Tel. +355 (0) 42 35 75 35    -    Kontakt    -               
American Hospital
  • Shërbimet Mjekësore
  • Stafi Mjekësor
  • Degët
  • Të Reja
  • Pacientët
  • Rreth Nesh
    • Chairman
    • Burimet Njerëzore
    • Pyetjet më të shpeshta
    • Kontakt
  • EnglishEnglish
  • Shërbimet Mjekësore
  • Stafi Mjekësor
  • Degët
  • Të Reja
  • Pacientët
  • Rreth Nesh
    • Chairman
    • Burimet Njerëzore
    • Pyetjet më të shpeshta
    • Kontakt
  • EnglishEnglish

Kanceri i Zorrës së Trashë – Dr .Shk. Lida Shosha

By Spitali Amerikan - Të Reja

“Locus praeventioni melior quam rememdium” Më mirë të parandalosh se të kurosh.


– Po çfarë është kanceri i zorrës së trashë?

– Sa të prekur janë shqiptarët?


Kanceri kolorektal është formacion tumoral me qeliza atipike që ritet në murin e zorrës së trashë, dhe duke u zhvilluar prek gradualisht të gjithë murin e saj, duke u përhapur lokalisht dhe në distancë në organe të tjera të trupit.

Gjenetikisht është vërtetuar që kanceri i kolonit dhe ai i rektumit janë të njëjtë. Kjo ndodh për shkak të mutacioneve gjenetike kryesisht në genin APC, TGF-b, DCC, TP53 të cilat e shndërojnë adenomën në karcinomë.
Është sëmundja e tretë më e diagnostikuar ndër sëmundjet tumorale dhe zë vendin e dytë për vdekjet nga tumori në burra dhe gratë, ndërsa kanceri anal përbën rreth 4% të rasteve të diagnostikuar me kancer të zorres së trashë. Incidenca rritet me rritjen e moshës dhe është pak më e lartë tek meshkujt se femrat.

Sipas Statistikave Përmbledhëse 2018/Albania Burimi: Globocan 2018, Incidenca mesatare vjetore e kancerit kolorektal në Shqipëri, me një popullsi në total 2.934.345, është rreth 9.7 për 100. 000 persona, ndërsa në rrethin e Tiranës, është 13.6 për 100 000. Kanceri Kolorektal është në vendin e 8 me incidencë 8.4% dhe vdekshmëria 3.7%. Është konstatuar që ka reth 188 raste të reja me Kancer Rectum/vjet, Kancer Koloni 186 raste të reja/vit, Kanceri Anal 28 raste/raste të reja, numër total të kancerit anokolorektal reth 402 raste të reja në vit. Zbulimi i hershëm dhe ekzaminimi i kancerit duhet të shihet si një mjeti kryesor i kujdesit shëndetësor, gjithashtu sepse investimi në programin e screening mbron më të dobëtit në popullatë, zvogëlon barrën sociale të kancerit dhe zvogëlon të gjitha llojet e kostove të kujdesit shëndetësor, përfshirë ato për operacionin radikal, shtrimin në spital me ditë qëndrimi të zgjatura, dhe aplikimin e kemioradioterapisë. Incidenca e CRC në Shqipëri rezulton më e ulët në krahasim me vendet e tjera evropiane, por Shqipëria duhet të aplikojë programin kombëtar të screening për të diagnostikuar më shumë kancer të hershëm dhe për të parandaluar këtë sëmundje para se të shkojë në fazat e përparuara metastatike.

Në vendet ku programet e screening u krijuan dy ose tre dekada më parë, u konstatuan uljet e niveleve të vdekjeve dhe ulje të shpenzimeve që lidheshin direkt me kostot e ndërhyrjeve kirurgjikale. Më shumë akses në kolonoskopinë dhe zbulimin në fazën e hershme, si dhe teknikat e përmirësuara kirurgjikale, radioterapinë, kemioterapinë, terapinë e personalizuar dhe kujdesin paliativ, do të kontribuojnë në uljen e numrit të vdekjeve për shkak të kancerit kolorektal.

Rreth 70% – 72% të rasteve i përkasin kancerit të kolonit dhe 28% – 30% atij anorektal. Rreziku i zhvillimit të këtij kanceri gjatë jetës është mesatarisht një në 20 persona (5 – 6%), reth 1;22 meshkuj dhe 1;23 femra, por kjo e fundit në fakt varet dhe nga faktorët e riskut individual.

Çdo vit në botë diagnostikohen mbi 1 milion raste të reja dhe vdesin reth 600.000 njerëz. Por rreth 20% e pacientëve në kohën që diagnostikohen kanë metastaza në distancë dhe 25% e tyre kanë metastazë solitare potencialisht të rezekueshme në mëlçin e zezë, e cila duhet të hiqet pasi e rrit mbijetësen e këtyre pacientëve. Në Shqipëri në momentin kur pacientët diagnostikohen, përqindja e tumorit metastatik është më e lartë dhe shkon mbi 50%. Kjo për faktin se pacientët vijnë vonë, nuk ka program kombëtar të screening për kancerin kolorektal, i cili është i detyrueshëm mbi moshën 50 vjeç siç e kanë shumë prej vendeve të zhvilluara, dhe se konsulta për këtë kategori pacientësh akoma është tabu dhe konsiderohet e sikletshme.
Sigurisht ndikon dhe fakti që Shqipëria ka numër të pakët specialistësh të profilizuar në kirurgjinë kolorektale, të cilët kanë më tepër eksperiencë në diagnostikimin dhe trajtimin adekuat të kësaj patologjie. Më tepër se 80% e kancerit të zorrës vjen nga polipet adenomatoze të cilat identifikohen nga kolonoskopia, dhe nëse ato kapen 2-3 vjet para se të shfaqet kanceri simptomatik, vdekjet nga tumori ulen deri në 60%.

Kryerja e testit imunologjik të enzimës M2-PK, biomarkeri kyç në kancerin kolorektal dhe polipet, e cila lidhet me metabolizmin tumoral dhe jo prezencën e gjakut në feçe ndihmon në diagnozën e tij të hershme. Kjo bëhet me anë të ekzaminimit të feçes, dhe nëse është pozitive, atëherë pacienti i nënshtrohet kolonoskopisë.

