Fekondimi in Vitro (IVF)

Fekondimi in Vitro (IVF)

Fekondimi in Vitro (IVF)

Cfarë është?

Fekondimi in Vitro (Fertilizimi In Vitro) është trajtimi më madhor dhe më kompleks i infertilitetit. Gjithmonë ai duhet të paraprihet nga një fazë parapërgatitore e cila përfshin vlerësimin e historisë infertile dhe të trajtimeve të ciftit, zgjedhjen e protokollit të duhur të stimulimit dhe aplikimin e medikamenteve apo procedurave të ndryshme të cilat mund të optimizojnë akoma më shumë shanset e suksesit të IVF.

Në fillim të fertilizimit in vitro kemi fazën e stimulimit ovarian e cila zgjat afro 8 – 14 ditë. Stimulimi zakonisht me injeksione subkutane të cilat nuk dhembin dhe mund të kryhen nga vetë pacientja në mënyrë ambulatore (pa ndihmën e mjekut apo infermieres). Gjatë kësaj periudhe pacientja monitorizohet përmes ekografisë transvaginale dhe dozimeve hormonale për të përcaktuar sa më saktë momentin se kur ovocitet (vezët) arrijnë maturitetin (pjekurinë).

Pas fazës së stimulimit ovarian femra i nënshtrohet aspirimit të ovociteve (vezëve). Aspirimi apo mbledhja e vezëve bëhet nën drejtimin ekografik transvaginal dhe nën anestezi. (figura 1) Pas kësaj procedure pacientja mund të largohet nga spitali brenda disa orëve.

Figura 1. Aspirimi i ovociteve (Egg Collection)
Figura 2. Embriologu duke ekzaminuar qelizat ne mikroskop

Gjatë kohës që ndodh aspirimi i vezëve, bashkëshorti jep spermën e tij në një tjetër ambient privat të klinikës. Sperma e bashkëshortit ekzaminohet dhe prej saj zgjidhen spermatozoidet më të shëndetshme. Në rastet me azoospermi (mungesë e spermatozoideve në ejakulat) pacientit i rekomandohet ekstraksioni kirurgjikal i spermës nga testikujt, teknikë kjo minimalisht invazive dhe që nuk zgjat më shumë se 30 minuta.

Pas marrjes së vezëve, ato ekzaminohen nga embriologu dhe prej tyre zgjidhen mundësisht vetëm ato me pjekuri maksimale. (figura 2) Janë pikërisht këto ovocite (vezë) të cilat bashkohen me spermatozoidet nën drejtimin e mikroskopit. (figura 3) Rreth 40 orë pas këtij bashkimi kontrollohet fertilizimi dmth sa prej këtyre vezëve janë konvertuar në embrione pas bashkimit me spermatozoidet. Është pikërisht ky moment (fertilizimi i vezës) që i ka dhënë emrin të gjithë procedurës nga fillimi deri në fund.

Në Fertilizim In Vitro, bashkimi i vezës (fertilizimi) me spermatozoidin mund të kryhet në dy mënyra:

  • IVF klasik – Veza (ovociti) vendoset në një epruvetë me 1000-1500 spermatozoide për tu fertilizuar (në mënyrë spontane nga njeri prej këtyre spermatozoideve),
  • ICSI (Mikro-manipulimi ose Intra-Citoplazmatik Sperm Injection) – Spermatozoidi injektohet direkt nën drejtimin e embriologut në brendësi të ovocitit (vezës). Pra ICSI vlen edhe për ato raste kur numri i qelizave spermatozoide është shumë i vogël. (figura 4)

Embrionet ruhen në laborator dhe transferohen në mitër në ditët 2, 3 ose 5 të jetës së tyre. Transferta e embrioneve është një teknikë pa dhimbje, nuk kërkon anestezi dhe kryhet nën drejtimin ekografik. (figura 5) Pacientja mund të largohet nga spitali 30 minuta pas transfertës. 12 ditë pas transfertës pacientja këshillohet të kryejë analizën e beta-HCG e cila në rastet me sukses do të vertetojë një shtatzani. Në rastet kur formohen shumë embrione cifti gëzon edhe opsionin e ruajtjes së tyre në ngrirje.

Figura 3. Veza e maturuar (Ovocit M II)
Figura 4. Paraqitje skematike e fertilizimit sipas metodes ICSI
Figura 5. Paraqitje skematike e transfertes se embrioneve

Fertilizimi in vitro ka shanse suksesi që variojnë në varësi të moshës së parterit femër kryesisht. Kuptohet sa më e madhe kjo moshë aq më të pakta janë edhe shanset e suksesit të IVF. Kjo shpjegohet me reduktimin e rezervës ovariane sidomos pas moshës 35-37 vjecare.

