Tel. +355 (0) 42 35 75 35    -    Kontakt    -               
American Hospital
  • Shërbimet Mjekësore
  • Stafi Mjekësor
  • Degët
  • Të Reja
  • Pacientët
  • Rreth Nesh
    • Chairman
    • Burimet Njerëzore
    • Pyetjet më të shpeshta
    • Kontakt
  • EnglishEnglish
  • Shërbimet Mjekësore
  • Stafi Mjekësor
  • Degët
  • Të Reja
  • Pacientët
  • Rreth Nesh
    • Chairman
    • Burimet Njerëzore
    • Pyetjet më të shpeshta
    • Kontakt
  • EnglishEnglish

Blog

American Hospital > Të Reja 2

Çfarë duhet të dini për hepatitin dhe llojet e tij

By Spitali Amerikan - Të Reja

Hepatiti i referohet një inflamacioni të mëlçisë. Zakonisht shkaktohet nga një infeksion viral, por mund të ketë dhe shkaktarë të tjerë të hepatitit, si hepatiti autoimun ose hepatiti që ndodh si rezultat i mjekimeve, drogave, toksinave dhe alkoolit. Rreth 90% e të infektuarve me hepatit nuk janë në dijeni të infeksionit të tyre.

Mëlçia si organ ndodhet në pjesën e sipërme djathtas të abdomenit tuaj. Ajo kryen disa funksione kyçe që kanë të bëjnë me metabolizmin e trupit të njeriut. Disa prej tyre janë:

  • filtrimi i toksinave
  • asimilimin e kolesterolit, hormoneve dhe barnave
  • shpërbërjen e karbohidrateve, yndyrave dhe proteinave
  • aktivizimin e disa enzimave që janë proteina esenciale për funksionet e trupit
  • depozitimin e glikogjenit, mineraleve, dhe vitaminave (A, D, E dhe K)
  • sintetizon proteinën e gjakut si albumina etj.

5 llojet e hepatitit viral

Infeksionet virale të mëlçisë që klasifikohen si hepatit, përfshijnë hepatitin A, B, C, D dhe E. Virusë të ndryshëm shkaktojnë secilin prej këtyre hepatiteve.

Hepatiti A është një formë akute dhe kohë shkurtër i sëmundjes. Ndërkohë B, C dhe D janë forma përgjithësisht kronike. Hepatiti E është gjithashtu akut, por mund të jetë shumë i rrezikshëm në gratë shtatzëna. Nga studimet të kryera në Shqipëri rezulton se hepatiti B ka një prevalencë 7-9 % dhe hepatiti C, një prevalencë 0.5-1%.

Hepatiti A

Hepatiti A shkaktohet nga një infeksion me virusin e hepatitit A. Ky lloj hepatiti transmetohet më së shpeshti nga konsumimi i ushqimit ose i ujit të kontaminuar nga feçet e një personi të infektuar me hepatitin A.

Hepatiti B dhe C

Hepatiti B dhe C është një infeksion viral i mëlçisë i shkaktuar nga virusi i hepatitit B, që mund të shkaktojë infeksion akut dhe kronik të saj. Virusi i hepatitit B dhe C transmetohet nëpërmjet kontaktit me gjakun ose lëngje të tjera trupore (p.sh. sperma apo sekrecionet vaginale) të një personi të infektuar.

Hepatiti D

I quajtur edhe hepatiti delta, hepatiti D është një sëmundje serioze e mëlçisë e shkaktuar nga virusi i hepatitit D (HDV). HDV transmetohet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun e infektuar. Hepatiti D është një formë e rrallë e hepatitit, që ndodh vetëm me ndërthurje me hepatitin B. Virusi i hepatitit D nuk mund të shumëfishohet pa praninë e hepatitit B.

Hepatiti E

Hepatiti E është një sëmundje që vjen nga uji i ndotur. Hepatiti E gjendet kryesisht në zonat me higjienë publike të ulët dhe zakonisht rezulton nga ndotja e ujit të pijshëm nga fekale të infektuara. Kjo sëmundje është e pazakontë në Shqipëri. Megjithatë, rastet e hepatitit E janë raportuar në Lindjen e Mesme, Azi, Amerikë Qendrore dhe Afrikë.

Simptoma të zakonshme të hepatitit

Nëse keni forma infektive të hepatitit që janë kronike, si hepatiti B dhe C, nuk mund të keni simptoma në fillim. Simptomat mund të mos ndodhin derisa dëmtimi të prekë funksionin e mëlçisë.

Shenjat dhe simptomat e hepatitit akut shfaqen shpejt. Ato përfshijnë:

  • lodhje
  • simptoma të ngjashme me gripin
  • urinë e errët
  • feçe e zbehtë
  • dhimbje barku
  • humbja e oreksit
  • humbje peshe e pashpjegueshme
  • zverdhja e lëkurës dhe syve, të cilat mund të jenë shenja të verdhëzës

Hepatiti kronik zhvillohet ngadalë, kështu që këto shenja dhe simptoma mund të jenë të papërfillshme për t’u vënë re. Periudha e inkubacionit të hepatitit B është mesatarisht 75 ditë, por mund të variojë nga 1 deri 6 muaj. Shumica e njerëzve nuk përjetojnë asnjë shenjë gjatë fazës akute të infeksionit. Në disa njerëz, virusi i hepatitit B mund të shkaktojë infeksion kronik të mëlçisë, që më vonë mund të kalojë në cirrozë dhe kancer të mëlçisë.

Në nivel global, më shumë se 240 milionë persona kanë hepatit kronik B dhe rreth 150 milionë hepatit C. Miliona të tjerë janë në risk për t’u infektuar. Mjaft njerëz me infeksion kronik nga virusi i hepatitit B ose C nuk janë në dijeni se janë të infektuar dhe vazhdojnë ta mbajnë këtë virus.

