Doktor, kur je mbi 40 vjeç, duhet ta marrësh aspirinën e zemrës?
Përgatitur nga Dr.Alfred Nona, mjek kardiolog pranë Spitalit Amerikan 1
Përgjigjia është edhe PO edhe VARET (ose më shumë JO).
Pergjigja është PO, në rastet e PARANDALIMIT SEKONDAR, DYTËSOR, pra kur ka ndodhur një event kardio-vaskular, pavarsisht moshës në këtë rast, pra kur pacienti ka kaluar njëherë infarkt të miokardit, apo ka vendosur stent (rrjet metalike, unazë) në arteriet koronare, apo ka bërë rivaskularizim të zemrës nëpërmjet By-pass-it, apo ka kaluar një stroke iskemik/TIA (infarkt në tru), apo event atero-trombotik arterial në gjymtyrët inferiore etj etj. Pra në këto kategori pacientësh përdorimi i aspirinës me dozë kardiake është solid, gur themeli në trajtimin standard dhe rekomandohet fortësisht (medikament jetëshpëtues) dhe këtu nuk diskutohet përdorimi nga të gjitha protokollet europiane dhe ndërkombëtare.
Ndërsa përgjigja është VARET (ose më shumë JO) në shumicën e rasteve të PARANDALIMIT PRIMAR, PARËSOR, pra tek ata pacientë që nuk kanë patur një ngjarje kardio-vaskulare të mëparshme, dhe kur aspirina mund të përdoret për të parandaluar një event kardio-vaskular madhor të mundshëm në të ardhmen tek individë që dukshëm janë të shëndoshë (si parandalim infarkti, vdekje kardio-vaskulare apo stroke).
Te kjo kategori individësh të cilët janë pjesa dërrmuese “evidenca shkencore” për perdorimin e aspirinës është pak e qartë dhe e debatueshme dhe jo solide si parandalimi sekondar, sepse nga studimet duket sikur përfitimet në krahasim me efektet anësore (hemorragji të ndryshme, hemorragji intrakraniale, stroke hemorragjik etj etj) nuk anojnë dukshëm drejt të parës, pra nuk kemi “benefite klinike neto” në favor të parandalimit të ngjarjeve si infarkti në zemër apo në tru. Aspirina është medikament anti-agregant (hollues që pengon mpiksjen e gjakut në fazën e tij fillestare) dhe si e tillë ka efekte pozitive dhe negative (si të gjitha medikamentet) edhe pse në popullatë pranohet lehtë për tu marrë si terapi.
Në vitin 2018 dolën rezultatet e tre studimeve të rëndësishme (Aspree, Ascend dhe Arrive) dhe një tjeter studim në 2020-tën (IPS-3) përfshirë edhe studimet e mëparshme që kane filluar që nga viti 1988, dhe në total janë testuar rreth 168.000 pacientë. Të marra së bashku këto studime shkencore aktualisht NUK REKOMANDOJNË PËRDORIMIN e aspirinës te pacientët me RISK TË ULËT për ngjarje kardio-vaskulare në 10 vitet e ardhshme dhe PËRDORIM të aspirinës, nëse nuk kanë risk për hemorragji, nëse kategorizohen si pacientë me RISK TE LARTË për ngjarje në 10 vitet e ardhshme (edhe pse rekomandohet mesatarisht ose lehtësisht dhe jo fortësisht si në rastin e parandalimit sekondar të mësipërm) dhe terapi akoma më e individualizuar te pacientët me RISK MESATAR. Është detyrë e mjekut të shtresëzoje pacientët në këto tre kategori.
Në kohët e sotme përpara se të japim aspirinën në parandalim primar duhet:
1) të trajtojmë në mënyrë rigoroze faktorët e riskut që dëmtojnëe zemrën, pra të kurojmë mirë hipertensionin, të kurojmë mirë diabetin, mos të konsumojmë duhanin dhe të kurojmë mirë kolesterolin. Gjithashtu të ruajmë një mënyrë jetese cilësore, jo sedentare, jo obezitet, të kryejmë aktivitet fizik aerobik të rregullt dhe dietë të ekuilibruar.
