Tel. +355 (0) 42 35 75 35    -    Kontakt    -               
American Hospital
  • Shërbimet Mjekësore
  • Stafi Mjekësor
  • Degët
  • Të Reja
  • Pacientët
  • Rreth Nesh
    • Chairman
    • Burimet Njerëzore
    • Pyetjet më të shpeshta
    • Kontakt
  • EnglishEnglish
  • Shërbimet Mjekësore
  • Stafi Mjekësor
  • Degët
  • Të Reja
  • Pacientët
  • Rreth Nesh
    • Chairman
    • Burimet Njerëzore
    • Pyetjet më të shpeshta
    • Kontakt
  • EnglishEnglish

Blog

American Hospital > Të Reja 2
ERCP, teknika që diagnostikon dhe trajton patologjitë e rrugëve biliare dhe pankreatike

ERCP, teknika që diagnostikon dhe trajton patologjitë e rrugëve biliare dhe pankreatike

By Spitali Amerikan - Të Reja

Spitali Amerikan ka përqafuar me sukses çdo metodë inovative në shërbim të përmirësimit të cilësisë së jetës, reduktimit të dhembjes, si dhe zgjidhjes përfundimtare të patologjive të ndryshme.

ERCP është një teknikë endoskopike mini invazive që aplikohet prej 2012-ës në Spitalin Amerikan nga një ekip i kualifikuar mjekësh nën drejtimin e Dr. Sabri Tmava. Kjo procedurë është shumë e dobishme dhe e pazëvendësueshme në diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive të rrugëve biliare dhe pankreatike.

Një ndër patologjitë më të shpeshta të rrugëve biliare janë kalkulozat, prania e gurëve në koleciste dhe më rrallë në koledok. Prania e gurëve në koleciste trajtohet me rrugë kirurgjikale, bëhet kolecistektomia e cila mund të realizohet e hapur apo me anë të laparoskopisë. Nëse gurët kalojnë në rrugët biliare trajtimi i tyre me kirurgji është shumë i vështirë dhe me komplikacione të shpeshta, kështu që për këtë ka indikacion që të bëhet ERCP.

Një tjetër indikacion i rëndësishëm i ERCP është dhe trajtimi i ngushtimeve të kanaleve të tëmthit të shkaktuara nga tumore të pankreasit apo të rrugëve biliare apo inflamatore. Kështu, me anë të kësaj teknike arrihet që të vendosen stente, të cilat janë plastike dhe mekanike dhe bëjnë të mundur hapjen e ngushticave dhe zbrazjen e rrugëve biliare.

Në varësi të gjetjeve procedura mund të zgjasë nga 30 minuta deri në mbi një orë. Pas përfundimit të procedures, pacienti zgjohet brenda disa minutave dhe monitorohet deri në rikuperimin e plotë nga medikamentet sedative.

Ndonëse ERCP është një procedurë e sigurtë dhe e tolerueshme nga pacientët, e cila ka edhe disa rrisqe, si më poshtë:

  • Hemoragjia. Zakonisht ajo është minimale dhe ndalon vetë.
  • Infeksioni i rrugëve biliare (kolangiti) mund të ndodhë nëse duktuset biliare nuk drenohen mirë, dhe mund të kërkojë trajtim me antibiotikë për disa ditë pas kryerjes së procedurës.
  • Pankreatiti (inflamacion i pankreasit) ndodh ne 3-7% të procedurave të pacientëve që bëjnë ERCP. Në shumicën e rasteve është formë e lehtë, me dhembje të lehta abdominale.
  • Perfracioni i ezofagut, stomakut, zorrës së hollë ose i kanaleve biliare mund të ndodhë. Është i rrallë, shpesh i lehtë dhe kalon vetë, por ndonjëherë mund të nevojitet dhe ndërhyrje operatore për rregullimin e tij.

 

Si t’i dalloni infeksionet seksualisht të transmetueshme (SST)

By Spitali Amerikan - Të Reja

 

Si ta kuptojmë që jemi prekur nga një infeksion seksualisht i transmetueshëm? Cilat janë format që shfaqen apo nuk japin asnjë shenjë? Zakonisht sëmundjet seksualisht të transmetueshme nuk japin shenja, madje edhe për disa muaj nga dita e parë e infektimit. E vetmja mënyrë që të zbulohet nëse jeni të prekur nga një infeksion seksualisht i transmetueshëm janë analizat. Analizat janë specifike në varësi të simptomave që shfaqen, moshës apo gjinisë. Këtu përfshihen:  

Analiza e gjakut

Infeksionet si HIV, Sifilizë, Herpes, Hepatiti B dhe C zbulohen nga analiza e gjakut; e cila në këtë rast është e njëjtë me analizat e zakonshme të gjakut.

Swab test

Ky test konsiston në marrjen e masës së sekrecioneve dhe materialeve për test në zonën intime të meshkujve dhe femrave që dyshohen se janë të infektuar. Më pas kjo masë shkon në laborator për t’u testuar. Ky test bëhet për të zbuluar infeksione të tilla si: gonorreja, klamidia apo herpesi.

Ekzaminimi fizik

Ekzaminimet fizike nuk kryhen gjithmonë për të zbuluar infeksionet. Por në rastet që ky lloj ekzaminimi bëhet për personat që dyshohen për infeksion, mjeku bën një kontroll të zonës intime për të parë nëse kemi të bëjmë me parazitë, plagë apo gjendra të ndryshme që mund të sjellin infeksione. Gjithashtu në disa raste mjeku mund të kontrollojë dhe gjinjtë, për të parë nëse kemi të bëjmë me ndonjë zgjatje limfatike të zgjeruar.

Kur duhet të kryhet testi i STI?

Çdokush që ka një jetë aktive seksuale apo shenja të tilla; si djegie urine apo dhembje, duhet t’i nënshtrohet patjetër testeve për infeksionet seksualisht të transmetueshme. Nuk përjashtohen këtu personat, të cilët kanë një jetë aktive seksuale dhe nuk kanë asnjë nga shqetësimet apo shenjat e lartpërmenduara, të cilët duhet t’i nënshtrohen testeve për infeksionet një herë në vit.

Po testi HIV?

Testet e HIV janë të rekomandueshme të bëhen për të gjithë nga mosha 13-64 dhe të përsëritet nga personat që kanë një jetë aktive seksuale me partner të ndryshëm.

Testet e gonorrea dhe klamidia janë veçanërisht të rëndësishme për gratë seksualisht aktive, sepse këto infeksione mund të shkaktojnë sëmundje kronike dhe infertilitet, nëse nuk diagnostikohen dhe trajtohen, por janë lehtësisht të shërueshme nëse zbulohen herët.

Testimi i sifilizit rekomandohet për të gjitha gratë shtatzëna gjatë vizitës së tyre të parë prenatale. Për virusin herpes simplex 1 dhe tipit 2, testet e gjakut duhet të merren parasysh në të gjithë pacientët që kërkojnë të dinë nëse janë mbartës të STI.