Reth 95% e rasteve të kancerit kolorektal janë adenokarcinoma dhe pjesa tjetër limfoma dhe karcinoma skuamoze qelizore. Adenokarcinoma e merr origjinën nga epiteliumi glandular i mukozës së zorrës. Në varësi të arkitekturës glandulare, pleomorfizmit dhe mukosekrecionit, adenokarcinoma ka tre shkallë të diferencimit që janë; e mirë diferencuar, mesatarisht e diferencuar dhe e padiferencuar. Në zorrën e trashë zhvillohen lloje të ndryshme polipesh por është adenoma që njihet si prekanceroze, ato janë të shpeshta sidomos në meshkujt mbi 50 vjeç.
Nën moshën 40 vjeç, zhvillohen më pak se 2% e kancereve të zorrës së trashë. Duhet të përjashtohet predispozicioni gjenetik i trashëguar si polipozat adenomatoze familjare, ose kancerin jopolipoz të trashëguar që është vetëm në 4% e kancereve kolorektalë. Testet gjenetike laboratorike të gjakut janë shumë ndihmëse për të parë se cili pjesëtar i familjes është i rrezikuar dhe ndihmojnë në përcaktimin e riskut.

Vitet e fundit konstatojmë që në Shqipëri është rritur numri i rasteve me tumor të zorrës së trashë nën moshat 50 vjeç, madje dhe nën moshat 40 vjeë, sikundër kemi diagnostikuar dhe trajtuar raste dhe nën moshat 30 vjeç.

Nga mosha 50-75 vjeç rekomandohet të bëhet;
Çdo vit feçe gjak okult, sigmoidoskopia çdo 5 vjet, kolonoskopia çdo10 vjet. Në rastet me rrezik të lartë ekzaminimi duhet të fillojë pas moshës 40 vjeç. Pas moshës 75 vjeç kontrollet rekomandohen në varësi të situatave problematike që mund të paraqiten.
Kolonoskopia, sigmoidoskopia fleksibile, feçe gjak okult ndihmojnë në diagnostikimin e hershëm të polipeve dhe formacioneve potencialisht displazike. Sot aplikohet dhe kolonoskopia virtuale via CT, por kjo e fundit ka kosto më të lartë, ka rrezatim nga skaneri, dhe nuk mund të bëjë polipektomitë që i realizon kolonoskopia standarte.
OBSH në studimet që kanë bërë sygjerojnë që nga ekzaminimi çdo dy vjet ose çdo vit të feçes, pas 10 vjetësh, mund të ketë një reduktim deri në 20% në vdekshmërinë e kancerit kolorektal. Parandalimi ofron strategjinë më të sigurtë dhe afatgjatë për kontrollin e kancerit. Politikat dhe programet kombëtare duhet të zbatohen për të rritur ndërgjegjësimin, për të zvogëluar ekspozimin ndaj faktorëve të rrezikut të kancerit dhe për të siguruar që njerëzit të kenë informacionin dhe mbështetjen që ata kanë nevojë për të adoptuar mënyra jetese të shëndetshme.

Faktorët kontribues.
Pse është rritur numri i pacientëve të rinj të prekur me kancer?
Nuk dihet pse ka ndryshuar gjenetika, mbase stili dhe mënyra e ushqyerjes, konsumimi me tepricë i mishit të kuq dhe produktetve të zgarës, obeziteti, jeta sedentare, alkoli dhe duhani janë faktorët kontribues të këtyre tumoreve.
– Aktiviteti fizik, faktorët dietetik, mbipesha. Aktiviteti fizik i rregullt dhe mbajtja e një peshë të shëndetshme të trupit, së bashku me një dietë të shëndetshme, zvogëlojnë dukshëm rrezikun e kancerit. Ekziston një lidhje midis mbipeshës dhe obezitetit ndaj shumë llojeve të kancerit, si ezofagut, kolorektumit, gjirit, endometrit dhe veshkave. Ushqimi i lartë në fruta dhe perime të pasura me fibër mund të ketë një efekt mbrojtës të pavarur kundër kancerit të zorrës së trashë. Sikundër konsumimi i mishit të kuq është akuzuar si faktor kontribues në zhvillimin e kancerit kolorektal.
– Alkooli është një faktor rreziku për shumë lloje të kancerit duke përfshirë kancerin e gojës, faringut, laringut, ezofagut, mëlçisë, kolorektumit dhe gjirit. Rreziku i kancerit rritet me sasinë e alkoolit të konsumuar. Për disa lloje të kancerit, pirja e alkoolit të rëndë të kombinuar me përdorimin e duhanit rrit ndjeshëm rreziqet e kancerit. Në vitin 2010, kanceret që i atribuohen alkoolit vlerësoheshin të jenë përgjegjës për 337,400 vdekje në mbarë botën, kryesisht në mesin e meshkujve.
– Duhani. Në mbarë botën, përdorimi i duhanit është faktori më i madh i shmangshëm i rrezikut për vdekshmërinë e kancerit dhe vret rreth 6 milionë njerëz çdo vit, nga kanceri dhe sëmundjet e tjera. Tymi i duhanit ka më shumë se 7000 kimikate, të paktën 250 janë të njohur të jenë të dëmshme dhe më shumë se 50 janë të njohur për të shkaktuar kancer. Pirja e duhanit shkakton shumë lloje të kancerit, duke përfshirë kancerin e mushkërive, ezofagun, laring gojën, fytin, veshkën, fshikëzën, pankreasin, stomakun dhe qafën e mitrës.
– Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës me kimikate kancerogjene kontribuon në ngarkesën e kancerit në nivele të ndryshme varësisht nga mjedisi gjeografik. Ndotja e ajrit në natyrë është klasifikuar si kancerogjen, ose kancer-shkaktuar, për njerëzit. Ekspozimi ndaj kancerogjenëve gjithashtu ndodh nëpërmjet kontaminimit të ushqimit, siç janë aflatoksinat ose dioksinat. Në vendin tonë duhet një kontroll më i rreptë ushqimor nga strukturat shtetërore mbi produktet e konsumimit nga popullata në drejtim të përdorimit brenda normave të përcaktuara nga komuniteti europian sidomos në drejtim të përdorimit të OMGJ. Ka mendime kontraverse mbi përdorimin e tyre.
Ka studime që lidhin rreziqet e OMGJ-ve në shëndetin e njeriut, kryesisht me çrregullime metabolike, diabeti, reaksione alergjike, komprimim të imunitetit të njeriut, rezistencë ndaj përdorimit të antibiotikëve, dhe sëmundjet tumorale. Ekspertët në vende të ndryshme mendojnë që duhet Moratorium mbi përdorimin e OMGJ-ve në bujqësi dhe industrinë ushqimore.
Këshillohet konsumimi i sa më shumë produkteve bio, fruta dhe perime, por jo gjithmonë të gjëndura nëpër markete. Ajo që duket e bukur, jo gjithmonë është e dobishme për shëndetin. Një grup shkencëtarësh nga 13 vende kanë mbështetur thirrjet për një moratorium për bllokimin e ushqimeve të modifikuara gjenetikisht pas miratimit të hulumtimeve të pa botuara që kanë ngritur frikën e rreziqeve të mundshme shëndetësore. Qeveria britanike ka qenë nën presion për të vepruar, pas një njoftimi nga 22 shkencëtarët që hulumtimi i kryer nga Dr. Arpad Pusztai, në Institutin e Kërkimeve Roëett, në Aberdeen të Britanisë së Madhe, kishte gjetur prova të ndryshimeve të sistemit imunitar dhe dëmtimit të organeve në minjtë të ushqyer me ushqim të modifikuara gjenetikisht. Eksperimentet dhe debatet në këtë pikë janë të nxehta dhe vazhdojnë në shumë vende të botës, në të dy krahët.

