Tel. +355 (0) 42 35 75 35    -    Kontakt    -               
American Hospital
  • Shërbimet Mjekësore
  • Stafi Mjekësor
  • Degët
  • Të Reja
  • Pacientët
  • Rreth Nesh
    • Chairman
    • Burimet Njerëzore
    • Pyetjet më të shpeshta
    • Kontakt
  • EnglishEnglish
  • Shërbimet Mjekësore
  • Stafi Mjekësor
  • Degët
  • Të Reja
  • Pacientët
  • Rreth Nesh
    • Chairman
    • Burimet Njerëzore
    • Pyetjet më të shpeshta
    • Kontakt
  • EnglishEnglish

Alergologji

By Spitali Amerikan -

Alergologji

Alergologjia është një specialitet që merret me parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve alergjike, patologji këto me ndërmjetësi imunologjike me shkak hipersensibilitetin ndaj alergenëve ajrorë, ushqimorë, medikamentozë dhe të kontaktit, ku përfshihen:

  • Astma Bronkiale
  • Riniti Alergjik
  • Anafilaksia
  • Urtikaria
  • Angioedema
  • Dermatiti Atopik
  • Dermatiti i Kontaktit
  • Alergjia Ushqimore
  • Reaksionet Medikamentoze etj.

Shërbimet e departamentit të alergologjisë të ofruara pranë Spitalit Amerikan janë gjithëpërfshirëse dhe çojnë në vendosjen e diagnozës dhe përcaktimin e trajtimit mbajtës dhe përfundimtar të sëmundjeve alergjike:

1. Konsulta me mjekun alergolog i cili pas marrjes së një historiku të hollësishëm të sëmundjes së pacientit dhe ekzaminimit fizik vendos për kryerjen e ekzaminimeve përkatëse

2. Ekzaminimet laboratorike si:

  • IgE specifike për alergenët ajrorë,
  • IgE specifike për alergenët ushqimorë,
  • IgE specifike për alergenët medikamentozë
  • IgE specifike për helmin e insekteve, si bleta dhe grerëza shkaktare këto të simptomave të pacientit

3. Ekzaminimet në lëkurë si:

  • Prick test në lekurën e parakrahut për alergenët ajrorë dhe ushqimorë,
  • Prick test për helmin e bletës dhe grerëzës,
  • Patch test në lëkurën e shpinës për alergenët e kontaktit,
  • Intradermal test për medikamente të ndryshme si antibiotikë, antiinflamatorë, dhe anestetike

4. Spirometria – prova funksionale respiratore e cila evidenton prekjen e funksionit pulmonar si pasojë e kontaktit me agjentët shkaktarë të simptomave në rrugët e frymëmarrjes

5. Trajtimi i sëmundjeve alergjike kryhet nëpërmjet:

  • Edukimit të pacientit rreth evitimit të agjentit shkaktar të simptomave alergjike
  • Mjekim medikamentoz për patologjitë përkatese, edukimi për përdorimin e tyre
  • Imunoterapia alergen specifike (vaksinimi), apo trajtimi desensibilizues për pacientë të cilët kanë rezultuar sensibël ndaj alergenëve të testuar me ekzaminime laboratorike dhe në lëkurë, i cili trajton sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes dhe parandalon Astmën Bronkiale.

Anatomopatologji

By Spitali Amerikan -

Anatomopatologji

Anatomia patologjike (Anatomopatologjia) është një degë e mjekësisë që studion sëmundjet njerëzore përmes ekzaminimit makroskopik të organeve ose mikroskopik të indeve dhe qelizave. Në aspektin klinik anatomia patologjike ka një rol thelbësor në planifikimin e terapive të mundshme mjekësore ose kirurgjikale duke ofruar diagnoza mbi indet apo qelizat e marra nga pacientët e dyshuar si të prekur nga një sëmundje. Ekzaminimet anatomapatologjike bëjnë të mundur dallimin mes indeve normale, inflamacionit, tumoreve beninje ose malinje dhe situatave të tjera patologjike.

Shërbimet:

Diagnozë histopatologjike të sëmundjeve nga të gjitha pjesët e trupit të njeriut.

Ekzaminim preoperatore, intraoperatore (frozen biopsi, biopsi extempore), postoperatore.

Citologji preoperatore, intraoperatore dhe postoperatore.

Imunohistokimi.

Imunofluoreshence.

Patologji molekulare.

Autopsi.

Anesteziologji

By Spitali Amerikan -

Anesteziologji

Ky departament ofron shërbim 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë duke qenë në çdo moment dhe në kohë reale në shërbim të pacientëve.

Duke qenë një Departament specific, i cili në sallë ofron shërbime anesteziologjike për të gjitha kirurgjitë që zhvillohen në spital, si dhe duke pasur në dispozicion një Stacion Intensiv ku trajtohen pacientë me probleme nga më të ndryshmet shëndetësore dhe që kërkojnë trajtim multidisciplinar, si moto të punës tonë e kemi bashkëpunimin dhe koordinimin maksimal me të gjithë mjekët e departamenteve të tjera, me qëllimin e vetëm suksesin në trajtimin e pacientëve, minimizimin e komplikimeve dhe uljen e kohëzgjatjes së qëndrimit të pacientëve në spital.

Departamenti i Anesteziologjisë përbëhet nga specialistë të Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv, ku secili ka përvojë shumëvjeçare dhe eksperiencë brenda edhe jashtë vendit, duke sjellë praktikat më të mira të Anestezisë dhe të Mjekimit Intensiv.

Departamenti i Anesteziologjisë është i standardeve të larta me salla dhe teknikë më të avancuar nga shëndetësia botërore.

Blloku operator i Spitalit Amerikan disponon salla operacioni të standardeve të fundit, si blloqet operatore në Evropë.