Spitali Amerikan, projekt madhor për diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive të gjirit

By Spitali Amerikan - Të Reja

 


Shëndeti i gruas është një nga shtyllat e filozofisë të Spitalit Amerikan, gjithmonë në shërbim të jetës. Për këtë arsye, në bashkëpunim me “Qendrën e Gjirit“ të Universitetit të Kembrixhit, Spitali Amerikan po punon për një projekt madhor që ka për qëllim ngritjen e një qendre të specializuar për diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive të gjirit, veçanërisht kancerit të gjirit. Kjo ishte risia që u zbulua gjatë Konferencës Mjekësore të Radiologjisë me fokus “Kanceri i gjirit – përqasje multidisiplinore”, e cila u përmbyll me sukses në Spitalin Amerikan 3.

Dr. Shkc. Iris Allajbeu, njëkohësisht dhe lektore e konferencës theksoi se në këtë qendër të standardeve bashkëkohore, një ekip mjekësh të specializuar dhe me përvojë do të ofrojnë një shërbim të shpejtë, efikas, cilësor për të gjitha pacientet duke filluar nga diagnostikimi i hollësishëm i sëmundjeve të gjirit, trajtimi, ndjekja dhe deri në rikonstruksionin plastik të tij. Një hap i nivelit superior që Spitali Amerikan ndërmerr në trajtimin e kancerit të gjirit dhe të gjitha patologjive të tij, që shkon paralelisht me organizimin e konferencave të cilat synojnë informimin e mjekëve me teknikat dhe metodat moderne të trajtimit.

Ngritja e nivelit të dijeve, sipas Dr. Emiljana Huti është shumë e rëndësishme, jo vetëm për mjekët onkologë që janë në luftë të përditshme me këto patologji, por edhe për mjekët e familjes, si porta e parë ku shumë zonja mund të trokasin për shqetësimin që kanë. Konferenca Mjekësore e Radiologjisë me fokus “Kanceri i gjirit – përqasje multidisiplinore”, i ka paraprirë fushatës së muajit Tetor për ndërgjegjësimin ndaj luftës kundër kancerit të gjirit.

Kanceri i Prostatës, 10 fakte të rëndësishme

By Spitali Amerikan - Të Reja

Problemet e prostatës janë të zakonshme për meshkujt e moshës së tretë. Rreth 90% e meshkujve në moshën 80 vjeçare përjetojnë ndryshime hormonale të cilat sjellin si pasojë zgjerimin e prostatës. Por nëse kjo e fundit mund të krijojë parehati, është kanceri i prostatës ai që duhet tëshqetësojë. Më poshtë renditen 10 fakte të rëndësishme që lidhen me kancerin e prostatës.

1. Është më i zakonshëm nga sa mendoni

Është lloji më i zakonshëm i kancerit te burrat. Pas atij të mushkërive, kanceri i prostatës është shkaktari i dytë i vdekjeve te meshkujt.

2. Mund të kurohet nëse kapet herët

Është një nga më agresivët pasi lëshon metastaza, ndaj vonesa në zbulimin e tij mund të jetë fatale. Nëse kapet herët, shkalla e shërimit është pothuajse 99%. Zbulimi dhe trajtimi i hershëm janë vendimtarë në shpëtimin e jetës.

3. Ekzaminimi i hershëm mund të jetë i nevojshëm

Ekzaminimi i hershëm mund të ketë rezultat shumë pozitiv për pacientin. Ndaj mjekët sugjerojnë që meshkujt që kanë shqetësime të prostatës duhet të kërkojnë ndihmë mjekësore që në moshën 50 vjeçare. Në varësi të historisë familjare dhe faktorëve të tjerë të rrezikut, kontrollet duhet të nisin që në moshën 40 vjeçare.

4. Raca është një faktor rreziku

Sipas statistikave botërore, meshkujt me ngjyrë janë më të rrezikuar nga kanceri i prostatës. Jo vetëm që kanë më shumë gjasa të preken, por kanë edhe përqindjen më të lartë të vdekshmërisë.

5. Disa simptoma të kancerit të prostatës

Simptomat e kancerit të prostatës, nëse ka, shpesh mund të ngatërrohen me ato të patologjive të tjera, si prostatiti. Shenjat më të zakonshme janë urinimi i shpeshtë, vështirësi në kontrollimin e urinës, por edhe çrregullime seksuale, si mosfunksionimi i ereksionit ose ejakulim i dhembshëm. Drejtohuni menjëherë te mjeku nëse keni ndonjë nga këto simptoma.

6. Mjetet e ekzaminimit po përmirësohen

Gjithmonë është debatuar lidhur me mjetet që përdoren për të ekzaminuar kancerin e prostatës. Testet që masin nivelet e antigjenit specifik të prostatës, ose PSA, tregojnë vetëm se diçka e pazakontë po ndodh me prostatën, por jo që një pacient ka kancer. Edhe biopsia standarde për kancerin e prostatës merr mostra nga një model fiks rreth organit, në vend që të përcaktojë saktësisht vendndodhjen e tumoreve.

7. Kanceri i prostatës nuk kërkon gjithmonë ndërhyrje kirurgjikale ose trajtim

Kur një person diagnostikohet me kancer të prostatës, agresiviteti i këtij të fundit përcaktohet me anë të një mënyre të quajtur Shkalla Gleason. Kanceri i prostatës me Shkallën Gleason 6 ose më të vogël konsiderohet me rrezikshmëri të ulët, 7 është mesatare dhe nga 8 deri në 10 rreziku është i lartë.
Për personat me rrezik të ulët të kancerit të prostatës, gjasat janë që ky tumor të zhvillohet aq ngadalë saqë trajtimi nuk është i nevojshëm. Në vend të tij, mjeku mund të rekomandojë ekzaminime periodike si: teste të PSA dhe biopsi për t’u siguruar që nuk ka rritur agresivitetin

8. Konsideroni efektet e trajtimit afatgjatë

Duhet të merrni në konsideratë efektet an̵ësore të trajtimit afatgjatë. Sipas një studimi u konstatua se 15 vjet pas operacionit apo trajtimit me rreze të kancerit të prostatës, një numër i konsiderueshëm i pacientëve kishin përjetuar mosfunksionim seksual, vështirësi me urinimin ose të dyja problematikat të cilat ndikojnë në cilësinë e jetës.

9. Trajtimet ndryshojnë sipas rastit

Çdo njeri është i ndryshëm, kështu që plani i trajtimit përshatet sipas rastit. Trajtimi mund të kërkojë një procedurë kirurgjikale për të shkatërruar tumoret ose për të hequr prostatën. Mund të përfshijë gjithashtu rrezatimin, kimioterapinë, trajtimet hormonale ose imunoterapinë, ose mjeku mund të rekomandojë një kombinim të tyre.

10. Ndryshimi i stilit të jetesës mund të ndihmojë, por nuk është një kurë magjike

Disa studime tregojnë se mund të ketë një lidhje midis stilit të jetesës, dietës apo obezitetit dhe shtimit të rasteve me kancer të prostatës. Por mosha, historia familjare dhe raca mbeten faktorët kryesorë të rrezikut. Ndryshimet në stilin e jetës që ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit të pacientëve të prekur nga kanceri i prostatës janë: mospirja e duhanit, ruajtja e një peshe të shëndetshme, konsumimi i një diete të pasur me fruta, perime, drithëra integrale dhe nënprodukte të qumështit.

