  • Masterklasi Ndërkombëtar i Imazherisë së Gjirit mbledh në Tiranë elitën e mjekësisë shqiptare dhe të huaj
    Masterklasi Ndërkombëtar i Imazherisë së Gjirit mbledh në Tiranë elitën e mjekësisë shqiptare dhe të huaj
    18/09/2023
  • Kujdes shëndetin në stinën e nxehtë, Spitali Amerikan ofron paketat ekzaminuese për korrik-gusht 2023
    Kujdes shëndetin në stinën e nxehtë, Spitali Amerikan ofron paketat ekzaminuese për korrik-gusht 2023
    10/07/2023
  • Prof.Dr. Perlat Kapisyzi FCCP: Pletismografia, është i vetmi ekzaminim i sistemit respirator që vlerëson shkëmbimin e oksigjenit në nivel alveolar
    Prof.Dr. Perlat Kapisyzi FCCP: Pletismografia, është i vetmi ekzaminim i sistemit respirator që vlerëson shkëmbimin e oksigjenit në nivel alveolar
    15/05/2023
  • Sindromi i Zorrës së Gjatë apo Dolichosigmoid Colon Syndrome
    Sindromi i Zorrës së Gjatë apo Dolichosigmoid Colon Syndrome
    06/03/2023
  • Infeksionet Stafilokoksike, diagnostikimi, trajtimi dhe masat parandaluese
    Infeksionet Stafilokoksike, diagnostikimi, trajtimi dhe masat parandaluese
    06/03/2023
  • Urtikariet, Dr. Shk.Alketa Bakiri: Ja çfarë duhet të bëni kur keni këto manifestime kutane në lëkurë të shoqëruara me skuqje dhe kruarje
    Urtikariet, Dr. Shk.Alketa Bakiri: Ja çfarë duhet të bëni kur keni këto manifestime kutane në lëkurë të shoqëruara me skuqje dhe kruarje
    06/03/2023
  • Doktor, kur je mbi 40 vjeç, duhet ta marrësh aspirinën e zemrës?
    Doktor, kur je mbi 40 vjeç, duhet ta marrësh aspirinën e zemrës?
    06/03/2023
  • Ad hominem “Protegas sanitas, diutius vivere” – Mbroni shëndetin, të jetoni gjatë.
    Ad hominem “Protegas sanitas, diutius vivere” – Mbroni shëndetin, të jetoni gjatë.
    06/03/2023
© American Hospital sh.a. Të gjitha të drejtat e rezervuara. - Politikat e privatësisë