Shërbime:

  • Anestezi e ndërhyrjeve kirurgjikale
  • Anestezi e ndërhyrjeve ditore
  • Sedatim në metodat invazive diagnostikuese
  • Sedatim në metodat invazive terapeutike
  • Anestezi te të miturit dhe fëmijët
  • Sedatim te të miturit dhe fëmijët
  • Menaxhim i dhembjeve në lindje
  • Menaxhim i dhembjeve kronike
  • Menaxhim i dhembjeve traumatike

Check Up

By Spitali Amerikan -

Check Up

Pse të shkojmë tek mjeku kur ndihemi mirë?!
Pse t’i nënshtrohemi Check Up- it edhe kur nuk kemi ankesa?!

SEPSE:

  • Diagnostikimi në stadet e para të sëmundjes çon në ecuri më të mirë të saj.
  • Studimi i stilit të jetesës (përdorimi i cigares, alkoolit, apo sjellje të tjera me risk) dhe i historisë mjekësore personale dhe familjare gjatë vizitës së Check Up ndihmon në parandalimin e sëmundjeve.
  • Check Up – i juaj nuk vlerëson vetëm mirëqenien tuaj fizike, por edhe shëndetin tuaj mendor.
  • Vizita e përvitshme tek mjeku juaj ndihmon në krijimin e një marrëdhënie më komode mjek-pacient.
  • Dhe…. Sepse ju jeni më të qetë kur ia besoni shëndetin tuaj profesionistëve!


Për të mbrojtur dhe ruajtur shëndetin…

Glicemia

Ky test mat nivelin e glukozës në gjak, burimit kryesor të energjisë për qelizat e trupit dhe të vetmit për sistemin nervor. Përdorimi i glukozës për energji varet nga insulina, një hormon i prodhuar nga pankreasi. Ka disa patologji që shoqërohen me çrregullime të niveleve plazmatike të glukozës dhe hormoneve të tjera të përfshira. Më kryesorja është diabeti, i cili përmbledh një grup çrregullimesh të lidhura me prodhimin e pamjaftueshëm të insulinës dhe/ose rezistencën ndaj insulinës.

Në rastet kur kemi të bëjmë me mosprodhim të mjaftueshëm të insulinës jemi përpara DIABETIT TIP 1. Ndërsa kur kemi rezistencë ndaj insulinës, kemi DIABETIN TIP 2.
Diabeti është një sëmundje kronike, e cila duhet ndjekur me shumë seriozitet, pasi nivelet e larta të sheqerit shkaktojnë dëmtime në organe si në veshka, sy, zemër, enë gjaku dhe në sistemin nervor.

Gjatë shtatzënisë mund të shfaqet hiperglicemia apo diabeti gestacional, i cili mund të japë çrregullime tek nëna dhe bebi, nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet. Po ashtu hipoglicemia, niveli i ulët i sheqerit, mund të shkaktojë dëmtime në Sistemin Nervor Qendror dhe Periferik.

HbA1c

Ky test mat sasinë e hemoglobinës që lidhet me glukozën. Bëhet fjalë për A1c, një nga format e hemoglobinës. Sa më i lartë niveli i glukozës (sheqerit) në gjak, aq më i lartë është edhe niveli i HbA1c. Meqë jetëgjatësia e eritrocitit është 120 ditë, ky test na jep informacion për nivelet e sheqerit në gjak për 2-3 muajt e fundit. Pra, është një test i rëndësishëm për të ndjekur ecurinë e pacientëve diabetikë, por së bashku edhe me ekzaminime të tjera edhe për të diagnostikuar diabetin Mellit.

ALT/AST

Alaninë Aminotransferaza (ALT) dhe Aspartate aminotransferaza (AST) janë enzima të gjetura në mëlçi, por në sasi të ndryshme gjenden edhe në veshka, në zemër dhe në muskuj. Mëlçia është organ shumë i rëndësishëm pasi ndihmon në tretjen e ushqimeve, në eliminimin e substancave toksike, si dhe në prodhimin e shumë proteinave si psh: faktorët e koagulimit. Në njerëzit me mëlçi të shëndetshme niveli i këtyre enzimave është brenda normës. Ato rriten në dëmtimet e mëlçisë nga infeksionet e ndryshme virale, hepatitet, mbidozimi me ilaçe, apo përdorimi i alkoolit.

ESR

Eritrosedimenti (ESR) është një ekzaminim që shpreh shkallën e inflamacionit në trupin e njeriut. Ai mat shpejtësinë e lëvizjes së eritrociteve në një tub vertikal. Kur kemi inflamacion rritet përqëndrimi i proteinave specifike si fibrinogjeni, imunoglobulinat duke bërë kështu rënien më të shpejtë të eritrociteve, pra rritjen e eritrosedimentit. Eritrosedimenti rritet në situata të ndryshme si infeksione, sëmundje autoimune, apo ato malinje.

Hemograma

Hemograma është një ekzaminim që na jep informacion për tre ndarjet kryesore të gjakut. Rruazat e kuqe, Rruazat e bardha dhe Trombocitet.

Emërtimet kryesore në hemogramë:

  • WBC Leukocite (rruazat e bardha)
  • RBC Eritrocite (rruaza të kuqe)
  • Hb Hemoglobina
  • Hct Hematokriti
  • MCV Volumi mesatar korpuskular
  • MCH Hemoglobina mesatare korpuskulare
  • MCHC Përqëndrimi mesatar i hemoglobinës korpuskulare
  • PLT trombocitet

Eritrocitet përmbajnë hemoglobinën, proteinë kjo që transporton oksigjenin nëpër qelizat e organizmit. Tek njeriu i shëndetshëm rruazat e kuqe kanë formë të ngjashme dhe përqëndrim normal të Hb. Ndryshime kemi në rastet e patologjive si mungesa e hekurit, Vit B12 apo acidit folik. Në rastet kur niveli i Hb apo numri i eritrociteve është më i vogël se norma kemi të bëjmë me anemi, e cila manifestohet me këputje trupi, debulesë të përgjithshme dhe vështirësi në frymëmarrje. Por ka raste që asnjë ankesë nuk është e pranishme. Në rastet kur numri i eritrociteve është mbi normë kemi të bëjmë me policiteminë, e cila shoqërohet me çrregullime të fluksit të gjakut në enët e gjakut.

