Tel. +355 (0) 42 35 75 35    -    Kontakt    -               
American Hospital
  • Shërbimet Mjekësore
  • Stafi Mjekësor
  • Degët
  • Të Reja
  • Pacientët
  • Rreth Nesh
    • Chairman
    • Burimet Njerëzore
    • Pyetjet më të shpeshta
    • Kontakt
  • EnglishEnglish
  • Shërbimet Mjekësore
  • Stafi Mjekësor
  • Degët
  • Të Reja
  • Pacientët
  • Rreth Nesh
    • Chairman
    • Burimet Njerëzore
    • Pyetjet më të shpeshta
    • Kontakt
  • EnglishEnglish

Blog

American Hospital > Të Reja 2

Infeksionet e pishinave. Si të mbrohemi!

By Spitali Amerikan - Të Reja

Stina e shumëpritur e verës kërkon një vëmendje më të madhe për kujdesin ndaj shëndetit. Temperaturat e larta ju çojnë drejt destinacioneve të pushimit, det apo mal. Por ka nga ata që zgjedhin edhe frekuentimin e shpeshtë të pishinave. Fakt është, se kjo nuk vjen pa pasoja për shëndetin.

Nëse jeni frekuentues i pishinave apo parqeve ujore duhet të keni parasysh rëndësinë e mbrojtjes së shëndetit tuaj duke parandaluar infeksionet.

Pavarësisht se pjesa më e madhe e njerëzve besojnë se klori është një dezinfektues shumë i mirë për bakteret dhe arrin të na mbrojë nga kontakti me to, ju sigurojmë se klori nuk arrin t’i zhdukë të gjitha bakteret që ndodhen në ujin e pishinave. Ka baktere sot që janë shumë tolerantë ndaj klorit, të cilët shkaktojnë infeksione të rënda për trupin e njeriut. Një prej këtyre baktereve gjendet dhe në pishina. Gëlltitja e një sasie shumë të vogël nga uji i pishinës që përmban këto baktere në njerëz të caktuar, shkakton sëmundje infektive të rënda.

Bakteret e ujit përhapen duke gëlltitur ujin, si dhe duke patur kontakt me ujë të kontaminuar; si uji në pishina, liqene apo lumenj, si dhe parqet e lojrave me ujë apo shatërvane. Bakteret e ujit  sjellin një sërë problemesh në organizmin e njeriut, si sëmundjet gastrointestinale, sëmundjet e lëkurës, veshit, probleme me frymëmarrjen, sytë, probleme neurologjike etj. Rastet më të shpeshta paraqiten me diarre. Diarreja shkaktohet nga bakteri Cryptosporidium, giardia lambia apo e-coli. Të gjithë njerzit që notojnë rregullisht apo ata që frekuentojnë pishinat në ditët e verës duhet të kenë parasysh të jenë të kujdesshëm, pasi kanë një rol kryesor në parandalimin e përhapjes së baktereve.

Si shkaktohen infeksionet e ujit?

Njerëzit që frekuentojnë pishinat kur prekin ujin, njëkohësisht prekin edhe bakteret që janë në të. Bakteret në zonën anale sjellin ndotjen e ujit dhe kjo është më e theksuar te personat që vuajnë nga diarreja. Infeksionet e pishinave gjithashtu mund të shkaktohen nga kimikatet në ujë ose kimikatet që avullojnë nga uji dhe shkaktojnë probleme të cilësisë së ajrit.

Cili është roli i klorit në pishina?

Prezenca e klorit në pishina sigurisht që eliminon bakteret që ndodhen në ujë, por koha për t’i zhdukur ato është e ngadaltë. Për të zhdukur bakteret si Crypto ose ndryshe Cryptosporidium që më së shumti gjendet në pishina, kërkojnë kohë më të gjatë për t’u eliminuar. Parazitët e Cryptosporidium janë një nga shkaqet më të zakonshme të diarresë infektive tek njerëzit, sepse ato nuk mund të zhduken lehtë nga klori dhe mund të mbijetojnë deri në 10 ditë në ujë, edhe në ujë të trajtuar sipas standarteve.

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekët tanë infeksionistë, kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Dhembja nga Sindroma e Zyrës. Zgjidhja: Fizioterapia në Spitalin Amerikan

By Spitali Amerikan - Të Reja

Jeta moderne e qytetit përbëhet kryesisht nga puna e zyrës – qëndrimi për orë të tëra në të njëjtën pozicion përpara ekraneve të kompjuterave. Në pamje të parë, mund të thuhet se kjo ndoshta nuk mund të jetë një mënyrë e rrezikshme ose e sëmurë për të jetuar. Sidoqoftë, ajo që shumica e njerëzve nuk e dinë është se një mënyrë jetese mund të çojë në pasoja serioze, sidomos për muskujt dhe shpinën tuaj.

Çfarë është Sindroma e Zyrës?

Sindroma e zyrës është dhembja në shtyllën kurrizore ose muskujt e shkaktuar nga qëndrimi ulur ose pa lëvizje në të njëjtin pozicion për periudha të gjata kohore, kryesisht duke punuar në kompjuter në një mjedis të zyrës. Kjo dhembje, e cila mund të duket e zakonshme në fillim, mund të rezultojë në dhembje kronike, sëmundje ndërvertebrale ose diskopati dhe anomali në shpinë. Qëndrimi juaj dhe aftësia juaj për të funksionuar ose lëvizur normalisht mund të preken.