Konkretisht, këshillohet që çdo individ duhet të jetë i ndërgjegjshëm në njohjen e simptomave dhe rrezikut të infektimit, marrjen e injeksioneve të sigurta, kryerjen e vaksinës që në moshën përkatëse, testimin e herë pas hershëm për të zbuluar praninë e sëmundjes, si dhe marrjen e mjekimit të duhur në kohë.

Testimi

Ekzistojnë teste të gjakut për secilin lloj të hepatitit viral. Disa teste kontrollojnë antitrupat ndaj virusit. Antitrupat janë proteina të gjakut që sistemi imunitar prodhon në përgjigje të virusit. Analiza të tjera të gjakut kërkojnë pjesë të virusit, të tilla si proteina ose materiali gjenetik. Disa teste tregojnë se ju keni një infeksion aktiv. Teste të tjera tregojnë se ju keni pasur atë, ose që ju keni fituar imunitet ndaj tij.

Çdo person që rezulton pozitiv, megjithëse mund të mos ketë shenja klinike, duhet të ndiqet nga mjeku specialist përkatës, i cili sugjeron kryerjen e testeve të mëtejshme.

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekun infeksionist kontaktoni në 042 35 75 35 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Nga konferenca në konferencë, Spitali Amerikan pararojë në përqafimin e risive në shëndetësi

By Spitali Amerikan - Të Reja

Të qënit në koherencë me zhvillimet e fundit të mjekësisë moderne është një tjetër detaj që dallon Spitalin Amerikan. Organizimi i konferencave të përmuajshme janë mundësia më e mirë për stafin shëndetësor për t’u njohur me risitë e fundit mjekësore në funksion të një shërbimi sa më efiçent ndaj pacientëve.

“Sfidat e diagnozës së noduseve tiroidene” ishte tema e konferencës së radhës, e cila u ndoq me shumë interes në Spitalin Amerikan 3. Lektorët e konferencës, mjekët anatomopatologë Leart Bërdica dhe Teona Bushati theksuan se njohja e stafit mjekësor me metodikat bashkëkohore e ndihmojnë atë në një përcaktim më të saktë të diagnozës midis noduseve beninje dhe malinje të tiroides.

“Kanceri i tiroides është një nga kancerat që mjekohen dhe shërohen totalisht në shumicën e rasteve, por ekzaminimi i saktë dhe në kohë është përcaktues për jetën e pacientit”, sqaroi Dr.Leart Bërdica.

Ndërsa sipas Dr. Teona Bushati, metodikat e reja që janë zhvilluar kryesisht në 10 vjeçarin e fundit i vijnë në ndihmë metodikave klasike të diagnozës së këtyre noduseve dhe përmirësimit të diagnozës. Ky është një shërbim që ofrohet në mënyrë të veçantë dhe unike në Shqipëri vetëm në Spitalin Amerikan.

Konferenca “Sfidat e diagnozës së noduseve tiroidene” vjen në kuadër të një programi vjetor të mirëdetajuar nga Drejtoria e Strategjisë Akademike të Spitalit Amerikan. Në këtë konferencë morën pjesë: mjekë të të gjitha specialiteteve, klinicistë, onkologë, anestezistë radiologë, teknicienë laboratori, teknicienë radiologjie, mjekë të përgjithshëm, urgjencash dhe mjekësie apo të shkencave të tjera mjekësore nga degët e Spitalit Amerikan, spitaleve shtetorë Tiranë dhe rrethe apo klinikave mjekësore në vend etj.

Spitali Amerikan dhe Qendra e Labiopalatoskizës në Piza, kirurgji të suksesshme te foshnja 4 muajsh

By Spitali Amerikan - Të Reja

“Kemi lumturuar një familje, foshnjës i është rikthyer buzëqeshja dhe cilësia optimale e jetesës. Na bën të ndihemi krenarë dhe të gatshëm të vazhdojmë të shërbejmë me profesionalizëm pacientëve”, janë shprehur ekipi i mjekëve që realizoi mjeshtërisht ndërhyrjen e vështirë e të suksesshme.

Falë bashkëpunimit të kirurgëve italianë nga Qendra e Labiopalatoskizës në Piza të Italisë dhe mjekëve të Spitalit Amerikan, u krye një ndërhyrje e vështirë dhe shumë delikate e një foshnje 4 muajshe, i cili vuante nga një keqformim i lindur i pjesës së fytyrës (labiopalatoskizë bilaterale ose ndryshe buzë lepuri).

Qendra e Pizës, kryeson për një numër të madh rastesh në të gjithë Italinë, duke numëruar mbi 300 operacione të tilla në vit. Ekipi i përbashkët i kirurgëve plastikë arritën të rindërtojnë në perfeksion defektin e fëmijës së vogël, duke i rregulluar në të njëjtën ndërhyrje, buzën e sipërme dhe rindërtuar flegrat e hundës. Kjo mundësoi rekuperim shumë të shpejtë dhe ushqyerjen pa probleme që në ditën e parë postoperatore të foshnjës. Ndërhyrja u realizua nga ekipi i përbërë nga Dr. Gianluca Gatti dhe Dr. Alessandro Giacomina, nën organizimin e Dr. Alfred Aga dhe Dr. Gera Tagani, mjekëve anestezistë Blerim Arapi, Rinard Kertoci dhe stafit infermieror të Spitalit Amerikan.

Po ku qëndron veçantia?

Buza e lepurit, sipas mjekëve është një deformim ose defekt që krijohet gjatë zhvillimit embrional të javëve të para të shtatzënisë, i cili shfaqet në lindjen e fëmijës me çarje të  buzës së sipërme, e cila mund të shtrihet në të gjithë qiellzën apo edhe në pjesën e hundës. Në jo pak raste, buza e lepurit është e lidhur me keqformime të tjera apo sindroma kongenitale. Prania e kësaj anomalie krijon problem në ushqyerjen me gji të foshnjës dhe në moshë më madhore, nëse nuk korrigjohet në kohë. Përveç anës estetike mund të kemi edhe probleme në të folur. Diagnoza e kësaj anomalie mund të bëhet që në ekografinë morfologjike nga një ekografist i specializuar.