PLT- trombocitet luajnë rol shumë të rëndësishëm në koagulimin e gjakut. Nëse numri i tyre është i ulët kemi risk të shtuar për hemorragji.

WBC -leukocitet janë klasa përgjegjëse për mbrojtjen ndaj infeksioneve. Ato kanë disa nënklasa: neutrofilet, limfocitet, bazofilet, euzinofilet dhe monocitet. Në varësi se cila prej nënklasave është e rritur gjykojmë edhe për llojin e shkaktarit, psh në rastet e infeksioneve bakteriale rritet numri i neutrofileve, ndërsa në ato virale kryesisht limfocitet. Në rastet e alergjive pritet një rritje e numrit të euzinofileve.

Azotemia

Ky test mat në gjak sasinë e metaboliteve që formohen nga metabolizmi i aminoacideve dhe proteinave në mëlçi e më pas në veshka. Tek njeriu i shëndetshëm kjo sasi është brenda kufijve të normës. Në rastet e patologjive që çojnë në prodhim të shtuar nga mëlçia, apo në eliminim të pakët nga veshka niveli i azotemisë rritet. Ndërsa në patologji të tjera apo dëmtime të mëlçisë të shoqëruara me ulje të prodhimit, atëherë azotemia do të rezultojë e ulur.

Kreatinemia

Kreatinina është një produkt i degradimit të kreatinës, substancë kjo e ndodhur në qelizat muskulare. Pothuajse e gjithë sasia e kreatininës eliminohet me veshka. Prandaj ky ekzaminim është tregues i përshtatshëm për funksionin e veshkave, por, niveli i saj varet edhe nga masa muskulore e njeriut. Pra, pritet që tek meshkujt ky nivel të jetë më i lartë se sa tek femrat dhe fëmijët.

Lipidograma

Lipidograma është një ekzaminim që tregon nivelin e yndyrnave në gjak, përkatësisht kolesterolit, triglicerideve dhe nënklasave të tyre. Kolesteroli është një substancë thelbësore në organizmin e njeriut, pasi gjendet në përbërjen e membranave qelizore, si dhe merr pjesë në sintezën e hormoneve apo në proceset e tretjes dhe të përthithjes së ushqimeve. Një pjesë e kolesterolit qarkullon në gjak në formën e komplekseve lipoproteinike, përkatësisht: HDL – C (kolesteroli i mirë) që e largojnë kolesterolin nga qarkullimi dhe LDL – C (kolesteroli i keq) që e depozitojnë atë në inde dhe organe. Është shumë e rëndësishme mbajtja në nivelet e lejuara të kolesterolit, pasi në nivele të larta ai depozitohet në formën e pllakave aterosklerotike në enët e gjakut duke i ngushtuar ato dhe duke shtuar riskun për sëmundje kardiovaskulare.
Trigliceridet janë një burim i rëndësishëm energjie për organizmin. Ato ndodhen në indin dhjamor, por qarkullojnë edhe në gjak, shumica e tyre të lidhura me disa lipoproteina VLDL.
Përveç mënyrës së ushqyerit, në rritjen e triglicerideve në gjak, ndikon edhe stili i të jetuarit, jeta pasive, përdorimi i cigares, alkoolit apo patologji si diabeti dhe sëmundjet renale.

Analizë urine

Ky test përcakton praninë e metabolitëve normalë dhe patologjike të organizmit, praninë e qelizave apo bakterieve në urinë. Urina prodhohet nga veshkat, ku bëhet edhe filtrimi i gjakut, duke eliminuar toksinat dhe duke ruajtur në gjak një bilanc normal proteinash, elektrolitesh dhe uji. Zakonisht urina ka ngjyrë të verdhë të qartë, por mund të variojë nga momenti kur merret analiza, si dhe gjendja klinike e njeriut. Normalisht urina nuk duhet të përmbajë glukozë, proteinë, bilirubinë, rruaza të kuqe, të bardha, kristale apo bakterie. Ato mund të shfaqen në rastet kur sasia e disa substancave është e lartë në gjak, psh diabeti që manifestohet me sheqer të lartë në gjak, por edhe në rastet e infeksioneve apo sëmundjeve të veshkave.

PSA

Antigjeni specifik prostatik (PSA) është një proteinë e prodhuar nga qelizat e gjendrës së prostatës. Është një test që ndihmon në depistimin e sëmundjeve të prostatës, por edhe në ndjekjen e ecurisë tek pacientët e diagnostikuar tashmë me këto çrregullime. Ka dy teste specifike: total PSA dhe free PSA. Në diagnostikimin e patologjive specifike është shumë e rëndësishme matja e të dyja formave, si edhe raporti ndërmjet tyre.

Hepatiti B

Hepatiti B është një infeksion i mëlçisë i shkaktuar nga një virus specifik me të njëjtin emër (HBV). Ai është një ndër shumë shkaktarët e inflamacionit apo zmadhimit të mëlçisë dhe për më tepër të hepatitit kronik. Rrugët e transmetimit janë nëpërmjet gjakut dhe shiringave që zakonisht përdoren ndërmjet përdoruesve të drogave intravenoze, si dhe lëngjeve të tjera të trupit, spermës, sekrecioneve vaginale. Nënat shtatzëna të infektuara mund t’ja transmetojnë këtë virus fëmijës. Gjithsesi, transmetimi varet edhe nga titri i antigjeneve në trup, statusi i individit që e ka virusin si psh, me infeksion aktiv, mbartës inaktivë etj.