Simptomat

Shumë simptoma të Sindromës së Zyrës nuk duken në mënyrë drastike në fillim, por kur mbeten të patrajtuara mund të bëhen serioze. Disa pacientë nuk janë në gjendje të lëvizin ose të rrotullojnë qafën e tyre. Të tjera simptoma janë:

Dhembje koke
Rëndesë rreth syve
Dhembje qafe
Marrje mendsh
Dhembje kronike e muskujve
Ngurtësim në duar apo këmbë
Dhembje shpine
Vështirësi në lëvizje dhe rëndesë në shpatulla

Për disa, simptomat mund të jenë gjithashtu emocionale. Ata që vuajnë nga Sindroma e Zyrës mund të fillojnë të ndeshin ndjenjat e trishtimit, depresionit ose lodhjes ekstreme.

Shkaqet

Qëndrimi ulur me këmbët tuaja të kryqëzuara – ulur në këtë pozicion për një kohë të gjatë shkakton një çekuilibër, hedhjen e peshës në vetëm njërën këmbë, duke ndikuar në gjendjen e shpinës tuaj

– Ulur duke u anuar përpara me shpatulla
– Ulur në buzë të karriges suaj
– Ulur ose duke qëndruar me krahë të palosur
– Duke qëndruar me peshë në njërën anë të trupit – pesha e trupit tuaj duhet të përhapet në mënyrë të barabartë midis të dyja këmbëve, duke parandaluar dëmtime të mundshme dhe dhembjet
– Fjetja në krah
– Mënyra se si qëndroni duke parë tv ose qëndrimi ulur duke lundruar në internet
– Mbajtja e çantës tuaj në një shpatull
– Mbajtja e takave të larta – duke veshur rregullisht këpucë që janë shumë të larta, shpina merr disa harqe të
gabuara, që mund të çojë në dhembje shpine.

Parandalimi

Nuk mjafton të marrësh vetëm një masazh kur ndjen dhembje. Ndërsa kjo mund të lehtësojë dhembjen në afat të shkurtër, simptomat e njëjta mund të rishfaqen ose të keqësohen me kalimin e kohës. Në vend të kësaj, është më mirë të përshtasni veten dhe mjedisin tuaj. Këtu janë disa këshilla të rëndësishme:

E keni ju në dorë:

Ndryshoni pozicionin tuaj të ulur ose të punës çdo njëzet ose tridhjetë minuta zgjasni muskujt e krahëve, duart, kyçet dhe këmbët çdo orë.

Ngrihuni dhe ecni përreth. Janë edhe ushtrimet bazë të stërvitjes që mund të bëni për të ndihmuar lirimin e muskujve tuaj dhe për të krijuar një lëvizje.

Sigurohuni që kyçet e dorës tuaj të jenë në pozitë të drejtë; mos i përkulni ose i ktheni ato shumë shpesh

Merrni një pushim nga kompjuteri çdo dhjetë minuta

Uluni me një qëndrim të drejtë të shpinës

Mos u ulni në skajin e karriges tuaj

Vendosni kompjuterin dhe tastierën tuaj përballë jush

Ekrani duhet të jetë në një lartërsi pak më shumë se linja e syve

Duhet të ketë shumë hapësirë për të përdorur “maus”-in dhe për të lëvizur krahët

Kompjuteri duhet të jetë një gjatësi krahësh larg prej jush

Si ju shërben fizioterapia në Spitalin Amerikan 3?

Në Qendrën tonë, ju jeni gjithmonë të mirëpritur për një kontroll ose konsultim me specialistët tanë. Për punonjësit e zyrës, ne ofrojmë një ekzaminim të plotë të shpinës tuaj dhe mund t’ju japin këshilla nëse jeni duke vuajtur nga Sindroma e Zyrës. Edhe nëse nuk po përjetoni ndonjë simptomë, është më mirë të kontrolloheni për të parandaluar. Për rastet kronike ose serioze, specialistët tanë të njohur dhe kirurgët janë këtu për të ndihmuar dhe ofruar metodat më të mira të trajtimit.

Për më shumë informacion ose vizitë me fizioterapisten Juliana Balla në Spitalin Amerikan 3,
kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

 

Kirurgjia që nuk lë asgjë pas….!! Përfitimet e Kirurgjisë Mini Invazive

By Spitali Amerikan - Të Reja

Ndërkohë që pacientët tanë mendojnë se ndryshimi midis kirurgjisë mini invazive ose laparoskopike me kirurgjinë tradicionale është se rikuperimi është më i shpejtë apo shenjat që mbetet pas janë të padukshme; përgjigjia jonë është se ndryshimi i laparoskopisë dhe kirurgjisë tradicionale është edhe ajo që pacientët nuk arrijnë ta shohin.

Përfitimi më i rëndësishëm i kirurgjisë laparoskopikë është se shkakton më pak inflamacion se kirurgjia tradicionale, ajo e hapur. Inflamacioni është reagimi i sistemit imunitar për të shëruar një plagë, përballuar një traumë, apo për të luftuar mikrobe dhe viruset. Në kirurgjitë tradicionale risku për të patur inflamacion është më i lartë, ndërkohë që në kirurgjinë laparoskopike është e kundërta. Inflamacioni i sjell pacientëve ndërlikime, duke i bërë ata mbartës të baktereve dhe viruseve të ndryshme, duke çuar më pas deri në infeksione kronike.

