Dr. Arben Dhima është mjek radiolog dhe specialist i mjekësisë nukleare me mbi 25 vite përvojë në imazherinë diagnostike, me fokus të veçantë në diagnostikën dhe menaxhimin e sëmundjeve onkologjike përmes teknikave moderne të imazherisë hibride. Ekspertiza e tij përfshin përdorimin e metodave të avancuara si PET/CT (FDG, Metioninë dhe PSMA), SPECT/CT dhe Total Body CT, të cilat janë thelbësore për diagnostikimin e hershëm, stadifikimin dhe ndjekjen e sëmundjeve tumorale.
Gjatë karrierës së tij, ai ka ndjekur një sërë trajnimesh dhe specializimesh ndërkombëtare në qendra prestigjioze mjekësore në Evropë, duke përfshirë Italinë dhe Austrinë, ku ka zhvilluar ekspertizë të avancuar në radiologji dhe mjekësi nukleare.
Një nga përvojat më të rëndësishme profesionale ishte specializimi njëvjeçar në Innsbruck University Medical Center, ku u trajnua në teknikat moderne të imazherisë dhe kontribuoi në analizimin e më shumë se 4000 ekzaminimeve PET/CT.
Së fundmi, në vitin 2025, Dr. Dhima ka kryer një trajnim afatgjatë profesional në Departamentin e Mjekësisë Nukleare në Humanitas Research Hospital, një nga qendrat më prestigjioze të kërkimit dhe trajtimit në Evropë. Gjatë këtij programi, ai ndoqi dhe interpretoi ekzaminime PET/CT me një gamë të gjerë radiofarmakësh (18F-FDG, 18F-PSMA-1007, 68Ga-PSMA, 11C Metioninë, 18F-FET, 18F-DOPA, 68Ga-DOTA-TOC), mori pjesë në tumor board multidisiplinar dhe kontribuoi në përgatitjen e një publikimi shkencor mbi kriteret e vlerësimit të përgjigjes ndaj trajtimit në onkologji me temë: “THE IMPORTANCE OF MOLECULAR IMAGING RESPONSE CRITERIA: RATIONALE AND OVERVIEW”, British Journal of Radiology, Oxford Academic.
Ai ka marrë pjesë gjithashtu në kongrese ndërkombëtare të radiologjisë dhe mjekësisë nukleare në qytete si Lyon, Hamburg dhe Barcelona, duke qëndruar i përditësuar me zhvillimet më të fundit shkencore dhe teknologjike në diagnostikën me imazheri.
Gjatë praktikës klinike, Dr. Dhima ka punuar si radiolog në Qendrën Diagnostike “Medicare”, ka shërbyer si Shef i Shërbimit të Mjekësisë Nukleare në QSUT “Nënë Tereza”, Tiranë. Aktualisht, Dr. Dhima ushtron profesionin e tij si mjek radiolog dhe specialist i mjekësisë nukleare në Spitalin Amerikan në Tiranë, ku shërben si Shef i Shërbimit të Mjekësisë Nukleare në Spitalin Amerikan 1 dhe 3 dhe Shef i Shërbimit të PET/CT në Spitalin Hygeia, duke kontribuar në diagnostikën e avancuar dhe në trajtimin multidisiplinar të pacientëve, veçanërisht në fushën e onkologjisë.
Edukimi & Trajnimet Profesionale
• Korrik 1994 — Diplomë në Mjekësi të Përgjithshme, Fakulteti i Mjekësisë
• 1997–2001 — Specializim në Radiologji, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë — Diplomë në Radiologji
• Mars–Shtator 2001 — Trajnim i avancuar në Total Body CT, Policlinico di Bari, Itali
Përvojë me mbi 2,000 ekzaminime CT në imazherinë abdominale, urgjenca dhe stadifikim onkologjik, si dhe rreth 900 orë diskutime në borde radiologjike të fokusuara në Total Body CT
• 2003–2004 — Master
• 17 Prill–17 Korrik 2005 — Trajnim në Mjekësi Nukleare, Università Cattolica del Sacro Cuore – Policlinico Gemelli, Romë, Itali
Fokus në shintigrafi të tiroides, kockave dhe veshkave, si dhe SPECT/CT, veçanërisht për stadifikimin e tumoreve neuroendokrine dhe karcinomës së diferencuar të tiroides
• 2007 — Trajnim në Mjekësi Nukleare në QSUT “Nënë Tereza”, në bashkëpunim me IFB Tiranë
• 2008–2009 — Specializim njëvjeçar në shintigrafi konvencionale dhe imazheri hibride (SPECT/CT & PET/CT) në Innsbruck University Medical Center, Austri
Fokus në onkologji, pjesëmarrje në tumor board multidisiplinar, përfshirë trajtimin e tumoreve hepatike (HCC) me Yttrium-90 dhe tumoreve neuroendokrine me Lutetium-177
Përvojë me mbi 4,000 ekzaminime PET/CT me radiofarmakë si FDG, 18F-Choline dhe Ga-68 DOTA (DOTA-TOC, DOTA-TATE)
• Gusht 2010 — Trajnim i avancuar në menaxhimin e kancerit të tiroides, Innsbruck, Austri
• Shtator 2012 — Trajnim në trajtimin e kancerit të tiroides dhe SPECT/CT, Romë, Itali
• Tetor 2013 – në vazhdim — Pjesëmarrje e vazhdueshme në Kongreset Vjetore të Mjekësisë Nukleare në vende si Lyon, Hamburg, Barcelona
• Dhjetor 2025 — Trajnim i avancuar klinik në Mjekësi Nukleare në Humanitas Research Hospital, Milano, Itali
Përvoja Klinike & Profesionale
• 1994–1996 — Mjek i përgjithshëm, Spitali i Vlorës
• 2001–2007 — Radiolog në Qendrën Diagnostike “Medicare”, me fokus në CT të abdomenit, toraksit dhe neuroradiologji
• 2007–2016 — Mjek i Mjekësisë Nukleare në QSUT “Nënë Tereza”, Tiranë
Ka shërbyer si Shef i Shërbimit të Mjekësisë Nukleare
• 2016–sot — Mjek i Mjekësisë Nukleare dhe Radiolog në Spitalin Amerikan, Tiranë, në Departamentin e Imazherisë së Avancuar
Shef i Shërbimit të Mjekësisë Nukleare në Spitalin Amerikan 1 dhe 3 dhe Shef i Shërbimit të PET/CT në Spitalin Hygeia