Ecuria e këtij infeksioni kalon nëpër disa stade:

  • Forma akute që mund të manifestohet me shenjat e një viroze si ethe, këputje trupi, të përziera, të vjella, zverdhje të trupit. Por shpesh kjo fazë mund të kalojë pa shenja specifike.
  • Forma kronike ku prezenca e virusit detektohet nga testet laboratorike dhe shoqërohet me inflamacion të mëlçisë.
  • Forma e mbartësit ku virusi është i pranishëm, por nuk ka inflamacion të mëlçisë.
  • Infeksion i shëruar ku testet virusale bëhen negative dhe nuk kemi shenja apo inflamacion të mëlçisë.

Ka teste specifike që matin nivelin e antigjeneve, antitrupave apo edhe ADN e virusit. Është shumë e rëndësishme ndjekja e të gjitha formave të këtij virusi me analiza gjaku, bilance biokimike dhe ekzaminime imazherike. Tashmë ekziston edhe vaksina për parandalimin e hepatitit B.

HIV

HIV është virusi që shkakton sëmundjen e AIDS (Acquired immunodeficiency syndrome). Është një virus që dëmton sistemin imunitar, duke ulur aftësitë e organizmit për t’u mbrojtur nga sëmundjet e ndryshme. Për këtë arsye, pacientët e diagnostikuar me praninë e këtij virusi janë të prekshëm nga disa infeksione të shkaktuara nga viruse, bakterie apo funge, që tek njerëzit pa këtë virus, zakonisht nuk shkaktojnë probleme.

Rrugët e transmetimit janë: marrëdhëniet seksuale; kontakti me gjakun e infektuar apo nënproduktet e tij (transfuzionet e gjakut, shkëmbimi i shiringave ndërmjet përdoruesve të drogave intravenoze); nga nëna tek fëmija gjatë shtatzënisë apo lindjes së bebit. Testi i HIV duo detekton praninë e antitrupave që krijohen në organizëm pas kontaktit me këtë virus. Zakonisht këto antitrupa detektohen në gjak, rreth 8 javë pas ekspozimit ndaj antigjenit.

Pap-test

Pap testi është pjesë e rëndësishme e përkujdesjes për shëndetin e gruas, sepse mund të zbulojë kancerin e qafës së mitrës, ose ndryshimet që mund të çojnë në këtë lloj kanceri.

Është procedurë e thjeshtë, jo e dhimbshme, e cila realizohet gjatë një vizitë gjinekologjike. Mosha në të cilën rekomandohet Pap test është 21 – 23 vjeç (ose 3 vjet nga fillimi i aktivitetit seksual) deri në 65 – 70 vjeç. Është e rekomandueshme që Pap test të përsëritet çdo 2-3 vjet në rastet kur rezultati është normal dhe ky interval mund të ndryshojë në varësi të problemeve që mund të evidentohen.

Ndryshimet qelizore të shprehura në sistemin e referimit të Pap testit janë të shkallëzuara në disa grada të cilat shprehin afërsinë e strukturës të qelizave me ato normale deri në qelizat kanceroze. Në varësi të këtyre gradave vendoset ecuria e mëtejshme e investigimeve dhe trajtimeve të nevojshme.

Vlen të nënvizohet :

  1. Pap testi është vetëm metodë depistuese (zbuluese ose orientuese) e problemeve të qafës së mitrës. Pap testi nuk vendos diagnozë përfundimtare dhe as nuk trajton kancerin.
  2. Sa më herët dhe në fazë fillestare të dallohen problemet e qafës së mitrës aq më lehtë është trajtimi i tyre dhe siguria e jetës rritet.
  3. Kanceri i qafës së mitrës është i trajtueshëm kur zbulohet përpara se të shfaqen ankesat (dhimbje, hemoragji vaginale etj). Nga momenti që është bërë i ndjeshëm (nga këto ankesa) ose i dukshëm gjatë vizitës gjinekologjike ecuria është e shpejtë dhe rezultatet e trajtimit janë të varfra.
  4. Pap testi është i detyrueshëm për çdo grua që paraqet hemoragji vaginale jo normale pas kontaktit seksual. Gjithashtu, çdo grua në menopauzë, e cila ka hemorragji vaginale, duhet të kryejë Pap test me vizitë gjinekologjike.

Eko abdominale

Është ekzaminim që bëhet me anën e ultratingujve dhe na jep informacion për organet dhe strukturat e brendshme të abdomenit (barkut). Marrim informacion për madhësinë, strukturën, pozicionimin e mëlçisë, veshkave, shpretkës, fshikëzës urinare, prostatës tek meshkujt, apo mitrës dhe vezoreve tek femrat. Megjithëse ky është ekzaminim i rëndësishëm në kolikat abdominale (dhimbjet e barkut), theksohet rëndësia e tij pasi shpesh në Check Up rutinë diagnostikohet prania e gurëve në traktin urinar, në fshikëzën e tëmthit, prania e kisteve në mëlçi apo veshka, dëmtimet e mëlçisë nga përdorimi i alkoolit apo nga hepatitet kronike. Jo rrallë diagnostikohen në moshë të rritur çrregullime organore të lindura apo edhe prania e formacioneve patologjike tek të cilat diagnostikimi i hershëm është thelbësor në ecurinë e sëmundjes.
Të dhënat mjekësore që marrim nga eko abdominale, shpesh plotësohen edhe nga CT apo rezonanca magnetike, sipas vlerësimit të mjekut përgjegjës.

Ro grafi toraksi

Grafia e toraksit është një ekzaminim që kryhet me rreze X, në 1 apo 2 drejtime dhe na jep informacion për organet dhe strukturat e lokalizuara në këtë ndarje anatomike si mushkëritë, zemra dhe enët e gjakut, diafragma, si edhe të strukturave kockore si brinjët dhe pjesa torakale e shtyllës kurrizore. Meqënëse na jep informacion të rëndësishëm për sëmundjet e mushkërive si bronkitet, bronkopneumonia, TBC apo edhe çrregullime të tjera pa shenja specifike klinike, ky ekzaminim është shumë i rëndësishëm në paketën e Check Up-it.

