Spitali Amerikan, projekt madhor për diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive të gjirit
Shëndeti i gruas është një nga shtyllat e filozofisë të Spitalit Amerikan, gjithmonë në shërbim të jetës. Për këtë arsye, në bashkëpunim me “Qendrën e Gjirit“ të Universitetit të Kembrixhit, Spitali Amerikan po punon për një projekt madhor që ka për qëllim ngritjen e një qendre të specializuar për diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive të gjirit, veçanërisht kancerit të gjirit. Kjo ishte risia që u zbulua gjatë Konferencës Mjekësore të Radiologjisë me fokus “Kanceri i gjirit – përqasje multidisiplinore”, e cila u përmbyll me sukses në Spitalin Amerikan 3.
Dr. Shkc. Iris Allajbeu, njëkohësisht dhe lektore e konferencës theksoi se në këtë qendër të standardeve bashkëkohore, një ekip mjekësh të specializuar dhe me përvojë do të ofrojnë një shërbim të shpejtë, efikas, cilësor për të gjitha pacientet duke filluar nga diagnostikimi i hollësishëm i sëmundjeve të gjirit, trajtimi, ndjekja dhe deri në rikonstruksionin plastik të tij. Një hap i nivelit superior që Spitali Amerikan ndërmerr në trajtimin e kancerit të gjirit dhe të gjitha patologjive të tij, që shkon paralelisht me organizimin e konferencave të cilat synojnë informimin e mjekëve me teknikat dhe metodat moderne të trajtimit.
Ngritja e nivelit të dijeve, sipas Dr. Emiljana Huti është shumë e rëndësishme, jo vetëm për mjekët onkologë që janë në luftë të përditshme me këto patologji, por edhe për mjekët e familjes, si porta e parë ku shumë zonja mund të trokasin për shqetësimin që kanë. Konferenca Mjekësore e Radiologjisë me fokus “Kanceri i gjirit – përqasje multidisiplinore”, i ka paraprirë fushatës së muajit Tetor për ndërgjegjësimin ndaj luftës kundër kancerit të gjirit.