Një tjetër benefit i kirurgjisë laparoskopike, të cilën pacientët nuk mund ta shohin janë prerjet, të cilat shkaktojnë me pak ngjitje. Ngjitjet janë pjesë e indeve të forta dhe fikse, që lidhin organet dhe indet e barkut me njëri-tjetrin. Shkaktohen nga inflamacioni, procedurat kirurgjikale, ose të dyja. Kirurgjia laparoskopike nuk ka ekspozim ndaj baktereve apo inflamacioneve, sa mund të ketë kirurgjia tradicionale.

1. Plagët kirurgjikale me laparoskopi janë më të vogla e të padukshme

Kirurgjia laparoskopike lë pas shenja shumë të vogla, gati të padukshme. Në kirurgjinë tradicionale çarja në zonën e abdomenit është e madhe, kjo në varësi dhe të rasteve specifike. Në rastin e kirurgjisë laparoskopike, kirurgu bën disa prerje të vogla, të cilat janë përafërsisht deri në 1 cm. Prerjet e vogla janë më pak të dhimbshme dhe lënë shumë më pak shenja. Rikuperimi i plagës është më i shpejtë me laparoskopi.

2. Kirurgjia laparoskopike – Kohë më e shkurtër hospitalizimi

Plagët e vogla nuk janë e vetmja karakteristikë e mirë e laparoskopisë, kjo pasi kirurgji tradicionale do të thotë qëndrim më i gjatë në spital. Kirurgjia mini invazive laparoskopike nga ana tjetër do të thotë trauma më të lehta për plagët dhe automatikisht koha e rikuperimit është më e shpejtë, e hospitalizim më i shkurtër.

3. Prerjet laparoskopike janë gjithmonë më të sigurta se prerjet tradicionale Prerjet në kirurgjinë laparoskopike kanë risk të ulët për të sjellë infeksione apo për të mbartur baktere, kjo për arsye sepse plagët janë shumë të vogla dhe bakteret nuk arrijnë të depërtojnë në abdomen.

4. Kamera laparoskopike

Në kirurgjinë laparoskopike përdoret një kamera, e cila arrin të depërtojë dhe të sjellë pamje reale në një dimension shumë të qartë dhe i gjithë procesi i ndërhyrjes kryhet në mënyrë shumë efikase.

5. Kirurgjia laparoskopike po aq efektive, sa dhe kirurgjia e hapur

Që prej vitit 1970 kur u aplikua për herë të parë kirurgjia laparoskopike, qindra studime të tregojnë se kirurgjia laparoskopike është po aq efektive, sa dhe kirurgjia e hapur. Madje që prej asaj kohe e deri më sot, kirurgjia laparoskopike është përdorur masivisht në kirurgjinë e tëmthit apo të kancerit të kolonit. Kirurgjia laparoskopike është një ndër zgjidhjet më të mira për kirurgjinë bariatike apo bypassin gastrit.

Kirurgjia laparoskopike vlerësohet si një nga arritjet më të mëdha të shkencës në fushën e mjekësisë. Në të shumtën e rasteve pacientët që i nënshtrohen kirurgjisë laparoskopike kanë rikuperim më të shpejtë, shenja pothuajse të padukshme dhe arrijnë t’i kthehen jetës normale në një kohë shumë të shkurtër.

Për më shumë informacion ose vizitë, kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

 

Spitali Amerikan thyen rekordin e vet në Fertilizimin in Vitro

By Spitali Amerikan - Të Reja

Të bëhesh nënë, tani nuk njeh më moshë dhe limite. Spitali Amerikan regjistron rekordin e radhës në fushën e Fertilizimit in Vitro. Ekipi i IVF i drejtuar nga Dr. Elton Peçi dhe embriologu Dr. Besfort Ferhati kanë kryer me sukses një procedurë Fertilizimi in Vitro në rastin e një pacienteje italiane në moshën 62 vjeçare. Është thyer kështu rekordi i vitit 2013 i po këtij ekipi, kur u raportua lindja e parë e një femre në moshën 56 vjeçare pas një procedure IVF.

Sipas Dr. Elton Peçi, veçantia e këtij rasti është që kemi të bëjmë me të parën shtatzëni në moshën 62 vjeçe në Shqipëri dhe kjo është realizuar nëpërmjet Fekondimit in Vitro. Për momentin pacientja është në javën e 14 të shtatzënisë dhe gëzon një evolucion normal të saj. Nuk është e para herë që në Spitalin Amerikan drejtohen pacient të huaj. Mosha e saj 62 vjeç përbën rekord për Shqipërinë, madje edhe për Italinë, pasi lindja përmes Fekondimit in Vitro në moshën më të avancuar në Itali, i përket një rasti para dy vitesh në moshën 62 vjeçare.

Deri tani ecuria e shtatzënisë ka qenë mëse normale. Kjo konsiderohet si revolucion monoton, pasi që nga momenti i rezultatit pozitiv, çdo gjë ka ecur normalisht. Zhvillimi i embrionit ka ndjekur të gjitha etapat që mund të ketë kërkuar një zhvillim normal në tremujorin e parë të shtatzënisë.