2) Nëse pacienti është > 70 vjeç (ka protokolle edhe >60 vjeç), MOS të përdorim aspirinën në parandalim primar, sepse këtu risku për efekte anësore (zakonisht hemorragji gastro-intestinale, hemorragji intrakraniale etj) është i lartë, pra rreziqet janë njëlloj apo tejkalojnë benefitet.
3) Nëse kemi kryer imazheri si CAC score (calcium score) në Angio CT koronare, apo kemi koronaropati gjithmonë në Angio-TC, nëse kemi stenoza në arteriet karotide të kryera me eko-color- doppler karotide (stenoza >50%), nëse kemi nje ABI<0,9, të gjithë këta individë konsiderohen me risk të lartë dhe këtu aspirina mund të perdoret në parandalim primar, pra benefitet tejkalojnë rreziqet.
4) Nëse në bazë të disa të dhënave klinike-anamnestike-laboratorike (si mosha, hipertensioni, kolesteroli, gjinia dhe duhani) mjekët duhet të llogarisin dhe kategorizojnë pacientin në tre grupe (me risk të ulët-të mesëm-dhe të lartë e gjithë kjo nëpërmjet “SCORE 2”, instrument ky i fundit që mundëson kategorizimin e pacientëve dhe është një përmbledhje e faktorëve të riskut që dëmtojnë zemrën të marrë së bashku, në USA përdoret ASCVD duke përfshirë edhe diabetin) dhe si më lart, aspirina rekomandohet të përdoret te disa pacientë me risk mesatar dhe ata me risk të lartë edhe nëse nuk kanë risk për hemorragji dhe jo te pjesa më madhe që janë me risk të ulët-mesatar. Pra vetëm hipertension dhe të marrësh aspirinën, apo vetëm diabet i pakomplikuar dhe të marrësh aspirinën apo vetëm kolesterol dhe të marrësh aspirinën apo vetëm duhanpirës dhe te marrësh aspirinën apo edhe më keq asnjë faktor risku dhe të marrësh aspirinën, sepse jam mbi 40 vjeç, NUK REKOMANDOHET. Kombinim i disa faktorëve BASHKË (pra edhe diabet edhe duhanpirës edhe me hipertension), që rrisin riskun për sëmundje kardio-vaskolare, atëherë PO mund të gjykohet të merret.
Mund të përmblidhet që në 100 pacientë që sot trajtohen me aspirinën me dozë të vogël për parandalim primar vetëm 10-20% e tyre kanë realisht nevojë ta marrin këtë medikament (ndaj pergjigjja është më shumë JO), pra vetëm tek ata pacientë që kategorizohen me risk mesatar-të lartë. Është detyrë e kardiologut apo e mjekut që aspirina mos të përdoret te të gjithë pa dallim (mjafton të jenë > 40 vjeç) por në mënyrë selektive, pra terapi e personalizuar në bazë të faktorëve të riskut individual apo qoftë edhe ndonjëherë imazherik, në mënyrë që benefitet të tejkalojnë qartazi efektet anësore.
PS: 1) nëse aspirina përdoret te të gjithë, pa dallim, parandalojmë 2 ngjarje madhore kardio-vaskulare në 1000 pacientë të trajtuar për një vit, pra kuptohet parandalojmë pak.
2) nëse jemi duke marrë aspirinën edhe në parandalim primar për më shumë se një vit, qoftë edhe pa indikacion, ekziston rreziku i “rebound” nga ndërprerja (rritjes së eventeve kardiake) ndaj duhet kujdes.
3) nuk diskutohet përdorimi i aspirinës në parandalim sekondar por primar, te ky i fundit duhet të identifikohen në mënyrë rigoroze pacientët e duhur në mënyrë që bilanci të shkojë qartazi për nga benefitet.
Për më shumë informacion ose vizitë kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com
Spitali Amerikan, përqafoje jetën!