Kirurgjia e zemrës në Spitalin Amerikan, me hapin e më të mirëve të Europës
Konferencat mjekësore në Spitalin Amerikan, për afro një vit janë shndërruar në skenën kryesore ku shpalosen dhe diskutohen informacionet, risitë dhe teknikat inovative shëndetësore, të domosdoshme për rritjen profesionale të stafit mjekësor.
Konferenca me temë “Rivaskularizimi i miokardit. Bypassi aortokoronar on & off pomp” e organizuar nga Departamenti i Kardiokirurgjisë i Spitalit Amerikan solli në fokus metodat kirurgjikale që kryen në Spitalin Amerikan dhe në veçanti u ndal te trajtimi i pacientëve me probleme të zemrës, nga paraqitja në spital deri në trajtimin adekuat të tyre.
“Operacionet “on & off pump” ose operacionet në një zemër që rreh, që nuk bën ndalimin e punës ka të mirat e tij dhe besojmë që edhe stafi pjesëmarrës në konferencë të njihet me këto metoda që në Europë sot po futen në shumicën e spitaleve në një përqindje shumë të madhe dhe konsiderohen si teknika “gold” ose si trajtimi më i mirë që mund t’i bëhet një pacienti me sëmundje koronare”, sqaroi Dr.Arben Kojqiqi, lektor i konferencës.
“Në Spitalin Amerikan, – shton kirurgu kardiotorakal Arben Kojqiqi, – rreth 90 % e operacioneve të zemrës kryhen me këtë teknikë. Jemi shumë para disa qendrave të njohura në Europë, sepse këto operacione në Europë bëhen në 30% të spitaleve me këtë teknikë që ne përdorim. Pra janë qendra të veçanta në Europë që janë të trajnuara për ndërhyrje të tilla. Spitali Amerikan për sa i përket kirurgjisë së zemrës është në të njëjtin nivel me spitalet e tjera ndërkombëtare”.
Konferenca “Rivaskularizimi i miokardit. Bypassi aortokoronar on & off pomp” vjen në kuadër të një programi të mirëdetajuar nga Drejtoria e Strategjisë Akademike dhe Edukimit Mjekësor në Spitalin Amerikan. Ky program shkencor mjekësor do të kulmojë me eventin më prestigjoz të Mjekësisë bashkëkohore, “Kongresin e IV Ndërkombëtar Mjekësor Multidisiplinor” që do të mbahet në datat 15-17 Nëntor në “Hotel Plaza” në Tiranë. Një aktivitet madhor, i vetmi në llojin e tij në vendin tonë ku plejada e mbi 100 Profesorëve të shquar nga 25 vende të botës, i bashkohet kontributit të mjekëve më të mirë nga gjithë trevat shqiptare.