Diagnoza e hershme.
Diagnoza e hershme e kancerit rrit gjasat për trajtim të suksesshëm duke u fokusuar në zbulimin e pacientëve simptomatikë sa më shpejt që të jetë e mundur. Diagnoza e hershme ka për qëllim zvogëlimin e përqindjes së pacientëve të cilët janë diagnostikuar në faza të vonshme. Pasojat e kujdesit të vonuar të kancerit mbartin gjasat më të ulëta për mbijetesë, morbiditet më të madh të trajtimit dhe kosto më të lartë të kujdesit, duke rezultuar në vdekje të shmangshme dhe paaftësi nga kanceri. Diagnoza e hershme përmirëson rezultatet e kancerit duke siguruar kujdesin në fazën më të hershme të mundshme dhe prandaj është një strategji e rëndësishme e shëndetit publik në të gjitha mjediset.


Agjensia Ndërkombëtare për Hulumtime mbi Kancerin (IARC) ka arritur në përfundimin se përfitimet e depistimit me testet e përcaktuara aktualisht të bazuara në jashtëqitje (testi i gjakut okult guaiac fekal ose testi imunokimik i feceve) dhe ekzaminimet endoskopike (sigmoidoskopia ose kolonoskopia) janë shumë të vlefeshme. Prandaj, testet e jashtëqitjes, të cilat janë të lira dhe të lehta për tu realizuar, janë më praktike në shumë zona të botës, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.

Programet e screening nuk rekomandohen në shumë vende me indeks të ulët të zhvillimit me incidencë të ulët, kështu që këto nisma janë të pakta në Afrikë, Azi dhe Amerikën e Jugut. Shqipëria ende nuk ka një program kombëtar screening për parandalimin e kancerit kolorektal. Mbijetesa është shumë më e lartë kur kanceri kolorektal zbulohet në një fazë të hershme; sidoqoftë, më pak se gjysma e rasteve diagnostikohen herët, madje edhe në vendet e zhvilluara, kryesisht për shkak të niveleve të kontrollit suboptimal. Për shembull, vetëm rreth 40% e kancerit kolorektal diagnostikohen në një fazë të hershme në Kanada, Danimarkë dhe Mbretërinë e Bashkuar, më shumë se 50% e rasteve kur vijnë në spitale në Shqipëri janë tashmë faza të përparuara metastatike.

Trajtimet moderne të kancerit kolorektal përfshijnë protokollet e trajtimit kirurgjikal i cili realizohet me kirurgji tradicionale të hapur, laparaskopike (me sondë) dhe kirurgjinë robotike e cila është shumë efikase sidomos në tumoret e rektumit. Trajtimit kirurgjikal i bashkangjitet trajtimi neoadjuvant (para operacionit) me kemioradioterapi në varësi të vlerësimit bashkarisht me mjekun onkolog, dhe trajtimi post-operator me kemioradioterapi, po përsëri në konsulencë me mjekun onkolog. Trajtimi i kancerit kolorektal është trajtim multidisiplinar, dhe përfshin disa specialistë të fushës, si kirurg, onkolog, radiolog, gastroenterolog, anatomopatholog, staf për kujdesin ndaj kolostomisë dhe rehabilitimit të pacientit etj. Shoqëria shqiptare ka nevojë për ndërgjegjësim të vazhdueshëm, informim me të gjitha burimet e informacionit, aplikimin e planit kombëtar të kontrollit të detyrueshëm kolonoskopik mbi moshën 50 vjeç, për parandalimin në kohë të sa më shumë rasteve potencialisht tumorale me një kosto të rënduar financiare si për shtetin ashtu dhe për individin, përgjatë procesit të trajtimit.

”Protegas sanitas, diutius vivere” mbroni shendetin, të jetoni gjatë.

Përgatitur nga MD. PhD, Lida Shosha #ColorectalConsultant, Spitali Amerikan 1.

Për më shumë informacion ose vizitë kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan, përqafoje jetën!

Çfarë është hernia diskale?

By Spitali Amerikan - Të Reja

Çfarë është hernia diskale?

Shtylla kurrizore përbëhet nga një shumicë e kockave të ndërlidhura të quajtura rruaza kurrizore. Midis këtyre strukturave kockore ndodhet struktura e quajtur disk, një ind jo i ngurtë që lidh rruazat e diskut intervertebral. Disqet e quajtura fibrosus annulus në mesin e një shtrese të jashtme formojnë një bërthamë solide të quajtur pulpos. Kjo strukturë mund të krahasohet me funksionin e balestrave të një makine.Roli i diskut është që t’i mundësojë boshtit kurrizor të njeriut lëvizje në të gjitha drejtimet. Si pasojë e lëvizjeve të ndryshme që bën njeriu gjatë punës dhe aktiviteteve të veta jetësore vjen deri te degjenerimi i diskut, duke kaluar nga një masë e butë në një masë më të fortë.

Po ashtu, si pasojë e këtyre degjenerimeve, por edhe si pasojë e ndonjë ngritjeje të ndonjë peshe apo ndonjë lëndimi, vjen deri te rrëshqitja e diskut që në gjuhën mjekësore quhet hernie diskale. Hernia diskale ndodh kur një nga disqet në shpinë fryhet prej vendit të tij të vërtetë. Disqet janë jastëkë të vogla rrethore në mes të vertebrave (unazave) në shpinën e trupit të njeriut. Ato janë të ngjeshura dhe shërbejnë si jastëk për unazat e shpinës. Herniet e disqeve bëjnë shtypjen e nervave, të cilët dalin nga shtylla kurrizore dhe shkaktojnë dhembje të ndryshme. Më së shumti paraqiten në pjesën e poshtme të shpinës.

Cila është metoda e kurimit ?

Rreth 80 – 90% e pacientëve që vuajnë nga hernia diskale e shfaqur papritmas mund të kurohen pa pasur nevojë për ndërhyrje urgjente kirurgjikale. Mjeku juaj zakonisht do e fillojë trajtimin me metoda jo kirurgjikale. Në rast se dhimbja ju rritet si pasojë e përmbushjes së aktivitetit të përditshëm jetësor, në rast se keni humbje të ndjesisë të urinimit ose problem me fuqinë tuaj atëherë mjeku mund t’ju rekomandojë për trajtimin kirurgjikal. Zakonisht kirurgjia e rekomanduar ka më shumë se 90% sukses për shërimin e dhimbjes së këmbëve, por duhet të vlerësohen dhe të respektohen rekomandimet e dhëna pas operacionit.