Që sot foshnjet e lindura me këtë anomali kanë një mundësi më shumë për t’ju kthyer buzëqeshja, duke mos e konsideruar si fatkeqësi lindjen e fëmijës me anomali të tilla.

Kirurgët italianë do të jenë pranë Spitalit Amerikan, për të trajtuar sa herë paraqiten raste të tilla specifike, përfshirë këtu edhe kirurgjinë plastike dhe rindërtuese.

Jodi, mungesë apo tepri? Çfarë duhet të dimë?

By Spitali Amerikan - Të Reja

Rëndësia e jodit në mirëfunksionimin e gjendrës tiroide

Në trupin e njeriut ka më pak se një majë (0.00004%) lugë jod. Ky element kimik është i domosdoshëm në prodhimin e hormoneve të tiroides, që kanë një rol kyç në proceset metabolike qelizore dhe funksionet jetësore, si në rritjen dhe zhvillimin e disa organeve; në veçanti të trurit dhe SNQ-së (Sistemit Nervor Qendror). Ndaj furnizimi me jod në sasinë e duhur është shumë i rëndësishëm për organizmin e njeriut, duke nisur nga fëmijët e deri tek moshat e treta.

Sasia e jodit që rekomandohet për fëmijët është 90-120 mcg/ditë, ndërsa për të rriturit është 150 mcg në ditë. Duhet bërë kujdes që jodi të merret në sasinë e duhur, veçanërisht në periudhën e shtatëzanisë (200 mcg/ditë), si dhe gjatë ushqyerjes me gji të foshnjëve, për t’iu mundësuar një zhvillim normal.

Mungesa apo tepria e jodit në organizëm mund të bëhet shkak për komplikacione shëndetësore. Dy janë hormonet kryesore me bazë jodi që prodhon tiroidja, të cilat njihen si T4 dhe T3.

Mungesa e hormoneve të tiroides në organizëm shoqërohet me:

  • Lodhje
  • përgjumje
  • apati
  • gjendje emocionale e rënduar
  • shtim në peshë
  • rrahje të ngadalta të zemrës
  • lëkurë dhe flokë të thatë
  • kapsllëk etj.

Pamjaftueshmëria e hormonit të tiroides te fëmijët shkakton vonesë në zhvillimin fizik dhe mendor, defekte në të folur dhe në dëgjim, ulje të përqëndrimit, vështirësi në të mësuar, paralizë etj.

Ndërsa te gratë shtatzëna, mosmarrja e jodit në sasinë e duhur mund të sjellë si pasojë dështimin, lindje të parakohshme, lindje nën peshë etj.

E ndryshme situata kur kemi tepricë të hormoneve të tiroides. Personat që kanë vlera të shtuara të këtij hormoni janë hiperaktivë, mendojnë dhe flasin shpejt, bëjnë veprime tepër të nxituara, janë intolerantë ndaj të nxehtit, kanë rrahje të shpeshta të zemrës, djersitje të lartë, rënie në peshë, etj.

Shqipëria është një vend i varfër me jod dhe ky është një problem për të gjithë vendin. Studimet e fundit të Institutit të Shëndetit Publik kanë treguar se më tepër se gjysma e popullsisë kanë mungesë të jodit në organizëm. Ndaj përveç ushqimeve që përmbajnë jod (prodhimet e detit, patatja, hurma, speci, domatja, etj), rekomandohet të përdoret gjithmonë kripa e jodizuar.

Çrregullimet e tiroides mund të prekin të gjitha moshat, por më së shumti janë të rrezikuara ato madhore dhe kryesisht të seksit femër. Moskurimi në kohën e duhur shoqërohet me pasoja të rënda në organizëm, deri edhe të rrezikshme për jetën. Ndaj nëse keni disa nga simptomat e lartpërmendura duhet patjetër të konsultoheni me mjekun endokrinolog për të diagnostikuar dhe mjekuar patologjitë që lidhen me tiroiden.

Prej vitesh, Spitali Amerikan i ka dhënë zgjidhje edhe rasteve më komplekse. Departamenti i endokrinologjisë ofron një gamë të gjerë dhe të plotë ekzaminimesh për të trajtuar të gjitha patologjitë e gjendrës tiroide.

Për më shumë informacion ose vizitë me një nga mjekët endokrinologë në Spitalin Amerikan 1, 2 dhe 3, kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan shpëton turistin hungarez

By Spitali Amerikan - Të Reja

Kirurgjia e suksesshme dhe në kohë i rikthen normalitetin pacientit hungarez

Ka mjaftuar vetëm një telefonatë urgjence për të mobilizuar një strukturë të mirëfilltë mjekësore, si ajo e Spitalit Amerikan. Shpejtësia dhe kapaciteti mjekësor i standarteve më të larta, ka mundësuar në kohë menaxhimin dhe zgjidhjen e urgjencës tek pushuesi hungarez Szilagyi Bela, turist në Shkodër.

Ndodh të vish për pushime, por papritur të ndihesh keq dhe të kesh nevojë për ndihmë mjekësore. Ky ka qenë rasti i Szilagyi Bela i cili ka gjetur shpëtimin te ndihma e menjëhershme dhe përvoja e stafit të Spitalit Amerikan. Sipas kirurges  Dr. Sc. Lindita Shosha, turisti 65-vjeçar hungarez mbërriti në gjendje kritike për jetën, por falë ndërhyrjes kirugjikale gjendja e tij është normalizuar.

Pacienti ka ardhur me urgjencë në ambulancën e Spitalit Amerikan pas komplikacionit akut të shoqëruar me dhimbje të forta të barkut, të vjella dhe nauze, situatë e cila kërkonte një ndërhyrje urgjente.

