Çfarë është konstipacioni? Nga Dr. Shk. Lida Shosha.
Në pothuaj 30 vitet e fundit, ndryshimet në mënyrën e jetesës, të ushqyerjes, të cilësisë së produkteve që konsumojmë, rritja e stresit dhe sëmundshmërive tumorale dhe jo tumorale të traktit tretës, përkeqësimi dhe shtimi drastik i rasteve me intoleranca ushqimore duke filluar me produktet bazike të përditshme, ka rritur ndjeshëm numrin e pacientëve me simptomë të konstipacionit apo kapsllëkut.
Por çfarë është në vetvete konstipacioni?!
Konstipacioni ose kapsllëku është një gjendje e traktit tretës ku një person ka vështirësi për të defekuar apo dalë jashtë në tualet. Kapsllëku nuk është sëmundje më vete por është simptomë. Në shumicën e rasteve, kjo ndodh sepse zorra e trashë ka thithur shumë ujë nga ushqimi që është në zorrë.
Sa më ngadalë të bëhet lëvizja e ushqimit nëpër traktin tretës, aq më shumë ujë zorra e trashë do të thithë, rrjedhimisht, feçet apo uji i trashë, bëhen të thata dhe të forta. Kur kjo ndodh, zbrazja e zorrëve mund të bëhet shumë e dhimbshme. Disa njerëz shqetësohen shumë për të pasur një defekim çdo ditë. Të qenit i rregullt është i ndryshëm për secilin person. Për disa, kjo mund të thotë defekim dy herë në ditë. Për të tjerët, defekimi tre herë në javë është normale.
Simptomat që e shoqërojnë kapsllëkun janë, vështirësi e rritur dhe lodhje gjatë zbrazjes së zorrës, kalimi i një sasie më të vogël të feçeve se zakonisht, dhimbje stomaku, ndjenja e fryrjes dhe nauze, humbje e oreksit etj.
Shkaqet janë të ndryshme.
1. Mungesa e fibrave në dietë. Është e rëndësishme të konsumoni ushqime të pasura me fibra, të tilla si fruta, perime pasi fibra nxit lëvizjet e zorrëve dhe parandalon kapsllëkun. Ushqimet që janë me sasi të ulët fibrash përfshijnë ushqime me yndyrë të lartë, si djathi, mishi, vezët dhe ëmbëlsirat me sheqer. Njerëzit që jetojnë vetëm mund të humbasin interesin për gatim dhe ngrënie. Si rezultat, ata fillojnë të përdorin ushqime gjysëm të gatshme që kanë sasi më të ulët fibrash që çojnë në kapsllëk. Shumë njerëz të moshuar nuk pinë ujë mjaftueshëm dhe lëngje të tjera. Kjo shpesh ndodh kur ata nuk janë duke ngrënë ushqim të rregullt. Uji dhe lëngjet e tjera mund të ndihmojnë njerëzit të kenë zbrazje me të mirë të zorrës.
2. Mungesa e aktivitetit fizik, sidomos të moshuarit kanë një jetë më sedentare në krahasim me të rinjtë dhe prandaj janë në rrezik më të lartë per kapsllëk. Njerëzit fizikisht aktivë kanë më pak gjasa që të kenë kapsllëk se njerëzit joaktivë. Mos aktiviteti ose periudha të gjata në shtrat për shkak të sëmundjeve të ndryshme ose pas operacionit mund të shkaktojnë kapsllëk. Mjekët mund të sygjerojnë ilaçe për njerëzit që qëndrojnë në shtrat dhe vuajnë nga kapsllëku kronik. Të jesh më aktiv, kur është e mundur, është më e mira.
3. Ilaçet. Barnat më të zakonshme që shkaktojnë kapsllëk janë: opioidet duke përfshirë kodeinën (Tylenol), oksikodone (Percocet) dhe hidromorfon (Dilaudid), antidepresantët duke përfshirë amitriptilin (Elavil) dhe imipramin (Tofranil), antikonvulsantët, duke përfshirë (Dilantin) dhe carbamazepine (Tegretol), kalci bllokuesit duke përfshirë diltiazemin (Cardizem) dhe nifedipinen (Procardia), antacidet që përmbajnë alumin , diuretikët duke përfshirë hidroklorthiazid (Diuril) suplementet e hekurit, disa ilaçe alergjike (antihistamines), ilaçe të përdorura për të trajtuar sëmundjen e Parkinsonit etj
4. Qumështi. Disa njerëz bëhen kapsllëk kur konsumojnë qumësht dhe produkte të qumështit.
5. Sindromi i zorrëve irrituese. Shfaqet me fenomene konstipacioni shumë më shpesh, krahasuar me pjesën tjetër të popullsisë.
6. Shtatzënia sjell ndryshime hormonale që mund ta bëjnë një grua më të prekshme ndaj kapsllëkut. Gjithashtu, mitra e zmadhuar mund të ngjeshe zorrët, duke ngadalësuar kalimin e ushqimit.
7. Mosha. Me kalimin e moshes metabolizmi ngadalësohet, duke rezultuar në aktivitet më të pakët të zorrëve. Muskujt në traktin e tretjes nuk funksionojnë si me perpara.