A mund të jetë urgjent operacioni i hernies diskale ?

Ndodh që hernia diskale shtyp rrënjët nervore që shkojnë drejt këmbëve dhe shkaktojnë humbje të fuqisë të këmbëve. Për këtë arsye mund të jetë i nevojshëm operacioni urgjent. Nëse ju ndodh dicka e tillë, atëherë ju duhet të drejtoheni tek mjeku. Në raste të rralla një hernie e madhe diskale për shkak të presionit mbi nerva bën të mundur humbjen e kontrollit të fshikëzës së urinës dhe zorrës së trashë. Pacienti fillon të urinojë në mënyrë të pavullnetshme. Kjo gjendje zakonisht shoqërohet me mpirje dhe humbje ndjeshmërie në pjesën e zonës genitale. Kjo situatë është një ndër disa raste të hernies diskale që kërkon kirurgji urgjente.

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekët tanë kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan, përqafoje jetën!

Në çfarë konsiston dhe përse shërben prova ushtrimore (biçikleta)? nga Dr. Alfred Nona

By Spitali Amerikan - Të Reja

Materiali është përgatitur nga Dr. Alfred Nona, kardiolog në Spitalin Amerikan 1.

Prova ushtrimore (ose stress test ose biçikleta në gjuhë popullore) është një nga instrumentet diagnostike dhe pronjostike më të përhapur që përdorin rregullisht kardiologët për vlerësimin e sindromës koronare kronike ose kardiopatisë iskemike kronike (ngushtimit të venave të zemrës në gjuhë popullore edhe pse në realitet ato janë arterie).

Qëllimi i përdorimit të PU (provës ushtrimore) është të identifikoj më shpejt dhe në kohë problematika kardiake që nuk evidentohen në kushte qetësie duke parandaluar probleme të mëtejshme që shpesh mund të jenë edhe serioze.

Sforcimi apo eforti që i bëhet pacientit është i tillë që atij t’i rritet frekuenca kardiake (rrahjet e zemrës) dhe vlerat e tensionit arterial, duke bërë që të rritet gjithashtu konsumimi i oksigjenit nga ana e miokardit, pra zemra të ketë nevojë për më shumë gjak për të përballuar këtë nivel pune me intensitet më të lartë (pra e lodhim zemrën me fjalë popullore).
Kjo e fundit më pas evidenton probleme që shihen vetëm në sforcime. Mjekët arrijnë të shohin ndryshime në nivel të elektrokardiogramës (EKG-së) e cila përsëritet disa herë gjatëë efortit apo ndryshime në simptoma dhe nëpërmjet këtyre ndryshimeve kuptojnë nëse kemi probleme me enët e gjakut.

Ky test përdoret edhe për problematika të tjera kardiake siç janë aritmitë e ndryshme. Pra në fazën e parë të sëmundjes së enës së gjakut (aterosklerozës pra koronaropatisë) reduktimi i kalibrit të koronareve mund të shihet vetëm me rritjen e konsumit të oksigjenit nga ana e miokardit pra me ushtrimin fizik.

Përdorimi i këtij testi bëhet tek ata individë që mund të kryejnë aktivitet fizik dhe mund të rrisin kapacitetet kardiocircolatore. Prova ushtrimore ka një profil sigurie shumë të lartë, por gjithsesi duhet të merren parasysh disa kritere apo kundërindikime absolute apo relative.
Nuk ka nevojë për përgatitje të veçantë, mjafton një veshje komode dhe një ushqim i lehtë disa orë përpara kryerjes.

Pra si përmbledhje PU përdoret për të diagnostikuar sindromën koronare kronike për ta konfermuar apo përjashtuar atë ose ndonjëherë për të vlerësuar aritmitë. Gjithashtu përdoret edhe për të vlerësuar efikasitetin e terapisë që po merr pacienti apo efikasitetin e ndërhyrjes me PCI (stent) apo By-Pass (operacion në zemër).

Kështu që të lejon të egzaminosh përgjigjen e aparatit kardiocircolator ndaj ushtrimit fizik duke vlerësuar Fc, PA modifikimet EKG dhe simptomat e referuara nga pz.

Metodika:


Mund të përdoren dy variante

1) cicloergometri ( biçikleta)

2) ose treadmill (tapis roulant apo tapeti në gjuhë popullore) ky i fundit është më i përdorur në USA dhe aktiviteti fizik është më fiziologjik dhe angazhon më tepër grupe muskolare dhe indukton një konsum oksigjeni 10-15% më të lartë sesa cicloergometri. Ky i fundit është më i sigurt, më i manovrueshem dhe me më pak artefakte në EKG, por që shpesh nuk arrijmë konsumimin maksimal të O2 nga lodhja muskolare sidomos tek individë në moshë edhe individë që janë pak të stërvitur.

Kohëzgjatja optimale gjatë efortit duhet të jetë 8-12 minuta dhe me një arritje të rrahjeve të zemrës që duhet të shkojnë të paktën 85% e kapacitetit maksimal të atij pacienti dhe gjatë egzaminimit është i nevojshëm monitorimi i vazhdueshëm me EKG dhe monitorimi i vlerave të tensionit në çdo stad (hap).


Motivet kryesore për ndërprerjen e stress test-it janë:

  1. Kur kemi dhimbje kraharori dhe dispnee të theksuar
  2. Ndryshime të ST-T poshtëë-livelim apo lart-livelim
  3. Sintoma neurologjike (ataksi, vertigo apo pre-sinkope)
  4. Aritmi madhore
  5. Kur kemi rënie të tensionit
  6. Lodhje muskolare
  7. Rritje shumë e madhe e vlerave tensive
  8. Zhvidhimi i një blloku të degës së majtë etj

Interpretimi i PU: duhet të marrim në konsideracion disa parametra siç janë fillimi i angor (dhimbjes së kraharorit), ndryshimeve elektrokardiografike, aritmive, përgjigjes hemodinamike dhe tolerancës ndaj efortit për të thënë që ajo provë është positive apo negative.

Sa është kapaciteti identifikues i ngushtimit të koronareve?PU ka një sensibilitet të ulët por një specificitet të lartë. Sensibilitet do të thotë, sa pacientë identifikojmë që kanë koronaropati në të gjithë të sëmuret me koronaropati, pra e thënë më thjeshtë në 100 persona me probleme me enët e gjakut sa arrijmë të identifikojmë ne, dhe në rastin e provës ushtrimore kjo vlerë është gati 65-70 % pra në 100 koronaropate identifikojmë 65-70 të tillë.
Ndërsa specificiteti i PU është më i lartë, afërsisht 80%, që do të thotë që 80% e të diagnostikuarve me provë positive (problematike) kanë realisht probleme me koronaret dhe vetëm 20% e atyre që dalin pozitiv (pra me probleme në stress test) mund të kenë probleme të tjera jo të lidhura me koronaret (pra janë FP, fals pozitiv).