Zj. Anna Rita Marini, pacientja italiane 62 vjeçare, ka shprehur entuziazmin për lajmin e bukur dhe të aq shumë pritur të shtatzënisë duke treguar më shumë për eksperiencën e saj në Spitalin Amerikan: “Kam provuar gjatë në Itali për të realizuar dëshirën time për t’u bërë nënë, por pa sukses. U konsultova dhe vendosa të provoj jashtë Italisë. Jam shumë e lumtur që zgjodha Shqipërinë dhe gjeta këtu këtë shërbim të specializuar, dhe mjekë të komunikueshëm dhe me të gjitha përgjigjet për mua. Këtu ndihem më shumë si në shtëpinë time, sesa në Itali. Më duket e pabesueshme kur mësova lajmin e shtatzënisë. Uroj që gjithçka të shkojë mirë deri në fund.”

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekët tanë të qendrës së IVF kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

 

Zbuloni në kohë melanomën. Kontrollet që duhen kryer

By Spitali Amerikan - Të Reja

Melanoma zakonisht shfaqet mes moshës 30 – 60 vjeç dhe përbën 2-3% të tumoreve. Me termin melanomë kuptohet kanceri i lëkurës, i cili e ka origjinën nga melanocitet; qelizat që kanë si funksion të tyre prodhimin e melaninës, substancës përgjegjëse për ngjyrën e lëkurës. Mund të formohet në zonat më të errëta të epidermës, ku ka ose nuk ka nishane.

Melanomat përgjithësisht klasifikohen në katër faza (nga I në IV), ndërsa faza 0 tregon stadin fillestar që ndikon vetëm në shtresën e sipërme të lëkurës.

Njihni shkaqet

Faktorët që mund të shkaktojnë zhvillimin e melanomës janë të shumta. Nuk duhet nënvlerësuar prania e nishaneve dhe sidomos atyre të reja. Një zile alarmi mund të jetë prania e më shumë se 100 nishaneve. Djegiet nga dielli në fëmijëri dhe në adoleshencë dhe ekspozimet e tepruara në diell janë faktorë rreziku të një rëndësie të veçantë. Qëndrimi për një kohë të gjatë në diell, mund të dëmtojë ADN-në dhe të shkaktojë një transformim të tumorit. Ndaj kini parasysh se edhe nxirja artificiale me llamba solar duhet të bëhet me shumë kujdes. Një rëndësi të madhe kanë karakteristikat gjenetike, një sistem imunitar jo i mirë, historia familjare ose prania e të paktën një rasti tjetër me melanomë në familje.

Kur duhet të shqetësoheni

Përpara se të kryeni diagnoza më të thella, fillimisht duhet të bëni vetë një ekzaminim të lëkurës. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është pas dushit, në një dhomë të ndriçuar mirë. Kur një nishan, i formuar kohët e fundit ose ekzistues ka marrë gjithmonë një formë të ndryshme, të parregullt, ndryshon ngjyrën, rritet, shkakton kruarje dhe ka një formë të dhëmbëzuar. Mjeku dermatolog në këto raste ju këshillon për një ekzaminim më të detajuar.

Diagnostikimi

Dermatologu do të kryejë një vizitë të të gjithë nishaneve të vjetër dhe të rinj në trup, duke vlerësuar historinë familjare dhe praninë e shenjave apo simptomave të melanomës së lëkurës. Për të qenë të sigurtë se jeni duke u përballur me një rast të kancerit, është absolutisht e nevojshme që nishani dhe zona e dyshimtë të hiqen në mënyrë kirurgjikale përmes një biopsie. Një ekzaminim histologjik do të bënte të mundur konstatimin e pranisë së qelizave kancerogjene. Rezultati i ekzaminimit bën të mundur përcaktimin e dendësisë së qelizave kancerogjene dhe llojin e melanomës për të vijuar me planifikimin e ndërhyrjeve të mëtejshme. Diagnostikimi imazherik; si skaneri dhe rezonanca magnetike përcaktojnë nëse ekziston dhe ku është përhapur sëmundja.

Parandalimi

Ka sjellje të cilat mund të zvogëlojnë rrezikun e zhvillimit të melanomave. Eshtë i domosdoshëm ekspozimi në mënyrë të moderuar në diell që në moshë të hershme, veçanërisht duke shmangur orët më të nxehta dhe duke minimizuar përdorimin e nxirjes artificiale me llamba solar. Në diell është e këshillueshme të mbani kapele, syze dielli dhe kremra mbrojtës. Është e rëndësishme që të kontrolloni periodikisht vetveten: vetekzaminimi ndonjëherë mund të bëjë të mundur identifikimin e ndryshimeve në kohë dhe ndërhyrjen në periudhën më të shkurtër të mundshme. Rekomandohet ekzaminimi i lëkurës çdo tre vjet midis moshave 20 deri në 40 vjeç dhe një ekzaminim i përvitshëm pas moshës 40 vjeç.

Trajtimi

Sot është e mundur që të zgjedhim midis operacionit që shpesh trajton në mënyrë përfundimtare sëmundjen në fazën fillestare. Radioterapia përdoret për të kuruar melanomën që shfaqet pas një trajtimi tjetër ose si terapi ndihmëse pas operacionit. Kimioterapia në përgjithësi nuk është shumë efikase, por mund jetë e dobishme në lehtësimin e simptomave në fazat e avancuara. Ka edhe vaksina edhe terapi të targetuara, ndërsa gjithnjë e më shumë janë duke u studiuar strategji të tjera imunoterapeutike.