 

 

Kistet e gjirit, kur duhet të kemi kujdes

By Spitali Amerikan - Të Reja

Kistet e gjirit janë formacione të vogla, zakonisht të mbushura me likide, që zhvillohen në brendësi të indit të gjirit. Këto formacione janë mjaft të zakonshme te gratë që janë në fazën e peri-menopauzës dhe ndonjëherë manifestohen në kombinim me mastopatinë fibroze.

Simptomat që shoqërojnë kistet e gjirit mund të përfshijnë ndjenjën e acarimit dhe dhembjes së gjirit, të cilat janë më të të theksuara në periudhën para menstruacioneve.

Normalisht, formacionet kistike të gjirit janë të natyrës beninje dhe nuk evoluojnë drejt natyrës malinje; megjithatë, prania e një ose më shumë formacioneve e bën të domosdoshëm monitorimin klinik.

Në përgjithësi, kistet e gjirit nuk kërkojnë trajtim, përveç rasteve kur simptomat dhe madhësia e tyre i krijojnë parehati pacientit. Në këto raste, është e nevojshme heqja e likideve që ndodhen në brendësi të formacioneve me anë të gjilpërave (një procedurë diagnostike dhe terapeutike në të njëjtën kohë); përndryshe, ndonëse rrallëherë, mund të kryhet heqja me kirurgji.

Shkaku

Shkaku i formimi të kisteve të gjirit ende nuk është plotësisht i njohur.

Janë më të zakonshme tek femrat midis moshës 30 dhe 50 vjeç, por mund të ndodhin edhe gjatë adoleshencës dhe pas menopauzës kur përdoren terapi zëvendësuese hormonale.

Ndryshimet në nivelet normale të hormoneve (si një tepricë e estrogjenit) dhe ndryshimet në indin e gjirit (krijimi i gjëndrave, fibrozave dhe dhjamosja) me moshën mund të luajnë një rol në zhvillimin e kisteve. Mundësia e formimit të tyre zvogëlohet ndjeshëm pas menopauzës.

Kistet priren të formohen në fund të kanalit lobular, që është në pikën ku lobulat bashkohen me kanalet galaktoforike (tubat e vegjël që sjellin qumështin e prodhuar nga gjëndrat e qumështit në thithë). Në veçanti, formimi i kisteve mund të lindë si pasojë e një zhvillimi jonormal të gjëndrave të gjirit dhe të stromës rrethuese. Këto situata, nëse çojnë në bllokimin e një segmenti të kanaleve nga epiteli hiperplasik, mund të shkaktojnë dilatimin dhe akumulimin e likideve.

Kistet e gjirit mund të shfaqen në formën e mastopatisë fibroze. Në këtë rast, simptomat si dhembja (mastodinia) dhe ndjenja e acarimit të gjirit janë më intensive në gjysmën e dytë të ciklit menstrual ose gjatë shtatzënisë. Edhe pse janë kryesisht një çrregullim femëror, kistet mund të zhvillohen edhe në gjinjtë e meshkujve.

Shenjat dhe simptomat

Kistet e gjirit janë qeska të vogla ose dhomëza të mbushura me lëng, të rrethuara nga një kapsulë e jashtme, të cilat shpërndahen në indin e gjirit dhe me prekje duken si kokrra të vogla të lëvizshme.

Në gji mund të zhvillohen një ose më shumë formacione kistike. Në përgjithësi, ato formohen vetëm në një gji, por nuk përjashtohet krijimi te të dy, në të njëjtën kohë. Madhësia e kisteve të gjirit mund të ndryshojë nga disa milimetra (mikrokiste) në disa centimetra (makrokiste).

Në përgjithësi, mikrokistet nuk kanë simptoma, por mund të shihen me anë të ekzaminimeve mjekësore, si ekografia dhe mamografia.

Makrokistet e gjirit mund të dallohen edhe me anë të vetëekzaminimit të gjirit, dhe krijojnë ndjesinë se po prek një kokërr rrushi relativisht të butë. Ndërsa në ekzaminimin me ekografi këto masa si qeska të vogla kanë një pamje të rregullt, një formë të rrumbullakët, anë të lëmuara dhe uniformë.

Kistet e gjirit me dimensione të mëdha mund të shkaktojnë dhembje, ndjenjën e tensionit dhe deformim të profilit të natyrshëm të gjirit, kështu që ato mund të jenë shqetësuese për pacienten. Përveç kësaj, në disa raste nga thithat mund të dalin sekrecione me ngjyrë transparente ose në të verdhë të lehtë. Parehatia dhe presioni që ushtrohet në indin e gjirit mund të zbuten, duke e tharë kistin me gjilpërë.

Kiste të thjeshta dhe komplekse të gjirit

  • Kistet “e thjeshta” të gjirit janë formacione që përmbajnë likide, kanë një formë shumë të rregullt, mure të lëmuar dhe të hollë; këto përfaqësojnë formacionet më të zakonshme kistike dhe përgjithësisht janë beninje.
  • Ka, megjithatë, kiste që kanë mure të trasha ose shfaqen si grupe nodujsh të vegjël të ndarë. Kemi një tjetër panoramë ku formacionet nuk janë të mbushura në mënyrë të njëtrajtshme me lëng, por kanë edhe disa elemente solide. Zakonisht, këto kiste “komplekse” i nënshtrohen biopsisë për të ekzaminuar natyrën e tyre dhe intervali nga kontrolli në kontroll do të jetë më i shpeshtë sesa ai i përcaktuar për kistet e thjeshta (për shembull, çdo 6 muaj në vend të një herë në vit).

Diagnoza

Kistet e thjeshta nuk rrisin rrezikun e kancerit të gjirit. Megjithatë, prania e një ose më shumë formacioneve kistike mund ta bëjë më të komplikuar identifikimin e nodujve të rinj ose të ndryshimeve të tjera, të cilat mund të kenë nevojë për një vlerësim më të specializuar.

Prandaj, kur një kist i gjirit zbulohet me vetëekzaminim, këshillohet që të kryhet një kontroll mjekësor.

Kontrolli i drejtpërdrejtë me vëzhgim dhe prekje të gjirit (ekzaminimi senologjik) bën të mundur konstatimin e një kisti në gji, ndërsa ekografia e gjirit shërben për të vlerësuar praninë e lëngut dhe të përjashtojë pjesët e ngurta të kistit.

Me qëllim që të hulumtojë më tej natyrën e këtij formacioni, senologu mund të vazhdojë duke marrë përmbajtje nga formacioni (përmes gjilpërës). Kjo procedurë kryhet nën udhëzimet e ekografisë, duke futur një gjilpërë të hollë në formacionin e dyshuar dhe duke mbledhur materialin që përmban ajo, për ta shqyrtuar më pas.

Prania e lëngjeve transparente, në ngjyrë të verdhë ose të gjelbër, zakonisht tregon vetëm një kist në gjoks. Kur materiali i mbledhur përmban gjak, kjo tregon se ka papastërti të ngurta ose qeliza neoplasike dhe mbetet e pandryshuar pas tharjes me gjilpërë, atëherë materiali i mbledhur dërgohet në laborator për hetim citologjik.