Obstruksioni Intestinal, thënë me fjalë të thjeshta bllokimi i zorrës është një patologji e cila prek më shumë meshkujt dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

Sipas kirurges së përgjithshme proktologe Dr.Sc.Lindita Shosha këto klasifikohen si ndërhyrje serioze për pacientët në rastin konkret është hera e dytë që bën obstruksion intestinal. Pacienti iu nënshtrua operacionit në kushtet e urgjencës, pasi u vlerësua nga gjithë stafi për shkak edhe të problemeve shoqëruese që kishte dhe operacioni kaloi me sukses. Gjendja e tij e përgjithshme është e mirë. Aktualisht është në reanimacion dhe po merr kujdesin e duhur. Në bashkëpunim me ambasadën hungareze, u mundwsua mbështetja maksimale për shtetasin hungarez.

Spitali Amerikan prej vitesh njihet si një qendër e rëndësishme shëndetësore edhe për pacientët e huaj, qofshin këta rezidentë në Shqipëri, të ardhur për punë apo edhe për turizëm.

Profesionalizmi i stafit mjekësor, aparaturat më moderne, komoditeti që ofron, por edhe çmimet shumë konkurruese me vendet e tjera të Europës janë arsyet që shtyjnë të huajt të drejtohen në Spitalin Amerikan për asistencë mjekësore.

Kur duhet t’i drejtohemi urgjencës? Besojini intuitës tuaj

By Spitali Amerikan - Të Reja

 

Një nga mjetet më të mira për t’i paraprirë sëmundjes është vëzhgimi i vetvetes. Shumica prej nesh e kuptojnë kur një situatë është e rrezikshme. Nëse instinkti apo intuita juaj ju thotë se është serioze, atëherë duhet t’i telefononi Urgjencës së Spitalit Amerikan në numrin 068 800 8000. Është gjithmonë më mirë të tregoni një kujdes të tepruar kur bëhet fjalë për shëndetin.

Dhembje gjoksi

Nëse keni dhembje ose shtrëngim në gjoks që zgjat më shumë se disa minuta ose në mënyrë të përsëritur, është koha për t’i telefonuar urgjencës. Ju nuk duhet të përpiqeni t’i jepni makinës në një gjendje të tillë. Ambulanca ka pajisje speciale dhe njerëz të trajnuar, të cilët mund t’ju ndihmojnë më shpejt.

Frymëmarrje të shkurtër dhe të shpeshtë

Nëse ndodh papritur dhe ju pengon në aktivitetet tuaja të përditshme, kërkojini dikujt t’ju dërgojë në urgjencë. Nëse situata është e rëndë ose keni të përziera, dhembje gjoksi ose humbni ndjenjat, ju mund të jeni duke pësuar një sulm në zemër ose embolizëm pulmonar (mpiksje gjaku në mushkëri).

Probleme me shikimin

Nëse papritur keni një pamje të paqartë, vizion të dyfishtë ose humbje të shikimit nuk duhet ta anashkaloni. Kjo mund të jetë shenjë e një stroku ose sëmundje tjetër serioze. Nëse keni vështirësi në shikim dhe një dhembje të fortë koke, të përziera ose të vjella, mpirje, dobësi, marramendje, konfuzion ose vështirësi në të folur, mos prinsni më gjatë por kontaktoni urgjencën sa më parë.

Konfuzion ose vështirësi në të folur

Këto janë dy nga simptomat më të zakonshme të goditjes në tru. Trajtimi dhe riaftësimi juaj varen shumë nga shpejtësia e marrjes së ndihmës mjekësore. Simptoma të tjera të goditjes mund të përfshijnë probleme të papritura me këmbët ose balancimin, dhembje të forta koke, rënie të njërës anë të fytyrës dhe mpirje apo dobësi në njërën anë të trupit.

Të vjella

Ju duhet të shkoni në urgjencë nëse të vjellat janë me gjak ose keni simptoma të tjera, si dhembje të forta të kokës ose të barkut, konfuzion ose gulçime në frymëmarrje dhe rrahje të shpeshta të zemrës. Një fëmijë më i vogël se 6 vjeç duhet të kontrollohet menjëherë, nëse të vjellat zgjasin më shumë se disa orë ose nëse ka shenja të dehidrimit. Fëmijët mbi 6 vjeç dhe të rriturit duhet të shkojnë te mjeku, nëse të vjellat zgjasin më shumë se një ditë ose shoqërohen me temperaturë të lartë (mbi 38°C për të rriturit dhe 38.8°C për fëmijët).

Dëmtim në kokë

Një përplasje në kokë mund të jetë serioze dhe duhet të merrni kujdes të menjëhershëm mjekësor nëse ju bie të fikët, keni konvulsione ose dhembje koke që nuk largohet, vjellje të vazhdueshme ose të përziera, të folur të ngathët ose ndjeni hutimllëk, dobësi, mpirje apo jeni më pak i koordinuar.

Ҫarje të thella

Nëse shihni indin yndyror të verdhë nën shtresën e parë të lëkurës, duhet të shkoni menjëherë në urgjencë. Duhet një ndërhyrje e menjëhershme nëse çarja nuk mbyllet ose është në fytyrë, qafë, në organet gjenitale, ose tek nyjet. Gjithashtu duhet të shkoni në urgjencë nëse ju ka kafshuar një kafshë, jeni prerë me një objekt të ndotur ose të ndryshkur, keni gjakderdhje ose ju ka mbetur ndonjë objekt i huaj në vendin ku jeni prerë.

 

Gjithֹçka që duhet të dini për hipertensionin. Mos e nënvlerësoni!