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekun dermatolog kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

 

Venat varikoze dhe “venat merimangë”

By Spitali Amerikan - Të Reja

Shumë njerëz janë të shqetësuar për pamjen e këmbëve të tyre. 15-20% e tyre kanë vena të dukshme varikoze, ndërkohë që e njëjta përqindje i kannë të fshehura dhe shfaqin simptoma të tilla si dhembje në këmbë, këmbë të ënjtura, kruarje, ndryshime të ngjyrës së lëkurës. “Venat merimangë” zakonisht nuk shfaqin simptoma mjekësore, por janë edhe më të zakonshme; më shumë se 84% e njerëzve kanë kapilarë të dukshëm në njërë nga këmbët. Të dyja situatat janë pasojë e të njëjtit shkak: presionit në enët e gjakut kur valvulat nuk funksionojnë siç duhet dhe nuk arrijnë të kthejnë gjakun nga ekstremitetet e poshtme në zemër.

Gjatë qëndrimit në këmbë, gjaku venoz e ka më të vështirë të lëvizë nga periferia drejt zemrës për shkak të forcës së gravitetit. Venat kanë valvula të cilat bëjnë të mundur që gjaku të mos mbetet në pjesën e poshtme të këmbëve. Nëse valvulat nuk mbyllen siç duhet, gjaku nuk ngjitet lart dhe ushtron presion në muret e venës, duke shkaktuar variçet. Presioni në sistemin venoz mund të shkaktojë gjithashtu kapilarë të vegjël nën sipërfaqen e lëkurës të cilët zgjerohen dhe bëhen më të dukshëm duke marrë pamjen e një harte venash të njohurasi “vena merimangë”.

Çfarë trajtimesh përdoren për venat varikoze?

Kirurgjia “stripping” e variçeve është mënyra tradicionale e trajtimit të venave varikoze. Është trajtim efikas dhe mund të kërkojë qëndrimin spitalor 24 orë ose pacienti mund të dalë nga spitali 4-5 orë pas operacionit. Mënyra të tjera të trajtimit janë me radiofrekuencë, përmes së cilës bëhet mbyllja e venave problematike duke përdorur ngrohjen. Në mungesë të kësaj teknike mund të përdoret skleroterapia me shkumë. Kjo e fundit realizohet me anë të një lënde kimike në formën e shkumës e cila përdoret përtë eliminuar venat problematike. Për ata pacientë që kanë simptoma nga venat varikoze, “çorapet shtrënguese” duhet të rekomandohen si një trajtim i përhershëm, nëse opsionet e tjera janë të papërshtatshme. Çorapet elastokompresive janë shumë të rëndësishme dhe marrja e tyre nga pacienti duhet bërë vetëm me recetë mjekësore nga specialist kirurg vaskular. Grada e shtrëngimit e nevojshme për trajtimin e venave jepet në bazë të gradës së insufiçiencës së venave të pacientit.

“Venat merimangë” mund të trajtohen duke injektuar një substancë sklerotizuese e cila i djeg këto vena. Është një procedurë që kryhet në disa seanca.

Për më shumë informacion ose vizitë me kirurgun vaskular kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

31 Maji, Dita Botërore pa Duhan!

By Spitali Amerikan - Të Reja

Tymi i duhanit, i cilësuar jo pak herë si tymi i bardhë që vret, është tymi që del nga konsumimi i duhanit dhe letrës mbështjellëse të tij.

Ky tym përmban deri në 4 mijë substanca kimike, ku më të dëmshme për organizmin klasifikohen katrani, monoksidi i karbonit dhe nikotina. Filtrat reduktojnë sasinë e këtyre substancave që futen në organizëm përmes rrugëve të frymëmarrjes, por nuk i eliminojnë ato.

Acidi cianhidrik, akroleina, formaldeida dhe amoniaku janë gjithashtu të pranishëm në tymin e duhanit duke shkaktuar dëme të menjëhershme në mukozën e rrugëve të frymëmarrjes.

Katrani në përbërjen e tij përfshin disa substanca, mes të cilave më e njohura është benzonpireni dhe hidrokarburet aromatike. Është vërtetuar se këto substanca janë kancerogjene.

Veç të tjerash, katrani irriton rrugët e frymëmarrjes, zverdh dhëmbët, keqëson erën e gojës dhe lë një shije të hidhur.

Monoksidi i karbonit pengon hemoglobinën të transportojë sasinë e duhur të oksigjenit në organizëm.

Nga ana tjetër, nikotina si alkaloid natyral, i pranishëm në duhan në një përqindje që varion nga 2 deri në 8%, përveçse përmban doza helmuese, krijon varësi për përdoruesit! Stimulon çlirimin e dopaminës në Sistemin Nervor Qëndror dhe atë të adrenalinës nga gjendra mbiveshkore. Për aq kohë sa konsumon duhan, stimulon mendjen dhe trupin,; por menjëherë më pas humori përkeqësohet, duke e nxitur kështu duhanpirësin të ndezë cigaren e radhës për të shijuar sërish emocionet pozitive.

Përveç varësisë farmakologjike nga nikotina, duhanpirësi krijon edhe një varësi psikologjike. Kur ndalon pirjen e duhanit, manifestohet gjendje si:

  • nervozizëm, zemërim, ankth;
  • dëshirë e pakuptueshme për të pirë duhan;
  • vështirësi në përqëndrim;
  • deri edhe pagjumësi.

Disa nga dëmet e duhanpirjes që shfaqen në aparatin e frymëmarrjes janë:

  • irritimi,
  • mukusi i shtuar,
  • bronkiti akut,
  • më pas bronkit kronik,

Dhe emfizemë pulmonare.

Nuk përjashtohet edhe mundësia për infeksione në rrugët e frymëmarrjes dhe astmë.