Për një informacion më të plotë dhe specifik, në rastet kur mjeku e vlerëson mund të kërkohen edhe CT (Skaner) apo MRI (Rezonanca Magnetike) e toraksit. Në rastet e shtatzënisë duhet informuar mjeku për të vlerësuar mbi riskun dhe përfitimet nga këto ekzaminime për më të mirën e pacientit.

Ekografi e gjirit –mamografi

Eko mame (gjiri) është një ekzaminim me ultratinguj i gjirit dhe strukturave përreth. Ky ekzaminim pavarësisht se nuk ka një moshë maksimale se deri kur mund të kryhet është ideal për kontroll të gjirit për femra deri në moshën 35 vjeç për shkak të dendësisë së indeve. Nën eko evidentohen dhe kontrollohen patologji të strukturës, formës, densitetit të gjirit, kanaleve duktale, kiste ose formacione nodulare. Pas moshës 35-40 vjeç sensiviteti i ekos së gjirit bie, prandaj rekomandohet edhe mamografia, e cila na jep informacion plotësues në lidhje me këto struktura. Është shumë e rëndësishme ndjekja me eko dhe mamografi sipas rastit, disa ndryshimeve si strukturave kistike apo fibroadenomave duke ndjekur kështu zmadhimin apo zvogëlimin e përmasave të këtyre strukturave, për të marrë pastaj vendimet e duhura terapeutike.
Eko kardiake

Është ekzaminim i zemrës nën ultratinguj e cila informon mjekun dhe pacientin në lidhje me përmasat e zemrës, funksionin e saj, cilësinë dhe kontraktimet e zemrës gjatë punës së qarkullimit të gjakut nga zemra në të gjithë trupin. Gjatë këtij ekzaminimi shihen kapakët, valvulat e zemrës, lëvizshmëria, mënyra si ato hapen e mbyllen duke vënë në pah mirëfunksionimin e saj. Për ndjeshmërinë e lartë eko kardiake është ekzaminim që ndihmon shumë në parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të patologjive kardiake duke orientuar mjekun dhe pacientin në trajtimin efikas dhe të shpejtë të problemeve kardiologjike.

Eko tiroide

Është një ekzaminim që përdoret për studimin e gjendrave tiroide, të lokalizuara në pjesën e përparme të poshtme të fytit. Për nga funksioni që mbart gjendja tiroide mund të thuhet që është një nga organet që aktualisht është më pak i vlerësuari ose kontrolluari. Kjo gjendër ndikohet shumë nga mungesa e jodit dhe infeksione të ndryshme të trupit dhe duke qenë e tillë shpeshherë patologjitë që janë në proces e sipër nuk vihen re, ose nuk diagnostikohen në momentin e duhur. Së bashku edhe me matjen e funksionit hormonal si TSH/FT4/FT3, eko na ndihmon në ndjekjen dhe trajtimin e duhur të patologjive të tiroides.

Ro grafi e kolonës vertebrale

Është ekzaminimi i vertebrave të shtyllës kurrizore, i cili përcakton formën, madhësinë, vendosjen e këtyre kockave. Rekomandohet në rastet kur pacienti ka ankesa specifike si psh dhimbje mesi apo shpine që zgjat; në rastet post traumatike; për të evidentuar spondilartrozën dhe shkallën e saj, por rekomandohet të kryhet edhe për kategoritë e personave që kanë pozicione të detyruara qëndrimi, si psh qëndrimi me orë të zgjatura para kompjuterit, qëndrimi jo korrekt në tavolinën e punës apo të studimit. Duhet patur parasysh që gratë shtatzëna që duhet të kryejnë një ekzaminim të tillë dhe në rastet kur dyshohet për shtatzëni, duhet patjetër të informojnë mjekun përgjegjës mbi gjendjen. Me gjithë rëndësinë e këtij ekzaminimi, në disa raste është i pamjaftueshëm në diagnostikimin e saktë të patologjive të kolonës vertebrale dhe të strukturave nervore përkatëse, prandaj kërkohet rezonanca magnetike, ekzaminim ky që na jep informacion të plotë dhe më specifik.

Densitometria

Është ekzaminimi që mat dendësinë dhe fortësinë e rruazave të shtyllës kurrizore dhe jep një informacion në lidhje me qëndrueshmërinë e kockave të trupit në përgjithësi dhe kockat që mbajnë peshën më të madhe në veçanti, sic janë kockat e legenit, koka e femurit.

Rekomandohet që të kryhet në paciente femra mbi moshën 50-55 vjeç sepse pas kësaj moshe dobësimi i kockave është më i ndjeshëm dhe më i shpejtë, kjo e ndikuar edhe nga fillimi i menopauzës. Ky ekzaminim na ndihmon të depistojmë që në fazat e para uljen e dendësisë së kockave (osteopeninë), e cila pasi mjekohet parandalon ecurinë drejt osteoporozës dhe riskut të madh të frakturave. Megjithëse është theksuar shumë rëndësia e këtij ekzaminimi tek femrat, duhet të theksohet që rekomandohet edhe tek meshkujt mbi 60 vjeç, e veçanërisht kur kemi sëmundje reumatizmale, çrregullime të tiroides, përdorim kronik të disa preparateve, si psh kortizonikët.

Kolonoskopi

Është ekzaminim endoskopik, nën kamera, direkt i kolonit dhe zorrës së trashë. Rekomandohet që të kryhet patjetër në të gjithë pacientët mbi 50 vjeç dhe veçanërisht në pacientët që kanë probleme në defekim. Koloni është organi më i ekspozuar ndaj ushqimeve, kafes, pijeve alkoolike dhe për pasojë është edhe më i rrezikuar nga dëmet që këto të fundit shkaktojnë.