Në rast se nuk ka lëng, atëherë është i nevojshëm ekzaminimi me mamografi ose ekzaminimi histologjik.

Trajtimi

Në shumicën e rasteve, kistet e gjirit janë beninj dhe nuk kërkojnë asnjë trajtim; pasi këto formacione mund të mbesin të pandryshueshme për shumë vite ose mund të largohen spontanisht. Megjithatë, ashtu si formacionet e tjera të gjirit, prania e një kisti nuk duhet të neglizhohet dhe kërkon një vëzhgim periodik përmes vetëekzaminimit dhe monitorimit me ekografi.

Për të lehtësuar dhembjet e përkohshme, mund të jetë i dobishëm përdorimi i reçipetave që ofrojnë një mbështetje të përshtatshme ose i qetësuesve kundër dhembjes, siç është paracetamoli. Kur kistet fillojnë të rrisin volumin dhe shkaktojnë ndjesi parehatie te pacientja, mund të rekomandohet një procedurë ambulatore (citologji me gjilpërë të hollë) për të drenazhuar lëngun e formacioneve, zvogëluar volumin në mënyrë që gjiri të jetë më pak i tendosur dhe të pakësojë dhembjen.

Shpesh, megjithatë, kistet e gjirit mund të formohen përsëri, në kohën që kapsula e jashtme mbetet dhe mund të mbledhë sërish lëngje. Prandaj, nëse formacioni reziston për dy ose tre cikle menstruale, ka tendencën të përsëritet pas heqjes së lëngut me gjilpërë ose rrit gradualisht madhësinë, është mirë të konsultoheni me mjekun për të vlerësuar nëse do të përdorni përsëri procedurën e tharrjes ose të konsideroni trajtimin farmakologjik (p.sh. kontraceptivët oral, danazol ose tamoxifen) për të reduktuar rishfaqjen e kisteve në gji. Gjithashtu ndërprerja e terapisë hormonale pas menopauzës mund të ndihmojë për të kufizuar çrregullimin.

Vetëm në raste të jashtëzakonshme, dmth kur simptomat janë veçanërisht të theksuara dhe formacioni zhvillohet në mënyrë jonormale ose përmban gjak, mund të sugjerohet heqja me kirurgji e kistit të gjirit.

Drita e syve te fëmijët tuaj

By Spitali Amerikan - Të Reja

Mezi prisni që fëmijët tuaj të eksplorojnë botën jashtë. Deri tani çdo gjë ka qenë nën mbikqyrjen tuaj. Sot ai është më i madh dhe do të shohë e zbulojë përmes syve të tij. Sigurohuni të dini gjithçka përpara se të jetë vonë.

Fëmijët mësojnë përmes syve të tyre. Shikimi i qartë është i rëndësishëm për ata, që të lexojnë, të shkruajnë, të dallojnë informacionin në dërrasë ose kompjuter, madje edhe të luajnë. Është më shumë se të shohësh qartë afër apo larg. Sytë gjithashtu ju ndihmojnë të shquani shkronja të ngjashme, të tilla si “b” dhe “d”, si dhe ju lejojnë të kujtoni detajet e asaj që lexoni, në mënyrë që të mund ta përfytyroni historinë në mendjen tuaj.

Simptoma delikate

Nëse fëmija juaj nuk mund të shohë mirë, ai mund të ketë vështirësi për të mësuar. Ai mund të humbasë vëmendjen e tij gjatë leximit ose ta shmangë atë. Performanca e tij mund të ulet. Shenjat e problemeve me sytë nuk janë gjithmonë të dukshme. Ju mund të vëreni se ai:

  • Fshin shpesh sytë
  • Pulit shpesh sytë
  • Dhembje koke nga tendosja e syve
  • Anon kokën në një anë
  • Mbulon një sy për të parë
  • Lexon me libër afër
  • Vështirësi për të mbajtur mend
  • Vëmendje afatshkurtër

Problemet që mund t’i shihni

Ndryshimet në sytë e fëmijëve tuaj mund të jenë alarm që diçka nuk po shkon mirë:

  • Sy të fryrë
  • Kapakë të ulur
  • Skuqje
  • Sy që nuk ndërveprojnë
  • Ngjyrë e hirtë ose gri në qendër
  • Pulitje të shpejta të syve (lart, poshtë ose anash)
  • Lotim të vazhdueshëm
  • Pupilë e bardhë në foto të realizuar me blic

Fëmija juaj gjithashtu mund t’ju tregojë që provon dhimbje dhe irritim tek sytë.

Zbulimi i hershëm është çelësi

Problemet më të shpeshta të syve te fëmijët janë vizioni i paqartë (problemet refraktive), strabizmi dhe syri dembel (ambliopia). Një ekzaminim i rregullt i syrit mund të kapë në kohë këto probleme. Sa më e gjatë koha pa trajtim, aq më shumë truri i fëmijës do të sforcohet për ta rregulluar problemin. Kjo mund të çojë në komplikacione të tjera, që mund të jenë më të vështira për t’u trajtuar.

Kur është koha të shkojmë te mjeku?

Fëmijët mbi moshën 3 vjeç, duhet të kryejnë check up të rregullt një herë në çdo 1-2 vjet. Një vizitë e thjeshtë dhe një fushë vizive tek mjeku oftalmolog mund të kapë në kohë problemet me sytë. Por nuk mund t’i diagnostikojë ato. Në fakt, këto teste mund të mos diagnostikojnë deri në 60 % të problemeve. Kontrolli tek mjeku okulist rekomandohet që në fëmijët e prosalindur, duke vazhduar këtë rutinë deri në moshën 3 vjeçare. Në moshën 3 vjeç, fëmija juaj duhet të kryejë një test më të plotë.

Çfarë ndodh në vizitë?

Një ekzaminim i detajuar i syrit zgjat deri në 2 orë dhe përfshin disa teste. Në varësi të grupmoshës, realizohen edhe ekzaminimet përkatëse. Mjeku do të testojë tek fëmija ndjekjen me sy të dritës ose lodrës që do të vendosë përpara tij. Fusha vizive; mbulimi i njërit sy dhe fokusimi i objektit, shkronjave apo figurave që duhet të lexohen vetëm më njërin sy, është një prej ushtrimeve efikase. Ata që nuk mund të lexojnë mund të përshkruajnë format. Mjeku gjithashtu kontrollon për dallimin e ngjyrave. Tek fëmijët e moshave më të mëdha do të shquajnë ngjyrat në figura, ndërsa ato më të vegjëlit format.

Fokusim te shikimi

Një pajisje e quajtur “fer-rop-ter” shërben për të realizuar testin refraktiv. Ndrrimi i lenteve që vendosen në pajisjen para syve, provon qartësinë ose jo në shikim.

Në varësi të qartësisë në shikim nëpërmjet këtyre lenteve, përcaktohet lloji ekzakt i nevojshëm. Retinoskopi gjithashtu përdoret si pajisje për të mësuar më shumë për fokusin e shikimit.

Jepi dritë problemit

Drita ju mundëson një pamje të qartë në sytë e fëmijës tuaj. Oftalmoskopi është pajisja që shërben për të parë në detaje afër syrin. Para testit, aplikohen disa pika në pupila. Qetësoni fëmijën tuaj duke i shpjeguar rëndësinë e procesit. Specialisti do të vërejë nëpërmjet një ndriçuesi mikroskop për të marrë një pamje 3D.