Nuk duhet të harrojmë se pirja e duhanit rrit rrezikun e shumë llojeve të kancerit; në rrezik janë para së gjithash rrugët e frymëmarrjes pasi ato janë të ekspozuara drejtpërdrejt ndaj pirjes së duhanit. Te duhanpirësit rreziku për kancer të mushkërive është 20 herë më i lartë se te personat që nuk pinë duhan. I lartë paraqitet edhe rreziku i kancerit në veshka dhe në fshikëzën e urinës, duke qenë se substancat kancerogjene të duhanit eliminohen nga veshkat dhe dalin nga fshikëza me anë të urinës.

Nëse jeni duhanpirës, ​​bëni gjithçka të mundshme për ta lënë duhanin.

E keni ju në dorë, bëjini një dhuratë të bukur vetes, lini duhanin dhe përmirësoni cilësinë e jetës tuaj!

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekun toksikolog kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan, gjithmonë e më shumë, një zgjedhje e pacientëve të huaj

By Spitali Amerikan - Të Reja

Raporti cilësi-çmim dhe shërbimet inovative që ofron kanë bërë që gjithmonë e më shumë, pacientë të huaj të zgjedhin Spitalin Amerikan.

E fundit është shtetasja maqedonase Ljupka Avramovikj, e cila iu nënshtrua një operacioni në stomak të quajtur “sleeves”. Kjo ndërhyrje ndihmon në humbjen e peshës, duke zvogëluar stomakun dhe rrjedhimisht aftësinë dhe kapacitetin e tij për të mbajtur ushqimin. Operacioni u realizua me sukses përmes teknikës laparoskopike, nga kirurgu i mirënjohur italian, Prof. Dr. Antonio Catona, në Spitalin Amerikan 3.

“Problemi nuk është vetëm estetik, sepse obeziteti jep edhe probleme kardiake, pulmonare, të artikulacioneve, të diabetit, pra është një sëmundje gjenerale. Operacioni konsiston në faktin e shndërrimit të stomakut në një “mëngë” apo “sleeves” siç quhet në anglisht. Stomaku mban rreth 2l përmbajtje likidesh, e cila pas operacionit reduktohet në 150ml. Ky operacion suportohet shumë mirë nga ana e pacientit, i cili më pas mund të konsumojë të gjitha llojet e ushqimeve, por në sasi më të vogla”, sqaroi Prof. Dr. Antonio Catona, kirurgu i përgjithshëm, i pari në botë që ka realizuar me laparoskopi këtë lloj ndërhyrje.

Gërshetimi i eksperiencës mjekësore me teknologjinë inovative ka bërë që emri i Spitalit Amerikan të kalojë kufijtë shqipfolës, dhe qindra pacientë të huaj të konsiderojnë Spitalin Amerikan, si destinacionin mjekësor që u jep zgjidhje të suksesshme të gjitha patologjive; nga ato më të thjeshta deri edhe kirurgjitë më të komplikuara.

“Kisha dëgjuar fjalë të mira për Spitalin Amerikan dhe kirurgun e shkëlqyer Prof. Dr. Antonio Catona që këtë lloj ndërhyrje e kryejnë me laparoskopi përmes tubash dhe jo me kirurgji klasike, ndaj dhe vendosa. Referencat në këtë rast ishin të drejta”, u shpreh 30-vjeçarja.

E ardhur për një kontroll post operativ ajo rrëfeu se koha e shkurtër e hospitalizimit që mundëson teknika mini-invazive laparoskopike, i dha shansin të kthehej shpejt në përditshmëri. Ndërsa vlerësoi dhe falënderoi kirurgun, pacientja nënvizoi edhe punën e palodhur të stafit mjekësor të Spitalit Amerikan.

“Qëndrova rreth 5 ditë në Spitalin Amerikan dhe shpreh vlerësimet më të mira për të gjitha kushtet dhe në veçanti dua të falënderoj Prof. Dr. Antonio Catona-n dhe stafin infermieror të cilët ishin të gatshëm në çdo moment”, theksoi Ljupka Avramovikj.

 

Vlen të theksohet se te pacientët me diabet është vërejtur se pas kësaj ndërhyrje kjo patologji është zhdukur në 90% të rasteve. Gjithashtu përmirëson frymëmarrjen, duke hapur ato fusha pulmonare të cilat më parë ishin të mbyllura.

Në harkun kohor të një viti, në Spitalin Amerikan janë kryer me sukses të plotë pa asnjë komplikacion rreth 20 operacione të tilla.

Për më shumë informacion ose vizitë me kirurgun e përgjithshëm Prof. Dr. Antonio Catona kontaktoni në 042357535 ose klikoni në:

rezervime.spitaliamerikan.com

Kujdesi për bebet në verë Spitali Amerikan, këshilla të vlefshme për prindërit

By Spitali Amerikan - Të Reja

Ka vetëm një gjë me të cilën nuk mund të bëni kompromis, me atë çfarë është pa diskutim më e mira për fëmijën tuaj. Ju do zgjidhni mjekun më të mirë për të ndjekur shtatzëninë tuaj, do ndiqni rigorozisht këshillat e specialistit, do ushqeheni sipas dietës ideale e që u shërben ju dhe bebit tuaj, do zgjidhni ku do bëni lindjen dhe pasi të keni në krahë krijesën tuaj të shtrenjtë, do këshilloheni në vazhdim me më të mirët.