8. Ndryshimet në rutinë. Kur një person udhëton sidomos jashtë ndryshon rutina normale. Kjo mund të ndikojë në sistemin e tretjes, që ndonjëherë rezulton në kapsllëk. Ushqyerja në kohë të ndryshme, përdorimi i ushqimit fast-food, pagjumësia, përdorimi i tualetit në kohë të ndryshme nga normalja, këto ndryshime mund të rrisin rrezikun e kapsllëkut.
9. Përdorimi i tepruar i laksativëve dhe klizmave. Disa njerëz besojnë se një person duhet të shkojë në tualet të paktën një herë në ditë, kjo nuk është e vërtetë. Megjithatë, për t’u siguruar që kjo të ndodhë, disa njerëz vetë-trajtohen me laxative apo shkarkues të zorrës dhe mendojnë se laxativët janë kurë për kapsllëkun. Nëse i përdorni shumë shpesh, trupi juaj mund të harrojë se si të punojë pa to. Laksativët janë efektive për të ndihmuar lëvizjet e zorrëve por kur një person bëhet i varur prej tyre, ekziston një rrezik i konsiderueshëm i kapsllëkut kur ato ndalen. Përdorimi i shtuar i tyre mund të shkaktojë diarre dhe sëmundje anorektale apo në pjesën e fundit të zorrës për shkak të presioneve të rritura nga dalja me forcë dhe e shpeshtë e feçeve. Por ndodh që përdorimi pa kriter i klizmave , mund të mos ketë më efekt dhe të ndalojë lëvizjen e zorrëve.
10. Mos shkuarja në tualet kur është e nevojshme. Sa më gjatë të qëndrojnë në zorrë, uji i trashë apo feçet, më i vështirë do bëhet proçesi i zbrazjes së zorrës.
11. Mos konsumimi i ujit mjaftueshëm. Nëse kapsllëku është i pranishëm, pirja e më shumë lëngjeve mund të mos e lehtësojë. Sidoqoftë, pirja rregullisht e një sasie të mjaftueshme lëngjesh mund të ulë rrezikun e kapsllëkut. Përdorimi i pijeve me sasi të lartë kafeine mund të shkaktojë dehidratim dhe të përkeqësojë kapsllëkun.
12. Probleme me zorrën e trashë ose rektumin. Tumoret kur rriten së tepërmi bllokojnë kalimin e feçes dhe shkaktojnë kapsllëk. Gjithashtu, divertikuloza dhe strikturat, apo ngushtimet kolorektale mund të shkaktojë vështirësi në defekim. Njerëzit me sëmundje Hirschsprung janë të predispozuar për kapsllëk (një defekt në lindje në të cilin mungojnë disa qelizat nervore në zorrën e trashë).
13.Disa sëmundje dhe kushte kanë tendencë për të ngadalësuar lëvizjen e feçes si rregullimet neurologjike: Skleroza multiple (MS), sëmundja e Parkinsonit, dëmtimet e shtyllës kurrizore dhe pseudo-obstruksionet intestinale idiopatike kronike .Çrregullimet endokrinologjike si uremia, diabeti, hiperkalemia, hypotiroidizmi. Sëmundjet sistemike si psh; Lupus, Sklerodermia, Amyloidosis etj. Sëmundjet tumorale: Kapsllëku është një fenomen i shpeshtë në pacientët me patologji tumorale kur tumori bllokon ose shtyp një pjesë të sistemit digjestiv por dhe për shkak të mjekimeve të ndryshme dhe kimioterapisë.
Trajtimi i kapsllëkut të përsëritur mund të përfshijë ndryshime të stilit te jetesës, të tilla si aktiviteti fizik, , ushqimi me më shumë fibra dhe konsumimi i një sasie më të madhe të lëngjeve. Zakonisht, laxativët jane efektivë në shumicën e rasteve të kapsllëkut – por duhet të përdoren me kujdes dhe vetëm kur është e nevojshme. Është e rëndësishme për të kuptuar shkakun e kapsllëkut – mund të ketë një sëmundje apo shkaqe të tjera. Disa njerëz me kapsllëk të përsëritur përdorin një ditar të përditshëm ku regjistrojnë numrin e defekimeve, karakteristikat e jashtëqitjes dhe faktorë të tjerë që mund të ndihmojnë mjekun dhe pacientin të krijojnë trajtim më të mirë.
Komplikacionet e kapsllëkut përfshijnë, gjakderdhje të zorrës së trashë që ndodhin pas vështirësive të vazhdueshme gjatë defekimit, fissurat anale ose carje përreth anusit, që shoqërohen me dhimbje shumë të forta, zhvillimi ose përkeqësimi i hemorroideve ose tromboza e tyre, krijimin e fekalomat që bllokojne lumenin e zorrës dhe bëjnë të pamundur zbrazjen e saj, duke dhënë fryrje të barkut me dhimbje e diskomfort të shprehur. Duhet të bëhet vlerësim i mirë dhe trajtimi i hershëm i konstipacionit, që të mund të parandalohen problemet e mëvonshme si dhe të ndikohet sa më pak kualiteti i jetës së përditëshme të individit.
Përgatitur nga MD. PhD, Lida Shosha #ColorectalConsultant, Spitali Amerikan 1.
Për më shumë informacion ose vizitë kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com
Spitali Amerikan, përqafoje jetën! #spitaliamerikan