Drejtori i Spitalit Amerikan zbulon vizionin për të ardhmen: e keqja e vetme në Shqipëri… shantazhet!
Spitali Amerikan është një realitet i mjekësisë në Shqipëri dhe në harkun e më shumë se një dekade ka bërë një progres të vazhdueshëm, duke sjellë një imazh të ri për spitalet e një komoditet për pacientët, që kurën për jetën tashmë e kanë gjetur brenda kufijve të vendit. Një investim kolosal, që ka shërbyer për zhvillimin e gjithë vendit në tërësi, përmes një strukture të mirëorganizuar e një strategjie largpamëse, që po rezulton më shumë se e suksesshme.
Prej 9 vjetësh në krye të këtij institucioni është Mario Karaj, i specializuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i kthyer në Shqipëri, i joshur nga një sfidë e re dhe tepër interesante. Botëkuptimi i tij është bashkuar me konceptin e Spitalit Amerikan duke e bërë një bashkëpunim efikas. Në një intervistë të detajuar, Karaj ka folur për momentin në të cilin zgjodhi të përqafonte projektin ambicjoz, vështirësitë me të cilat është përballur, arritjet dhe vizionin mbi të ardhmen e Sptalit Amerikan.
Intervistë me z. Mario Karaj, Drejtor i Përgjithshëm Spitalor, Spitali Amerikan
Ju jeni kthyer nga SHBA-ja për të punuar në Spitalin Amerikan. Ç’mund të thoni për këtë hap dhe për Spitalin Amerikan në përgjithësi?
Po, është e vërtetë, unë jam kthyer nga SHBA në vitin 2010-të. Pas një periudhe 10-vjeçare në Amerikë, ku studiova për Menaxhim Biznesi dhe fitova eksperienca të ndryshme në punë, u ktheva në Tiranë për të punuar në stafin drejtues të Spitalit Amerikan. Vendosa të kthehem pasi Projekti Amerikan për Zhvillimin e Mjekësisë në Shqipëri ishte tepër sfidues dhe interesant. E unë jam nga ata njerëz që më pëlqejnë sfidat. Spitali Amerikan është një investim i Fondit Amerikan të Investimeve SEAF, në partneritet me Agjencinë Amerikane të Investimeve OPIK, Bankën Europiane të Rindërtimit dhe Zhvillimit EBRD, si dhe Fondit të Pensioneve në Danimarkë. Që nga fillimet e deri tani, duhet përmendur, që investimi në tërësi ka qenë kolosal dhe ka shërbyer për pacientët shqiptarë, si dhe për zhvillimin e vendit në tërësi.
Çfarë avantazhesh ka sjellë Spitali Amerikan për pacientët?
Një nga avantazhet kryesore, të ngritjes së një strukture të tillë, është që pacientët shqiptarë për diagnoza të vështira dhe specifike, nuk kanë më nevojë të shkojnë në spitalet jashtë Shqipërisë, ku më parë përveç kostove tepër të larta përballeshin edhe me shumë probleme të tjera, duke filluar nga komunikimi me mjekët e huaj, udhëtimet e gjata dhe vështirësitë e ndjekjes post-operatore, që kërkojnë rikontrolle të herëpashershme. Që të jemi të qartë, në princip të qenit i huaj është e vështirë, imagjino të qenit një pacient i huaj sa sfilitëse dhe rraskapitëse është. Spitali Amerikan ka sjellë në Shqipëri, jo vetëm teknologjinë e fundit mjekësore, por edhe mjekë shumë profesionistë që çdo institucion mjekësor në botë do t’i dëshironte.
Qendra e dializës ka nisur Spitali Amerikan në vitin 2008, në atë kohë në Shqipëri numri i pacientëve që merrnin dializë ishte me pak se 40 persona. Këta persona merrnin këtë shërbim të vyer për jetën e tyre me disa pajisje që ishin mbetje nga lufta e Kosovës.
Pjesa tjetër ishin të destinuar ose të humbnin jetën ose të emigronin jashtë vendit për të patur këtë shërbim.
Gjithashtu marr rastin të them se në lidhje me partneritetin publik-privat të laboratoreve, që do të jetë një risi shumë e madhe për shëndetësinë shqiptare, as Spitali Amerikan dhe as z.Klodian Allajbeu personalisht, nuk ka patur dhe nuk ka asnjë lidhje me këtë projekt, as me bashkimin operator, që ka fituar këtë partneritet si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Çdo aludim tjetër është thjesht një gënjeshtër.
Progresi i Spitalit Amerikan në më shumë se një dekadë është evident, por çfarë do të cilësonit si problem…?
Në anën e zezë të medaljes dua të përmend një nga gjërat, që është tronditëse si fakt dhe që është një ngërç i përgjithshëm në zhvillimin e biznesit në Shqipëri: faktin që Spitali Amerikan është përballur dhe vazhdon të përballet në mënyrë të vazhdueshme me presione dhe shantazhe, që arrijnë deri në gjobëvënie nga media të ndryshme. Sulmi ndaj bizneseve po shndërrohet në një mënyrë funksionimi nga disa media dhe do të dëshiroja të ndërgjegjësoheshin e të mos humbasin besueshmërinë e tyre, duke keqpërdorur lirinë e fjalës, të ruajnë profesionalizmin dhe integritetin, duke mos keqinformuar publikun.
Përveç kësaj, të kënaqur me çfarë keni arritur?
Pavarësisht këtyre vështirësive, strategjia e konceptit amerikan për të ngritur një institucion të qëndrueshëm, ka funksionuar deri tani për ne. Përgjigjia jonë ndaj këtyre fenomeneve është vetëm puna e përkushtuar dhe rritja e vazhdueshme e kënaqësisë së pacientëve. Kjo ka bërë që Spitali Amerikan të ketë një kërkesë mjaft të madhe nga pacientët duke u “detyruar” në kuptimin e mirë të fjalës, të zgjerohet vazhdimisht.
Cilat janë planet për të ardhmen?
Për vite me radhë Spitali Amerikan ka qënë i fokusuar në shërbimin e pacientëve vendas. Rekordet dhe historitë e suksesit të Spitalit Amerikan kanë kapërcyer edhe kufijtë e Shqipërisë, duke bërë që, gjithmonë e më shumë, pacientë të huaj të na besojnë. Prej rreth 5 vjetësh, Spitali Amerikan pret dhe përcjell pacientë të huaj, të cilët vijnë dhe shpenzojnë në Shqipëri, duke e kthyer kështu turizmin mjekësor në një pikë të nxehtë të zhvillimit të ekonomisë edhe për vitet në vazhdim. Me zgjerimin e rrjetit spitalor në gjithë Shqipërinë, kapaciteti e teknologjia kanë avancuar dhe stafi drejtues tani synon tërheqjen e udhëtarëve mjekësorë “Health Tourism” si prioritet për pesë vitet e ardhshme.