Spitali Amerikan është zgjedhja juaj për të gjithë hapat dhe ju sigurojmë se rrugëtimi juaj që nga fillimi i familjes dhe prindërimi do të jetë më i bukur , pa frikë apo dyshime dhe me më shumë siguri.

Stina e verës shtron pyetjet më të shpeshta e ngre dilemat për prindërit e rinj dhe jo vetëm, për kujdesin ndaj foshnjave dhe fëmijëve. Nga dr. Niketa Kolici, mjekja specialiste neonate vijnë disa këshilla të vlefshme dhe që shuajnë kuriozitetit dhe të panjohurat sidomos për sjelljen e prindërve të rinj.

Sipas dr. Niketa Kolici, mjeke pediatër neonatologe në Spitalin Amerikan 3, ekspozimi në diell, si faktor i rëndësishëm në rritjen e shëndetshme të bebit tuaj, kërkon një vëmendje të veçantë. Ka gjithmonë një diskutim të gjerë se kur duhet të përdorni krem mbrojtës kundra diellit. Kremi këshillohet të përdoret duke filluar nga muaji i 6 i jetës. Duhet të aplikohet gjysmë ore para se bebi të ekspozohet në diell. Ndiqni rregullin e artë: “ Sa më i vogël fëmija dhe e gjatë koha e ekspozimit, aq më i lartë duhet të jetë faktori SPF mbrojtës. Sipas mjekes, këshillohet evitimi i produkteve mbrojtëse në kombinim me ato kundër insekteve.

Rrezet e diellit janë shumë të dobishme pasi nxisin prodhimin e vitaminës D, por ekspozimi duhet të bëhet në mënyrë graduale. Prindërit duhet të shmangin oraret e pikut të vapës 10.00 deri në 16.00 të pasdites; pasi intensiteti i diellit dhe rrezatimi është i dëmshëm, Kështu evitohet dehidrimi, skuqjet apo djegiet e lëkurës dhe në vazhdim ulni rrezikun e shfaqjes së formave të kancerit të lëkurës.

Praktika të tjera që i vijnë në ndihmë fëmijës tuaj janë veshja me rroba të lehta (lino ose pambuk) dhe e rëndësishme të jenë ngjyra të çelëta, të cilat nuk i thithin rrezet e diellit.

Freskojini shpesh kokën ose të gjithë trupin me ujë në një temperaturë normale Hidratimi është rregulli i artë që duhet ndjekur me përpikmëri për të zëvendësuar lëngjet e humbura nëpërmjet djersitjes. Në rast të temperaturave të larta, për nënat që ushqejnë bebet me gji këshillohet një rritje e intensitetit të gjidhënies sa herë që fëmija e kërkon apo për rastet e ushqyerjes me qumësht formule të kontrollohet dhe ruhet në kushte të përshtatshme. Në moshat mbi një vjeç, të dobishme mund të jenë edhe pijet të cilat përmbajnë kripëra minerale. Ajrosja e ambientit në mënyrë konstante dhe përdorimi i kondicionerit në temperatura normale 23-24 gradë ndihmon në mirëqenien tuaj dhe të bebit tuaj.

Këto këshilla me siguri do ta bëjnë ta shijoni më shumë stinën e verës.

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekët tanë pediatër kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

 

Kirurgjia moderne e këmbës, vetëm në Spitalin Amerikan!

By Spitali Amerikan - Të Reja

Prof. Dr. Ernst Orthner, kirurgu ortoped austriak, eminent në kirurgjinë ortopedike, që nga muaji Qershor 2018 ju shërben pacientëve në Spitalin Amerikan, me metodat më të avancuara të trajtimit të problemeve me këmbën.

Kirurgjia ortopedike ka evoluar me hapa të mëdha këto 20-30 vitet e fundit. Spitali Amerikan, pararojë në shërbimet dhe teknologjitë më të avancuara në fushën e mjekësisë në vend dhe rajon, ka përqafuar me sukses çdo metodë inovative të përdorur në shërbim të përmirësimit të cilësisë së jetës, reduktimit të dhimbjes, si dhe zgjidhjes përfundimtare të patologjive të ndryshme.

Pacientët në Spitalin Amerikan tani do të ketë fatin dhe mundësinë të njihen nga afër dhe të përfitojnë shërbim të specializuar nga një prej eminencave të fushës së kirurgjisë ortopedike, kirurgut ortoped austriak Prof. Dr. Ernst Orthner, që solli 20 vite më parë sistemin e ri të kirurgjisë së këmbës, duke përdorur metoda specifike si; vendosja e pllakave ose vidave, përdorimin e metodave minimale invazive, protezën e kyçit të këmbës, operacionet e tendinit dhe deformimeve të tij, trajtime të specializuara sidomos për këmbën diabetike, si edhe rikonstruktimin e këmbës për të shmangur amputimin.

Problemet me këmbën shfaqen në forma të ndryshme, duke shkaktuar dhembje kronike, vështirësi funksionale, si në ecje, shpesh shqetësim edhe estetik.

Në jo pak raste, për këto shqetësime që sjell këmba dhe shputa e këmbës, pacientët nuk janë të mirinformuar. Dhembja e tabanit të këmbës (shputës), deformimet post-traumatike, artriti, deformimet e këmbëve te foshnjat, këmba diabetike etj; janë patologjitë më të zakonshme.

Për trajtimin e këtyre patologjive zgjidhja e parë e rekomanduar është përdorimi i këpucëve ortopedike apo medikamentet e ndryshme. Në skenarët më të komplikuar dhe patologjitë më të rënda zgjidhja mbetet amputimi.