By Spitali Amerikan - Të Reja

 

Presioni i lartë i gjakut mund ta dëmtojë trupin e njeriut gradualisht ndër vite, përpara se të shfaqë simptomat e para. Rreth gjysma e njerëzve me hipertension të patrajtuar vdesin nga sëmundjet e zemrës që ndryshe quhet sëmundja ishemike e zemrës. Trajtimi dhe stili i jetesës mund të ndihmojnë në kontrollin e presionit të lartë të gjakut, për të zvogëluar rrezikun e komplikimeve kërcënuese për jetën.

Arteriet e shëndetshme janë elastike, të forta dhe fleksibël. Në brendësi të tyre, arteriet janë të buta (lëmuara), në mënyrë që gjaku të kalojë lirisht për të furnizuar me oksigjen organet vitale. Hipertensioni rrit gradualisht presionin e gjakut, që rrjedh nëpër arteriet e tua. Si rezultat, mund të përjetoni:

Dëmtim dhe ngushtim të arterieve

Presioni i lartë i gjakut dëmton indet në brendësi të arterieve. Kur yndyrnat në trupin tuaj futen në sistemin e qarkullimit të gjakut, ata mund të mblidhen në arteriet e dëmtuara. Përfundimisht, muret e arterieve bëhen më pak elastike, duke kufizuar qarkullimin e gjakut në të gjithë trupin tuaj.

Aneurizëm

Me kalimin e kohës, presioni i vazhdueshëm i gjakut duke lëvizur përmes një arterie të dobësuar mund të çojë në zmadhimin e një pjese të murit të arteries dhe për këtë arsye formohet aneurizma e aortës. Një aneurizëm ka tendencën të këputet dhe të shkaktojë gjakderdhje të brendshme kërcënuese për jetën. Aneurizmat mund të formohen në çdo arterie, në të gjithë trupin tuaj, por ato janë më të zakonshme në arterien më të madhe të trupit (aorta).

Dëmtim të zemrës

Zemra pompon gjak në të gjithë trupin e njeriut. Presioni i pa kontrolluar i gjakut e dëmton zemrën në disa mënyra sic është:

Sëmundje të arteries koronare

Sëmundja e arteries koronare ndikon në arteriet që furnizojnë muskujt e zemrës me gjak. Arteriet e ngushtuara nga sëmundja e arteries koronare nuk lejojnë qarkullimin e gjakut lirisht nga arteriet. Kur gjaku nuk mund të rrjedhë lirshëm në zemër, kjo sjell dhimbje në gjoks, atak në zemër ose ritme të parregullta të zemrës (aritmi).

Zmadhimin e zemrës

Presioni i lartë i gjakut e detyron zemrën të punojë më shumë se sa është e nevojshme, për të pompuar gjakun në pjesën tjetër të trupit. Barkushja e majtë trashet ose ngurtësohet (hipertrofi e majtë ventrikular). Këto ndryshime e vështirësojnë funksionin e zemrës, për të pompuar gjakun në trupin tuaj dhe si pasojë kjo gjendje rrit rrezikun e sulmit në zemër, dëmtimin e zemrës e cila çon deri në vdekje.

Infarkt

Me kalimin e kohës, presioni i lartë i gjakut sjell tendosjen e zemrës, dëmtimin e muskujve të saj, si dhe ndikon në funksionin e saj, duke bërë që zemra të punojë në mënyrë shumë pak efikase. Përfundimisht, zemra e mbingarkuar thjesht fillon të konsumohet shumë dhe të dështojë. Si pasojë e kësaj rritet mundësia e sulmit në zemër.

Dëmtimi e trurit nga presioni i gjakut

Ashtu si zemra dhe truri furnizohet me gjak për të funksionuar në mënyrën që duhet. Por presioni i lartë i gjakut mund të shkaktojë disa probleme, duke përfshirë:

Sulm i përkohshëm ishemik (TIA)

Sulm i përkohshëm ishemik (TIA). Ndonjëherë quhet një ministroke, një sulm ishemik i përkohshëm është një ndërprerje e shkurtër, e përkohshme e furnizimit me gjak në trurin tuaj. Shpesh është shkaktuar nga ateroskleroza ose nga mpiksja e gjakut, të cilat mund të lindin nga presioni i lartë i gjakut. Një sulm i përkohshëm ishemik, shpesh është një paralajmërim se mund të ketë rrezik për të patur një goditjeje në tru.

Stroke

Stroke është goditja në tru, e cila ndodh kur një pjesë e trurit nuk furnizohet me oksigjen, duke shkaktuar vdekjen e qelizave e trurit. Presioni i lartë i gjakut mund të çojë në goditje, duke dëmtuar dhe dobësuar enët e gjakut të trurit. Tensioni i lartë i gjakut mund të shkaktojë mpiksjen e gjakut në arteriet që çojnë gjakun në trurin tuaj, duke bllokuar rrjedhjen e gjakut dhe duke shkaktuar potencialisht një goditje në tru.

Demenca

Demenca është një sëmundje e trurit që çon në probleme me të menduarin, të folurin, arsyetimin, kujtesën, vizionin dhe lëvizjen. E shfaqur më shpesh është demenca vaskulare, e cila vjen si pasojë e ngushtimit dhe bllokimit të arterieve që furnizojnë trurin me gjak.

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekët tanë, kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

 

 

 

“Stroke”: Kur çdo minutë vlen jetë!

By Spitali Amerikan - Të Reja

Stroku (goditja në tru) ndodh atëherë, kur një pjesë e trurit ndalon së funksionuari ose nuk e kryen funksionin e tij të plotë. Kur truri ndalon së furnizuari me oksigjen, e që në shumë pak minuta qelizat e trurit fillojnë të vdesin. Stroke do të thotë urgjencë, ndaj trajtimi i duhur mjekësor në kohë minimizon dëmtimet e trurit, si dhe ul shansin e pasojave që lë kjo sëmundje.

Lajmi i mirë është se tashmë kjo sëmundje mund të trajtohet dhe parandalohet. Në ditët e sotme, sipas statistikave, numri i personave që humbin jetën nga goditja në tru është reduktuar ndjeshëm.