Korrektimi i shikimit

Nëse ekzaminimi i parë përcakton nëvojen e syzeve për fëmijën tuaj, kërkoni dhe vendosni për skeleton dhe lentet e përshtatshme. Në një moment delikat, që jo cdo fëmijë e pret njësoj, tek fëmijët e moshave më të mëdha lërini t’i zgjedhë vetë. Ndihmojini dhe mësojini të kujdesen vazhdimisht për pastrimin. Për fëmijët që mbajnë syze, këshillohet të kryejnë ekzaminime të herëpashershme çdo vit.

Si të trajtojmë problemet e tjera

Nësë fëmija juaj ka dembelizëm të syrit, duhet të mbajë një fashë ose përdorë pika për syrin e shëndetshëm. Kjo përforcon që truri të sprovojë syrin e dëmtuar për të parë. Të mbajturit vetëm syze, nuk zgjidh totalisht problemin. Kombinimi me ushtrime ndihmon shumë. Kirurgjia ndihmon dhe rekomandohet në rastet kur fëmija ka lindur me kataraktë.

Ndihma e parë

Trajto dëmtimet menjëherë. Mos e lejo fëmijën të fërkojë syrin e dëmtuar, pasi kjo mund të shkaktojë gërvishtje në sipërfaqen delikate të syrit. Nëse ka hyrë diçka në sy, kapini me gishta qepallën, largojeni sa mundni nga kontakti me syrin dhe pulitini sytë disa herë. Lotët ndihmojnë të largojnë papastërtitë. Shpëlajani sytë me ujë të pastër. Traumat si goditjet, gjakosja, kontakti me produkte kimike, etj duhet të trajtohen nga mjeku specialist.

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekun okulist kontaktoni në 042 35 75 35 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

 

Si ndikon niveli i lart dhe i ulët i sheqerit në trupin tuaj?

By Spitali Amerikan - Të Reja

Niveli i lartë i sheqerit në gjak

Ju bën të urinoni më shpesh.

Veshkat duhet të punojnë më shumë se normalisht për të procesuar sheqerin e tepërt në gjak. Në këtë moment trupi juaj humbet të gjitha lëngjet e nevojshme që duhet të ketë për një funksionim të mirë.

Ju shton etjen

Për të asimiluar sheqerin e tepërt, organizmi merr ujë nga indet e veta. Me largimin e lëngjeve të domosdoshme për metabolizmin e trupit, truri merr sinjal se organizmi ka nevojë për ujë dhe për këtë arsye krijohet ndjesia e etjes.

Krijon tharje të gojës

Buzët mund të thahen ose plasariten në momentin që trupi juaj nxjerr lëngjet e domosdoshme jashtë tij. Më pak pështymë dhe më shumë sheqer në gjakun tuaj, bëjnë që të rritet mundësia e krijimit të infeksioneve. Mishrat e dhëmbëve mund të fryhen dhe mund të krijohen çarje të bardha në cepat e buzëve.

Probleme me lëkurën

Largimi i sheqerit nga organizmi kërkon një sasi të madhe lëngjesh dhe largimi i tyre si rrjedhojë çon në tharjen e lëkurës, kruarje, plasaritje, veçanërisht në zonën e  këmbëve, bërrylave, dhe duarve tuaja. Me kalimin e kohës, nivelet e larta të glukozës gjithashtu mund të dëmtojnë nervat. Kjo quhet neuropati diabetike.

Vështirësi me shikimin

Kur niveli i sheqerit në gjak është i lartë ai mund të ndikoj në zvogëlimin e sasisë se lëngjeve edhe në sytë tuaj, gjë që e bën më të vështirë aftësinë për tu përqendruar. Niveli i lartë i sheqerit në gjak mund të dëmtojë enët e gjakut në pjesën e prapme të syrit tuaj (retinë), kjo mund të shkaktojë humbje afatgjatë të shikimit dhe madje edhe verbëri.

Ngadalëson procesin e shërimit të plagëve

Niveli i lartë i sheqerit në gjak mund të prekin sistemin e qarkullimit të gjakut, arteriet dhe nervat duke ngadalësuar procesin e shërimit/mbylljes së plagëve.

Sjell lodhje

Nëse keni diabet të tipit 2 dhe nivelet e sheqerit në gjak janë shpesh të larta, mund të ndodh që të bëheni më pak të ndjeshëm nga insulina e cila ndihmon në përcjelljen e energjisë në qeliza. Një munges energjie ju bën të ndiheni të lodhur. Mund të ndiheni të lodhur edhe nëse keni diabet të tipit 1, sepse trupi nuk arrin të prodhoj sasinë e duhur të insulinës.  Nëse diabeti nuk trajtohet nivelet e sheqerit në gjak mund të qëndrojnë të larta për një kohë të gjatë.

Probleme me tretjen

Nëse niveli i sheqerit në gjak është i lartë për një kohë të gjatë, mund të dëmtojë nervin vagus, i cili ndihmon në lëvizjen e ushqimit përmes stomakut dhe zorrëve. Si pasojë e kësaj mund të humbni peshë sepse nuk jeni të uritur gjithashtu mund të keni probleme me refluksin, spazma, të përziera ose kapsllëk.

Niveli i ulët i sheqerit në gjak

Sjell lodhje

Nëse keni diabet, insulina është një mënyrë për të ulur nivelin e sheqerit në gjak kur ai është i lartë. Por nëse merrni sasi më të madhe insuline, ajo mund të largoj më shpejt glukozën nga gjaku duke mos e lejuar trupin ta plotësoj mungesën. Kjo ju bën të ndiheni të lodhur.

Jep të dridhura

Sasia e ulët e glukozës në gjak mund të çrregullojnë sistemin nervor qendror, i cili kontrollon lëvizjet. Kur ndodh kjo, trupi juaj prodhon hormone, si adrenalina, për të ndihmuar në rritjen e nivelit të glukozës në gjak. Këto hormone gjithashtu bëjnë që duart tuaja ose pjesë të tjera të trupit të dridhen.

Bën që të djersiteni

Hormonet që trupi juaj lëshon për të rritur nivelin e sheqerit në gjak kur ai është shumë i ulët gjithashtu ju bën të djersiteni shumë. Shpesh është një nga gjërat e para që vëreni kur nivelet e glukozës bien shumë.

Jep uri

Papritur edhe pasi keni ngrënë keni ndjesinë e urisë. Kjo është një shenjë që tregon se trupi juaj nuk kthen ushqimin në sheqer në mënyrën e duhur dhe për kete arsye ndiheni të pa ngopur ose të uritur.

Ju bën të ndjeni përzierje

Kur nivelet e sheqerit në gjak rriten ose ulen shumë, mund të krijoj një efekt “rikthimi”. Kjo sjell një konfuzion të sistemit tretës, dhe ju jep ndjesinë e përzierjes.

Sjell marramendje

Qelizat e trurit kanë nevojë për glukozë për të punuar si duhet. Kur nuk kanë mjaftueshëm, mund të filloni të ndiheni të lodhur, të dobët dhe të trullosur. Gjithashtu mund të keni dhimbje koke.