Prof. Dr. Ernst Orthner nga eksperienca e tij me më shumë se 15.000 operacione, është një prej kirurgëve më të famshëm të këmbës dhe shputës në të gjithë Evropën. Ai është ftuar si moderator në më shumë se 30 kongrese kombëtare dhe ndërkombëtare, si edhe i ftuar nderi në Kongreset e Kirurgjisë Moderne të Këmbës në Gjermani, Austri, Rumani, Greqi, Zvicër, Spanjë, Itali dhe Luksemburg. Ai ushtron profesionin e tij në dy spitale dhe 2 Qendra të Trajtimit të Këmbës në Austri.

Në eksperiencën e tij shumëvjeçare, Prof. Dr. Orthner trajton pacientë të ndryshëm në mbarë botën dhe idetë e tij të avancuara për trajtimin e patologjive të këmbës përdoren tashmë në nivel ndërkombëtar. Prof. Dr. Ernst Orthner i ka dhënë zgjidhje dhe rasteve më të komplikuara si:

* Problemet degjenerative dhe artritin

* Artritin e kyçit të këmbës, duke e ristrukturuar nga e para apo duke përdorur metodën e artroskopisë

* Këmbën diabetike, e cila mund të trajtohet me kirurgji mini invazive duke parandaluar amputimin e këmbës

* Deformimet e shputës së këmbës siç janë bunions (gungat në këmbë), tkurrja e gishtave të këmbës, kallot; si dhe keqformime të tjera që sjellin vështirësi në ecje

* Rikonstruktimin e funksionit të këmbës, duke përdorur implantet speciale

* Deformimet post traumatike dhe rikostruktimin post traumatik

* Dëmtimet akute të këmbës dhe frakturat komplekse

Prof. Dr. Ernst Orthner do të jetë në Spitalin Amerikan 3, në Qershor, për të sjellë këto metoda të avancuara për trajtimin e patologjive të këmbës, duke reduktuar dhembjet, rifituar funksionin e këmbës dhe për të shmangur amputimin e saj.

Për më shumë informacion ose vizitë me Prof. Dr. Ernst Orthner kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Page 23 of 34«‹2122232425›»

Të Fundit

  • Mario Karaj – CEO i Spitalit Amerikan, intervistë ekskluzive për prestigjozen “USA Today”
    Mario Karaj – CEO i Spitalit Amerikan, intervistë ekskluzive për prestigjozen “USA Today”
    05/03/2025
  • Nga Dhjetori 2006, Spitali Amerikan prej 17 vitesh mundëson shërbimet bashkëkohore që dikur detyronin shqiptarët të dilnin jashtë vendit
    Nga Dhjetori 2006, Spitali Amerikan prej 17 vitesh mundëson shërbimet bashkëkohore që dikur detyronin shqiptarët të dilnin jashtë vendit
    13/12/2023
  • Masterklasi Ndërkombëtar i Imazherisë së Gjirit mbledh në Tiranë elitën e mjekësisë shqiptare dhe të huaj
    Masterklasi Ndërkombëtar i Imazherisë së Gjirit mbledh në Tiranë elitën e mjekësisë shqiptare dhe të huaj
    18/09/2023
  • Kujdes shëndetin në stinën e nxehtë, Spitali Amerikan ofron paketat ekzaminuese për korrik-gusht 2023
    Kujdes shëndetin në stinën e nxehtë, Spitali Amerikan ofron paketat ekzaminuese për korrik-gusht 2023
    10/07/2023
  • Prof.Dr. Perlat Kapisyzi FCCP: Pletismografia, është i vetmi ekzaminim i sistemit respirator që vlerëson shkëmbimin e oksigjenit në nivel alveolar
    Prof.Dr. Perlat Kapisyzi FCCP: Pletismografia, është i vetmi ekzaminim i sistemit respirator që vlerëson shkëmbimin e oksigjenit në nivel alveolar
    15/05/2023
  • Sindromi i Zorrës së Gjatë apo Dolichosigmoid Colon Syndrome
    Sindromi i Zorrës së Gjatë apo Dolichosigmoid Colon Syndrome
    06/03/2023
  • Infeksionet Stafilokoksike, diagnostikimi, trajtimi dhe masat parandaluese
    Infeksionet Stafilokoksike, diagnostikimi, trajtimi dhe masat parandaluese
    06/03/2023
  • Urtikariet, Dr. Shk.Alketa Bakiri: Ja çfarë duhet të bëni kur keni këto manifestime kutane në lëkurë të shoqëruara me skuqje dhe kruarje
    Urtikariet, Dr. Shk.Alketa Bakiri: Ja çfarë duhet të bëni kur keni këto manifestime kutane në lëkurë të shoqëruara me skuqje dhe kruarje
    06/03/2023
  • Doktor, kur je mbi 40 vjeç, duhet ta marrësh aspirinën e zemrës?
    Doktor, kur je mbi 40 vjeç, duhet ta marrësh aspirinën e zemrës?
    06/03/2023
  • Ad hominem “Protegas sanitas, diutius vivere” – Mbroni shëndetin, të jetoni gjatë.
    Ad hominem “Protegas sanitas, diutius vivere” – Mbroni shëndetin, të jetoni gjatë.
    06/03/2023
© American Hospital sh.a. Të gjitha të drejtat e rezervuara. - Politikat e privatësisë