Kur është momenti për Fertilizim In Vitro?

Ne shumicen e rasteve IVF indikohet per te trajtuar infertilitetin. Megjithate, ne nje pjese te vogel te rasteve, Fertilizimi In Vitro indikohet edhe ne rastet me anomali gjenetike kur kerkohet lindja e nje femije pa anomali gjenetike apo kur kerkohet trajtim per kancer apo semundje te tjera.

  • Kur tubat e fallopit nuk funksionojnë si duhet ose janë të bllokuar
    Në këto femra, veza e ka të vështirë ose të pamundur të takohet me spermatozoidin (duke shkaktuar infertilitet) dhe embrioni e ka të veshtirë ose të pamundur të udhëtojë drejt mitrës (duke shkaktuar barrë jashtë mitre).
  • Probleme me ovulacionin
    Në këto femra ovulacioni (celja e vezës) është i rrallë ose mungon. Për këtë arsye ato janë më pak fertile se femrat e tjera.
  • Insuficienca premature e vezoreve (Premature ovarian failure – POF)
    Në këto femra me POF, humbja e funksionit të vezoreve ndodh përpara moshës 40 vjec. Humbja e funksionit të vezoreve bën të pamundur fertilitetin e një femre.
  • Endometrioza
    Endometrioza ndodh kur qeliza nga kaviteti i mitrës (endometri) implantohen jashtë mitrës duke dëmtuar funksionin e ovareve (vezëve), tubave të fallopit dhe mitrës.
  • Probleme me spermën
    Përqëndrimet e ulëta të spermatozoideve në spermë, lëvizshmëria e reduktuar apo anomalitë në morfologjinë (cilësinë) e tyre e bëjnë të veshtirë ose të pamundur shtatzaninë në mënyrë natyrale.
  • Infertilitet i pashpjegueshëm
    Në këto raste nuk është gjetur asnjë shkak për infertilitet.
  • Sëmundje / defekte gjenetike
    Nqs njeri nga partnerët është mbartës i një defekti gjenetik, atëherë ekziston mundësia që ky defekt ti transmetohet edhe fëmijëve të këtij cifti. Kjo mund të shmanget vetëm përmes diagnozës pre-implantacionale gjenetike (PGD – Preimplantation Genetic Diagnosis) e cila kërkon patjetër Fertilizim In Vitro. Gjatë PGD, embrionet e përftuara me anë të Fertilizimit In Vitro, analizohen nga ana gjenetike dhe vetëm embrionet normal transferohen në mitër.
  • Ruajtja e fertilitetit në rastet me kancer apo me sëmundje të tjera.
    Nqs planifikohet që të fillohet një trajtim për të luftuar kancerin (radioterapi, kimioterapi, kirurgji) atëherë kjo mund të dëmtojë fertilitetit. Për këtë arsye Fertilizimi In Vitro është një opsion i vlefshëm. Femrat (në varësi të faktit në se janë single apo kanë partner) mund të ruajnë vezët në laborator dhë ti përdorin për fertilizim në një moment të dytë ose mund ti fertilizojnë dhe të ruajnë embrionet për ti transferuar në mitër në një moment të dytë.

Përse IVF në Spitalin Amerikan?

Për trajtimet e sterilitetit dhe Fekondimit In Vitro është shumë e rëndësishme jo vetëm mbështetja nga teknologjitë më të fundit, por edhe mjekë, infermiere dhe një personel me përvojë dhe i specializuar. Kur të gjitha analizat dhe ekzaminimet e kryera gjatë periudhës së diagnostikimit të sterilitetit e deri në procesin e trajtimit mbikëqyren e kontrollohen nga profesionistë me përvojë, mundësitë për rezultate pozitive janë më të mëdha.

Figura 6. Departamenti i Mjeksisë Riprodhuese dhe Fertilizimit In Vitro në Spitalin Amerikan ju vjen në ndihmë cifteve infertile me një laboratorin më modern të IVF në vend.
Figura 7. Binjake me IVF pas 22 viteve infertilitet

Personel profesionist dhe me përvojë në fushën e shëndetit riprodhues dhe Fekondimit In-Vitro

Departamenti i Mjeksisë Riprodhuese dhe Fertilizimit In Vitro në Spitalin Amerikan ju vjen në ndihmë cifteve infertile me një ekip mjekësh gjinekologë dhe embriologë të specializuar jashte vendit dhe me një laborator modern IVF.