Jep konfuzion

Kur niveli i sheqerit në gjak është shumë i ulët atëherë kjo sjell konfuzion ose harresë të vazhdueshme. Kjo ndodh në mënyrë të papritur madje mund të shkaktojë dhe gjendje shoku.

Ethet e Nilit Perëndimor: Simptomat dhe parandalimi

By Spitali Amerikan - Të Reja

Ethet e Nilit Perëndimor është një sëmundje virale që shkaktohet nga virusi i Nilit Perëndimor; emri i së cilës rrjedh nga dega e Nilit Perëndimor në Ugandë, dhe për herë të parë është diagnostikuar në 1937 te një grua që vuante nga një temperaturë shumë e lartë.

Sëmundja tipike e kontinentit të Afrikës, po përhapet edhe në pjesët e tjera të botës, siç tregojnë edhe rastet e personave të prekur në vendet e Ballkanit gjatë muajit Gusht.

Simptomat

Periudha e inkubacionit për ethet e Nilit Perëndimor varion nga 2 deri në 15 ditë dhe në format më të lehta sëmundja zgjat nga 3 deri në 6 ditë.

Rreth 80% e rasteve të transmetuara te njerëzit nuk manifestojnë simptoma. Kur manifestohen simptomat ato janë shumë të ngjashme me gripin:

  • temperaturë e moderuar,
  • gjendje parehatie e përgjithshme
  • ulje të oreksit
  • të përziera,
  • dhembje koke,
  • dhembje sysh,
  • dhembje shpine,
  • dhembje muskujsh,
  • kollë
  • puçrra,
  • diarre
  • nyje imfatike të zmadhuara,
  • vështirësi në frymëmarrje.

Format më të rënda të sëmundjes, që kërkojnë trajtim të specializuar, karakterizohen nga simptoma më të rënda, si:

  • temperaturë e lartë,
  • encefalit
  • meningjit
  • dhembje të forta të kokës,
  • dobësi dhe paralizë të lehtë,
  • simptoma gastrointestinale,
  • çorientim,
  • të dridhura
  • konvulsione
  • puçrra në kurriz, qafë, krahë dhe këmbë,
  • ataksi (humbja progresive e koordinimit të muskujve),
  • koma.

Në përgjithësi, kjo sëmundje është e shërueshme, megjithatë, për rreth 1% të pacientëve, mund të degjenerojë në meningjit ose encefalit, sidomos te personat e moshuar ose me imunitet të dobët.

Transmetimi i virusit të Nilit Perëndimor

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet përmes pickimit të mushkonjave. Sa më i madh numri i infeksioneve dhe i mushkonjave në mjedis, aq më e madhe është mundësia e kontaktit me sëmundjen. Ethet e Nilit mund të infektojnë edhe kafshët, në veçanti zogjtë shtegtarë përgjegjës për përhapjen e virusit në botë.

Parandalimi

Mjeti më efikas për të parandaluar është përdorimi i pajisjeve ose spray kundër mushkonjave dhe insekteve në mënyrë që të shmanget një pickim i mundshëm nga insektet bartëse.

Gjithashtu rekomandohet që të evitohen zonat ku ka kafshë të ngordhura ose pellgje me ujë të ndenjur të cilat tërheqin mushkonjat.

Kohëzgjatja e sëmundjes

Ndërsa prognoza e përgjithshme është e favorshme, studimet e tanishme tregojnë se ethet e Nilit Perëndimor shpesh mund të jenë më të rënda sesa supozohej më parë, me raste që kërkojnë deri në 90 ditë për shërimin e plotë. Edhe pacientët e prekur nga format e lehta mund të përjetojnë simptoma të llojeve të ndryshme (të dridhura dhe disfunksion  senso-motor) për një vit ose më shumë, dhe në rastet e rënda, disa dëme mund të jenë të përhershme.

Më pak se 1% e pacientëve të prekur paraqesin simptoma të rënda dhe / ose fatale.

Personat e infektuar dhe që kanë kaluar ethet e Nilit Perëndimor kanë fituar imunitet të përhershëm.

Trajtimi

Aktualisht nuk ekzistojnë vaksina apo trajtime specifike, zakonisht përdoren medikamente që ndihmojnë në lehtësimin e simptomave të sëmundjes.

Në rast se keni simptomat e mësipërme dhe ndjeni se keni nevojë për ndihmën e mjekut drejtohuni tek Urgjenca e Spitalit Amerikan në numrin 068 800 8000

 

Gastroenteritet, rreziku nga të vjellat dhe diarrea në stinën e verës

By Spitali Amerikan - Të Reja

Gastroenteriti është infeksioni i traktit gastrointestinal, kryesisht infeksion i stomakut dhe zorrës së hollë. Shkaktohet nga viruset, bakteret ose mikrobet e tjera. Personat e prekur mund të kenë diarre, të përziera e të vjella apo dhembje barku. Ndonjëherë shoqërohet me temperaturë të lartë, dhembje të kokës dhe të muskujve të trupit. Në përgjithësi është një patologji që kalon brenda pak ditësh dhe nuk ka nevojë per mjekime specifike. Dhembjet e barkut janë të zakonshme dhe qetësohen pak kohë pas jashtëqitjes.

Duhet të shkojnë te mjeku pacientët që kanë:

  • Shenja të dehidrimit, si pasojë e të vjellave dhe diarresë, gjak në jashtëqitje ose dhimbje të forta të barkut.
  • Temperaturë të lartë dhe të vazhdueshme, diarre dhe të vjella që zgjasin.
  • Personat e moshuar, pacientët që vuajnë nga sëmundje kronike apo që kanë probleme me sistemin imunitar (pacientë që marrin mjekime afatgjata me kortizon ose që janë në trajtim me kimioterapi për sëmundje tumorale), gratë shtatzëna. Fëmijët duhet që të konsultohen që në fillim të simptomave të sëmundjes.

Klasifikimi

Gastroenteriti mund të klasifikohet në bazë të kohëzgjatjes së simptomave:

  • Gastroenterit akut, ndodh në harkun e pak ditëve dhe gjithsesi nuk zgjat më shumë se dy javë
  • Gastroenterit rezistent, ka një zhvillim më të ngadaltë dhe nuk kalon përpara 14 ditëve
  • Gastroenterit kronik, ashtu si sugjeron vetë emri, manifeston simptoma të cilat zgjasin më shumë se 30 ditë.

Gastroenteriti infektiv

Agjentët patogjenë potencialisht përgjegjës për gastroenteritin infektiv janë viruset, bakteret dhe parazitët, të cilët futen në organizmin e njeriut me rrugë fekal-orale si pasojë e kushteve të këqija higjenosanitare apo kontaminimit të ushqimeve apo ujit, kolonizojnë mukozën e zorrës dhe alternojnë punën e saj duke dëmtuar mekanizmat e përthithjes dhe sekretimit të qelizave intestinale apo duke çliruar toksina të ndryshme në lumenin e zorrës. Më të zakonshmit janë:

  • Viruset: Norovirus, Astrovirus, Rotavirus dhe Adenovirus.
  • Bakteret: Salmonella, Campylobacter spp., E. Coli (6 lloje), Vibrio spp., Aeromonas spp., Yersinia, Bacillus cereus, Clostridium perfrigens, Staphylococcus aureus enterotoxicogen, Listeria monocytogenes dhe Shigella spp.
  • Parazitët: Cryptosporidium, Microsporidia, Giardia, Cyclospora cajetanensis dhe Entamoeba histolyca.