Faktorët që influencojnë rezultatin e PU dhe janë detyrë e mjekut t’i identifikojë:

  1. Përdorimi i digoksinës (medikament i zemrës)
  2. Përdorimi i beta bllokuesve (medikamente zemre)
  3. Prezencë e një blloku të degës së majtë apo ndonjëherë edhe të djathtë, prezence e një pacemakeri që stimulon zemrën.
  4. Trashja e mureve të zemrës dhe një elektokardiogramë me ndryshime në kushte fillestare (ndryshime të segmentit ST-T), etj.

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekët tanë kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan, përqafoje jetën!

Humbi 57 kg pas ndërhyrjes tek “Spitali Amerikan”, Linda: Më ka ndryshuar jeta

By Spitali Amerikan - Të Reja

Jeta e Linda Dedës ka ndryshuar rrënjësisht pas rënies drastike në peshë. Një vit më parë, Linda i është nënshtruar ndërhyrjes së bypass-it gastrik në “Spitalin Amerikan”, ku ka arritur të humbë 57 kilogramë. Mjekët e Spitalit Amerikan thonë se është një ndërhyrje që iu ndryshon rrënjësisht jetën pacientëve.

“Ka patur disa pacientë që kanë bërë ndërhyrje, kur kanë ardhur nuk i kam njohur se kanë ndryshuar kaq shumë. Ka avantazhe të jashtëzakonshme. ndryshojnë jetën, cilësinë dhe zgjasin jetën“.

Linda ishte e ftuar në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” ku tregoi se si e mori vendimin për të bërë një ndërhyrje të tillë. Ajo u shpreh se pesha e tepërt kishte filluar t’i shkaktonte probleme në të ecur dhe me frymëmarrjen.


“Të duket ndërhyrje e madhe se është në organet e trupit, nuk është një ndërhyrje estetike. Ishte komplet e kundërta. Iu jap të drejtë familjarëve që shqetësohen para ndërhyrjes, kam ndenjur 5 netë në spital, të gjashtëm kam qenë në shtëpi dhe kam dalë për kafe pasdite. Domethënë se mendova se do t’i kthehesha aktivitetit normal menjëherë me vajtjen në shtëpi dhe se njeriu do të mund të mësonte të jetonte me gramatura të vogla.”, u shpreh ajo. 

Kirurgjia bariatike dhe teknika sleeve gastrectomy i mundëson pacientëve mbipeshë një zgjidhje optimale për të patur një jetë të shëndetshme.


Për më shumë informacion ose vizitë kontaktoni në 042357535 / 0693194929 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com


Spitali Amerikan, përqafoje jetën!

Sëmundjet anorektale në shtatzëni, pas lindjes dhe trajtimi i tyre – MD. PhD. Lida Shosha

By Spitali Amerikan - Të Reja

Dy të tretat e grave shtatzëna kanë simptoma anale gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes. Problemet më të zakonshme proktologjike të raportuara janë hemorroidet, fisurat anale, inkontinenca anale, sëmundje inflamatore. Absceset anale janë relativisht më të rralla gjatë shtatzënisë.

Shtatzënitë e vonshme kanë tendencë të çojnë më tej zhvillimin e sëmundjeve anorektale me prolapse eksterne hemorroidale të trombozuara, me strangulacion dhe nekrozë të noduseve hemorroidale. Simptomat anorektale më të rënda mund të përjetohen gjatë shtatzënisë së parë ose menjëherë pas lindjes.

Trajtimi mjekësor në kujdesin emergjent është trajtim simptomatik për prolapsin hemorroidal hemoragjik, ndërsa për prolapsin ekstern të trombozuar nëse trajtimi konservativ nuk është i efektshëm, atëherë mund të bëhet trombektomi eksterne, të lirohet pacientja nga dhimbja e fortë, për abcesin perianal bëhet drenazhi kirurgjikal. Në përgjithësi tentohet të mbahet një qëndrim konservativ në drejtim të trajtimit të pacienteve shtatzënë.

Shtatzënia dhe lindja nuk janë në vetevete shkaqet primare të sëmundjes së vërtetë hemorroidale dhe komplikacioneve anorektale. Faktori themelor etiologjik është shtrati venoz i dëmtuar më herët. Një histori e kujdesshme do të nxjerrë anamneze hemorroidale familjare në shumicën e rasteve, ose histori personale më të hershme. Ndryshimet hormonale dhe anatomike të shtatzënisë kanë një ndikim të thellë në anorektum duke e bërë sëmundjen hemorroidale ndërlikimin më të zakonshëm anorektal të shtatzënisë.

Fryrja e madhe e noduseve hemorroidale gjatë shtatzënisë është mjaft e zakonshme, kalimtare dhe kërkon vetëm një trajtim konservativ. Komplikimet serioze kërkojnë diagnozë endoskopike pavarësisht nga shtatzënia. Përvoja dhe studimet klinike dëshmojnë se sëmundja hemorroidale e komplikuar gjatë shtatzënisë duhet t’i nënshtrohet një trajtimi kirurgjik, që mund të kryet në mënyrë të sigurt pas tremujorit të dytë të shtatzënisë. Nëse është konstatuar sëmundja hemorroidale e avancuar, korrigjimi duhet të bëhet para një shtatzënie pasuese për të shmangur përkeqësim e mëvonshëm të kësaj sëmundje. Nëse ndodh një absces, drenazhimi kirurgjikal duhet të bëhet pa vonesë. Kirurgjia e fistulatve mund të trajtohet pas lindjes.

Polipet kolorektale, neoplazia malinje dhe koliti ulçeroz janë të pranishme më rrallë gjatë shtatzënisë. Këto patologji nuk ndryshohen nga shtatzënia dhe duhet të trajtohen gjithmonë në baza individuale. Nëse ekziston një problem diagnostikues në lidhje me një situatë serioze kolorektale, një proktosigmoidoskopi është e sigurt dhe nuk duhet të evitohet. Vonesa në diagnostikimin e polipozës së rektumit ose tumoreve malinje mund të rezultojë në avancim të lezionit malinj që mund të kompromentojë seriozisht jetën e gruas. Studimet roentgenologjike natyrisht duhet të shtyhen deri pas lindjes, përveç për kushtet jashtëzakonisht urgjente. Trajtimi kirurgjik për sëmundjen hemorroidale të komplikuar që nuk përmirësohet pas trajtimit konservativ mund të kryhet në mënyrë të sigurt gjatë e pas tremujorit të dytë të shtatzënisë. Nëse operacioni shtyhet deri pas lindjes se gruas preferohet javën e tetë deri në javën e dhjetë të paslindjes. Mirë është të bëhet një trajtim përfundimtar kirurgjikal i hemorroides në mes të shtatzënive. Në një studim u konstatua, se kur hemorroidektomia bëhet në mes të javës së katërmbëdhjetë dhe të tridhjetëedytë të shtatzënisë, 85% e të gjitha grave multipare referuan që kishin patur simptomat e para të rënda gjatë shtatzënisë së parë ose në lindjen e parë. Nëse në shtatzënitë e mëparshme gruaja ka bërë episode serioze të sëmundjes hemorroidale këshillohet operacion, hemoroidektomia profilaktike para një shtatzënie pasuese edhe nëse sëmundja është në fazë të qetë.