Simptomat

Është e rëndësishme që të gjithë të njihen me simptomat e Stroke. Kjo i shërben atyre dhe njerëzve të tyre të afërt. Shenjat e para se si të dallojmë një person të prekur nga stroke janë:

  • Probleme me të folurin dhe të kuptuarin. Ndodh kur një person shfaq shenja në mos artikulimin e fjalëve në formën e duhur apo vonesë në të kuptuar, konfuzitet dhe përhumbje.
  • Paralizë e gjysmës së fytyrës, këmbës apo dorës. Kjo ndodh kur papritmas një person ndjen mpirje, këputje, paralizë të fytyrës, krahut apo këmbës. Zakonisht kjo ndodh në një pjesë të trupit të pacientit që ka pësuar stroke. Për të kuptuar nëse kjo është një goditje në tru, provoni të ngrini sipër kokës të dy krahët. Nëse njëri prej tyre bie poshtë dhe nuk e komandoni dot mund të jetë një shenjë e goditjes në tru.
  • Probleme me shikimin; me një ose të dy sytë. Papritur personi i prekur nga Stroke, mund të ketë shikim të turbullt, errësirë apo shikim të dyfishtë në njërin apo në të dy sytë.
  • Dhembje koke. Dhembja e kokës është një shenjë e Stroke gjithashtu. Dhembja e kokës fillon duke u shoqëruar me të vjella dhe marrje mendsh.
  • Vështirësi në të ecur. Të prekurit nga Stroke humbin ekuilibrin në qëndrim dhe ecje.

Kur duhet të njoftojmë urgjencën?

I prekuri nga Stroke ka nevojë për trajtim të menjëhershëm. Drejtojuni mjekut edhe nëse vëreni që shenjat janë zhdukur. Është e rëndësishme të kryeni testet si më poshtë:

  • Kërkojini personit të buzëqeshë; vëreni nëse njëra anë e buzës bie.
  • Krahët. Ngritja e krahëve njëkohësisht; vëreni nëse ai rrëzohet pavetëdije
  • E folura. Tentoni të flisni me personin që dyshoni se ka pësuar goditje. Vëreni nëse e folura e tij është e paqartë dhe e çuditshme.

Nëse një i afërmi juaj shfaq këto shenja, mos prisni që simptomat të kalojnë, por menjëherë drejtohuni qendrës së urgjencës. Çdo minutë kushton, sa më shumë kohë të kalojë, aq më shumë rritet risku i vdekjeve nga stroke.

Përse ndodh Stroke?

Sepse 1.9 milion qeliza nervore të trurit vdesin në minutë.  Bllokimi i arteries kryesore të madhe të trurit çon në 120 milionë qeliza të vdesin në 1 orë dhe në rast mos zhbllokimi të arteries, riperfuzionit të zonës çdo 30 minuta, probabiliteti i përmirësimit pas goditjes ulet me 10%.

Qendra e Stroke në Spitalin Amerikan

Spitali Amerikan çdo muaj pret një numër të madh rastesh të të prekurve nga Stroke (goditjet në tru). Vlen të theksojmë se goditjet në tru janë të rrezikshmet, në rast se pacienti humbet dhe 1 minutë kohë më shumë nga çasti i goditjes.

Në Spitalin Amerikan kemi ngritur zinxhirin e organizimit të sistemit të Stroke në mënyrën më efektive për pacientin dhe ekipin mjekësor që e asiston atë. Në këtë qendër vlerësim maksimal merr koha, si faktori primar i shpëtimit të jetëve nga goditjet në tru. Pas telefonatës në nr. e urgjencës 042357535/0688008000 ekipi i mjekëve të njësisë Stroke nisen menjëherë drejt vendndodhjes së pacientit, duke asistuar me të gjitha mënyrat e duhura mjekësore për t’u siguruar se gjendja e pacientit nuk është përkeqësuar deri në momentin që ata e sjellin atë pranë urgjencës së Spitalit Amerikan. Kur pacienti mbërrin në spital kryhet një zinxhir ekzaminimesh, duke filluar nga analizat e gjakut e deri te rezonanca e kokës, për të parë tipin e Stroke. Kur rastet e pacientëve janë të komplikuara, ata i nënshtrohen kirurgjisë së menjëhershme. Në rastet më të lehta, ato trajtohen në pavion dhe në reanimacion.

Mjekët neurologë të Spitalit Amerikan theksojnë se është shumë e rëndësishme njohja e shenjave të para të goditjes në tru, pasi shpëtojnë jetën e personit të prekur. Çdo minutë vlen jetë!

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekun neurolog, kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

 

Benefitet e gjakut të kordonit umbelikal. Cilësi më e mirë jete dhe jetëgjatësi!

By Spitali Amerikan - Të Reja

“Magjia” e qelizave staminale

Kur flasim për qelizat staminale duket sikur flasim për një botë “futuriste”; ku e mira dhe e keqja janë ndarë përfundimisht nga njëra – tjetra. Kur shërimi dhe zgjidhja e sëmundjes nuk është më utopi, por një formë legjitime e të drejtës për të jetuar mirë, madje dhe sa më gjatë. Nuk është më habi se shkenca sot ka mundësuar kaq afër dhe lehtësisht të realizueshëm, procesin e përmirësimit të cilësisë së jetës dhe jetëgjatësinë e njeriut.

Qelizat staminale janë çuditërisht të jashtëzakonshme për aftësinë që kanë për ndarjen dhe rindërtimin e tyre, si dhe forcën që kanë për t’u transformuar në disa lloje të veçanta qelizash specifike, si nervat dhe gjaku.

Qelizat staminale janë përgjegjësë për krijimin e organeve të njeriut, krijimit të indeve dhe sistemit imunitar, që në barkun e nënës.

