Pasiviteti fizik dhe sëmundjet kardiovaskulare në kohën e koronavirusit.
Me rritje e masave shtrënguese në lidhje me karantinimin dhe lëvizjen e personave për parandalimin e përhapjes së virusit, duket se ka lindur nje problem i ri që ka të bëjë me pasivitetin fizik dhe efektet dëmtuese të tij në shëndet. Sipas rregullores së përcaktuar së fundmi shteti yne ka kërkuar të gjithë qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, përvecse kur lëvizja bëhet për arsye të vlefshme si puna, shëndeti ose për çështje të tjera të pashmangshme siç është ndihma për ata që janë të sëmurë apo të paaftë apo që të blenë ushqime, ilaçe etj. Shumë kompani apo biznese po punojnë nëpërmjet telekomunikimit. Të gjitha ngjarjet dhe garat sportive janë pezulluar ose anuluar.
Aktiviteti i kufizuar fizik apo pamundësia për të bërë një shëtitje nga shtëpia si pasojë e karantinimit të rreptë, mund të shoqërohet me efekte të pafavorshme metabolike, gjë që do të rriste në mënyrë dramatike rrezikun për çrregullime të rënda si diabeti, kanceri, osteoporoza dhe sëmundje kardiovaskulare. Reduktimi i aktivitetit fizik gjithashtu mund të ndikojnë në shëndetin mendor duke shkaktuar ndjesi të pakëndshme si trishtimi, zemërimi, zhgënjimi, acarimi.
Në një përmbledhje mbi ndikimin psikologjik të karantinimit interpretuar së fundmi nga Brooks et al., autorët deklarojnë se frika e shpërthimit të sëmundjes mund të shkaktojë simptoma të stresit post-traumatik, depresionit dhe / ose konfuzion, ndër të tjera.
Efektet e dëmshme janë përshkruar gjithashtu pas ndërprerjes së menjëhershme të aktivitetit fizik, i cili mund të vijë pas vendosjes së papritur të karantinës. Adaptimet metabolike dhe kardiovaskulare nga aktiviteti fizik mund te humbasin vetëm në dy javë pasivitet, duke cuar në dëmtim të kapacitetit aerobik dhe rritje të presionit të gjakut. Më e rëndësishmja është se ndërprerja e menjëhershme e aktivitetit fizik con në ulje të kthimit venoz, zvogëlim të perfuzionit koronar, nxitje të prodhimit të lipoproteinave aterogjenike dhe shtim te riskut për aksidente kardiovaskulare dhe të vdekshmërisë.
Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka krijuar udhëzime të qarta për sasinë minimale të aktivitetit fizik të nevojshëm për të ruajtur shëndetin e duhur. Për shembull, rekomandohet që adultët e grupmoshës 18 – 64 vjeç, grupmosha më së shumti e prekur nga COVID-19 sipas statistikave të fundit (dmth. llogariten mbi 70% të të gjitha rasteve të rënda i përkasin këtij grupi), duhet të përfshihen në trajnime javore të paktën 150 min me aktivitet fizik me intensitet mesatar ose 75 min aktivitet fizik me intensitet të fuqishëm, ose me një kombinim të aktivitetit me intensitet të moderuar dhe të fortë. Studimet e fundit por edhe të mëparshme dëshmojnë për përfitime që lidhen me mbijetesën jo vetëm tek të sëmurët kardiakë por dhe tek ata të infektuar me covid.
Gjatë karantinës, qëndrimi aktiv dhe mirëmbajtja e një rutine fizike do të ishte thelbësore për shëndetin fizik dhe mendor. Për fat të mirë një gamë e madhe ushtrimesh mund te zhvillohen me aplikacione të telefonit nga shtëpia.
Prandaj ne inkurajojmë qeveritë kombëtare të marrin në konsideratë edhe përjashtime përsa i përket aktivitetit fizik në mbylljen mbarëkombëtare.
Organet kopetente duhet të lejojnë kryerjen e sigurt të aktiviteteve fizike në natyrë (p.sh.ecje, vrapim ose sporte të tjera individuale, ku mund të ruhet distanca adekuate ndërpersonale), në mënyrë që të parandalohet gjenerimi i pandemisë COVID-19 por edhe pasojat kardiovaskulare nga ndërprerja e aktivitetit fizik.
Adaptuar në shqip nga Dr. Shk. Nereida Ulqini Xhabija, mjeke kardiologe pranë Spitalit Amerikan 2.
Huazuar nga:
Physical inactivity and cardiovascular disease at the time of coronavirus disease 2019 (COVID-19)
European Journal of Preventive Cardiology 0(0) 1–3
The European Society of Cardiology 2020
Article reuse guidelines: sagepub.com/journals-permissions