Në vend të metodave të zakonshme e klasike të trajtimit, pacientët ju nënshtrohen trajtimit të personalizuar, që përcaktohet në bazë të eksperiencës së suksesëshme disavjecare të këtij ekipi, e bashkërenduar kjo edhe me arritjet më të reja në shkencën e Riprodhimit të Asistuar.

Departamenti i Mjeksisë Riprodhuese dhe Fertilizimit In Vitro është i pajisur me aparaturat më moderne, me qëllim ofrimin e shanseve më të larta për sukses.

Shërbimet që ofron departamenti i mjeksisë riprodhuese dhe Fertilizimit In Vitro në Spitalin Amerikan janë si më poshtë:

  • Konsultë me mjek specialist në Mjeksinë Riprodhuese dhe Fertilizim In Vitro
  • Vlerësim i shkaqeve të infertilitetit
  • Induksion të Ovulacionit
  • Inseminim Intrauterin – IUI
  • Fertilizim In Vitro konvencional
  • Fertilizim In Vitro me ICSI (Intracytoplasmatic Sperm Injection)
  • In Vitro Maturation
  • Kulturë e embrioneve deri në stadin e blastokistit
  • Assisted Hatching
  • Diagnozë Gjenetike Pre-Implantancinale – PGD (Pre-Implantation Genetic Diagnosis & Screening)
  • Time Lapse Embryo Imaging – (MIRI –TL): i vetmi ne Shqiperi.
  • Krioprezervim të embrioneve (ngrirje të embrioneve)
  • Kripprezervim të ovociteve (ngrirje të vezëve)
  • Kriprezervim të spermës (ngrirje të spermës)
  • Sperm & Oocyte Donation
  • Trajtim i infertilitetit mashkullor
  • Teknikat për ekstraksionin kirurgjikal të spermës në rastet e meshkujve me azoospermi (PESA, TESA, TESE, Micro TESE)
  • Trajtim i humbjeve të përsëritura të shtatzanisë
  • Laparoskopi
  • Histeroskopi

Rekordet e Spitalit Amerikan në Shqipëri:

Rekordet shqiptare në fushën e Mjeksisë Riprodhuese & Fertilizimit In Vitro mbahen nga Spitali Amerikan. Më poshtë gjeni të renditura në mënyrë të detajuar cdo rast.

2018 – Më e moshuara paciente në Shqipëri që u bë nënë. Bëhet fjalë për pacienten italiane A. M e cila në moshën 62 vjecare lindi një vajzë të shëndetshme pas një cikli Fertilizimi In Vitro të realizuar me sukses nga dr. Elton Peci dhe emb. Besfort Ferhati.

2017 – Lindja e parë në Shqipëri pas një cikli Fertilizimi In Vitro me Ovocite të kriokonservuara (ruajtura në ngrirje). Bëhet fjale për pacienten F. N e cila lindi dy djem të shëndetshëm pas trajtimit të mësipërm të realizuar me sukses nga Dr. Elton Peci dhe embriolog Besfort Ferhati.

2017 – Lindja e parë në Shqipëri pas një cikli Fertilizimi In Vitro me monitorizim të embrioneve me teknologjinë Time – Lapse. Bëhet fjale për pacienten J. C e cila lindi një vajzë të shëndetshme pas trajtimit të mësipërm të realizuar me sukses nga Dr. Elton Peci dhe emb. Besfort Ferhati.

2016 – Lindja e parë në Shqipëri pas një cikli Fertilizimi In Vitro me In Vitro Maturation të ovociteve jo mature. Bëhet fjale për pacienten E. S e cila lindi një djalë të shëndetshëm pas trajtimit të mësipërm të realizuar me sukses nga Prof. Dr. Hakan Satiroglu dhe emb. Besfort Ferhati.

2013 – Më e moshuara femër shqiptare që u bë nënë. Bëhet fjalë për pacienten N.K e cila në moshën 56 vjecare lindi një vajzë të shëndetshme pas një cikli Fertilizimi In Vitro të realizuar me sukses nga dr. Elton Peci.

2013 – Më e moshuara femër shqiptare që u bë nënë me binjakë. Bëhet fjalë për pacienten R. F e cila në moshën 52 vjecare lindi dy djem të shëndetshëm pas një cikli Fertilizimi In Vitro të realizuar me sukses nga dr. Elton Peci.

More Doctors From : Fekondimi in Vitro (IVF)

Dr. Elton N. Peçi

Dr. Elton N. Peçi

Obstetër Gjinekolog