 Diagnoza

Diagnoza e gastroenteritit bëhet në bazë të simptomave dhe historisë epidemiologjike të sëmundjes:

  • Konsumin e ushqimeve të dyshimta për të dhënë gastroenterit (ushqime të konsumuara në fast food ose restorant, ushqime të ndenjura)
  • udhëtimet jashtë vendit
  • raste me gastroenterit dhe të personave të tjerë të cilët kanë konsumuar të njëjtin ushqim.

Shenjat klinike të gastroenteritit

Në varësi të shkaktarit të sëmundjes, shenjat klinike më të zakonshme janë:

  • anoreksi, dobësi e përgjithshme,
  • dhembje barku në formë spazmash apo fryrje abdominale, gurgullima të zorrëve
  • diarre, ndonjëherë me gjak
  • hipotension, dhembje koke dhe dhembje muskulare
  • të përziera dhe të vjella
  • rënie në peshë
  • dehidrim, ndjesi të ftohti dhe takikardi.

Cilat janë simptomat e dehidrimit?

Dehidrimi është simptoma më e rëndësishme e gastroenteritit. Ndodh nëse të vjellat dhe diarreja janë abondante dhe sasia e lëngjeve që merren është më e pakët sesa ajo që humbet. Shenjat klinike janë:

  • dobësi, lodhje, marramendje
  • dhimbje koke dhe dhimbje muskulare
  • ulje e elasticitetit të lëkurës
  • urinim të pavullnetshëm në sasi të pakët
  • Tharje të gojës dhe gjuhës

Dehidrimi i theksuar është një emergjencë mjekësore që kërkon një kujdes të menjëhershëm, veçanërisht në grupet e riskut si pacientët që vuajnë nga sëmundje kronike apo kanë probleme me sistemin imunitar, gratë shtatzëna dhe fëmijët.  Nëse gastroenteriti persiston dhe dehidrimi nuk korrigjohet, atëherë mund të çojë në konfuzion, rrahje të shpeshta të zemrës dhe gjendje komatoze.

Si të parandaloni përhapjen e gastroenteritit?

Gastroenteriti mund të transmetohet me lehtësi nga një person te tjetri, kështu që për të parandaluar përhapjen e infeksionit, duhet:

  • Të lahen mirë duart pas shkuarjes në tualet. Të përdoret sapuni dhe uji i ngrohtë. Të thahen duart siç duhet pas larjes.
  • Të përdoren peshqirë apo piceta personale.
  • Të mos përgatitet ose të mos i shërbehet ushqim të tjerëve nëse keni gastroenterit.
  • Të pastrohen rregullisht me dezinfektues tualetet që përdoren.
  • Të qëndrohet të paktën 48 orë në shtëpi nëse keni diarre dhe të vjella
  • Ata që shërbejnë në sektorin e shpërndarjes së ushqimit nuk duhet të punojnë kur kanë gastroenterit.
  • Nëse shkaku i gastroenteritit dihet (ose dyshohet të jetë) mikrobi i quajtur Cryptosporidium spp, nuk duhet të notoni në pishinë për të paktën dy javë nga episodi i fundit i diarresë.

A mund të parandalohen gastroenteritet?

Edhe kur nuk jemi në kontakt me dikë me gastroenterit, kujdesi i duhur, përgatitja dhe gatimi si duhet i ushqimit dhe higjiena e mirë ndihmojnë për të parandaluar infeksionin.

Në veçanti, të lahen gjithmonë duart:

  • Pasi të shkohet në tualet.
  • Para se të preket ushqimi.
  • Pas kopshtarisë.
  • Pasi të keni luajtur me kafshët shtëpiake (kafshët e shëndetshme mund të mbajnë baktere të caktuara të dëmshme).

Gjithashtu duhet të merren masa mbrojtëse shtesë në vendet që kanë kanalizime të dobëta. Për shembull, nuk duhet të pihet uji i çezmës dhe pijet e tjera jo të sigurta si dhe të shmanget konsumimi i ushqimeve të lara me ujëra të pasigurta.

Në rastet urgjente duhet t’i telefononi Urgjencës së Spitalit Amerikan në numrin 068 800 8000

Bunion (gungat) në këmbë. A ka zgjidhje?

By Spitali Amerikan - Të Reja

 


Një bunion (hallux valgus) është një deformim i kyςit bazë të gishtit të madh të këmbës. Në shumë raste shkaku nuk është i qartë. Ky deformim fërkohet me këpucën duke shkaktuar inflamacion dhe dhembje. Këpucët e mira shpesh rekomandohen për të lehtësuar simptomat. Një kirurgji për të korrigjuar deformimin është një opsion, nëse këpucët e mira nuk i lehtësojnë simptomat.

Ҫfarë është një bunion?

Kur gishti i madh ka një deviacion në drejtim të gishtit të dytë, deformimi quhet bunion (hallux valgus). Kjo shkakton një dalje në formë gunge në pjesën anësore të gishtit të madh. Përveç kësaj, ka një ashpërsim të lëkurës dhe indeve pranë zonës së prekur. Lëkura e ashpërsuar dhe indet skuqen dhe shkaktojnë dhembje.

Ndonjëherë një qeskë e mbushur me lëng (bursit) zhvillohet mbi nyje.

Ҫfarë i shkakton bunionet?

Shkaku kryesor është një deformim i kycit bazë të gishtit të madh. Deformimi quhet hallux valgus. Në këtë deformim gishti i madh i këmbës zhvillon një deviacion me kënd. Për shkak të këtij deformimi, kockat e gishtit të madh shtyjnë drejt gishtërinjve të vegjël.

Lëkura mbi nyjen e devijuar më pas tenton të fërkohet me brendësinë e këpucëve. Kjo mund të shkaktojë trashje dhe inflamim të lëkurës dhe të indeve që ndodhen në anën kyçit të prekur.

Në shumicën e rasteve nuk është e qartë pse zhvillohet një deformim si bunion. Mund të jetë e trashëguar (gjenetike) që një person të ketë një kyç të dobët të gishtit të madh të këmbës. Në disa raste është i lidhur me një problem si osteoartriti ose artriti reumatoid.

Megjithatë, pavarësisht shkakut kryesor, veshja e këpucëve të ngushta ose jo komode ka tendencë ta përkeqësojë problemin. Përdorimi i këpucëve të tilla shton presionin mbi gishtin e madh të këmbës dhe shkakton fërkim me shtresën e sipërme të lëkurës.

Cilat janë simptomat dhe problemet që shkaktojnë bunions?

  • Ju mund të keni vështirësi gjatë ecjes për shkak të dhembjes.
  • Inflamacion dhe ënjtje të shputës së këmbës. Kjo e fundit ndonjëherë infektohet.
  • Këmba mund të zgjerohet aq shumë sa që të bëhet e vështirë të gjesh këpucë të përshtatshme.
  • Ju mund të zhvilloni artrit në gishtin e madh të këmbës.
  • Gishti i dytë mund të deformohet gjithashtu.
  • Në rastet më të rënda, gishti i madh mund ta spostojë sipër gishtin e dytë.