Është shumë i rëndësishëm, informimi i stafeve mjekësore që merren me shëndetin e gruas shtatzënë dhe lindjen mbi problematikat më të zakonshme anorektale gjatë shtatzënisë, lindjes dhe periudhës postpartum, identifikimi i faktorëve të rrezikut për zhvillimin e simptomave anale dhe trajtimi i duhur i tyre. Në një studim, me gratë shtatzëna dhe postpartum u konstatua se 68% e grave zhvilluan simptoma anale gjatë gjithë periudhës së studimit. Simptoma më komune ishte dhimbja anale, kapsllëku, shtrëngimi në defekim, feçe të forta, zbrazje jo e plotë, moskontrollimi i gazeve apo feçeve të lëngëta, sekrecione në të mbathura, pruritus, hemoragji, diskomfort perianal. Fenomenet e kapsllëkut janë më të shprehura në tremujorin e parë, ndërsa inkontinenca anale në tremujorin e tretë, por inkontinenca ndaj gazeve dhe feçeve është më shprehur në postpartum. Diagnoza më e shpeshtë është trombozë hemorroidale me prolapse hemorroidale sidomos në tremujorin e tretë dhe pas lindjes dhe fisura anale sidomos pas lindjes. Konstipacioni dhe një histori të problemeve anale të mëparshme janë faktorë të rëndësishëm rreziku për zhvillimin e ankesave anale gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes.

Simptomat anorektale janë të zakonshme si gjatë shtatzënisë ashtu edhe në periudhën pas lindjes. Dy të tretat e grave shtatzënë kanë simptoma anale gjatë shtatzënisë ose pas lindjes, sidomos komplikimet hemorroidale dhe fisure anale janë nga më të zakonshme gjatë tremujorit të fundit të shtatzënisë dhe 1 muaj pas lindjes. Kjo prevalencë e lartë thekson rëndësinë klinike të këtij problemi. Faktori më i rëndësishëm i rrezikut për zhvillimin e patologjive anorektale është konstipacioni apo kapslleku, lindja e të porsalindurit me peshë mbi >3800 g, shtrëngimi i theksuar gjatë lindjes për më shumë se 20 minuta, lindjet me forceps, episiotomia, laceracioni perianal etj. Rekomandohet një vëmendje e duhur në drejtim të simptomatologjisë anorektale që paraqesin gratë dhe konsultimi në kohë me mjekun koloproktolog për t’u trajtuar në kohë, evituar komplikacionet dhe lehtësuar vuajtjet nga patologjitë anorektale të cilat shpesh janë shumë më të mëdha sesa vetë shtatzënia.

Për më shumë informacion ose vizitë me MD. PhD, Lida Shosha kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan, përqafoje jetën!

#LidaShoshaMDPhD
#SpitaliAmerikan1

Shpëtoni nga mbipesha! Spitali Amerikan ka zgjidhjen e duhur me kirurgjinë bariatike.

By Spitali Amerikan - Të Reja

Në muajin shkurt, Spitali Amerikan vjen me një ofertë speciale për të gjithë ata që duan të humbin peshë, por nuk ia kanë arritur deri më sot.

Paketa përmban:

  • Ndërhyrjen Laparoskopike Sleeve Gastrectomy me qëndrim në spital deri në 3 netë.
  • Echo abdomeni totale
  • Gastroskopi me anestezi

Paketa kushton 5.200 euro dhe është e vlefshme nga data 1 deri më 28 shkurt 2021.

Sleeve Gastrectomy Laparoscopike (SGL) është një ndërhyrje e llojit restriktive, në të cilën stomaku formohet në formë tubi dhe ka një volum të reduktuar. Ndërhyrja kryhet me teknike Laparoskopike dhe parashikon heqjen e një pjese të madhe të stomakut ndërmjet një resecioni, realizuar me ndihmën e suturatriceve/qepëseve mekanike.

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekët tanë kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan, përqafoje jetën!

Dr. Edjon Hajro – Procedura e pacemakerit ( bateria e zemrës)

By Spitali Amerikan - Të Reja

Pacemakeri kardiak ose e njohur ndryshe si bateria e zemrës është një pajisje e vogël që vendoset nën lëkurë në anën e majtë ose të djathtë të kraharorit tuaj për të ndihmuar ritmin e zemrës.

Kjo pajisje ndihmon zemrën tuaj të rrahë më rregullisht kur rrahjet e zemres janë tëë ulta ose kur keni një rrahje zemre të çrregullt (aritmi) .

Vendosja e pacemaker kryhet me anë të një procedure kirurgjikale.

Pacemaker vendosen për të ndihmuar në kontrollimin e rrahjeve të zemrës. Ato mund të vendosen përkohësisht për të trajtuar një ritëm të ngadaltë të zemrës që mund të shkaktohet nga mosha (pleqëria), nga një infarkt në zemër, operacioneve në zemër( bypass ose operacione të valvulës) ose mbidozës së ilaçeve.

Zemra është një organ muskulor, me madhësi të grushtit me katër dhoma, dy në anën e majtë dhe dy në të djathtë. Dhomat e sipërme (veshore e djathtë dhe e majtë) dhe dhomat e poshtme (barkushet e djathtë dhe të majtë) punojnë të kordinuara me njëra-tjetrën nëpërmjet sistemit elektrik të zemrës tuaj për të mbajtur rrahjet e zemrës suaj në një shpejtësi të përshtatshme – zakonisht 60 deri në 100 rrahje në minutë për të rriturit në gjendje qetësie.

Sistemi elektrik i zemrës fillon me nyjen e sinusit (njëë grup qelizash në pjesën e sipërme të veshores së djathtë) dhe duke u përhapur në pjesën e poshtme në nyjen atrioventrikulare duke bërë që ajo të kontraktohet dhe të pompojë gjak.

Çfarë funksioni ka një pacemaker?

Një pacemaker i zemrës imiton/zëvendëson veprimin e sistemit tuaj elektrik natyror.

Një pacemaker përbëhet nga dy pjesë:

Gjeneratori: Kjo pajisje e vogël përmban një bateri dhe qark elektrik që percepton ritmin e zemres dhe në rast tëë uljeve tëë rrahjeve rregullon shpejtësinë e tyre duke dërguar impulse elektrike në zemrën tuaj.