Me dëshirën e prindërve, qelizat staminale mund të mblidhen duke marrë gjakun nga kordoni i kërthizës së foshnjës së sapolindur, menjëherë pas lindjes. Kjo në asnjë mënyrë nuk e dëmton nënën ose foshnjën. Kordoni umbelikal dhe placenta, dy burimet më të pasura të qelizave staminale, pas lindjes së foshnjës, gjithmonë shkojnë si mbetje biologjike në bankat përkatëse që i eliminojnë ato.

Gjaku i kordonit umbelikal përmban qeliza staminale hematopoietike të ngjashme me ato që gjenden në palcën e kockave dhe të cilat mund të përdoren për gjenerimin e qelizave të kuqe të gjakut dhe qelizave të sistemit imunitar.  Qelizat staminale të gjakut të kordonit përdoren aktualisht për të trajtuar një sërë çrregullimesh të gjakut dhe problemeve në sistemin imunitar, siç janë leuçemia, anemia dhe sëmundjet autoimune.

Këto qeliza staminale përdoren kryesisht në trajtimin e fëmijëve, por gjithashtu kohët e fundit kanë filluar të përdoren dhe te të rriturit pas trajtimit me kimioterapi.

Përveç qelizave staminale janë dhe disa lloje të tjera qelizash, të cilat mund të merren nga gjaku i kordonit umbelikal. Ato quhen qelizat mesenkimale që ndodhen në kocka dhe kërce.

Mjekët sugjerojnë që prindërit e rinj të ruajnë gjakun e kordonit umbelikal, duke mbështetur fort faktin se këto qeliza që merren nga gjaku i kordonit në të ardhmen mund të përdoren për të trajtuar sëmundje të ndryshme te fëmija dhe jo vetëm, por dhe te të rriturit gjithashtu.

Në Spitalin Amerikan ofrohet mundësia e ruajtjes së qelizave staminale, të cilat merren gjatë procesit të lindjes në kordonin umbelikal, dhe më pas procesohen në kite të posaçme që dërgohen për ruajtje afatgjata në bankat e ruajtjes të bashkëpunëtorëve tanë (Life Cell Bio Bank).

Për më shumë informacion apo konsulencë të specializuar me partneret tane Life Cell në Spitalin Amerikan kontaktoni në: +355 67 610 43 93 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Njihni osteoartritin. Hidhni hapa të sigurtë dhe pa dhembje.

By Spitali Amerikan - Të Reja

 

E njohur si sëmundja degjenerative e gjunjëve, shpinës, duarve, këmbëve, osteoartriti është dëmtimi i vazhdueshëm i amortizuesve natyralë të nyjave. Shkakton dhimbje në gju, më së shumti kur ju përkuleni ose uleni në gjunjë, apo dhimbje të gishtave të dorës. Preken moshat mbi 60 vjeç, por gjithashtu edhe të rinjtë në të 20-at dhe 30-at e tyre.

Simptomat kanë tendencën të zhvillohen ngadalë dhe shfaqen me vonesë. Karakteristike janë dhimbjet në nyje, sidomos kur keni kohë pa kryer aktivitet të rregullt fizik. Pacientët me këto shqetësime zakonisht përjetojnë mpirje të gjymtyrëve në mëngjes pas zgjimit. Kur osteoartriti prek duart, pacientët vuajnë zmadhime të gishtave, që shoqërohen edhe pa dhimbje.  

Në shumicën e rasteve, osteoartriti zhvillohet në nyjat që mbajnë peshën e gjunjëve, legen ose shpinë.

Të jetosh me osteoartrit

Me kalimin e moshës dhe lëvizjes së vazhdueshme, nyjat tona bëhen më të ashpra dhe kërcet shkaktojnë më shumë dhimbje, sidomos gjatë procesit të zakonshëm siç është të veshurit. Kjo sepse kockat fërkohen me njëra – tjetrën, duke shkaktuar kështu dhimbje dhe rrjedhimisht pamundësinë për të lëvizur.

Disa pacientë kanë pak simptoma, pavarësisht nga përkeqësimi i nyjave. Të tjerë përjetojnë dhimbje dhe ngurtësi/mpirje që mund të ndërhyjnë në aktivitetet e përditshme. Osteoartriti në gjunjë ose ije mund të shkaktojë vështirësi në të ecur (çalim). Ndërsa në shpinë mund të shkaktojë dhimbje ose mpirje.

 Nuk e kemi në dorë…

Një nga faktorët kryesorë të rrezikut për osteoartrit është diçka që asnjëri prej nesh nuk mund ta kontrollojë e ndalojë… procesi i rritjes. Gjinia gjithashtu luan një rol. Mbi moshën 50 vjeç, më shumë gra se meshkujt zhvillojnë osteoartrit. Në shumicën e rasteve, shkak i shfaqjes së patologjisë rezulton të jetë konsumimi normal gjatë viteve. Gjenetika apo anomalitë e lindura gjithashtu i bëjnë këta pacientë më të prekshëm.

Faktorët e rrezikut që mund t’i keni në kontroll

Duke qenë se nyjat e dëmtuara janë më të ndjeshme ndaj osteoartritit, sforcimi apo lëvizjet e pakontrolluara që dëmtojnë nyjat mund të rrisin rrezikun. Kjo përfshin sportet që kanë një shkallë të lartë dëmtimi dhe punët që kërkojnë lëvizje të përsëritura. Fryrja e gjymtyrëve është një tjetër faktor rreziku. Ajo lidhet ngushtë me osteoartritin e duarve, gjunjëve dhe ijeve.

 Diagnostikimi

Është thelbësore gjatë konsultës, të përshkruani simptomat tuaja në detaje, duke përfshirë vendodhjen dhe frekuencën e dhimbjes. Specialisti do të shqyrtojë nyjat e prekura dhe mund të rekomandojë skaner ose rezonancë magnetike, për të konstatuar dëmin në kocka. Të rëndësishme janë edhe testet laboratorike për të përcaktuar llojin e artritit.