 Si trajtohen bunions?

Një palë këpucë të mira shpesh janë ato që duhen

Përdorimi i këpucëve të mira nuk e shëron deformimin, por mund të lehtësojnë dhembjen dhe shqetësimin. Idealja do të ishte të ndiqni këshillat e mjekut specialist për të diagnostikuar dhe trajtuar çrregullimet e këmbës.

Këshillat mund të përfshijnë:

  • Përdorni këpucë, atlete, ςizme apo pantofla që përshtaten mirë me këmbët tuaja
  • Mos vishni këpucë me takë të lartë, me majë ose të ngushta.
  • Ju do të konstatoni se këpucët me lidhëse apo shirita ngjitës janë më të mira, sepse ato mund të përshtaten sipas gjerësisë së këmbës.
  • Vendosja e një materiali të butë mbi bunion mund të ndihmojë, por edhe një copë akull lehtëson dhembjet.
  • Pajisjet që ndihmojnë në drejtimin e gishtit (orthoses) mund të rekomandohen. Megjithatë, nuk është provuar që ato përmirësojnë apo parandalojnë përkeqësimin e situatës. Këto pajisje mund të ndihmojnë në reduktimin e dhembjes, të paktën për një farë kohe.

Mjekimi

Medikametet si paracetamoli apo ibuprofeni mund të lehtësojnë dhembjen. Antibiotikët mund të nevojiten nëse lëkura dhe indi mbi kyςin e deformuar mund të infektohen.

Kirurgji

Kirurgjia mund të këshillohet nëse ndryshimi i këpucëve nuk lehtëson simptomat. Qëllimi i operacionit është të rregullojë sa më shumë të jetë e mundur dhe të lehtësojë dhembjen. Zakonisht nuk bëhet vetëm për të përmirësuar pamjen. Kjo mund të bëhet duke përdorur një anestezi lokale ose të përgjithshme dhe zakonisht jeni jashtë spitalit në të njëjtën ditë.

Ka lloje të ndryshme të operacioneve të cilat përdoren për të trajtuar bunions. Operacionet variojnë nga prerja e pjesës së devijuar e deri në një zëvendësim total artificial të nyjes së madhe të këmbës. Një procedurë kirurgjikale që përdoret zakonisht quhet osteotomi (një prerje në kockë).

Zgjedhja e operacionit të duhur varet nga:

  • Fortësia e bunionit dhe se sa i deformuar është gishti i këmbës.
  • Forma e këmbës.
  • Nëse vuani nga konsumimi (osteoartriti) i kyçeve.
  • Eksperienca dhe ekspertiza personale.

Një kirirgji zakonisht është e suksesshme në lehtësimin e simptomave, por jo në të gjitha rastet. Nuk është gjithmonë e mundur shmangia e plotë e dhembjes dhe devijimit të gishtit. Mjeku specialist do t’ju këshillojë mbi arsyet pro dhe kundër operacionit dhe mbi shkallën e suksesit të operacionit të zgjedhur. Komplikimet e operacionit mund të përfshijnë:

  • Dhembje e vazhdueshme
  • Infeksion
  • Rikthimi i bunionit (ripërsëritja)
  • Rreziqet e përgjithshme dhe joestetike

Rekomandohet të mbathni këpucë speciale për gjashtë muaj pas operacionit. Mjeku ortoped do t’ju japë këshillat dhe infomacionin e duhur për periudhën pas operacionit.

Prof. Dr. Ernst Orthner, kirurgu ortoped austriak, eminent në kirurgjinë ortopedike, ju shërben pacientëve në Spitalin Amerikan, me metodat më të avancuara të trajtimit të problemeve me këmbën.
Për më shumë informacion ose vizitë me Prof. Dr. Ernst Orthner kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Page 21 of 34«‹1920212223›»

Të Fundit

  • Mario Karaj – CEO i Spitalit Amerikan, intervistë ekskluzive për prestigjozen “USA Today”
    Mario Karaj – CEO i Spitalit Amerikan, intervistë ekskluzive për prestigjozen “USA Today”
    05/03/2025
  • Nga Dhjetori 2006, Spitali Amerikan prej 17 vitesh mundëson shërbimet bashkëkohore që dikur detyronin shqiptarët të dilnin jashtë vendit
    Nga Dhjetori 2006, Spitali Amerikan prej 17 vitesh mundëson shërbimet bashkëkohore që dikur detyronin shqiptarët të dilnin jashtë vendit
    13/12/2023
  • Masterklasi Ndërkombëtar i Imazherisë së Gjirit mbledh në Tiranë elitën e mjekësisë shqiptare dhe të huaj
    Masterklasi Ndërkombëtar i Imazherisë së Gjirit mbledh në Tiranë elitën e mjekësisë shqiptare dhe të huaj
    18/09/2023
  • Kujdes shëndetin në stinën e nxehtë, Spitali Amerikan ofron paketat ekzaminuese për korrik-gusht 2023
    Kujdes shëndetin në stinën e nxehtë, Spitali Amerikan ofron paketat ekzaminuese për korrik-gusht 2023
    10/07/2023
  • Prof.Dr. Perlat Kapisyzi FCCP: Pletismografia, është i vetmi ekzaminim i sistemit respirator që vlerëson shkëmbimin e oksigjenit në nivel alveolar
    Prof.Dr. Perlat Kapisyzi FCCP: Pletismografia, është i vetmi ekzaminim i sistemit respirator që vlerëson shkëmbimin e oksigjenit në nivel alveolar
    15/05/2023
  • Sindromi i Zorrës së Gjatë apo Dolichosigmoid Colon Syndrome
    Sindromi i Zorrës së Gjatë apo Dolichosigmoid Colon Syndrome
    06/03/2023
  • Infeksionet Stafilokoksike, diagnostikimi, trajtimi dhe masat parandaluese
    Infeksionet Stafilokoksike, diagnostikimi, trajtimi dhe masat parandaluese
    06/03/2023
  • Urtikariet, Dr. Shk.Alketa Bakiri: Ja çfarë duhet të bëni kur keni këto manifestime kutane në lëkurë të shoqëruara me skuqje dhe kruarje
    Urtikariet, Dr. Shk.Alketa Bakiri: Ja çfarë duhet të bëni kur keni këto manifestime kutane në lëkurë të shoqëruara me skuqje dhe kruarje
    06/03/2023
  • Doktor, kur je mbi 40 vjeç, duhet ta marrësh aspirinën e zemrës?
    Doktor, kur je mbi 40 vjeç, duhet ta marrësh aspirinën e zemrës?
    06/03/2023
  • Ad hominem “Protegas sanitas, diutius vivere” – Mbroni shëndetin, të jetoni gjatë.
    Ad hominem “Protegas sanitas, diutius vivere” – Mbroni shëndetin, të jetoni gjatë.
    06/03/2023
© American Hospital sh.a. Të gjitha të drejtat e rezervuara. - Politikat e privatësisë