Me rritjen e yndyrnave në dietat ushqimore, me shtimin e frekuentimit të ushqimeve fast food dhe pakësimin e fibrave në dietat ushqimore bëhen të pashmangshme patologjitë dhe problemet e stomakut. Duke kryer këtë ekzaminim, i cili mund të kryhet me anestezi dhe pa dhimbje, merret informacion direkt në lidhje me strukturën, normalitetin apo patologjitë e sistemit tretës. Duke patur parasysh që ky është një sistem i mbyllur, shpeshherë problemet që shfaqen maskohen dhe vonohen shumë në diagnostikim dhe trajtimin në kohën e duhur. Prandaj është shumë e rëndësishme që në rastet e shqetësimeve të sistemit tretës të paraqiteni tek mjeku i Check Up-it dhe mjeku gastro-hepatolog për të kryer këtë ekzaminim.

Dermatologji

By Spitali Amerikan -

Dermatologji

Lëkura është organi më i madh dhe më i dukshëm në trupin e njeriut. Dermatologjia është dega e mjekësisë që studion patologjitë që prekin lëkurën. Dermatologët janë mjekë të specializuar në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve dhe tumoreve të lëkurës.

Dermatologjia në Spitalin Amerikan ofron një gamë të gjerë shërbimesh mjekësore të një niveli të lartë, të krahasueshme me shumë qendra spitalore prestigjioze në Europë.

Diagnostikimi dhe trajtimi

Sëmundjet e lëkurës janë të shumta, por vetëm disa prej tyre detyrojnë pacientët që të paraqiten te mjeku për vizitë. Kjo ndodh edhe për faktin se duke u nënvlerësuar, ato ose mjekohen keq duke krijuar rezistenca ndaj medikamenteve, ose nuk trajtohen dhe evoluojnë deri në gjeneralizim të tyre,ose janë shenjat më të dukshme të sëmundjeve sistemike (të brendshme të organizmit).

Në spitalin tonë ne diagnostikojmë dhe ndjekim në vazhdimësi trajtimet e kartelizuara të pacientëve për patologjitë dermatologjike të moshës pediatrike, sëmundjet kronike, diagnostikimin e patologjive malinje, trajtimin e patologjive të thonjve, flokëve, mukozës të gojës dhe infeksioneve gjenitale.
Praktika klinike bashkëvepron tërësisht me ekzaminimet laboratorike të një niveli të lartë dhe konsultat e mjekëve të specialiteteve të tjera për të arritur ne diagnostikimin dhe trajtimin e duhur.

Dermopatologjia

Në Spitalin Amerikan kryhen procedurat e marrjes së biopsisë në lëkurë, nëpërmjet një personeli tërësisht të kualifikuar dhe nëpërmjet aparaturave laboratorike moderne kryhet ekzaminimi dhe interpretimi i tyre duke përcaktuar me saktësi detajet e ndryshimeve patologjike në nivelin mikroskopik. Më pas konfrontimi me planin klinik dhe konsultat me mjekun dermatolog e bëjnë më të thjeshtë diagnostikimin dhe mjekimin e duhur të pacientit. Laboratori histopatologjik është pjesë e një departamenti të tërë ku kryhen të gjitha testet dhe analizat më specifike.

Procedura të veçanta

Injeksionet intralezionale
Injeksionet intralezionale janë të nevojshme për trajtimin e sëmundjeve si Alopecia areata (humbja e lokalizuar e flokëve) ose prania e keloideve. Ky injeksion kryhet direkt në vendin e lokalizimit të patologjisë dhe ndihmon për përshpejtimin e proceseve rigjeneruese të lëkurës dhe marrjen e një përgjigjeje më të shpejtë e kombinuar gjithsesi dhe me një mjekim tjetër etiologjik ose simptomatik.

Kirurgjia dermatologjike
Procedurat e mëposhtme kryhen në ambiente bashkëkohore, duke respektuar të gjitha rregullat e asepsisë dhe në bashkëpunim me specialistët e kirurgjisë plastike.

  • Ekzicion të lezioneve malinje dhe beninje
  • Trajtimi me krioterapi i shumë patologjive të lëkurës
  • Trajtimet mini-invazive të pacientëve me akne të gradës së dytë dhe të tretë.

Dermatologjia kozmetike

  • Piling kimik
  • Injeksionet e Botox
  • Injeksione me filler të ndryshëm (mbushes kozmetik)
  • Skleroterapi për teleangiektazitë dhe venat e vogla.

Terapia me lazer
Lazeri është një nga teknologjitë më të përparuara, që duke u rinovuar në vazhdimësi ka bërë të mundur trajtimin me sukses edhe të shumë patologjive specifike në dermatologji duke dhënë efikasitet maksimal në trajtimin e tyre.

Ndër patologjitë që trajtohen me shumë sukses, por jo të vetmet, janë:

  • Shenjat që mbeten nga aknet (acne scars)
  • Rigjenerimi i lëkurës në regjionin e qafës, kraharorit dhe duarve
  • Melasma
  • Lezionet e pigmentuara të lëkurës të lokalizuara kudo në trup
  • Heqje tatuazhesh
  • Rrudhat përreth syve, ballit, etj
  • Çikatricat kirurgjikale
  • Keratozat aktinike

Qendrat e Dializës

By Spitali Amerikan -


Qendrat e Dializës

Spitali Amerikan është themeluar në vitin 2006 nga domosdoshmëria e shërbimeve të nevojshme. Sistemi publik i kujdesit shëndetësor shqiptar nuk mund të plotësonte nevojat e qytetarëve shqiptarë dhe shumica e tyre po udhëtonin në vendet më të afërta për zgjidhje të mundshme për problemet shëndetësore. Në atë kohë, Shqipëria kishte edhe kufizime të vizave, të cilat ngushtuan edhe më shumë zgjedhjen e mundshme të spitaleve për tu kuruar.