Elektroda(t): Një deri në tre tela fleksibël, të izoluar vendosen secila në një dhomë, ose në dhomat e zemrës dhe përçojnë impulset elektrike të prodhuara nga gjeneratori, për të rregulluar rrahjet e zemrës suaj.

Pacemaker-et punojnë vetëm kur është e nevojshme. Nëse rrahjet e zemrës suaj janë shumë të ngadalta (bradikardi), bateria e zemrës dërgon sinjale elektrike në zemrën tuaj për të korrigjuar rrahjet. Pacemakeri nuk ka rol kur rrahjet janë të larta,(në përjashtim të defibrilatorit kardiak (ICD) që është i ngjashëm me pacemakerin, por që vendoset tek pacientët me aritmi). Gjithashtu, pacemaker më të rinj kanë sensorë që zbulojnë lëvizjen e trupit ose ritmin e frymëmarrjes, të cilët sinjalizojnë stimuluesit e ritmit për të rritur rrahjet e zemrës gjatë ushtrimeve, sipas nevojës.

Rezultatet

Vendosja e një pacemaker përmirëson simptomat e shkaktuara nga rrahjet e ngadalta të zemrës, si lodhja, marrje mendsh dhe humbja e ndjenjave kur ato shkaktohen nga rrahjet e ulëta.

Kardiologu duhet të kontrollojë baterinë e zemrës çdo tre deri në gjashtë muaj si fillim dhe më pas një herë në vit.

Jetëgjatësia e pacemakerit ndryshon në varësi të periudhës që futet në punë mesatarisht shkon 8-10 vjet. Kur bateria konsumohet duhet një ndërhyrje për ta zëvendësuar gjeneratorin e baterisë. Procedura për të ndryshuar baterinë e stimuluesit të zemrës tuaj shpesh është më e shpejtë dhe kërkon më pak kohë shërimi sesa procedura për të vendosur pacemaker.

Meqenëse shumica e pacemaker të sotëm automatikisht rregullojnë rrahjet e zemrës tuaj që të përputhen me nivelin e aktivitetit tuaj fizik, ato mund t’ju lejojnë të rifilloni një mënyrë jetese më aktive.

Për më shumë informacion ose vizitë me Dr. Edjon Hajro, kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan, përqafoje jetën!

Shpëtoni nga mbipesha! Kirurgjia bariatike një zgjidhje e mirë.

By Spitali Amerikan - Të Reja

Sleeve Gastrectomy Laparoscopike (SGL) është një ndërhyrje e llojit restriktive, në të cilën stomaku formohet në formë tubi. Teknika SGL është shpikur në fillim në Angli dhe më vonë është përdorur edhe në shtete të tjera si SHBA, Gjermani dhe Belgjikë. Ndërhyrja mund të kryet me teknike Laparoskopike dhe parashikon heqjen e një pjese të madhe të stomakut ndërmjet një resecioni, realizuar me ndihmën e suturatriceve/qepëseve mekanike. Pjesa e mbetur e stomakut merr formën e një tubi dhe me një volum shumë të reduktuar, me një kapacitet rreth 100/150 ml. Kjo procedurë nuk është e kthyeshme ngaqë një pjesë e madhe e stomakut hiqet. Nervat e stomakut dhe pilori, “valvula e daljes”, janë të paprekura në mënyrë që të ruhet funksioni i stomakut edhe pse volumi është i reduktuar.

Avantazhet

  • Nuk përdoren proteza si në ndërhyrje të bendazhit gastrik
  • Eliminihet pjesa e stomakut që prodhon hormonin që stimolon urinë (Grelina)
  • Nuk ka Dumping Sindromë, sepse pilori ruhet
  • Risku për ulçër është minimal
  • Risk minimal për anemi, osteoporozë dhe defiçit proteinik dhe të vitaminave
  • Efikasitet të lartë si ndërhyrje e parë në pacientët me BMI të lartë (>50-60)
  • Rezultate të mira si ndërhyrje e vetme në pacientët me BMI të ulët (35-45)
  • Indikacion kirurgjikal për pacientët me anemi, sëmundjen e Crohn dhe patologji të tera për të cilat ndërhyrja e By Pass Gastrik është me risk të lartë
  • Mund të konvertohet në një ndërhyrje tjetër, si për shembull një Gastrik ByPass ose Duodenal Sëitch. Reduktohet rreth 50% – 80% e mbipeshës në tre vjet. Mundësia që stomaku të ridimensionohet dhe të ketë një rimarrje të peshës trupore.

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekët tanë kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan, përqafoje jetën!

Histori suksesi në Spitalin Amerikan – Dr. Artan Jahollari

By Spitali Amerikan - Të Reja

COVID-19 i zbuloi sëmundjen e fshehtë të zemrës: Pacienti Hyqmet Shalja operohet me sukses në Spitalin Amerikan 3

Ne fund të nëntorit të vitit të kaluar pacienti Hyqmet Shalja u infektua me Covid 19, me pasojë prekje të konsiderueshme të mushkërive (50%) dhe rënie të theksuar të oksigjenimeve. Për këtë arsye 64-vjeçari iu nënshtrua trajtimit me oksigjen, antibiotikë intravenoze, antikoagulantë etj, por në fund të javës së dytë të infeksionit pësoi dhimbje gjoksi dhe vështirësi në frymëmarrje.

Pas diagnostikimit me infarkt akut të miokardit ai iu nënshtrua koronarografisë e cila tregoi ngushtime serioze në arteriet koronare (enët që furnizojnë zemrën me gjak). Penumonia e COVID 19 duke e sforcuar shumë organizmin, nxori në pah dhe përkeqësoi sëmundjen e arterieve koronare e cila kish mbetur e fshehtë deri atëherë. Duke patur parasysh gjendjen e përgjithshme jo të mirë si dhe fazën aktive të infeksionit fillimisht u trajtua me terapi i hospitalizuar e më pas në shtëpi. Pas 1 muaji gjendja e përgjithshme e tij erdhi duke u përmirësuar dhe pacienti iu nënshtrua operacionit në zemër për trajtimin përfundimtar të problematikës me arteriet koronare.

Pacientit ju krye bypass koronar i trefishtë pa ndalur zemrën me tekniken off-pump (OPCABGX3). Operacioni u krye me sukses nga kirurgu kardio-vaskular Dr.Artan Jahollari dhe pacienti rikuperoi shpejt duke lënë spitalin pas 7-të ditësh nga ndërhyrja.

Teknika e bypassit off-pump, krahas bypassit klasik (on-pump), praktikohet rutinë në Spitalin Amerikan 3 nga Dr.Artan Jahollari.