 Komplikimet afatgjata

Ndryshe nga artriti reumatoid, osteoartriti nuk ndikon në organet e trupit apo të shkaktojë sëmundje. Por kjo mund të çojë në deformime që vështirësojnë lëvizjen. Osteoartriti në nyjat e gjurit mund shkaktojë daljen e gjunjëve, duke krijuar një pamje me hark. Harkimet (gungat) përgjatë shpinës mund të irritojnë nervat, duke çuar në dhimbje, mpirje ose ndjesi shpimi në disa pjesë të trupit.

 Trajtimi

Terapia fizike ndihmon në përmirësimin e funksionit e përbashkët. Terapia shërben për të rritur fleksibilitetin dhe për të forcuar muskujt rreth nyjave të prekura. Fizioterapisti mund të përdorë gjithashtu edhe terapi të ngrohjes ose ftohjes, të tilla si kompresa ngrohëse ose fasha për të lehtësuar dhimbjen.

 Pajisjet mbështetëse

Mbështetëset e gishtave apo për gjymtyrët e gjurit, mund të zvogëlojnë stresin në nyje dhe të lehtësojnë dhimbjen. Nëse ecja është e vështirë, patericat gjithashtu mund të jenë të dobishme. Për pacientët me osteoartrit të shpinës këshillohet për gjumin dyshek i fortë dhe përdorimi i qafores.

 Aktiviteti fizik

Pacientët me osteoartrit shmangin ushtrime të caktuara fizike që ju shkaktojnë dhimbje. Por sportet më pak ndikuese si noti, ecja ose çiklizmi përmirësojnë lëvizjen dhe rrisin fuqinë. Ushtrimi me pesha të lehta ndikon në forcimin e muskujve që rrethojnë nyjat e dëmtuara. Këshillohuni me fizioterapistin për të realizuar një program posaçërisht për gjendjen tuaj.

 Parandalimi

Gjëja më e rëndësishme që mund të bëni për të shmangur osteoartritin është të mbani peshën tuaj në kontroll. Gjatë viteve, mbipesha dëmton nyjat. Parandalimi i lëndimeve është gjithashtu i rëndësishëm. Është e këshillueshme  dhe marrja e suplementeve të rekomanduara nga mjeku të cilat e ngadalësojnë procesin e osteoartritit, duke lehtësuar dhe simptomat që kjo sëmundje paraqet. Merrni masa paraprake për të shmangur lëndimet e përsëritura të lëvizjes në punë. Nëse ushtroni disiplina të sportit, përdorni pajisjet e duhura dhe zbatoni udhëzimet e sigurisë.

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekun ortoped, kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

 

Page 22 of 34«‹2021222324›»

Të Fundit

  • Mario Karaj – CEO i Spitalit Amerikan, intervistë ekskluzive për prestigjozen “USA Today”
    Mario Karaj – CEO i Spitalit Amerikan, intervistë ekskluzive për prestigjozen “USA Today”
    05/03/2025
  • Nga Dhjetori 2006, Spitali Amerikan prej 17 vitesh mundëson shërbimet bashkëkohore që dikur detyronin shqiptarët të dilnin jashtë vendit
    Nga Dhjetori 2006, Spitali Amerikan prej 17 vitesh mundëson shërbimet bashkëkohore që dikur detyronin shqiptarët të dilnin jashtë vendit
    13/12/2023
  • Masterklasi Ndërkombëtar i Imazherisë së Gjirit mbledh në Tiranë elitën e mjekësisë shqiptare dhe të huaj
    Masterklasi Ndërkombëtar i Imazherisë së Gjirit mbledh në Tiranë elitën e mjekësisë shqiptare dhe të huaj
    18/09/2023
  • Kujdes shëndetin në stinën e nxehtë, Spitali Amerikan ofron paketat ekzaminuese për korrik-gusht 2023
    Kujdes shëndetin në stinën e nxehtë, Spitali Amerikan ofron paketat ekzaminuese për korrik-gusht 2023
    10/07/2023
  • Prof.Dr. Perlat Kapisyzi FCCP: Pletismografia, është i vetmi ekzaminim i sistemit respirator që vlerëson shkëmbimin e oksigjenit në nivel alveolar
    Prof.Dr. Perlat Kapisyzi FCCP: Pletismografia, është i vetmi ekzaminim i sistemit respirator që vlerëson shkëmbimin e oksigjenit në nivel alveolar
    15/05/2023
  • Sindromi i Zorrës së Gjatë apo Dolichosigmoid Colon Syndrome
    Sindromi i Zorrës së Gjatë apo Dolichosigmoid Colon Syndrome
    06/03/2023
  • Infeksionet Stafilokoksike, diagnostikimi, trajtimi dhe masat parandaluese
    Infeksionet Stafilokoksike, diagnostikimi, trajtimi dhe masat parandaluese
    06/03/2023
  • Urtikariet, Dr. Shk.Alketa Bakiri: Ja çfarë duhet të bëni kur keni këto manifestime kutane në lëkurë të shoqëruara me skuqje dhe kruarje
    Urtikariet, Dr. Shk.Alketa Bakiri: Ja çfarë duhet të bëni kur keni këto manifestime kutane në lëkurë të shoqëruara me skuqje dhe kruarje
    06/03/2023
  • Doktor, kur je mbi 40 vjeç, duhet ta marrësh aspirinën e zemrës?
    Doktor, kur je mbi 40 vjeç, duhet ta marrësh aspirinën e zemrës?
    06/03/2023
  • Ad hominem “Protegas sanitas, diutius vivere” – Mbroni shëndetin, të jetoni gjatë.
    Ad hominem “Protegas sanitas, diutius vivere” – Mbroni shëndetin, të jetoni gjatë.
    06/03/2023
© American Hospital sh.a. Të gjitha të drejtat e rezervuara. - Politikat e privatësisë