Brenda vitit të parë të krijimit, Spitali Amerikan pati një histori suksesi, transplanti i parë i veshkave i realizuar ndonjëherë në Shqipëri.
Sot, jemi Qendra më e madhe e transplanteve në rajon dhe presim pacientë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe nga Mali i Zi.

Kemi 11 qendra dialize në gjithë vendin, 5 nga të cilat janë të Diavita shpk, një kompani që është formuar si bashkëpunim i shoqërive Evita Shpk dhe Spitalit Amerikan dhe operon sipas modelit të Partneritetit Publik Privat.

Kohët e fundit DiaVita shpk është blerë nga kompania Diaverum, një ndër kompanitë më të mëdha në botë në këtë sektor.
E themeluar në vitin 1991, kompania me qendër në Suedi ka një prezencë në 20 shtete të ndryshme në Evropë, Amerikën Latine, Afrikë dhe Azi, dhe është e profilizuar vetëm në përkujdesin renal.
Aktualisht 11.000 punonjës të Diaverum International AB përkujdesen për 36.000 pacientë në mbi 360 klinika dialize në mbarë botën. (www.diaverum.com)

Endokrinologji

By Spitali Amerikan -

Endokrinologji

Endokrinologjia është specialiteti i mjekësisë i cili merret me diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve që lidhen me hormonet. Shërbimi i Endokrinologjisë mbulon funksione të tilla njerëzore si koordinimin e metabolizmit, frymëmarrjes, riprodhimit, perceptimit ndijor dhe lëvizjes.

Endokrinologjia fokusohet në gjëndrat endokrine dhe indet që sekretojnë hormone. Sistemi endokrin human përbëhet nga një numër gjëndrash endokrine. Këto gjëndra prodhojnë dhe sekretojnë hormone të cilat kontrollojnë metabolizmin e trupit, rritjen, zhvillimin seksual si dhe funksione të tjera të trupit.

Mjekët tanë janë të specializuar në trajtimin e patologjive të cilat rrjedhin si pasojë e disbalancimit hormonal prej gjëndrave endokrine.

Shërbimi i endokrinologjisë diagnostikon dhe trajton:
Patologjitё endokrine,
Diabetin Mellitus,
Sëmundjet metabolike,
Obezitetin

Në spitalin tonë kryhen vizita specialistike për:

  • Patologjitë e gjendrës tiroide (hypotiroidizmi, hypertiroidizmi, struma endemike, struma nodulare, patologjite malinje, tiroiditet autoimune e virale)
  • Patologjitë e gjendrës së hipofizës (Prolactinoma, akromegalia, panhypopituitarizmi, Morbus Cushing, Diabeti insipid etj )
  • Sёmundjet e gjendrës mbiveshkores: incidentalomat , neoplazite beninje dhe malinje, sёmundje funksionale (Sindroma Cushing endogjen dhe ekzogjen, hiperaldosteronizmi primar, feokromacitoma, ), insufiçenca e gjendrёs mbiveshkore, deficitet e lindura enzimatike (hiperplazia e surrenaleve.
  • Hipertensioni me origjinё endokrine (hiperaldosteronizmi primar, feokromocitoma, Sindroma Cushing etj. )
  • Ndryshimi apo alterimi i metabolizmit fosfo- kalcik (hiperparatireoidizmi, pseudohipoparatireoidismi, hiperkalçiuria).
  • Osteoporoza
  • Sindroma e ovareve policistike
  • Diabeti Mellitus tip 1 dhe 2
  • Dislipidemite
  • Obeziteti

Kabineti i Endokrinologjisë ndihmon pacientët për të jetuar të shëndetshëm dhe aktiv, pavarësisht problemeve që ata kanë me diabetin, obezitetin, sëmundjet e tiroides apo patologji të tjera endokrine.

Qëllimi ynë është të identifikojmë shkaqet e problemeve të ndryshme endokrine dhe të gjejmë mjekimin më të mirë. Ne gjithashtu i kushtojmë shumë kujdes edukimit të pacientëve që vuajnë nga këto patologji, edukim i cili u ndryshojn cilësinë e jetës.

Gastroenterologji

By Spitali Amerikan -

Gastroenterologji

Gastroenterologjia është dega e mjekësisë që studion funksionin normal dhe sëmundjet e ezofagut, stomakut, zorrëve të holla, zorrës së trashë dhe rektumit, pankreasit, fshikëzës së tëmthit, kanaleve biliare dhe mëlçisë.

Departamenti i Gastroenterologjisë në Spitalin Amerikan i shërben pacientëve me probleme të sistemit tretës me profesionistët më të specializuar si dhe aparaturat e teknologjisë më moderne. Ky shërbim aplikon metodat më të fundit endoskopike si në diagnostikim ashtu edhe në trajtimin mini invaziv të problemeve të ndryshme.

Bashkepunimi me sherbime të tjera si radiologji, kirurgji e përgjithshme dhe onkologji i jep një rëndësi të veçantë edhe në trajtimin e semundjeve tumorale te traktit gastrointestinal, te mëlçisë, rrugeve biliare dhe pankreasit, duke e bërë kështu Spitalin Amerikan të parën qendër të gatshme për të kryer transplantin e mëlçisë.

Shërbime:

  • Vizitë gastroenterologjike
  • Ezofagogastroduodenoskopia, Kolonoskopi
  • ERCP
  • Polipektomi endoskopike
  • Heqje e trupave të huaj
  • Trajtim i hemoragjive te siperme dhe te poshtme gastrointestinale
  • Trajtim i strikturave te traktit gastrointestinal me ballonim
  • Vendosje e gastrostomise perkutane (PEG)
  • Ligature e variceve te ezofagut
  • Vendosje e stenteve ne ezofag dhe kolon per trajtim te ngushtimeve tumorale

Hematologji

By Spitali Amerikan -

Hematologji

Hematologjia është dega e Mjekësisë Interne që trajton sëmundjet e gjakut dhe organeve që përbëjnë sistemin hematopoietik. Mjeku hematolog vlerëson klinikën e pacientit, ndryshimet laboratorike dhe radiologjike, për vendosjen e diagnozës, zbulimin e mundshëm të shkaqeve, trajtimin, monitorimin e përgjigjes ndaj mjekimit, përcaktimin e prognozës dhe nëse është e mundur parandalimin e sëmundjeve të gjakut.