Kjo teknikë ofron rikuperim dhe rehabilitim të shpejtë e siguron avantazhe sidomos në rastet me rrezikshmëri të lartë dhe me sëmundje bashkëshoqëruese.

Për më shumë informacion ose vizitë me kirurgun kardio-vaskular, Dr. Artan Jahollari kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan, përqafoje jetën!

Kirurgjia estetike e hundës (Rinoplastika) – Dr. Rezarta Kapaj

By Spitali Amerikan - Të Reja

Kirurgjia e hundës (teknikisht e quajtur Rinoplastikë) është operacioni i hundës për të ndryshuar formën ose për të përmirësuar funksionin e saj.
Mund të bëhet për arsye mjekësore – të tilla si për të korrigjuar problemet e frymëmarrjes në lidhje me hundën ose për të korrigjuar nje defekt që rezulton nga trauma ose defekte të lindjes. Mund të bëhet edhe për arsye estetike, të cilat do të ndryshojnë formën dhe pamjen e hundës.

Vendimi për Rinoplastikë.

Nëse po mendoni të bëni Rinoplastikë, caktoni një takim me kirurgun tuaj për ta diskutuar atë. Gjatë atij takimi, flisni për qëllimet tuaja dhe tregojini mjekut se çfarë ju shqetëson për hundën tuaj dhe si dëshironi ta ndryshoni atë. Mbani në mend se nuk ka diçka të tillë si hundë e përsosur. Kirurgjia plastike, mund të përmirësojë tiparet e fytyrës dhe të theksojë bukurinë tuaj unike dhe natyrore. Një kirurg plastik mund të përshkruajë tiparet e fytyrës që ju bëjnë unike dhe t’ju tregojë se si ndryshimet do të përmirësonin pamjen tuaj. Kirurgu do të vlerësojë strukturën e hundës tuaj dhe tiparet e tjera të fytyrës. Pas këtij vlerësimi, ata mund t’ju tregojnë nëse pritshmerite tuaja janë reale. Kirurgu gjithashtu do të marrë në konsideratë shëndetin tuaj të përgjithshëm dhe duhet të diskutojë me ju rreziqet, kohën e shërimit dhe kostot e përfshira.

Rinoplastika: Hap pas Hapi

Rinoplastika duhet te kryhet në një qendër spitalore të mirëfilltë. Me anestezi të përgjithshme ose lokale. Me anestezi të përgjithshme, do të flini gjatë operacionit. Me anestezi lokale, ju do të qetësoheni dhe hunda juaj do të jetë e mpirë kështu që të jeni të relaksuar dhe nuk do ndjeni dhimbje.
Gjatë operacionit, kirurgu bën prerje brenda vrimave të hundës. Në raste më të vështira, kirurgu mund të bëjë edhe prerje nëpër bazën e hundës. Kirurgu pastaj riformon kockën e brendshme dhe kërcin për të prodhuar një pamje sa më të këndshme.

Rikuperimi pas Rinoplastikës

Pas ndërhyrjes, pacientët zakonisht mbajnë një mbulese në hundë për javën e parë. Mund të keni ënjtje dhe disa mavijosje rreth syve pas operacionit që do të fillojnë të përmirësohen pas ditës së tretë. Forma përfundimtare e hundës suaj do të jetë e dukshme pasi të jetë shëruar plotësisht. Duhet të shmangni aktivitetin fizik për tre deri në gjashtë javë pas operacionit.

Kirurgjia estetike e hundës në Spitalin Amerikan kryhet nga Dr. Rezarta Kapaj, kirurge plastike rikonstruktive.

Për më shumë informacion ose vizitë me Dr. Rezarta Kapaj kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan, përqafoje jetën!

Page 8 of 34«‹678910›»

Të Fundit

  • Mario Karaj – CEO i Spitalit Amerikan, intervistë ekskluzive për prestigjozen “USA Today”
    Mario Karaj – CEO i Spitalit Amerikan, intervistë ekskluzive për prestigjozen “USA Today”
    05/03/2025
  • Nga Dhjetori 2006, Spitali Amerikan prej 17 vitesh mundëson shërbimet bashkëkohore që dikur detyronin shqiptarët të dilnin jashtë vendit
    Nga Dhjetori 2006, Spitali Amerikan prej 17 vitesh mundëson shërbimet bashkëkohore që dikur detyronin shqiptarët të dilnin jashtë vendit
    13/12/2023
  • Masterklasi Ndërkombëtar i Imazherisë së Gjirit mbledh në Tiranë elitën e mjekësisë shqiptare dhe të huaj
    Masterklasi Ndërkombëtar i Imazherisë së Gjirit mbledh në Tiranë elitën e mjekësisë shqiptare dhe të huaj
    18/09/2023
  • Kujdes shëndetin në stinën e nxehtë, Spitali Amerikan ofron paketat ekzaminuese për korrik-gusht 2023
    Kujdes shëndetin në stinën e nxehtë, Spitali Amerikan ofron paketat ekzaminuese për korrik-gusht 2023
    10/07/2023
  • Prof.Dr. Perlat Kapisyzi FCCP: Pletismografia, është i vetmi ekzaminim i sistemit respirator që vlerëson shkëmbimin e oksigjenit në nivel alveolar
    Prof.Dr. Perlat Kapisyzi FCCP: Pletismografia, është i vetmi ekzaminim i sistemit respirator që vlerëson shkëmbimin e oksigjenit në nivel alveolar
    15/05/2023
  • Sindromi i Zorrës së Gjatë apo Dolichosigmoid Colon Syndrome
    Sindromi i Zorrës së Gjatë apo Dolichosigmoid Colon Syndrome
    06/03/2023
  • Infeksionet Stafilokoksike, diagnostikimi, trajtimi dhe masat parandaluese
    Infeksionet Stafilokoksike, diagnostikimi, trajtimi dhe masat parandaluese
    06/03/2023
  • Urtikariet, Dr. Shk.Alketa Bakiri: Ja çfarë duhet të bëni kur keni këto manifestime kutane në lëkurë të shoqëruara me skuqje dhe kruarje
    Urtikariet, Dr. Shk.Alketa Bakiri: Ja çfarë duhet të bëni kur keni këto manifestime kutane në lëkurë të shoqëruara me skuqje dhe kruarje
    06/03/2023
  • Doktor, kur je mbi 40 vjeç, duhet ta marrësh aspirinën e zemrës?
    Doktor, kur je mbi 40 vjeç, duhet ta marrësh aspirinën e zemrës?
    06/03/2023
  • Ad hominem “Protegas sanitas, diutius vivere” – Mbroni shëndetin, të jetoni gjatë.
    Ad hominem “Protegas sanitas, diutius vivere” – Mbroni shëndetin, të jetoni gjatë.
    06/03/2023
© American Hospital sh.a. Të gjitha të drejtat e rezervuara. - Politikat e privatësisë