Departamenti i Hematologjisë në Spitalin Amerikan ofron një shërbim të specializuar klinik, laboratorik dhe në bashkëpunim me laboratore të specializuara jashtë vëndit dhe analiza specifike në të gjitha aspektet e fushës së Hematologjisë. Hematologët diagnostikojnë dhe trajtojnë sëmundjet e rruazave të kuqe, rruazave të bardha, trombociteve (dhe faktorëve të koagulimit), pakësimi apo rritja e tyre, beninje apo malinje, të lindura apo të fituara.

Synimi i Vitit 2019 i Spitalit Amerikan, është realizimi për herë të parë në Shqipëri, i Transplantit të Qelizave Burimore Hematopoietike, për trajtimin e sëmundjeve malinje dhe jo malinje hematologjike dhe jo hematologjike.

Shërbime:

  • Anemi të Fituara
  • Anemi të lindura
  • Hemoglobinopatitë
  • Limfoma
  • Mieloma Multiple
  • Leuçemia Akute dhe Kronike
  • Çrregullime të koagulimit
  • Kimioterapia/Imunoterapia
  • Realizimi i Biopsisë së Palcës së Kuqe të Kockave.
  • Realizimi i Aspirimit të Palcës së Kuqe të Kockave (Mielograma)

Imazheri e Avancuar

By Spitali Amerikan -

Imazheri e Avancuar

Një nga armët më të forta të një institucioni të mirë shëndetësor është pa diskutim imazheria e avancuar që thotë fjalën e fundit në diagnostikimin e shumë sëmundjeve dhe marrjen e vendimit për trajtimin e tyre. Në Spitalin Amerikan stafi i mjekëve radiologë dhe teknikë të specializuar, bazuar edhe në aparaturat më moderne të imazherisë, ofrojnë maksimumin e precizionit në mbështetjen me imazhe të diagnostikimit të saktë.

  • Tomografi e Kompjuterizuar (Skaner) 64 detektorë
  • CT kardiake
  • Rezonancë Magnetike 1.5 Tesla
  • Shintigrafi
  • Mamografi
  • Densitometri e kockës
  • Rreze-x Dixhitale
  • Ekografi / Doppler
Page 1 of 3123

Të Fundit

  • Mario Karaj – CEO i Spitalit Amerikan, intervistë ekskluzive për prestigjozen “USA Today”
    Mario Karaj – CEO i Spitalit Amerikan, intervistë ekskluzive për prestigjozen “USA Today”
    05/03/2025
  • Nga Dhjetori 2006, Spitali Amerikan prej 17 vitesh mundëson shërbimet bashkëkohore që dikur detyronin shqiptarët të dilnin jashtë vendit
    Nga Dhjetori 2006, Spitali Amerikan prej 17 vitesh mundëson shërbimet bashkëkohore që dikur detyronin shqiptarët të dilnin jashtë vendit
    13/12/2023
  • Masterklasi Ndërkombëtar i Imazherisë së Gjirit mbledh në Tiranë elitën e mjekësisë shqiptare dhe të huaj
    Masterklasi Ndërkombëtar i Imazherisë së Gjirit mbledh në Tiranë elitën e mjekësisë shqiptare dhe të huaj
    18/09/2023
  • Kujdes shëndetin në stinën e nxehtë, Spitali Amerikan ofron paketat ekzaminuese për korrik-gusht 2023
    Kujdes shëndetin në stinën e nxehtë, Spitali Amerikan ofron paketat ekzaminuese për korrik-gusht 2023
    10/07/2023
  • Prof.Dr. Perlat Kapisyzi FCCP: Pletismografia, është i vetmi ekzaminim i sistemit respirator që vlerëson shkëmbimin e oksigjenit në nivel alveolar
    Prof.Dr. Perlat Kapisyzi FCCP: Pletismografia, është i vetmi ekzaminim i sistemit respirator që vlerëson shkëmbimin e oksigjenit në nivel alveolar
    15/05/2023
  • Sindromi i Zorrës së Gjatë apo Dolichosigmoid Colon Syndrome
    Sindromi i Zorrës së Gjatë apo Dolichosigmoid Colon Syndrome
    06/03/2023
  • Infeksionet Stafilokoksike, diagnostikimi, trajtimi dhe masat parandaluese
    Infeksionet Stafilokoksike, diagnostikimi, trajtimi dhe masat parandaluese
    06/03/2023
  • Urtikariet, Dr. Shk.Alketa Bakiri: Ja çfarë duhet të bëni kur keni këto manifestime kutane në lëkurë të shoqëruara me skuqje dhe kruarje
    Urtikariet, Dr. Shk.Alketa Bakiri: Ja çfarë duhet të bëni kur keni këto manifestime kutane në lëkurë të shoqëruara me skuqje dhe kruarje
    06/03/2023
  • Doktor, kur je mbi 40 vjeç, duhet ta marrësh aspirinën e zemrës?
    Doktor, kur je mbi 40 vjeç, duhet ta marrësh aspirinën e zemrës?
    06/03/2023
  • Ad hominem “Protegas sanitas, diutius vivere” – Mbroni shëndetin, të jetoni gjatë.
    Ad hominem “Protegas sanitas, diutius vivere” – Mbroni shëndetin, të jetoni gjatë.
    06/03/2023
© American Hospital sh.a. Të gjitha të drejtat e rezervuara. - Politikat e privatësisë